Agim Dade: Poeti Sefulla Malëshova, në gjurmët e vëllezërve Frashëri

926
Sigal

Vlerësimi i Dr. Ymer Dishnicës për Sefulla Malëshovën dhe pjesë nga muza e tij poetike

“Poeti që i bëri thirrje popullit për bashkim e që eci në gjurmët e vëllezërve Frashëri”

Agim Dade

Sefulla Malëshova (1900 – 1971), i njohur me emrin letrar Lame Kodra, është nga personalitetet e para disidente në kulturën shqiptare të pasluftës. Shumica e poezive të Lame Kodrës janë botuar në vëllimin Vjersha (Tiranë, 1945), ku ai e quan veten poeti rebel. Sipas Malëshovës, Shqipërisë i duhej integrimi kulturor dhe jo izolimi nga Evropa Perëndimore. Ai thoshte se detyra e intelektualëve shqiptarë është që të vendosin lidhje të ngushta kulturore me popujt e Ballkanit, me Bashkimin Sovjetik, me Anglinë, Amerikën dhe me gjithë botën demokratike e progresive. Gjatë viteve 1946-1947, Malëshova ishte ministër i Arsimit dhe kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Pas kësaj figura e tij u denigrua për pikëpamjet e tij “oportuniste” dhe u dërgua të punojë në punë të ulëta. Prej vitit 1956 ai u internua në Fier, ku u detyrua të punonte jashtë profesionit të tij. Sefulla shkruante vazhdimisht që në rini me Pseudonimin Lame Kodra. Ai ishte patriot i madh i kombit ashtu si vëllezërit Frashëri, por në poezi rrokte tematikat patriotike-atdhetare si Naim Frashëri. Ai i ka kënduar po aq bukur Shqipërisë dhe donte ta shihte më të bukurën në Evropë pasi zoti ja kishte dhënë të gjitha. Sefullai donte një Shqipëri të lirë, pa pushtues dhe shfrytëzues ku populli të gëzonte demokracinë në një shtet Sovran. Një nga vjershat e tij “Vlora” është shkruar në vitin 1938 në gazetën e Federatës patriotike Shqiptare të Francës “Sazani” ku hedh kushtrimin e bashkimit të popullit shqiptar kundër rrezikut e një pushtimi të mundshëm të Shqipërisë nga Italia fashiste. Dr. Ymer Dishnica ka komentuar kështu për këtë poezi: “Në qoftë se gazeta “Sazani” dhe Federata e Shqiptarëve të Francës kanë hedhur të parët parullat e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare kjo i dedikohet në radhë të parë Sefulla Malëshovës, zotësisë dhe inteligjencës së tij politike. Sefullai është lider i pakontestueshëm i përpjekjeve tona në emigracion dhe inspiratori direkt i luftës sonë nacional-çlirimtare”. Këtë koment kaq elegant unë s’do ta bëja si Ymer Dishnica bashkëluftëtari, bashkëvuajtësi nga diktatura e cila me padrejtësinë më të madhe ra mbi këta dy intelektualë me vizion perëndimor. Sefulla Malëshova si demokrat i madh kërkonte një trajtim të barabartë midis intelektualëve si të atyre që kishin studiuar në universitetet e perëndimit dhe të atyre që kishin marrë pjesë në Luftë. Ai kërkonte që ata të integroheshin në administratën e re të pushtetit demokratik, të vinin bashkërisht dijet në shërbim të zhvillimit të përgjithshëm të Shqipërisë me qëllim që ajo të dilte nga prapambetja dhe të bëhej e barabartë me vendet evropiane që në atë kohë, e jo të lutemi sot të hymë atje duke ulur krenarinë kombëtare. I nderuar lexues më lejoni që t’ju citoj çfarë shkruan z. Spartak Ngjela shkruan: “Sefulla Malëshova pa dyshim ka qenë njeriu më i ditur në lëvizjen komuniste shqiptare.” Sefullai ishte mik i Labërisë dhe i Vlorës dhe besoj se dhe shoqata “Labëria” Nderi i Kombit do të dijë ta vlerësojë këtë personalitet të lënë në hije. Atje ndërroi jetë në vitin 1971 mes dhimbjeve të diktaturës. Ja disa nga poezitë e tij më të spikatura.

