Kasëm Kasëmi, gjyqtari sportiv që “notonte” në fushën e futbollit

666
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

nga Agron Mema

Në vend të një portreti sportiv të notit dhe futbollit

Futbolli tanimë është konfirmuar si sporti më masiv që rrok në vorbullat emocionale të tij një publik të gjerë, madje përtej parashikimeve edhe të specialistve  dhe atyre që kanë detyrën e marrjes  së masave të sigurisë për normalitetin e zhvillimit  të një ndeshjeje futbolli, qoftë kjo edhe jashtë kompeticionit, por thjesht  një miqësore. Jashtë këtij fokusi public, nuk mbetet as arbitrimi, shumëherë edhe nën trysninë e fjalorit fyes dhe ushtrimit të dhunës fizike në stadiume dhe fushat e blerta. Një nga gjyqtarët më të zëshëm të kohës  së sistemit monist që njihet jo vetëm në qytetin e tij, Sarandë, por në gjithë hapësirën sportive shqiptare të notit dhe futbollit, madje edhe jashtë kufijve  shtetërorë  shqiptarë, është edhe i nderuari  Kasëm Kasëmi. Njihet si notar dhe si gjyqtar futbolli, me një aktivitet të gjerë sportiv. Edhe sot është modest. Tregon qetë mes buzëqeshjes  dhe  humorit që i mbulon portretin, ngjarje dhe ndodhi të asaj kohe sportive që la gjurmë në historinë e sportit shqiptar, madje  sot kujtohen me nostalgji edhe si kohë të lavdishme për sportin vetë dhe emocionet e tifozerisë. Ndonëse pensionist, është rikthyer tek zanati i vjetër i mekanikut të riparimit të makinave qepëse, por aktiv në debate dhe promocione të aktiviteteve sportive.  Kasëmi ka lindur në Ksamil, pranë ujrave të kaltra joniane, më 1942 dhe në Sarandë,  ka ardhur qysh në moshën pesë vjeçare pas vdekjes së të atit. Detin e kish pranë si frymëzim dhe ngushëllim.  Nevojat dhe kushtet  ekonomike e detyruan të mësonte zanat për të përballuar  nevojat e jetës në ato kohë të vështira, i mbetur jetim. Ëndrrat e tij fëminore, për t’i plotësuar në botën e tij të brendshme shpirtërore, i shkriu në ujrat e kaltra të detit. I besoi atij dhe ja arriti. Deti dhe Kasëmi u shkrinë dhe u bënë një, i dhanë gjithçka njëri-tjetrit. Talenti sportiv ra në sy të drejtuesve të ekipit të notit të asaj kohe “PUNA” (sot ‘Butrinti’),  ekip i drejtuar në atë kohë nga trajneri i talentuar  Harun Dojaka. Kështu federohet dhe nis karrierën e tij si notar, një rrugëtim i gjatë në autostradën sportive.  Dhe suksesi vjen menjëherë.  Drejtuesit e tij nuk zhgënjehen nga përzgjedhja. Në garat e zhytjes  të zhvilluara në qytetin e Durrësit, më 1952, zë vendin e parë dhe merr kategorinë e parë si sportist. Në vitin 1955 e me rradhë, deri në vitin 1959 garon në not, stili i lire, për ekipin e qytetit të tij “Puna”. Në vitin 1960-1961 garon në ekipin  e vatërpolit dhe sukseset i japin famë. Në vitin 1966,  bëhet trajner duke drejtuar ekipin e notit për të rinj dhe më pas për të reja, të Sarandës. Në vitin 1970, pas një kualifikimi në Durrës, merr  kategorinë e parë si gjyqtar. Në vitin 1967, pas furnizimit që FNSH-ja i bën ekipit të Sarandës me varka  garash, zë vendin e parë në kanotazh, në garat e zhvilluara në Durrës, në 200 metra vozitje me rrema, duke thyer edhe  rekordin  kombëtar.

