Xhaferr Korro: Mbresa dhe kujtime nga jeta e shkrimtarit të shquar, Fajkoi i bregdetit, Petro Marko

53
Sigal

Xhaferr Korro
Ish studenti i mësuesit dhe shkrimtarit Petro Marko

 

Petro Marko ka lindur më 25 nëntor të vitit 1913, në fshatin Dhërmi. Ai rridhte nga një familje me tradita patriotike, kombëtare dhe atdhetare.

Babai i tij gëzonte respektin dhe dashurinë e gjithë fshatit. Njerëzit e respektonin për sjelljen e tij shembullore dhe si njeri të punës. Me djersën e ballit rriti fëmijët, merrej me rritjen e agrumeve e sidomos me qitron dhe mandarinën. Për të përballuar nevojat ekonomike të familjes ai shkonte larg dhe bënte tregti në Itali, Greqi dhe Korfuz dhe akoma më larg, deri në Shën Pjetërburg. Dihet se bregdetasit, si gjithë populli shqiptar, e çmonin shumë lirinë dhe nuk iu nënshtruan sundimit të huaj dhe në veçanti sundimit turk. Ata nuk paguanin taksat dhe u ngritën disa herë kundër pushtuesve të huaj. Kështu mund të përmendim kryengritjen e viteve 1761, ose më vonë në atë të vitit 1879. Ata iu kërkuan ndihmë shtetarëve të fuqishëm të kohës si të Ekaterinës së parë dhe të dytë të Rusisë, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre, por ndihmën e kërkuar nuk ua dhanë.

Ata qëndruan vetëm në këmbë siç shprehen në këngët epike polifonike “… i vunë gjoksin Dovletit, si zogjtë në tramundanë”. Me këto ndjenja për liri e të luftës kundër pushtuesit të huaj u edukua dhe Petro Marko.

Petro, si mbaroi shkollën në fshat, shkoi në Vlorë për studime, ku u njoh me shumë shokë që kishin ndjenja përparimtare të kohës. Mbasi mbaroi shkollën në Vlorë, Petro shkoi për të punuar në Tiranë, ku u njoh me Sterjo Spassen dhe të tjerë. Në vitet e para të qëndrimit në Tiranë, ai vuajti shumë duke kërkuar punë dhe ndonjëherë duke bërë edhe punë të rënda fizike dhe duke ndërruar shumë shpesh punët nga një vend në një tjetër. Më në fund me ndihmën e shokëve, sidomos të Shefqet Musarajt u emërua, së bashku me Sterjo Spassen si mësues në Dropull.

Petro Marko më ka treguar se “…në fillim edhe në Dropull patëm vështirësi. Nuk na njihte njeri! Shpesh flinim jashtë nëpër varre. Kur i shikonin njerëzit bënin kryq me dorë. Pagat i merrnim pas dy tre muajsh. Më vonë me ndihmën e shokëve nga Saranda, gjetëm një dhomë së bashku me Sterjon dhe u strehuam aty. Dalëngadalë u miqësuam edhe me njerëzit e fshatit. Fshati dhe fëmijët na donin.

Më vonë Petron e transferuan mësues në bregdet, në fshatin e tij, në Dhërmi, ku punoi me dashuri dhe fitoi respektin e banorëve. Ai më tregoi kohën kur Sterjo Spasse do të shkruante romanin “Pse”? Në atë kohë ky roman nuk u prit mirë. Sterjo u bë vrer dhe i pohoi Petros se kishte bërë gabim kur nuk dëgjoi këshillën e tij që të mos e botonte romanin (pohim i thënë kur na jepte lëndën e letërsisë në shkollë-1954-1955).

Studimet e larta, Petro, i kishte mbaruar në Francë, ku kishte ndenjur në një bangë me Çu En Lain, që më vonë u bë Kryeministër i Kinës.

*   Në kujtesë mbaj mend një orë mësimi ku ngriti 5-7 studentë. Tema e mësimit ishte: “Koment për romanin e Dhimitër Shuteriqit “Çlirimtarët”. Ata nuk ishin të përgatitur për temën. Mësues Petro i uli dhe u vuri shënim një pikë në regjistrin e klasës. Të ngrihet Korro. Pra më kishte thirrur mua të komentoja. Unë isha i përgatitur dhe u përgjigja mirë. Në fund i thashë se ngjarjet e romanit “Çlirimtarët” zhvilloheshin në Tiranë, por shkrimtari i vendos ato në qytetin e Elbasanit, sepse atë qytet dhe zonën përrreth tij, i njihte mirë. “ Të lumtë –më tha –i kënaqur nga përgjigja ime… Më vuri notën më të lartë, që përdorej atëhere  notën 5 dhe duke iu drejtuar klasës vazhdoi?-Ja:-ky e njeh letërsinë!

