Xhenet Sula: Kontributi i luftëtarëve të krahinës së Lopësit

665
Sigal

MË 1920 LABËRIT  E LOPËSIT  IA  BËNË  FORA KUNDRA ITALISË, UDHËHEQUR NGA SELAM MUSA SALARIA DHE DULE DALANI DHËMBLANI!

KONTRIBUTI  I  MBI  320 LUFTËTARËVE  TË KRAHINËS  SË  LOPËSIT  NË  LUFTËN E VLORËS  100 -VJET MË PARË

“Veterani të njëzetës, / Si djalë seç i ndizet gjaku,/ Trupin e bënë   barrikadë, / Brinjën bajonetë te pragu.”    

                                                                                                               

Duke parë se Italia nuk po largohej nga zonat e pushtuara edhe pse Lufta e Parë Botërore kishte përfunduar në nëntorin e vitit 1918, populli shqiptar e kuptoi qartë qëllimin  e qeverisë së Romës, që vazhdonte të mbante akoma nën pushtimin e saj Vlorën e Tepelenën dhe  rrethinat krah tyre.  Kjo dukej qartë dhe si rezultat i pazarllëqeve, të cilat ishin bërë midis Italisë dhe tri fuqive  të Antantës: Anglisë, Francës dhe Rusisë, që bënë në kurriz të shtetit shqiptar, të pavarësisë dhe tërësisë së tij tokësore, që kishin nisur me fillimin e Luftës së Parë Botërore, e përfunduar  më  26 prill 1915, në Londër.  Njëra nga këto pika ishte që Shqipëria të mos i rezervohej e gjitha Italisë, Jugu t’i kalonte Greqisë  “asnjanëse” , kurse Veriu, Malit të Zi dhe Serbisë, që luftonin në anën e tyre. Nisur nga kjo rezistenca e popullit Shqiptar sa vinte e rritej çdo ditë. Fillimisht qe kërkesa e komitetit të ri “Mbrojtja kombëtare e Kosovës” më 7 nëntor 1918, udhëhequr nga Kryetari i këtij komiteti Kadri Prishtina,  ku në njërën nga katër pikat e këtij programi thuhej se për të pasur një shtet shqiptar  të lirë dhe të pavarur, Italia duhej që të hiqte dorë nga Vlora dhe ushtria serbe të tërhiqej nga tokat shqiptare të pushtuara. Përpjekjet e shumta 13 mujore që nisën nga i gjithë vendi duke filluar nga klubet  e  shoqëritë  atdhetare, të cilat iu drejtuan urgjent edhe me telegram Konferencës së Paqes në Paris nuk pati sukses. Kështu më 29 maj 1920 në Barçalla ,(Dukat) u mblodh  ilegalisht kuvendi i Vlorës, i cili zgjodhi Komitetin  e “Mbrojtjes Kombëtare” i përbërë nga 12 veta me kryetar Osman Hoxhiun. Kuvendi caktoi një komision ushtarak, i cili hartoi planin e luftës, dhe do të merrej me organizimin  e çetave vullnetare në luftë kundra italianëve. Në pikën katër të vendimit thuhej se grumbullimi  i  forcave vullnetare luftarake shqiptare të bëhej më 2 qershor 1920 në Beun. Në këtë luftë nga i gjithë vendi u angazhuan forcat më të mira të kombit dhe drejtuesit më të përgatitur politikisht e ushtarakisht. Po atë ditë në Beun u grumbulluan qindra vullnetarë.

 Rreth 75 fshatarë nga Nivica, Rexhini e Gusmari  arritën në Beun në 3 qershor.