 

Në vitin 1969,  falë aktivitetit të tij dhe sukseseve, emërohet shef i KS ‘Butrinti’. Tanimë puna e tij nuk do të fokusohej vetëm në arritjet sportive, por veçanërisht me ngritjen dhe freskimin e terreneve sportive. Kështu, në ato vite të drejtimit të tij si shef  klubi, u ndërtua zadra e notit “Esat Mamaca”, stadiumi i lojrave me dorë  “Aleko Dajko”, stadiumi  i futbollit “Butrinti”, si dhe disa anekse sportive pranë shkollave. Është  vlerësuar  nga FNSH-ja me: “Nder i Notit Shqiptar” dhe “Çertifikatë Mirënjohjeje” në nëntor 2017.  Po në futboll?  Siç thamë edhe më lart, përveç aktivitetit të tij në not dhe drejtues sportiv,  ka edhe aktivitet futbollistik. Një aktivitet i gjerë si gjyqtar futbolli, madje gjyqtar kryesor në fushën e blertë. Në vitin 1973 krijoi  Kolegjiumin e Arbitrave të Futbollit ku zgjidhet edhe kryetar i tij dhe merr kategorinë e parë për arbitrim, sipas klasifikimit sportiv të asaj kohe ose me statusin e arbitrit të shtetit. Ka arbitruar ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare ku është shquar për korrektësi në gjykim. Këtë funksion e kreu deri në vitin 1990, vit kur ndaheshin kohët mes sistemeve dhe një kohë e re vinte për futbollin. Pas kësaj u emërua vëzhgues fushe në ndeshjet e futbollit  deri në vitin 2005. Kjo është karriera sportive në pak rreshta e këtij njeriu të palodhur e fisnik të Sarandës. Kasëmi, teksa pi kafen në lokalin e tij të preferuar, tret vështrimin në horizont,  zhytet në kujtime nën ngacmimet tona dhe fytyra i merr një hije nostalgjike. Thotë se më problemtikët për sa i përket etikës sportive të tifozëve dhe disiplinës në fushë dhe stadium, kanë qenë ekipet e kategorisë së dytë, sipas klasifikimit të para viteve 1990,  sidomos qytezat industrial  me komunitet heterogjen.  Shpesh ndeshjet mes tyre shoqëroheshin edhe me veprime të dhunshme. Kategoria e parë kishte më shumë emocion, më shumë entuziazëm, më shumë shpirt gare, më të kulturuar. Kujton se është ndjerë keq në ndeshjen  ‘Delvina’ –‘Fieri’ ku ‘Delvina’ humbi ndeshjen. Por ndjehet edhe sot i gëzuar në ndeshjen e zhvilluar në Durrës ‘Himara’ –‘Sukthi’, ku ‘Himara’, pas fitores, ngjitet në kategorinë e dytë. Shton se kudo i prisnin të parët sekretarët e partisë dhe mes buzëqeshjes, nga buzët e tyre lëshonin “fjalën e partisë”, pra, në një farë mënyre, fati i ndeshjes qe vendosur nga partia. Por nuk e lë bisedën pa humorin e tij karakteristik. Shton edhe një rast, mes qindra të tillë, me thekse anekdodike. “Ka qenë ndeshja ‘Kruja’ – ‘Butrinti’ e cila përfundoi 1-1 pas një goli të anulluar të ‘Butrintit’ nga anësori sarandiot. U habita si gjyqtar kryesor, nga veprimi i anësorit. Ishte gol i pastër dhe nuk kish arsye anullimi. Shkova dhe e pyeta  se pse e bëri këtë për ekipin tonë. Më tha si i zënë në faj se në makinën tone, kuksianët kishin lënë një thes me patate. Kaq qe fuqia e korrupsionit në atë kohë,” -shton Kasëmi duke buzëqeshur, por dhe ironizuar kohën e sotme se çfarë ndodh në futboll.