Poezi nga Sefulla Malëshova

 

Flamurit

 

Të falem, o flamur i shenjtë

O shpresë e nderit madhëri,

O shenja e bukur shumë e shenjtë,

Vleftën tënde s’ta çmon njeri

 

Valo mbi tokën e atdheut tonë

Dhe falma shpresë e dashuri

Përhap kurajë përgjithmonë

Valo përjetë në Shqipëri.

 

Porsi shkëndijat e diellit

Që i jep dritë faqes dheut

Si yll i veçuar prej qiellit

Prure kohën e Skënderbeut.

 

I lumtur është kombi ynë

Kur sheh flamurin që valon

Prandaj të çelur e ka syno

Duke gëzuar të lavdëron.

 

Sot është Dita e Flamurit

Që hap krahët brenda

Për Kombin tënd dita e gëzimit

Ndaj kudo buçet kënga.

 

Afrohemi tok ne të punojmë

Me ndjenja dhe me shoqëri

Gjithë jetën me jetë të rrojmë

Mos shikoni smirë dhe mëri.

 

Valo mbi tokën shqiptare

Dhe kombin tënd rroke në gji

Eja rreth e rrotull kufisë

Në Kosovë e Çamëri.

 

 

Poeti rebel

Pa dëgjoni, gra e burra,
Anembanë
Doli urdhri për mua
Në Tiranë.
Nëpër male, nëpër fusha
Në luadhe
Po më ndjekin këmba-këmbës
Me koshadhe.
Po s’kam frikë nga zagari
Me dyfek
Kudo shkoj e hidhem unë
Shtek më shtek.
Kudo vete e futem unë
Prag më prag
Shqipërinë anembanë
Kam jatak.
Jam rebel e jam hajdut
Edhe mburrem
Kundër beut edhe fronit
Unë turrem.
I kam dalë për zot unë
Vegjëlisë,
Edhe luftë i kam shpallur
Skllavërisë.

* * * *

Kush ngre pushkën kundër meje
Kështu vallë?
Kush pas gjurmëve të mia
Vjen vërdallë?
Qëndro pakë,dëgjo mua,
Or ushtar
Nuk je vallë bir fshatari,
Ti, fshatar?
Qëndro pak,dëgjo mua,
Or vëlla
Mbaje dorën,kurse plumbin
Për ata
Për ata që rrjepin,shtypin
Shqipërinë,
Për ata që na çkallmuan
Katandinë.
Edhe vjersha më ka hie
Si hajdut,
Pse dhe vjershat i mbush unë
Plot barut.
Këngë lufte,këngë zjarri
Kam në gojë
E kam unë kraharorin
Si dëbojë.
Vjershë,o vjershë, shko si bombë
Me tërbim
Shko përhapu si flamur,
Si kushtrim.
Anembanë Shqipëria
Le të mblidhet
Në pallate tirania
Le të dridhet.
Ngrehu Korçë, Korç’ o lule,
Korça – Zonjë,
Me Devoll e me Opar,
Me Kolonjë.
Del,pra del, o lumi i Vlorës
Me bajrak
Sikur del të marrësh nuse
Me duvak.
Shko në ballë si Gjoleka,
Kurvelesh,
Hidhu ti, moj Çamëri,
Si rrebesh.
Sokëllin Baba Tomori
Si tërmet.
Dhe Shkumbini valë-valë
Po buçet
Ngrehu,popull,shkunde zgjedhën
Si luan,
Në Berat e në Tiranë,e
N’ Elbasan.
Dhe ti Mat e Lumë e Dibër
Si duhi,
Rrokni armët e luftoni
Për liri.
Gjëmo,Shkodër,moj mizore,
Shkodra – plakë,
Hajde, hajde, tunde vallenë
Moj Kosovë,
Me Krasniqn’e Bajram Currit,
Me Tetovë.
Anembanë Shqipëria
Le të mblidhet
Ndër pallate tirania
Le të dridhet.
Vjershë o vjershë, shko si bombë
Me tërbim
Shko përhapu si flamur,
Si kushtrim.