Tirana në vitet ’50, nuk ishte ashtu si është sot; nuk kishte lëvizje makinash; qytetarë të paktë nëpër rrugët e ngushta dhe të paasfaltuara; ishte dhe Tirana si pjesa tjetër e vendit me një prapambetje të madhe…

 

*…Mbaj mend se një ditë hapi derën e klasës tonë dhe thirri:- Korro, eja se të dua unë! Do më ndihmosh të shpie në shtëpi këto fletore hartimi, sepse kam shumë dhe më duhet ndihma e dikujt.

-Po, i thashë. Morëm të dy fletoret dhe u nisëm për në shtëpinë e tij. Shtëpia e tij ndodhej shumë afër me ish kinema 17 Nëntori.

Hymë brenda dhe aty për herë të parë takova Safo Markon, bashkëshorten e Petros, Jamarbërin, djali i tyre rreth 5-vjeç, si dhe motra e tij në moshë të madhe.

I përshëndeta dhe u ula në vendin ku më tregoi Safo, e cila më vonë më gostiti me llokume.

-Djalin e kemi nga anët tona- më prezantoi Petro.

– Nga të kemi?- pyeti Safo.

-Nga Përmeti ,-iu përgjigja.

*   Ato çaste që po rrija në shtëpinë e Petros luajta pak me Jamarbërin e vogël dhe u ngrita në këmbë për t’ju thënë ‘mirupafshim’, por Petro më tha:- Dale Korro! Mos e prish zakonin e krahinës: kur vjen dhe ikën miku e presim dhe e përcjellim ne, të zotët e shtëpisë. U ngrit, doli para meje dhe më shoqëroi në rrugë. Para kinemasë qëndroi duke më thënë:- Rri pak këtu- dhe shkoi drejt vendit ku shiteshin biletat e shfaqjes të radhës. Ishte filmi “Skënderbeu”, që zgjaste mbi dy orë.

Ishin javët e para që shfaqej filmi dhe një grumbull shumë i madh qytetarësh gjendej në çdo çast para kinemasë. Aty pashë për herë të parë sesa simpati dhe dashamirësi kishte populli për Petro Markon. Shtegu për të shkuar te vendi ku bliheshin biletat u hap si me magji dhe Petro shkoi te arka. U kthye me një biletë në dorë duke më thënë:- Merre këtë biletë dhe në konvikt ktheu pasi të shikosh filmin. Nxorra lekët që t’ia jepja, por ai prap më tha:- E harrove zakonin? Ti je mik dhe miku pranon dhuratat, që i bëhen. Nuk i pranoi lekët dhe u ndamë duke u përshëndetur. Mbas mbarimit të filmit, u ktheva në konvikt dhe ua tregova shokëve se kisha parë një film jashtëzakonisht të bukur, filmin “Skënderbeu”.

-Ku dhe si e gjete biletën?-pyetën shkokët. –Biletën ma dha profesor Petro-iu përgjigja dhe nga ai çast të gjithë shokët e klasës më thërisnin “ i preferuari i profesorit”. Kjo ishte njohja ime e parë nga afër me Petro Markon. Afrimi im me të vazhdoi për shumë kohë dhe unë shpesh shkoja në shtëpinë e tij dhe bisedonim lirshëm për letërsinë dhe për ngjarjet e kohës.

*Njëherë e pyeta për Sejfulla Malëshovën dhe ai u përgjigj:- Sejfullain e kam njohur në Itali dhe mendoj se ishte burrë i zgjuar. ( atë kohë Sejfullai ishte Drejtor i Përgjithshëm i Redaksisë të përkthimeve). Erdhi në Shqipëri së bashku me Koço Tashkon, të dërguar nga Internacionalja Komuniste dhe nga dega e Sofjes. Por në Shqipëri nuk u pritën mirë për shkak se ata kërkonin një ekonomi të Shqipërisë me dyer të hapura…Petros i them se unë jam takuar dy herë me Sejfullahin, sepse gjyshja ime e ka të afërt nënën e tij, Pashakon.

