Shyqyri Dekavelli: Shqipëria dhe Strategjinë Kombëtare e Inteligjencës Artificiale

479
Sigal

Shyqyri Dekavelli

Ish Drejtor i Autoritetit të Sigurisë Kombëtare në marrëdhënie me NATO-n.

 

Inteligjenca Artificiale po transformon botën në shumë aspekte. Eshtë thelbësore që Evropa po punon se si të shfrytëzojë sa më shumë mundësitë nga ky transformim dhe të trajtojë sfidat e tij.
Komisioni evropian ka miratuar planin e koordinuar për Inteligjencën Artificiale që u hartua së bashku me Shtetet Anëtare për të maksimizuar ndikimin e investimeve në nivelet e Bashkimit evropian dhe kombëtar dhe për të inkurajuar si nergjitë dhe bashkëpunimin në të gjitha vendet.
Një nga veprimet kryesore drejt këtyre qëllimeve ishte një inkurajim për shtetet anëtare për të zhvilluar strategjitë e tyre kombëtare të Inteligjencës Artificiale. Rishikimi i strategjive kombëtare është një nga detyrat e Komisionit evropian për të mbështetur zbatimin e planit të koordinuar për Inteligjencën Artificiale. Baza e të dhënave e politikave kombëtare të Inteligjencës Artificiale, e konfirmuar nga përfaqësuesit e shteteve anëtare, demonstron rëndësinë e punës së ngushtë me aktorët përkatës për të ndarë mësimet e nxjerra, praktikat e mira dhe sfidat gjatë formimit të politikave të Inteligjencës Artificiale.

Strategjitë Ndërkombëtare

OKB -ja ka nisma të shumta të vazhdueshme në lidhje me Inteligjencën Artificiale duke përfshirë dhënien e udhëzimeve mbi privatësinë e të dhënave,  etj. Ekziston një aleancë evropiane e Inteligjencës Artificiale që ka krijuar një qasje gjithëpërfshirëse ndaj kësaj teknologjie dhe një marrëveshje për të bashkëpunuar midis vendeve evropiane. Franca dhe Kanadaja po zhvillojnë një task forcë për të bërë rekomandime mbi fushëveprimin dhe zbatimin e grupit ndërkombëtar të studimit. Drejtuesit e G7 në Charlevoix, Kanada, ranë dakord për një grup të përbashkët angazhimesh për Inteligjencën Artificiale. Ministrat nga rajoni Nordik-Baltik kanë bërë një deklaratë bashkëpunimi për Inteligjencën Artificiale. Ministri i Emirateve të Bashkuara Arabe për Inteligjencën Artificiale dhe Invest India nënshkruan një memorandum mirëkuptimi për të krijuar një partneritet.

Strategjitë Kombëtare

Strategjia kombëtare e Inteligjencës Artificiale duhet të përputhet me planet e qeverisë për të mbështetur vendet e punës dhe rritjen ekonomike përmes investimeve të rëndësishme në infrastrukturë, inovacion, mjekësi,  industri, siguri etj. Strategjitë kombëtare të Inteligjencës Artificiale parashikojnë që teknologjitë e inteligjencës artificiale pritet të kenë një ndikim të madh në ekonominë globale dhe do të kontribuojnë me 13-15.7 trilionë dollarë. Inteligjenca Artificiale ka potencialin për të kontribuar për njerëzimin në të gjitha fushat. Inteligjenca Artificiale po e sjell njerëzimin në pragun e një epoke të re.

Strategjia Kombëtare e Inteligjencës Artificiale:

– do të përmirësojë, koordinojë dhe forcojë kërkimin në fushën e teknologjisë;
– do të ndihmojë dhe nxisi investimet publike dhe private në të gjitha fushat në bashkëpunim me Inteligjencën Artificale;
– do të bëjë të mundur tërheqjen e talenteve  në fushën e inteligjencës artificiale dhe do të zhvillojë bizneset në fusha të ndryshme;
– do të inkurajojë zhvillimin e ekonomisë dhe do të krijojë standartet më të mira të ndërveprimit dhe sigurisë kibernetike;

Disa nga vendet që kanë miratuar dhe po adoptojnë më tej strategjinë kombëtare të Inteligjencës Artificiale janë:

