Sot 146 vjetori i lindjes së Faik Konicës: Shqipëria, peng e bandave, rryshfetxhinjve, maskarenjve dhe zuzarëve

302
Sigal

Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë, bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit

Faik Konica: Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët

(Me rastin e 146-vjetorit të lindjes)

Faik Konica njihet jo vetëm si një nga publicistët

më të mirë, po edhe si njeriu që në të gjitha mënyrat e mundshme tregoi realitetin në të cilin ndodhej Shqipëria, Faik bej Konica (Konicë15 mars 1875 – Uashington15 dhjetor 1942) ka qënë propagandues i çështjes kombëtare, studjues i historisë kombëtare dhe i gjuhës shqipe, botues, publicist dhe diplomat shqiptar. Ky “njeri me kulturë të lartë” (Noli), “enciklopedi shëtitëse” (G. Apolineri), eseist i shkëlqyer, stilist i përkryer, themelues teorik dhe praktik i kritikës letrare shqiptare, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare.Shumica e vështrimeve të tij, akoma vazhdojnë të jenë të qëndrueshme, dhe vlerësohet të jetë një ndër figurat që ka njohur më së miri kombin e tij. Thënia më e famshme:

“Shqipëria lindi nga Zoti, shpëtoi nga rastësia, vdiq nga politikanët”.

Në shkurt 1925, Faik Konica u drejtohej kështu shqiptarëve në qytezën Xhejmstaun të Nju Jorkut:

“Me një popull fare skllav në zakonet e vjetra dhe pa ndonjë shpirt për reforma, me një popull fare të paditur dhe të pazotin që të bëjë gjykime politike dhe sociale që të mos gënjehet prej bandave, kam frikë se kryengritjet në Shqipëri do të vazhdojnë për shumë kohë pa ndonjë fitim moral, në mos qofshim të zotrit që t’i ndalojmë dhe të ftojmë gjakrat e politikanëve tanë”.  Konica duke lexuar një deklaratë përpara gazetarëve në Uashington menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, 7 prill 1939. Konica është vlerësuar si krijuesi i prozës moderne në Shqipëri. Fan Noli, e cilëson Konicën si mjeshtër të skalitur të prozës shqiptare. Konica mori humorin nga gjuha e Shekspirit dhe satirën nga gjuha e Molierit. Breza shkrimtarësh pas tij u frymëzuan nga vepra e tij.

Ashtu si Naim Frashëri poeti kombëtar në veprën e tij « Bagëti e Bujqësi » dhe në poezinë « Gjuha jonë », Faik Konica, prozatori jonë kombëtar, shkruante në numrin e parë te revistës ALBANIA «  Gjuha e bijve të shqipes » ku po citojmë një fragment6 : “E ashpër dhe sertë ashtu si populli trim që e flet, plot me shije dhe e bekuar, ashtu si frutat dhe lulet e maleve ku ajo flitet, gjuha shqipe, megjithëse e mbetur e varfër nga mospërpunimi i saj shumë shekullor, është e aftë për të shprehur me nje ndjenje të mbrekullueshme nuancat, konceptimet më të holla të shpirtit njerëzor, vibrimet më të pakapshme të nervozizmit, në krahasim me dialektet serbe, bullgare e greke mundësia e të cilave për të arritur thelbin përfundon shpesh në përafrime trashanike…

Si i erdhi fundi Shqipërisë së Zogut

Është interesante se si Faik Konica përshkruan fundin e pushtetit të Ahmet Zogut. Në dorëshkrimet e tij të gjetura në arkivin e Vatrës, mënyra sesi ai e gjykon këtë periudhë është ndër më gjykimet realiste. Shqiponline po boton këndvështrimin e Konicës për këtë periudhë të historisë së Shqipërisë më poshtë:

Të premten e zezë të 7 prillit 1939, ndërsa mbretëresha Geraldinë ishte e sëmurë në shtrat, pasi dy ditë më parë kishte lindur një djalë, fashistët, pa kurrfarë paralajmërimi, pa asnjë provokim paraprak dhe pa shpallur luftë, e pushtuan Shqipërinë, një vend i paarmatosur dhe gati pesëdhjetë herë më i vogël se agresori. Kjo vepër “e lavdishme” ndezi zilinë e mbretit Zog të Shqipërisë, i cili plot me dëshirë për të kryer një heroizëm të ngjashëm, që në krismën e parë, ia mbathi me të katra, duke i lënë shqiptarët të luftonin kundër hordhive të panumërta. Përbuzja e botës së qytetëruar për agresorët qe më e madhe se tmerri përpara tyre, përderisa ajo botë e përmbajti veten, dhe e shtyrë nga mëshira, nuk e shfaqi opinionin e vet për dezertorin shqiptar. Në atë kohë unë isha përfaqësuesi diplomatik i Shqipërisë në Uashington, ku isha emëruar që në vitin 1926, si i deleguari i vendit tim, për rilindjen e të cilit kam punuar që në fëmijëri. Qeveria amerikane, që nuk i njihte ndryshimet territoriale, të bëra me “metoda gangsterësh”, vazhdonte të më quante mua si përfaqësuesin e ligjshëm të Shqipërisë. Për më tepër, ky qëndrim në lidhje me pozitën time, lehtësohej edhe më shumë nga fakti se fashistët, të cilët në fillim luajtën pjesën e “çlirimtarëve” të Shqipërisë dhe jo të shkelësve të lirisë së saj, u përkujdesën të krijonin një qeveri kukull shqiptare, me përfaqësitë e saj diplomatike. Porse italianët, të cilët, megjithëse kanë zënë një vend nderi të shkëlqyer në historinë e kulturës, nganjëherë të krijojnë përshtypjen se janë më tepër të shkathët sesa të zgjuar. Të njohur siç janë për padurimin e tyre, nuk e duruan më gjatë një gjendje të maskuar, e cila ishte në dobi të tyre, pasi e mbulonte me një vello dhunën që i kishin bërë Shqipërisë, dhe kështu, në mes të qershorit, qeveria kukull e Tiranës mori urdhër t’i mbyllte të gjitha përfaqësitë dhe konsullatat shqiptare jashtë shtetit. Në të njëjtën kohë, edhe përfaqësuesit e kombeve të ndryshme, të akredituar në Tiranë, u njoftuan papritur se nuk u njihej më statusi i tyre diplomatik. Pak më vonë, dhe për të qenë të përpiktë, më 24 qershor 1939, më thirri në Departamentin e Shtetit Sekretari i Shtetit dhe më njoftoi se, në bazë të reciprocitetit, ishte i detyruar ta quante të kryer misionin tim.

Telegram për Zogun i Faik Konicës, president i Vatrës

Kam qenë dhe jam kundërshtari juaj, por duke ditur se jeni i zoti për mirëkuptim, sugjeroj të ndërmerret hapi i përmendur në telegram (bëhet fjalë për telegramin e Vatrës drejtuar Nolit)

Përgjigja e Ahmet Zogut për Vatrën

E mora telegramin tuaj. Kemi ardhur në Shqipëri për të rivendosur rregullin, i cili është tronditur nga rrënjët. Qëllimi ynë është të neutralizojmë ushtrinë dhe oficerët e saj duke u treguar atyre vendin, që ata të mos krijojnë trazira, siç kanë bërë deri më tani. Imzot Noli dhe njerëzit e tij ikën nga kryeqyteti pa qenë të zotët të qëndrojnë as në Vlorë. Ne nuk i refuzojmë këshillat e mira nga patriotët e sinqertë, sepse ideali ynë është bashkëpunimi me patriotët e përgjegjshëm dhe të vërtetë me qëllim krijimin e një Shqipërie të pavarur. Ju mund të jeni kundërshtari ynë nëse ne nuk ndjekim ligjin dhe arsyen. Ushtria ime është mjaft e fortë dhe e rregullt. Jemi të mendimit se asnjë ushtri tjetër nuk do të kishte mundur të hyjë kaq fitimtare, kaq paqësisht sa kjo ushtri. Askush nuk u lëndua, nuk pati vandalizma dhe akte mizore. Ne u mirëpritëm me sinqeritet kudo dhe shpresojmë që së shpejti të jemi në rrugën e suksesit. Zyrat qeveritare vazhdojnë punën. Zgjedhjet parlamentare do të mbahen në të ardhmen e afërt dhe votimi do të jetë i lirë.

Rroftë Shqipëria!

Kolonel Ahmet Zogu, Komandant i Përgjithshëm i Operacionit

Telegram i Vatrës për Ahmet Zogun

Morëm kabllogramin tuaj. Jemi të kënaqur nga fjalët e bukura të shkruara në të dhe shpresojmë që fjalët të bëhen vepra. Kur të bëhen vepra, ne nuk do të jemi kundërshtarët tuaj.

Vatra (Marrë nga Gazeta Vatra)