Petros i pëlqeu ky fakt dhe vazhdoi të më tregonte: “…i thosha Sejfullait, që me këta që janë në pushtet ki kujdes, sepse nuk janë si ne, apo si në partitë që ke njohur ti në Europë. Ja përshembull: ne luftuam për fjalën dhe jetën e lirë, por mua më dënuan se nuk doja të ndahesha nga Safo, që ishte bijë e një familjeje të pasur. Por dashuria nuk bëhet me ligje. Ne luftuam për lirinë e fjalës dhe të mendimit e veprimit dhe tjetër u bë. Mua-vazhdoi me dhimbje Petro- më hoqën 80 faqe nga romani “Hasta la Vista” ku përshkruheshin ngjarje, të cilat unë i kam jetuar vetë në Spanjë, kur luftoja në Brigadat Internacionale kundër kuçedrës fashiste. Sa shokë na u vranë në ato luftime, veçanërisht në lumin Ebro! Babanë e Sakos, përsa kohë kishin nevojë për te e dërguan në Kukës e në Përmet dhe në fund e flakën si limon të shtrydhur.

*Romani “Hasta la Vista” është një roman shumë i bukur –i thashë, por ai ndjehej i pakënaqur për shkak të 80 faqeve, që nuk ia lejuan të ishin pjesë e botimit…Ato kohë Petro po përpunonte romanin “Ultimatumi” dhe unë e lexoja pjesë-pjesë. Aty flitej për luftën e Vlorës; për Sulejman Delvinën e për trimat e tjerë të luftës së Vlorës si Selam Musai me shokë. I thashë Petros se edhe nga Malëshova morën pjesë në aksionin e prerjes të ujit italianëve në Tepelenë. Dhe nuk ishin pak, por mbi 50 vetë. Të gjitha këto fakte nuk u lanë të botoheshin, sepse nuk u lejuan nga censura e kohës. Unë e kuptoja shumë mirë Petro Markon në të gjithë këto që më thoshte, sepse i kisha dëgjuar edhe nga gjyshi im.

 

*Njëherë e pyeta Petron për punën në teren: -Punova për të organizuar luftën kundër fashizmit dhe për këtë më burgosën dhe më pas më dërguan në internim në ishullin e Ustikës. Po ashtu mësova se Petro kishte pasur lidhje dhe me shokët e grupit komunist të Korçës.

Në prill të vitit 1943, më saktë më 25 prill drejtoi gazetën “Bashkimi”. Jetën e tij e vuri në rrezik për të fituar lirinë, por si individ nuk fitoi asgjë. Aq më keq e pagoi rëndë, kur e burgosën atë vetë dhe më vonë dhe filizin e jetës së tij, djalin e vetëm, Jamarbëri…

Për romanin e tij të mëvonshëm “Një emër në katër rrugë” Petro Marko jo vetëm që u kritikua rëndë, por gjithashtu e larguan edhe nga Tirana dhe e çuan në Elbasan, pa marrë parasysh moshën e tij. Në këtë roman Petro kritikonte ideologjinë e Enver Hoxhës në fushën sociale dhe shoqërore. Sipas kritikuesve të tij Petro donte të helmonte shoqërinë socialiste me moralin borgjezo-kapitalist dhe të prishte normat e shoqërisë socialiste ( por që sipas mendimit tim në Shqipëri nuk u ndërtua kurrë shoqëria e vërtetë socialiste, por u ndërtua një shoqëri e dominuar nga diktatura e egër mbi lirinë e fjalës dhe mbi popullsinë).

*Në vitin 1974 kishte ardhur në Shqipëri piktori japonez Ina Suke Hazan. Petro i kishte dhënë atij romanin “Qyteti i fundit”. Ai e përktheu në japonisht me dy vëllime. Petro kërkoi nga autoritetet shqiptare që t’i jepnin një vizë, për në Japoni, por nuk ia dhanë. Me këtë rast Petro tha se  “e kuptova që për mua bota ishte e mbyllur”.

