Kolonel Hajro Limaj: Zbulimi informativ ushtarak dhe Kosova

41
Sigal

Zbulimi informativ ushtarak, ndiqte me shumë përparësi situatën politike dhe ushtarake në Kosovë. Ai mbante nën kontroll me të gjitha format dhe mjetet e zbulimit gjendjen e sigurisë së Kosovës dhe rriste gadishmërinë kur Beogradi shtonte forcat e armatosura në këtë rajon. Ne dinim me ekzaktësi përbërjen, organizimin, disllokimin dhe armatimin e forcave ushtarake serbe në Kosovë si dhe të gjitha veprimtaritë që zhvilloheshin kundër shqiptarëve. Për këtë realitet po jap vetëm dy shembuj informacionesh që drejtoria jonë e Zbulimit u dërgonte drejtuesve kryesor të shtetit dhe që përbënin bazat mbi të cilën u hartua edhe operacioni “Shpërthimi “. Burimi kryesor i këtye informacioneve ishte qëndra informative në veri – lindje të vendit me drejtues Z. Tomorr Hazizi, i cili me aftësitë profesionale dhe gjuhësore ishte kthyer në një burim të pandërprerë të informacioneve me shumë vlerë.

 

 


1.
“Informacion mbi gjendjen e forcave ushtarake, para dhe pas ngjarjeve në Kosovë, 1981.
1. Sipas të dhënave të zbulimit, përpara ngjarjeve në Kosovë dislokoheshin: Grupi i 52 – të Operativ me shtab në Prishtinë në vartësi të armatës së 2- të në Nish.
2. Sipas të dhënave del se gjatë zhvillimit të ngjarjeve, në Kosovë kanë ardhur edhe këto forca: 2 Brigada tankiste (Nr. 211 e 243 ardhur përkatësisht nga Nishi dhe Shkupi); 1 Brigadë e Motorizuar (Nr. 592); 1 Regjiment Parashutist (Nr. 2); 1 Regjiment i Artilerisë Kundërtanke (Nr. 102); 1 Regjiment Kufitar (Nr. 20).
3. Tani sqarohet më mirë se në vend të Grupit 52 Operativ vepron Korpusi 52 me shtab në Prishtinë, në vartësi të Armatës 2- të, në Nish, në përbërje të të cilit hyjnë: 5 Brigada (2 tankiste, 1 këmbësorie, 1 këmbësorie morale dhe 1 e motorizuar); 1 regjiment këmbësorie autonom; regjiment parashutist; 1 regjiment i Artilerisë kundërtanke; 1 regjiment kufitar; 3 batalione të ndjekjes.
Në Prishtinë (Golesh) ka qenë dhe është e dislokuar edhe një brigadë ajrore, në vartësi të Korpusit të I-rë Ajror në Nish. Problemin e kemi në ndjekje për saktësim e verifikim të mëtejshëm.” (18.4.1981 ).

Informacion
Mbi ngjarjet në Kosovë.
Sipas burimeve sekrete jugosllave rezultojnë këto të dhëna:
1.Mbi përhapjen e pjesëmarrjen në demonstrata.
Më datën 1, 2, 3, 4 prill, në Kosovë u zhvilluan demonstrata të mëdha. Demonstratat përfshinë 14 komuna (nga 22 që ka Kosova), kryesisht: Prishtinën, Mitrovicën, Podujevën, Ferizajn, Vuҫiternin, Pejën, Deçanin, Kamenicën, Suharekën, Istogun, Lipjanin, Vitinë etj.
Pjesëmarrësit kanë qenë kryesisht nxënës e studentë, ndërsa në Mitrovicë, më 3 prill, u përleshën me forcat e policisë rreth 3000-3500 punëtorë të fabrikës së Elektrolizës të Xingut, të fabrikës së Akumulatorëve etj. Në Vuҫiternë demonstruesit sulmuan shkollën e Milicisë dhe u përleshën me forcat e policisë. Bëhet fjalë për karakterin e ashpër të demonstratave dhe për gjakderdhje.
Demonstruesit hodhën parullën “Duam Republikën me hir ose me pahir”.
2.Mbi masat e marra nga udhëheqja jugosllave.
Më datën 22 mars, rezulton se komanda ushtarake jugosllave intensifikoi masat e gatishmërisë në sistemin e radiokomunikimit midis forcave ushtarake të Armatës 2- të në Nish me njësitë e dislokuara në Prishtinë, ndërsa më 26 mars kaluan në gatishmëri të plotë luftarake forcat ushtarake në Kosovë, të Armatës 2- të në Nish dhe disa njësi të Armatës 3-të në Shkup. Menjëherë u dërguan në Kosovë, forcat e policisë e milicisë nga republika e Serbisë, kryesisht nga Beogradi, Nishi dhe Sadi.
Më datën 1 prill u shpall gjendje e jashtëzakonshme në gjithë territorin e Kosovës ku u përfshinë këto masa kryesore:
– komandat e njësive e të reparteve të dislokuara në Kosovë dolën në vëndkomanda, për drejtimin e veprimeve luftarake dhe në ҫdo njësi e repart u krijuan grupe operative për ndjekjen e situatës së krijuar:
– grupi 52- të operativ me qendër në Prishtinë, mbante lidhje direkte me Sekretariatin Federativ të Mbrojtjes dhe me komandën e Armatës 2- të në Nish, kurse sistemi i radiokomunikimit i Armatës 2- të në Nish dhe i disa njësive të Armatës 3- të në Shkup kaloi në përgjim të vazhdueshëm;
– u ndërprenë lidhjet telefonike të Kosovës me republikat e tjera të Jugosllavisë dhe u ndalua qarkullimi i automjeteve në të gjithë territorin, duke lejuar vetëm lëvizjet e mjeteve të ushtrisë, policisë e milicisë, dhe këto të kontrolluara.