Thënie të famshme të Faik Konicës

  1. Njeriu fillimisht i sheh gjërat ashtu siç janë, dhe më pas u jep pamjen e asaj çka ai do dëshironte të ishin (Albania 4, 1906).
  2. Të verbrit do të mbeten të verbër in sœcula sœculorum (gjer në fund të botës); edhe sikur t’u shtini perona në sy, ata prapë nuk do shohin kurrgjë. (Albania 1, 1897).
  3. Grekët kanë një armë të frikshme: pabesinë (Albania 2, 1897).
  4. E vërteta nuk ka nevojë për stil gjarpërues e të yndyrshëm të shkrimeve akademike. (Albania 2, 1897).
  5. Ka qenie tek të cilat ndjenja e humorit nuk e ka forcën e duhur (Albania 2, 1897).
  6. Fisnikëria dhe thjeshtësia mund të jenë cilësi kudo gjetkë, kurse në poezi janë antipasta të dëmshme. Çka i kërkohet poetit, poetit të vërtetë, është të shkaktojë një dridhmë të re, të flasë një gjuhë që të tjerë nuk e kanë folur, të ngacmojë ndijime që të tjerë nuk i kanë. (Albania 2, 1897).
  7. Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit (Albania 2, 1897).
  8. Gazetarët janë njerëz spiritualë dhe të dashur (Albania 5, 1897).
  9. Xhelat je se të pëlqen të jesh (Albania 8, 1897).
  10. Një i mbushur me mllef e mëri, në mendjen e tij anemike, rrokullis mendime të tmerrshme (Albania 9, 1898).
  11. Nga lartësia e piedestalit ku zuzarët kapardisen me poza gjysmë-perëndish, ne do t’i asgjësojmë me një të goditur. A bon entendeur, salut! (Kush të dojë, le ta kuptojë) (Albania 9, 1898).
  12. Drejtësia i takon fushës së ëndrrave; vetëm forca mbisundon (Albania 11, 1898).
  13. Politika e vërtetë qëndron në kapjen e drejtimit të një evolucioni të caktuar dhe në përpjekjen për të ndihmuar në përshpejtimin e fundit të tij (Albania 11, 1898).
  14. Një shkrimtar duhet gjykuar më shumë nga cilësia se sa nga sasia (Albania 11, 1898).
  15. Popujt që ushqehen me perime e produkte qumështi kanë përgjithësisht zakone shumë të buta. (Albania 11, 1898).
  16. Një popull që është i paaftë të afirmojë vitalitetin e vet, është në rrugë të pashmangshme tatëpjete (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
  17. Ka mënyra të ndryshme për t’i shërbyer një vendi dhe gjithkush i shërben në mënyrën që i përshtatet më mirë karakterit të tij. (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
  18. Të përpiqemi me të gjitha forcat tona të shërojmë shqiptarët nga dashuria për individët. Ata duhet të mësojnë të duan Shqipërinë – jo për t’i bërë qejfin këtij apo atij shqiptari (Albania 16, 15-30 korrik 1898).
  19. Sharjet e kundërshtarit të nderojnë (Albania 16,15-31 korrik 1889).
  20. Ka njerëz që shiten tek një qeveri për të pështyrë gënjeshtra. (Albania 16,15-31 korrik 1898).
  21. Ai që i bën vërejtje dikujt si i edukuar keq, tregon nga ana e tij një edukim të paktën po aq të keq. (Albania 16,15-31 korrik 1898).
  22. Mund të jesh njeri vulgar e të thuash do gjëra të arsyeshme (Albania 16,15-31 korrik 1898).
  23. Më mirë të jesh një i egër i ndershëm, se sa një i qytetëruar i poshtër (Albania 16,15-31 korrik 1898).
  24. Të gjitha vendet kanë tradhtarët e tyre të ndyrë (Albania 24, 15-28 shkurt 1898).
  25. Lëvdata shpesh e ka brenda prapamendimin. (Albania 26, suplement 4, 5-30 prill 1899).
  26. Pakorrigjueshmëria e një alkooliku është simptoma më e njohur e një çrregullimi mendor (Albania, 15-30 qershor 1899).
  27. Ka shpesh personazhe vlera e të cilëve, zmadhuar nga larg, shfaqet më e vogël tek shihet nga afër. (Albania, 10 shtator 1900).

Poezia e veçantë  e botur më 1901 nga Faik Konica

“Vajtim për robëri të shqiptarëvet”

O të humbur shqipëtarë,
seç qenkeni për të qarë!
Për të qar’ e për të sharë,
për të shar’ e për të vrarë!

Armiqtë mbë dhé ju hodhnë,
dhe ju shtypnë sa u lodhnë!

Sa u lodhn’ e sa ju ngopnë,
ju gdhendnë edhe ju rropnë.

As bukë, as brekë s’ju lanë,
ju punoni, ata hanë!

Nuk ju lan’ as pakë nderë,
q’e kini pasur përherë.

As nder, as turp, as gjak s’kini:
unji kryet dhe po rrini.

I duroni vet armiqtë:
prisni vdekjen apo vdiqtë?

Shërbëtorë t’Anadollit,
kleçk’ e lodra të Stambollit.

Në mos u shove fare,
ndizu, zemra shqipëtare!

O shqipëtarë barkzbrazur,
fustançjerr’ e këmbëzbathur.

Zemërohuni një herë,
mprehni kordhët për të prerë.

Mprehni kordh’ e mprehni pallë,
të ju ndritin yj mi ballë,

Ti frikësoni zuzarët:
ç’i shuan shqipëtarët,

E në vend tuaj të rroni,
si të doni e si të thoni!