Në të njëjtën ditë mbërritën dhe përfaqësues nga Vunoi e Himara,si dhe nga krahina e Lopësit e Tepelena, Përmeti, Skrapari, dhe Gjirokastra. (AMH, VI,dos,50). Kësaj thirrje iu bashkua dhe batalioni i milicisë shqiptare i përbërë nga 300 veta,të cilët dezertuan nga ushtria italiane. (AMH, VL.dok 42. dok 49). Më 3 qershor komisioni ushtarak hartoi planin e luftimeve dhe përcaktoi vendet se ku e si do të pozicionoheshin për luftim çetat. Forcat e grumbulluara  vullnetare u përqëndruan në Kotë, në Gjorm, në Drashovicë, Matohasanaj e Llogara. (Dosjan37,42.44…)   4000 luftëtarë vullnetarë nga i gjithë vendi të veshur e pa veshur, me pushkë e pa të,  me bukë e pa bukë,  përballë 20000  forcave të një ushtrie moderne e armatosur me të gjitha mjetet e nevojshme për një luftë, të cilat ishin në Shqipëri dhe pjesa më e madhe e tyre e përqendruar në rrethin Vlorës, e Tepelenës në Himarë e  Sarandë.  Për drejtimin e këtyre çetave vullnetare, komiteti kishte zgjedhur trimat më të vendosur që kishin dhënë prova edhe më parë për mbrojtjen e atdheut. Kështu çetën e Vranishtit e udhëhiqte  Sali Vranishti, të Smokthinës,  Zigur Lelua,  të Salarisë, Selam Musai, të Dhëmblanit, Dule Dalani, të Tërbaçit, Selman Hyseni, të Kaninës, Beqir Veloja,..etj.  Nga 5 qershori e deri më 3 shtator 1920 në trekëndëshin Vlorë-Tepelenë – Himarë u zhvillua një kryengritje e fuqishme dhe e organizuar  e cila vuri përpara ushtrinë e fuqishme italiane. Në këtë lufte krahina e Lopësit dha kontributin e saj e ndarë në dy pjesë njëra luftoi për çlirimin e Kotës,e tjetra për çlirimin e Matohasane e Tepelenës. Nga data 5 deri më 10 qershor 1920 çetat e krahinës së Lopësit të drejtuara nga Selam Musai e Dule Dalani, së bashku me çetat vullnetare të Smokthinës, Stevasterit, Mavrovës, Bolenës, Gorrishtit dhe e Kurveleshit të Sipërm, rrethuan garnizonin ushtarak të Kotës, i cili qe i fortifikuar dhe drejtohej nga gjeneral Goti. Çeta e Lopësit  zuri pozicionin përballë  kodrës në majën e së cilës ishte dislokuar një top, i cili shtinte pa pushim mbi luftëtarët e çetave duke ruajtur komandën dhe shtabin Italian. Selami printe në ballë dhe me fjalët “Përpara djema!”-Të gjallë t’i kapim breshkamanët” -së bashku me shokët u hodh mbi telat me gjemba drejt transheve të fortifikuara, ku mbi kokat e këtyre luftëtarëve vërshonin si rrebesh pa pushim  tonelata gjyle e predha dhe plumba që zbrazeshin nga armët e armikut. Selami pasi asgjëson disa artilierë, shkon dhe mbi topin e kapur vendosi flamurin. Rrethimi sa vinte e ngushtohej nga kryengritësit. Përballë 100  metra larg  godinës së shtabit Selam Musai, i dha urdhër gojarisht shtabit armik që të dorëzoheshin  pa kushte. Në atë pak heshtje në pritje përgjigje nuk u mor. Veç pas pak në dritaren e dhomës ku qëndronte gjenerali u duk i varuar një flamur i badhë, si shenjë dorëzimi. Pa kaluar as pesë minuta, vetë gjeneral Goti del në shkallë dhe pas tij oficerët e tjerë. Duke parë këtë veprim luftëtarët çohen kapërcejnë portën e oborrit dhe shkojnë drejt tij. Në këto momente disa nga ushtarët armiq befasisht hapin zjarr e hodhën bomba kundra luftëtarëve. Nga ky zjarr vritet  Dushan Kaçoja të cilit populli i këndoi: “Të dielën në saba/ U vra Dushan Kaçua/ Briti:”O Selam Musa/ Merrëm hakën o vëlla” Duke parë këtë ngjarje, njeri nga luftëtarët  e çetës  së Nivicës  qëllon gjeneralin me pushkë duke e lënë të vdekur. (Xh.M.Tiranë. Selam M.Salaria, fq,101). Në fazën e parë të luftimeve e cila u zhvillua na data 5 deri në 10 qershor u çliruan nga luftëtarët e çetave të  vendit Kota, Drashovica, Gjormi, Llogarja, Matohasanajt dhe Tepelena.

Në Fazën e Dytë  të Luftimeve                                              

Edhe në Fazën e Dytë  të Luftimeve  që u zhvillua nga 11 qershor – 1 shtator 1920, krahina e Lopësit dha shembullin e saj krah krahinave e qyteteve të vendit tonë, të cilat morën pjesë në luftë për çlirimin e Vlorës. Të gjashtë çetat e kësaj krahine, si ajo e Salarisë me 105 luftëtarë, e Dhëmblanit me  94 luftëtarë,  e Lab-Martallozit me 21 luftëtarë, e Matohasane me 34 luftëtarë,  e Sinane me 25 luftëtarë dhe çeta e Dorzës me 41 luftëtarë,  u pozicionua në qendër të fortesave të mbrojtjes së ushtrisë italiane, në Qafën e Koçiut. Me dhënien e urdhrit për sulme nga Komiteti  i Mbrojtjes Kombëtare duke u gdhirë data 11 qershor 1920, në ora 02:00, lufta filloi e rreptë. Çeta e Lopësit e drejtuar nga kryekomandanti Selam Musai dhe Dule Dalani ,sulmuan pa pushim duke avancuar në drejtim të Spitalit, por arritja te objektivi qe e pa mundur,  pasi i tërë territori ku ishte dislokuar komanda dhe shtabi italian e pjesa më e madhe e ushtrisë, ishte e rrethuar me tela me gjemba të ndarë në skalione ngritur në mure të larta veshur me rrjeta teli gjembi.

