Prof. Dr. Qemal Lame: Bashkimi Evropian të ndërmjetësojë me objektivitet

 

Asociacioni do të rrezikonte pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin teritorial dhe do të bënte realisht ndarjen e Kosovës sipas planit të vjetër të Serbisë. BE mendoj se ka për detyrë të kërkojë që të drejtat e serbëve të Kosovës të bëhen reale edhe për shqiptarët në trojet e tyre në Serbinë Jugore

 

NOA

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në takimin e datës 7 dhjetor 2021, shfaqën mospajtime rreth themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që është edhe çështja më e vështirë për ndërmjetësimin evropian në bisedimet Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve.

Në kundërvënie ndaj argumenteve të Kurtit, Borrell e veçoi Asociacionin si temë të rëndësishme në krahasim me marrëveshjet e tjera që nuk janë zbatuar. Ai theksoi se nuk beson se pengesa është Gjykata Kushtetuese pasi është arritur një marrëveshje e mëparëshme midis dy Qeverive të arritur me bisedime, mirëkuptim, sipas normave ndërkombëtare dhe duhet të zbatohet. Duke vënë në dukje qëndrimin e tij si demokrat ai ju kundërvu thënies së pakujdesëshme, dyshuese dhe akuzuese të Kurtit dhe sqaroi se nuk i shërben asnjë politikani për interesat e tij politike.

Është hera e parë që një përfaqësues i lartë i Bashkimit Evropian arrin të deklarojë publikisht qëndrimin në mbrojtje të Asociacionit kur dihet se statusi i ndërmjetësimit ka të domosdoshme qëndrimin neutral për të patur besimin e palëve në qëndrimin neutral, si dhe kur kjo është tema që ndan qëndrimet zyrtare të Prishtinës nga ajo e Beogradit.

Deklarimi është edhe një tregues i presioneve dhe premtimeve joshëse që u bëhen politikanëve shqiptarë për të pranuar dhe nënshkruar në fshehtësi marrëveshje që imponohen në bisedime të mbyllura nga partnerët ndërkombëtarë dhe anashkalohen, për të mos thënë nëvleftësohen institucionet që shprehin vullnetin e popullit dhe kanë të drejtën kushtetuese për të vendosur dhe miratuar marrëveshje ndërkombëtare. Për këtë qëllim janë shfrytëzuar probleme që kanë rënduar pozitën e tyre për krime lufte për shkak të akuzave të njëanëshme të fallsifikuara  nga Serbisë apo ish prokurorëve ndërkombëtarë Dick Martin dhe Clara del Ponte, të cilët kishin kompetencat ligjore të reagonin në kohë dhe menjëherë ndaj akuzave për krime lufte, të organeve që merreshin në laboratorët e mjekësisë ligjore në Beograd nga shqiptarët e viktimizuar në Kosovë. Problem tjetër është edhe korrupsioni i kryer nga politikanët, që janë bërë nga më të pasurit e Kosovës. Partnerët mbarojnë punë dhe pastaj politikanët shqiptarë lihen në mëshirën e fatit, si ndodhi me ish Presidentin Hashim Thaçi që dha miratimin për ndarjen e Kosovës, ish Kryeministrin Isa Mustafa për Asociacionin, etj. Vetëm ish kryeministri Ramush Haradinaj që miratojë marrëveshjen për kufirin me Malin e Zi, duke i dhënë 8300 hektarë tokë, ka deklaruar publikisht presionin që u bëhet politikanëve shqiptarë për të nënshkruar marrëveshje në kundërshtim me interesat kombëtare si ka ndodhur me planin për ndarjen, vijëzimin e kufirit etj.