3.Mbi riorganizimin e forcave ushtarake në Kosovë.
Më datën 6. 4. 1981 vërtetohet se në Kosovë dislokoheshin këto forca ushtarake: 2 brigada këmbësorie, 2 brigada tankiste, 1 brigadë e këmbësorisë së motorizuar, 1 regjiment këmbësorie, 1 regjimenti parashutist, 1 regjiment i artilerisë kundërtanke etj., Në dorë të komandës të Korpusit 52- të është mbajtur një forcë e transportueshme me helikopter, me përbërje deri batalion, për ta përdorur në ato rajone ku nuk janë dislokuar forca të mjaftueshme të ushtrisë. Forcat pjesëmarrëse, të ushtrisë e të policisë, ndërmorën veprime konkrete në bazë të operacionit “Akacija – 81” (Aksioni – 81”, analiza e të cilit u bë më 8. 4. 1981 në komandën e Korpusit 52- të në Prishtinë, me pjesëmarrjen e komandantëve e zëvendësve për punë politike të të gjitha njësive. Për zbatimin e operacionit nuk disponohen hollësi, por nga sa dimë deri tani rezulton se:
– forcat e këmbësorisë realizuan rrethimin e qyteteve e të qendrave të tjera të banuara;
– helikopterët u përdoren për transportimin e shpejtë të trupave nga një rajon në tjetrin ku situata paraqitej më e rrezikshme. Në të njëjtën kohë helikopterët gjetën përdorim për lëvizjen e kuadrove kryesorë të ushtrisë brenda territorit të Kosovës. Mendojmë që regjimenti parashutist është sjellë me helikopterë (meqenëse në rajonin e Mitrovicës u ulen forcat e një batalioni me helikopter)…
Konkluzion:
1.Demonstratat e fundit në Kosovë përfshinë mbi 2/3 e territorit (rreth 14 komuna nga 22 që ka Kosovë).
2.Forcat ushtarake të dislokuara aktualisht në Kosovë, për nga sasia janë të barabarta me forcat e një armate (të republikave të tjera), që shënon një rritje në masën 3 herë nga koha para fillimit të demonstratave.

3.Forcat ushtarake të përforcimit, u tërhoqën nga Armata e 2 – të dhe e 3- të, përkatësisht në Nish e Shkup, që mbrojnë drejtimet më të rëndësishme (sipas tyre) nga rreziku bullgar dhe i Traktatit të Varshavës.


*****
Ndërsa Perlat ÇAUSHI, drejtor i drejtorisë së Zbulimit Politik shkruan :
Në pranverën e vitit 1981 revoltat në Kosovë dolën me parullën “Kosova Republikë”. Pas tetë ditësh, u botua një artikull në “Zëri i Popullit”, ku shprehej përkrahja ndaj këtyre revoltave dhe ndaj të drejtës sublime për “Kosovën Republikë”.
Nga krahasimi të dhënave informative të zbulimit politik të MPB dhe ato të zbulimit informativ ushtarak të MM të asaj kohe kishte ndryshim shumë të madh. Zbulimi politik jepte vetëm deklarimet publike të kosovarëve, ndërsa zbulimi ushtarak informonte deklarimet politike dhe të gjithë situatën ushtarake të forcave serbe në hapsirat e Kosovës.
Ky fakt e detyroi Kadriu Hazbiun, të deklaronte, mbasi lexoi informacion mbi forcat ushtarake dhe policore serbe në Kosovë, se “ ne harxhojmë me mijëra dollarë për agjenturën dhe këto informacione të pasura që na sjellin zbuluesit ushtarakë ata nuk na i sigurojnë ….”.
***
Në mbështetje të këtyre zhvillimeve, pas këtyre ngjarjeve Enver Hoxha formuloi një platformë, e cila për shkak të karakterit sekret, u lexua nga shumë pak kuadro.
Etapat :
“ – Shpallja e Kosovës Republikë më vete, nën suazën e federatës jugosllave.
– Bashkimi me Kosovën i të gjitha viseve të tjera shqipfolëse në një Republikë të vetme, gjithmonë brenda federatës jugosllave.
– Pasi të arrihej kjo, organizimi i një referendumi për shkëputje nga federata.
– Bashkimi me Shqipërinë “.
*******