Sipas një veterani, ish luftëtar pjesëmarrës vullnetar në këtë luftë, Barjam Banush Hasa nga Dorëza, i cili qe dhe komandanti i çetës së po këtij fshati, në kujtimet e lëna të shkruara tregon se: “Pas dy orësh luftime, papritur në krahun tonë në një moment na vjen me zvarritje barkas, Selam Musai së bashku me Dule Dalanin dhe me zë të ulët na thotë: “-Dëgjoni djema, se na duhen nja 20 djemë  trima nga Lopësi për të çarë rrethimin e ngjeshur me tela gjemba, që t’i kapim të gjallë brenda, ndryshe e humbëm davanë!!! Pas dhjetë minutash u mblodhën 20 djemtë më të fortë dhe nisen barkas me zvarritje të ndarë 15 metra larg nga njeri tjetri në drejtim për te Spitali. Rrugës na kalonin anash dhe mbi kokë mijëra plumba dhe afër nesh binin tonelata predhash mortajash, të cilët armiqtë qëllonin pa pushim. Teksa do të kalonim dhe skalionin e parafundit, i cili qe shumë afër shtabit, nga ndriçimi i dritës së prozhektorëve ushtarët italianë  na diktuan, e duke mos patur kohë,  Selam Musai i cili printe në ballë, u ndesh me ta trup më trup dhe në një momenti bërtiti: “Para o shok, t’i hedhim italianët në det!” Dhe me këtë zë së bashku me Dule Dalanin, i cili qe pak metra më tej me Ibrahim Muçaj, Barjam Hasaj, Shefqet Shehu e shumë të tjerë, çanë rrethimin dhe futet brenda formacioneve  të reparteve të ushtrisë italiane,  kapedani vritet, duke rënë heroikisht në betejën e fundit, ashtu sikurse pak metra më te,j vritet edhe trimi Dule Dalani, i cili kur pa që u vra Selami u ngrit në këmbë qëlloi për të marrë hak e u vra dhe ra për lirinë e vatanit. Në këto luftime plagoset dhe Barjam Hasa me shumë të tjerë të cilët gjenden pas 24 orësh nga shokët. Bukur i këndohet nga populli dhe kënga labe: “ Shtatë djem t’u ndodhë pranë/shtatë djem zemërluanë/ S’t’u ndanë sa u the ikë/Kurrë mos i zëntë e ligë” Për akte heroike që këta burra treguan në luftën për çlirimin e Vlorës tashmë ka folur jo vetëm historia, por dhe populli me këngët e tij të bukura,  i ka gdhendur, skalitur duke i përjetësuar si legjendë në memorien e kombit

Në Luftën e Vlorës, Lopësi ka 9 Dëshmorë të Atdheut. Dhëmblani 3, Dule Dalan Myftari. Xhemal Islam Tabaj. Xhipe Adem Sakaj. Salaria 6, Selam Musa Salaria. Hysen Demir Nanaj. Mane T.Rukaj. Ibrush Muço Qopekaj.  Teme Kamber Gogaj.  Meme Zagoll Sheraj.  plagosur 15. Dorëza 4. Salaria 6. Matohasanajt 1. Dhëmblani 4.

“Hero i Popullit” Seleam Musa Salaria fshati Salari.

Me Urdhrin  e  Klasit të Parë: Dule Dalan Myftaraj.                                                                          Gjaku i derdhur në këtë luftë i forcoi më shumë themelet e lirisë, ajo ka hyrë në historinë e popullit shqiptar si një epope e trimërisë legjendare e gjakut të 400 e ca dëshmorëve. Nisur nga kjo, merita kryesore i përket fshatarësisë trime  të krahinës  së Vlorës e të Tepelenës që me burrërinë  e saj dhe me atdhedashurinë i zbardhi faqen kombit, tok me të gjitha qytetet dhe krahinat e vendit si:Vlora, Tepelena, Mallakstra, Kurveleshi, Berati, Përmeti, Korça, Tirana, Gjirokastra, Shkodra, Skrapari, Dibra, Elbasani e shumë krahina.  Lufta e Vlorës, jo vetëm i siguroi vendit pavarësinë e tërësinë tokësore, por dhe popullin e bëri më të vetëdijshëm për fatet e kombit.