 

SHTRËNGATA

Dëgjoni, dëgjoni,
Nga deti shikoni
Si shfryn e tërbohet,
Si vjen e zgjerohet
Në qiell, në dhé –
Kaluar mi ré,
Të zeza si nata,
Shtrëngata.

Nga zalli po ngrihet
Si mal, e përzihet
Me breshër, me shi,
Një pluhur i zi.
Dhe rrotull në det,
Në fshat e qytet
Përhapet rrëmuja
Dhe kuja.

Kush pyet për djalin,
Për lopën a kalin
Një plakë qyqare
Kërkon një manare
Një nuse shikon,
Mos duket përgjon
Në detin e largë,
Një barkë.

Po qielli dhe deti,
Të dy si tërmeti,
Dhe shpesët i ndjek,
Dhe barkat përpjek,
Dhe pemët rrëzon,
Dhe arat shkreton,
Dhe bie mandata –
Shtrëngata.

 

POETI

Pushoi lahuta, u përgjunj poeti,
Plagët e shpirtit krahët i shkurtuan;
Kundër poetit u vërsul rrëmeti,
Me sharje e shpifje jetën i helmuan.
Po vargu i tij, që popullin ngriti
Në luftë për liri e për fitore,
Që kurdoherë si kushtrim buçiti,
Në zemra u skalit si përmendore;
Dhe, pa lavdi zyrtare e pa kurorë,
Me dritën e Komunës vezullon –
Pse zhduken perëndi e perandorë,
Po kënga e poetit s’perëndon.

 

Si e dua Shqipërinë

S’kam çiflik e s’kam pallate,
s’kam dyqan me katër kate,
po e dua Shqipërinë,
për një stan në Trebeshinë,
për një shkarpë e për një gur,
për një gardh e për një mur,
për kasollen mbi Selishtë,
për një lopë e një gomar,
për një balo, një manar.
Unë e dua Shqipërinë,
si bari e si fshatar.
Unë e dua Shqipërinë,
për tërfilin mbi lëndinë,
për një vajzë gjeraqinë
dhe për ujët që buron,
nga një shkëmb e gurgullon,
nëpër lisa gjethe shumë
dhe zbret përposh në lumë.
Unë e dua Shqipërinë,
për një lule trëndelinë,
për një zog që fluturon,
për bilbilin që këndon,
në ato ferra në ato hije,
këngë malli e dashurie.
Unë e dua Shqipërinë,
si poet i dhembshuruar.
Unë e dua Shqipërinë,
që nga Korça e në Vraninë,
ku del bujku që me natë,
me parmendë edhe me shatë,
mbjell, korr me diell me hënë
dhe s’ka bukë për të ngrënë,
ku nallbani e samarxhiu,
mjeshtri, kallfa e kallajxhiu,
kursen ditë e kursen natë,
që të hanë bukë thatë,
ku hamalli nëpër skela,
ngarkon hekur dhe varela,
këmbë-zbathur, bythë-çjerrë,
punon vetëm për të tjerë.
Unë e dua Shqipërinë,
që nga Shkupi në Janinë,
ku një popull derëzi,
heq e vuan në robëri,
po ka shpirtin luftëtar.
Unë e dua Shqipërinë,
si një revolucionar.

(Botuar në gazetën Liria, Amerikë . 1939)