Enver Hoxha planifikoi operacion ushtarak” Shpërthimi “ në Jugosllavi
Plani është hartuar në prill të vitit 1980.
Në arkivin e Drejtorisë së Zbulimit të ushtrisë Shqiptare ekzistonte harta me Nr 927datë 29/12/1980, e cila përfshinte krahinën e Kosovës, e shkallës 1 me 200 mijë, në të cilën parashikoheshin 27 pika dhe rajone të paracaktuara për depërtim dhe veprimtari në prapavijë të armikut, të koduara sipas rregullit ushtarak. Plani i ndërhyrjes ushtarake në Kosovë, i quajtur ‘Shpërthimi’, u përgatit mbi bazën e këtyre hartave që kishin të dhëna të hollësishme të objekteve përkatëse të terrenit. Veprimtaria zbuluese e drejtorisë sonë nëpërmjet zbulimit agjenturor elektronik arriti të mbante në kontroll të plotë të gjitha komunikimet dhe bisedat që zhvilloheshin nga shefi i shtabit të përgjithshëm në Beograd me të gjitha komandat e disllokuara në hapsirat e Kosovës, urdhërat dhe udhëzimet që ai jepte. Plani është hartuar i hollësishëm e tepër sekret, i rëndësisë së veçantë, koduar “Shpërthimi”. Konkretisht atë plan e kishin përpiluar dhe firmosur grupi i punës i përbërë nga ministri i Mbrojtjes, Mehmet Shehu, Veli Llakaj si shef i Shtabit të Përgjithshëm, Maliq Sadushi si zëvendës shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe Nazar Berberi si zëvendës ministër. Ai kishte firmën e miratimit nga vetë Enver Hoxha si komandant i përgjithshëm i ushtrisë.
Është hartuar në prill të vitit 1980, i cili nuk u vu në zbatim për arsye objektive në atë kohë. Ky plan tepër sekret i rëndësisë së veçantë ruhej në dy kasaforta; në një kasafortë të vogël ku ishte vetëm pjesa tekstuale dhe grafike e këtij plani dhe çelësat e kësaj kasaforte të vogël dokumentare mbaheshin nga Mehmet Shehu. Kjo kasafortë e vogël ruhej në një kasafortë më të madhe të shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Në operacionin “Shpërthimi” sipas planit, duhet të merrnin pjesë 34 brigada këmbësorie, 6 brigada tankesh, 7 brigada artilerie, 6 regjimente anti-tank, 12 regjimentit të mbrojtjes ajrore, 2 brigada inxhinierie , 10 batalione të zbulimit dhe inteligjencës, 3 regjimente aviacioni, 3 spitale ushtarake, 2 spitale veterinare. Forcat e përgjithshme: 200 – 220 mijë ushtarë dhe oficerë. Siç thuhet në planin, 65 për qind e njerëzve do të ishin të angazhuar në vijën e parë të Kosovës, dhe 35 për qind të Malit të Zi dhe në drejtim të Maqedonisë.
Në fazën e parë në drejtim të Kosovës – 30 mijë ushtarë, në valën e dytë të sulmit 150 mijë trupa. Në fushë betejën Maqedonase do të angazhoheshin gjashtë, dhe Mal të Zi katër mijë ushtarë të përkrahur nga 16 mijë ushtarë. Përveç forcave të veta, planifikuesit në sulm kishin parashikuar edhe një numër të konsiderueshëm të shqiptarëve jugosllav në çlirim. …Përpara këtij plani, në vitet 1970-‘83, në drejtimin verilindor ishin vendosur 3 korpuse gjitharmëshe, Brigada Sulmuese, batalione kufiri, tanke e potenciale të fuqishme artilerie. Kundërshtari mbante nën presion shtetin shqiptar dhe paralelisht shtypte në të gjithë format popullsinë shqiptare në Kosovë. Përballja me shtetin jugosllav mendohej se, “s’do të ishte veprim i lehtë”. Megjithatë, me përparësi u përpunuan çështjet e drejtimet e reagimit ushtarak. Realizimi i stërvitjeve komando-shtabi në nivel operativo-strategjik, si”Kështjella”, “Drini”, “Shebeniku”, “Taraboshi”, “A-81” etj., mbanin nën presion shtetin jugosllav. Doktrina ushtarake parashikonte elementët e luftës popullore, të cilat do të realizoheshin me trupat