Bashkimi Evropian tregon përkushtim për rolin që ka për ndërmjetësimin që i është besuar për normalizimin e bashkëpunimit dhe marrëveshjen midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe bashkëpunon edhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Politika e Jashtëme evropiane ka disa arritje në bisedimet dhe miratimin e 33 marrëveshjeve midis dy vendeve. Por gjatë këtyre 10 vjetëve që zhvillohen bisedime nuk ka një perspektivë të qartë për finalizimin e bisedimeve me një marrëveshje përfundimtare. Me të drejtë Qeveria e Kosovës dëshëron vazhdimin e bisedimeve dhe arrtijen e marrëveshjes përfundimtare me Serbinë në shërbim të qytetarëve. Serbia po kështu shprehet për vazhdimin e bisedimeve, por me kushtin e zbatimit të marrëveshjes për asociacionin.

Qëndrimi i Borrell në mbështetje të Asociacionit të miratuar në Bruksel nga paraardhësja e tij, Frederika Mogherini, është të zhbllokojë ngrirjen e bisedimeve dhe të arrihet mirëkuptimi midis palëve. Ai ka të drejtë. Ndërsa në përmbajtje, mendoj se është gabim të vihet theksi kryesisht në rëndësinë e njëanëshme të Asiciacionit për Serbinë dhe të anashkalohen problemet e vërteta mbi të cilat është mbivlerësuar dhe pasojat e rrezikshme për gjendjen, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin teritorial të Kosovës. Këto ndikojnë edhe në dyshimet për mungesën e objektivitetit në analizën politike të shkaqeve dhe pasojave të qëndrimeve të ndryshme. Kosova do bisedime me status të barabartë shtetëror për arritjen e një marrëveshjeje. Serbia nuk e njeh pavarësinë e sovranitetin e Kosovës, vazhdon ta mbajë në Kushtetutë si pjesë të saj, do bisedime të kushtëzuara me asociacionin dhe nuk jep garanci për një marrëveshje përfundimtare për njohje të ndërsjelltë. Qëndrimi serb është i qartë, miratmi i asociacionit sipas marrëveshjes dhe vazhdimi i shtimit të pretendimeve të tjera, si ka ndodhr me arritjen e marrëveshjeve të tjera që janë kryesisht në favor të saj.

Nuk mund të vihet në dyshim sinqeriteti i Borrellit për kundërshtimet e tij. Megjithatë, ka vend për të kuptuar drejt qëndrimet e kundërta dhe për të sqaruar kriteret ligjore, që janë të detyrueshme për zbatim nga Qeveria e Kosovës. I njeh mirë qëndrimet e kundërta. Mosbesimi për pengesën e vendimit të Gjykatës Kushtetuese nuk bazohet në të vërtetën dhe rëndësinë e këtij fakti që nuk mund të anashkalohet.

Së pari, është e vërtetë që marrëveshja për Asocianin e vitit 2015 është dakortësuar me anë të bisedimeve, hartuar sipas normave ndërkombëtare dhe e miratuar me vullnetin e të dy palëve. Por nuk mund të zbatohet për arësye se e ka lënë pa fuqi Gjykata Kushtetiese. Vendimi është marrë me shumë përgjegjësi dhe në zbatim të interpretimit të Kushtetutës së Kosovës. Marrëveshja bie në kundërshtim me 23 nene të Kushtetutës së Kosovës. Bashkimi Evropian dhe gjithë shtetet e tij anëtare dallohen për vlerat demokratike dhe parimet e shtetit të së drejtës. Për këto arësye, nuk është në vlerat morale dhe zyrtare që të vihet në dyshim qëndrimi kushtetues dhe të kërkohet me detyrim zbatimi i marrëveshjes në kundërshtim me Kushtetutën.

Së dyti, në qëndrimin e Përfaqësuesit të Lartë të Politikës së Jashtëme vemë në dukje edhe qëndrimin diferencues që bëhet midis Kosovës dhe Serbisë. Kosovës i kërkohet të zbatojë një marrëveshje të lënë pa fuqi, të veprojë në kundërshtim me Kushtetutën. Çuditërisht heshtet dhe nuk përmëndet padrejtësia e Serbisë që futi në teritorin e saj Kosovën në vitin 2006, kur ajo ndodhej nën administrimin e OKB të UMNIK, ishte para shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit, duke ndryshuar Kushtetutën e saj në mënyrë të paligjshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Serbisë nuk i kërkohet zyrtarisht dhe as publikisht ndryshimi i Kushtetutës!? Vetëm Kosovës i kërkohet të veprojë në kundërshtim me Kushtetutën!? Mendoj se është me vend që Serbisë t’i kërkohet të ndryshojë Kushtetutën. Kosovës të mos i bëhet presion për të anashkaluar apo ndryshuar padrejtësisht Kushtetutën e hartuar me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë, marrë pëlqimin paraprak nga QUINT dhe miratuar nga Kuvendi i Kosovës në mënyrën më demokratike.