*Unë kisha dëgjuar për Mirash Ivanain dhe Aleksandër Xhuvanin se në vitet 1928-1933 gjyshi im , Lazja, së bashku me Culi Kroni, që drejtonte komisionin e fshatit Limar, kishin vajtur tri herë në Ministrinë e Arsimit për të kërkuar rihapjen  e shkollës shqipe në fshatin Limar me financat e vetë fshatit. Në ato kohë fshati Limar kishte 120 familje, kishte 60 nxënës. Shkolla shqipe ishte hapur në vitin 1920, në këtë fshat nga mësuesi Sami Cafka, por u mbyll për mungesë financiare. Në ministri i priti Mirash Ivanai dhe me përpjekjen e tyre u arrit që në vitin shkollor 1932-1933 të rihapej shkolla e Limarit. Këto i tregova Petros, i cili më tha se e kishte njohur Mirash Ivanajn, se e kishte mik, se ishte njeri i mirë, që përpiqej për arsimin në Shqipëri.

 

*Petro Marko, kolos i letrave shqipe dhe i orëve të para të përpjekjes dhe luftës për liri, mbylli sytë më 27 dhjetor 1991, në ditët sapo kishin filluar lëvijet demokratike në Shqipëri.

Në ditët e fundit të jetës së tij ai shkruante:” Gjoksi im i sëmurë nuk më lejon të përkulem mbi makinën e shkrimit”. Ai u përcoll me lot në sy për në banesën e përjetësisë, në fshatin e lindjes , në Dhërmi, nga miqtë dhe shokët, familja e tij dhe banorët e bregdetit. Ai prehet nën hijen e limonave, portokallave, mandarinave ashtu si ishte amaneti i tij.

Disa vjet më vonë vdiq dhe piktorja e shquar, sidomos në ilustrimin e librave shkollorë, nën një varfëri të thellë, Safo Marko (28 mars 1825-26 gusht 2012).

Lavdi në breza për të tillë njerëz, që punuan për pasurimin e artit dhe kulturës shqiptare.

 

Kushtuar profesorit tim

Petro Marko

 

Me penë dhe pushkë përkrah lirisë.

Si shqipe vetëtimës flatrove mbi Iberik.

Krahët u spërkatën me valët e Ebros,

në llogore, në front kundra lubisë,

me penë dhe pushkë përkrah lirisë.

 

Kur Atdheu u përfshi nga robëria,

si zgalem në furtunë shkove.

Cigaren në gojë, duart hedhur mbrapa,

s’të trembi acari, as zhegu, as vapa.

 

Pena jote qëndisi letërsinë!

Me fjalë të ëmbël shkruan lashtësinë;

“Motin e Madh” dhe Skënderbeun,

kurora lavdie për mëmëdheun.

 

Një ditë dhjetori zemra pushoi,

por vepra jote përjetë do rrojë,

si druri i ullirit, limoni me erë,

e tërë Shqipëria do të të kujtojë!

 

Si lis i Labërisë stuhive u qëndrove.

Dhjetori kur vjen, nxihet Çika plot vetëtima.

Nga retë e zeza shkrepin bubullima.

Dhërmiu rrënkoi, dallgëzoi deti,

se Petros, mbi makinë shkrimi zemra i mbeti.

 

Gojë mjalti: si mjalti i Kaninës,

flokët kaçurela i shtonin bukurinë.

Cigaren në gojë thithte hidhërim,

duart hedhur prapa kujtonte robërinë.

 

Trupi vigan, si qiparis Dhërmiu.

Pena jote e artë për Shqipërinë ndriu.

Si vetëtima, nga Ebrua në male u hodhe,

si lis i Labërisë stuhive u qëndrove.

 

Për Atdheun, gjoksi u lëndua mbi makinë,

nuk pushove penën, kërkove lirinë!

Shkronja duke shtypur, fryma ndali si fajkua:

Bregdeti u nxi, Atdheu u helmua.

 

Toka ku linde në gji të mori, nën limon e portokalle.

Prehu profesor në mes gjelbërimit, ku doje ti!

Dhërmiu, Shqipëria të kujton si yll i lirisë.

Do të vij një ditë te varri, pranë shtëpisë.

 

Qiri mbi varr! Dua të ndez dashurinë;

të më dukesh, sikur në klasë më jep mësim.

Më brumose me dashuri për letërsi,

të duam Atdheun me zell e dashuri.

 

Ç’ka deti, që murmurin me dallgë në të qarë?

Petron ka vite që s’e ka parë me cigar në gojë të dalë.

Varka valës përplaset në breg të Dhërmiut bukurosh,

sikur Petron kërkon, me zë të lartë e sy kaltërosh.

 

Xhaferr Korro

Ish studenti i mësuesit

dhe shkrimtarit Petro Marko

 

Poezi nga Xhaferr Korro

Qyteti i Manastirit dhe shkronjat shqipe

 

Manastiri i bukur mblodhi mendimtar,

Gjuhën shqipe ta vendosin në binar.