SHBA e ka filluar nismën amerikane të Inteligjencës Artificiale dhe e ka përgatitur Strategjinë Kombëtare për ruajtjen e lidërshipit amerikan në Inteligjencën Artificiale. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar e ka nisur një Marrëveshje Sektoriale për Inteligjencën Artificiale për të çuar përpara ambiciet e Mbretërisë së Bashkuar në përputhje me strategjinë e saj industriale dhe këshillat e Komisionit të zgjedhur të Parlamentit për Inteligjencën Artificiale. Kina e ka Strategjinë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale, të përcaktuar sipas “Planit të Zhvillimit të Inteligjencës Artificiale të Gjeneratës së Re”. Presidenti i Federatës Ruse publikoi një strategji kombëtare të Inteligjencës Artificiale në Tetor 2019. Putin deklaroi se vendi që do të jetë lidër në Inteligjencën Artificiale, “do të bëhët lidër i botës”. Rusia është në garë me Kinën dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për aftësitë e Inteligjencës Artificiale. Franca ka një strategji kombëtare për Inteligjencën Artificiale të quajtur “Inteligjenca Artificiale për Njerëzimin”. Qeveria Gjermane e ka miratuar strategjinë e saj të Inteligjencës Artificiale në Nëntor 2018. Strategjia Kombëtare Italiane e Inteligjencës Artificiale është përgatitur nga Grupi i ekspertëve të Inteligjencës Artificiale  të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik. Italia ka një Task Forcë ndërdisiplinore të Inteligjencës Artificiale të krijuar nga Agjencia për Italinë dixhitale. Turqia e ka përgatitur Strategjinë Kombëtare të Inteligjencës Artificiale. Ajo është shpallur zyrtarisht nga Presidenti Rexhep Tayyip Erdoğan. Për vitet 2021-2025, strategjia ka përcaktuar gjashtë përparësi, që mbulojnë kapitalin njerëzor, kërkimin, sipërmarrjen, infrastrukturën, cilësinë e të dhënave etj.
Kanadaja ka një strategji kombëtare të Inteligjencës Artificiale të quajtur Strategjia Pan-Kanadeze e Inteligjencës Artificiale. Japonia ka një “Strategji të Teknologjisë së Inteligjencës Artificiale” dhe gjithashtu ka përfshirë Inteligjencën Artificiale në “Strategjinë e saj të Integruar të Inovacionit”. Australia ka shtuar 29.9 milion dollarë në buxhetin vjetor të vendit për të promovuar dhe udhëhequr zhvillimin e Inteligjencës Artificiale. Austria ka një këshill robot këshillues që po zhvillon një strategji kombëtare të Inteligjencës Artificiale. Danimarka ka një strategji dixhitale që përfshin Inteligjencën Artificiale së bashku me teknologjitë e tjera. Estonia po zhvillon një kornizë ligjore për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në vendin e saj, duke përfshirë një projekt -ligj mbi përgjegjësinë e Inteligjencës Artificiale. Finlanda ka një program të Inteligjencës Artificiale të udhëhequr nga një grup drejtues nën Ministrinë e Çështjeve Ekonomike dhe Punësimit. India ka përcaktuar një politikë kombëtare për Inteligjencën Artificiale në një punim të titulluar, “Strategjia Kombëtare për Inteligjencën Artificiale”. Hollanda ka nisur planin strategjik të veprimit për Inteligjencën Artificiale në Tetor 2019. Norvegjia ka botuar një strategji kombëtare për Inteligjencën Artificiale në Janar 2020. Polonia nisi politikën e zhvillimit të Inteligjencës Artificiale për 2019–2027. Serbia në strategjinë për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale për periudhën 2020-2025 ka përcaktuar objektivat dhe masat për zhvillimin e Inteligjencës Artificiale zbatimi i të cilave duhet të rezultojë në rritje ekonomike, përmirësim të shërbimeve publike etj. Arabia Saudite, në Gusht 2019, krijoi një agjenci qeveritare të quajtur “Autoriteti Saudit i të Dhënave dhe Inteligjencës Artificiale”. Spanja në Mars 2019, publikoi një strategji të Inteligjencës Artificiale. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë një strategji kombëtare për Inteligjencën Artificiale dhe ishte vendi i parë që emëroi një Ministër të Inteligjencës Artificiale. Sigurisht edhe shumë vende të tjera, në Europë e kudo në botë, kanë publikuar strategjitë kombëtare të Inteligjencës Artificiale dhe kanë parashikuar buxhetet e tyre për këtë fushë.
Po Shqipëria?

Të njëjtën gjë duhet të bëjë dhe Shqipëria, të ngrejë një strukturë të Inteligjencës Artificiale me specialistët më të mirë në fushën e Informatikës, Inxhinierisë elektronike, Matematikës e fusha të tjera të përafërta dhe të specializohen në qendrat e sistemet e Inteligjencës Artificiale, që tashmë janë ngritur e funksionojnë në shumë vende të botës. Kjo strukturë në bashkëpunim me ministritë dhe institucionet shtetërore të përgatisi strategjinë kombëtare të Inteligjencës Artificiale dhe të përcaktojë buxhetin për funksionimin dhe aplikimin e saj në Shqipëri.
Mendoj se një gjë e tillë është e domosdoshme për vendin tonë që të eci përkrah vendeve të tjera në fushën e Inteligjencës Artificiale, e cila është shkenca e së ardhmes dhe do të ketë një impakt të madh në zhvillimin e vendit në të gjitha fushat.