sulmuese dhe të zbulimit për veprime në prapavijë të armikut. Si çështje të paracaktuara, në kushtet e relievit, koha vërtetoi se ato u zbatuan në kohën e luftës në Kosovë. Ky dokument qëndroi i paprekur me ndryshimet, që ndodhën me ministrat e mbrojtjes dhe shefat e shtabit të përgjithshëm. Me ndryshimin e sistemit dhe ardhjen në krye të ministrisë, Safet Zhulali, kërkoi hapjen e kasafortës në fjalë. Për këtë arsye u thirr ish ministri i Mbrojtjes Kiço Mustaqi dhe “Plani sekret Kosova” ju dorëzua me proces verbal ministrit të ri të mbrojtjes.
Për këtë, historiani rus, Artjom Ulunjam, në shkrimin e tij “Operacioni i fshehtë “Shpërthimi”, shkruan se Enver Hoxha, ishte përgatitur për ndërhyrje ushtarake për çlirimin e Kosovës ndaj Jugosllavisë, pas vdekjes së Josip Broz Titos. Shkrimi i historianit rus është publikuar nga gazeta kroate “Jutarnji List”.
Përmes këtij operacioni planifikohej marrja e Kosovës, pjesëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë, në të cilat shqiptarët përbëjnë shumicën, – shkruan Ulunjam.
Udhëheqësit komunistë shqiptarë, sipas tij, kanë shpresuar në një skenar, sipas të cilit pas vdekjes së kryetarit të Jugosllavisë së atëhershme, Josif Broz Tito, do pasonte një luftë për pushtet mes liderëve të ish republikave të Jugosllavisë, luftë nga e cila Shqipëria mund të përfitonte aneksimin e pjesëve të rajonit, me ndihmën e shumicave shqiptare që jetonin aty.
Ulunjam, i njohur si ekspert për lëvizjen komuniste të shekullit XX në Ballkan, punon për Institutin Rus të Historisë dhe informacionet i ka marrë nga memuaret e ministrit të atëhershëm të mbrojtjes.
Në arkivat ruse, ekzistojnë prova se Enver Hoxha ka qenë i përqëndruar veçanërisht te rimarrja e Kosovës, gjë që u vërtetua edhe në Samitin e Helsinkit në vitin 1975, në të cilin Shqipëria refuzoi të nënshkruante dokumentin në bazë të të cilit definoheshin kufijtë e Evropës së pasluftës.
Historiani rus shkruan se burimet e tij citojnë Enver Hoxhën të ketë thënë se “nuk duhet kursyer asgjë për të marrë Kosovën, sepse në të ardhmen kjo do na shpërblehet”.
Me 2 shtator1949, Enver Hoxha i dërgoi letër personalisht Josif Stalinit, ku thuhej:“Ne mendojmë,se çlirimi i popujve të Jugosllavisë mund të arrihet vetëm me luftë e me gjak. Tjetër rrugë s‘ka. Është e domosdoshme të pëmbyset e të asgjesohet klika e Titos.Lufta e Jugosllavisë duhet të zhvillohet e ashpër, deri në kryengritje të armatosur kundër fashistëve dhe shërbëtorëve të tyre të brendshëm me agjentin Tito në krye. Populli shqiptar në Kosovë duhet të luftojë nën flamurin shqiptar, kurse parimi i vetvendosjes duhet përcaktuar saktë dhe të jetë rrjedhojë e luftës së ashpër të shqiptarëve”.
******
Në 27 shtator 1990, sekretari i parë i KQ të PPSH dhe presidenti Shqipërisë në vizitën e parë në OKB, në fjalimin që mbajti kishte disa paragrafë shumë të forta për Kosovën. “Aktualisht”, -tha Ramiz Alia, “një nga problemet më të mprehtë dhe më shqetësues në Ballkan, është ai i shqiptarëve në Jugosllavi, ndaj të cilëve qeveria e Serbisë po ndjek një politikë të hapur gjenocidi”. Më pas “Në Kosovë dhe në vise të tjera të Jugosllavisë ku jetojnë shqiptarët, po bëhen krime, të cilat edhe në mesjetën e errët do të ishin të shëmtuar”. Ato u duartrokitën fort nga lozha, në të cilën ndodheshin shqiptarë, mes tyre, sipas një informacioni të mbyllur dokumentar, duhet të ketë qenë edhe Ibrahim Rugova. Po sipas këtij burimi, edhe pse pala shqiptare kërkoi ta takonte, ky u shmang.
*****