Aty u shkruan shkronjat e arta.

Në folenë e shqipeve u bë dritë edhe nata.

 

Korça qëndisi shkronjat shqipe,

shkollën e hapën; ishte fole drite!

Nga Avetari kish shkrepur xixëllima:

Abetaret shqipe u përhapën si vetëtima.

 

Nga Lezha oshtiu dhe u trondit dheu.

Nga fosilet xixa lëshoi Skënderbeu.

Flamuri u ngrit nga plaku i mençur në Vlorë;

fole shqipe u bë me gjuhë dhe kurorë.

 

Zëri që i foli varfërisë

(kushtuar Migjenit)

Si bilbil i maleve cicërove;

mjerimin dhe varfërinë me penë i fshikëllove.

U bëre qortuesi i rreptë për të,

ta dërmoje nga rrënjët s’të la!

Millosh! “Vogëlushat” e tu kush e di ku janë?

Ata që jetojnë zemrën kurrë s’ta ndajnë.

Të mjerët, që i mbyti “ kockë” e fortë

në dhe prehen, barktharë të kotë.

 

Kush cicëroi me thërrime dhe hime,

të falet, të lutet me gëzime!

Ti rrugën e diturisë u tregove

zemrat e ftohta me dashuri i ngrohe.

 

Pse re para kohe nga dega?

Mos vallë “tullumbacet” e Lulit u bënë turiela?

Mushkërinë ta brejti krimbi

ndaj u këpute gonxhe trëndafili.

 

Era fryn si lubi, e fortë stuhi.

Petalet i hodhi në dhe të zi.

Sëmundja mizore të treti ty,

po drita që le ndrin si qiri…

Largësia dhe Amerika

Në mjergullimin e shekujve s’kishte mjete për qarkullim.

Anijet lëviznin si breshka në oqeanin pambarim.

Lundrimi për në Amerikë bëhej me rreziqe dhe vështirësi,

ndaj njerëzit kur vdiste dikush, bënin shaka pa kripë:

“shkoi në Amerikë”.

 

Sot interneti lidh botën në një pe, si thoshin mendimtarët dikur.

Ajri u pushtua nga raketa e aviona me shpejtësi të paparë.

Bota u bë si një fshat, me gjitonë si vëllezër të pandarë.

Bisedat dhe lajmet i bëjmë me madh çdo ditë me radhë!

 

 

Përmeti

Qyteti im! Me lule plot trëndafila

në ëndërr të shoh e zgjohem pagdhirë.

Malli më mori të eci në rrugët e tua,

me shokë e shoqe, që i dua shumë.

 

Vjosa kaltëroshe këmbët përkëdhel.

Dhembeli mbi krye, erë trëndelinë.

Me qylaf të bardhë të shton bukurinë,

lulishtet e bukura ku njerëzit rrinë.

 

Pinë raki Përmeti, verë Dishnice;

pirja më e mirë që u jepet miqve.

Pas klikos së parë që nxjerrin amvisat

urimi i zemrës, me të fillon dita.

 

Ushtari i panjohur tregon historinë.

Busti i Naimit të shton bukurinë.

Guri i qytetit trregon lashtësinë

i djegur tri herë, si vigan të ngrin.

 

Lule trëndafila kundërmojnë erë.

Mëndja aty më rri përherë.

Malli më ka marrë për miq e shokë,

në lulishte të pi e të bëhem trokë!

 

T’ia marr këngës në “Odën Labe”!

Të ushtojë kënga në gryka e male,

kënga e bukur, kënga përmetare,

me kulturë të lashtë treva Përmetare.

 

 

Dafinës

 

Mbretëron e varur sipër mbi shkëmb!

Dimër e verë gjelbëron,

erë e këndshme kundërmon,

paqe, dashuri tregon.

 

Kurora thurrin me gjethe dafine

mbretër, princër dhe dashnorë.

Të gjithë të adhurojnë

për ngjyrën e jetës dhe aromën.

 

Dafinë, je bimë e miqësisë,

tregon kurorën e lavdisë.

Me erën tënde puth dashurinë,

mbi sisët e tua, kur fletët rrinë!

 

Dafina futet në xhep të fustanit;

aroma e saj mbledh djemtë e malit.

Dafina e gjelbër plot me erë,

djem dhe vajza të puthin përherë.