Së treti, është e nevojshme të tregohet vëmëndje për të vlerësuar njëlloj të drejtat e serbëve dhe të shqiptarëve. Politikanët shqiptarët të Kosovës hoqën dorë nga referendumi për bashkimin me Shqipërinë duke reflektuar në kërkesat e QUINT. Serbëve ju garantuan dhe gëzojnë realisht të drejta dhe status në nivelet më të larta që janë pranuar deri tani nga bashkësia ndërkombëtare. Ata kanë të siguruar 10 deputetë dhe kushtëzojnë veprimtarinë e Kuvendit e të Qeverisë. Asociacioni me kompetenca teritoriale do të krijojë kantonizimin sipas modelit të dështuar të Bosnje -Herzegovinës ku Republika Srbska nuk njeh pushtetin qëndror dhe kërkon bashkimin me Serbinë. Asociacioni do të rrezikonte pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin teritorial dhe do të bënte realisht ndarjen e Kosovës sipas planit të vjetër të Serbisë. BE mendoj se ka për detyrë të kërkojë që të drejtat e serbëve të Kosovës të bëhen reale edhe për shqiptarët në trojet e tyre në Serbinë Jugore.

Ka ardhur koha që të vlerësohet më drejtë politika serbe për integrimin evropian dhe plotësimi i detyrimeve që ajo ka për të respektuar standartet integruese për reformimin e demokracisë dhe shtetit sipas modelit evropian dhe të distancohet nga autoritarizmi i pushtetit autoritar të një partie sipas modelit rus.

Serbia ankohet në çdo rast në BE kur situatat politike dhe ngjarjet nuk zhvillohen sipas interesave të saj. Por është me vend të theksojmë se sa herë që presidenti Aleksandër Vuçiç apo kryeministrja Bërnadiç ankohen për të drejtat e serbëve në Kosovë apo qëndrimet e politikanëve dhe institucioneve shtetërore të Kosovës, aq më shumë kuptohen qëllimet e tyre për të imponuar politikën e njëanshme serbe dhe nënvleftësuar sovranitetin e Kosovës.

Bisedimet e Kosovës me Serbinë është e domosdoshme të vazhdojnë dhe të përfundojnë me arritjen e marrëveshjes përfundimtare. Kjo do të ishte mënyra më e mirë për të vënë në pozita të drejta politikanët udhëheqës serbë. Nuk është efektive të miratohen marrëveshje sipas kërkesave të Serbisë dhe të mos zbatohen kryesisht prej tyre. Të respektohen parimet e sovranitetit e të barazisë në marrëdhëniet ndërshtetërore dhe në bisedime.

Është shumë e vështirë që në situatat e sotme politike të arrihet ndryshimi i mendimeve dhe qëndrimeve të politikanëve dhe institucioneve serbe, që kanë formim nacionalist dhe mbrojnë politikën e vjetër të hegjemonizmit serb. Për t’i ndihmuar ata që të jenë realistë dhe të zbatojnë me ndërgjegje reformat për integrimin evropian dhe zgjidhjen e krizës së ngrirë politike me Kosovën e kombin shqiptar në tërësi, është e domosdosme që BE të trajtojë njëlloj dhe me objektivitet të drejtat dhe detyrimet për Serbinë dhe për Kosovën. Kjo do të ishte rreuga më efektive dhe më e shpejtë edhe për një marrëveshje përfundimtare, sigurinë e paqen në rajon.