Moisi Dalipi: Shpëtim Toska është “Maradona” i tifozave dibran   

708
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kur ndodhesh në Peshkopi, në  kryeqendrën e krahinës fisnike të  Dibrës dhe kërkon të mësosh për traditat  e mrekullueshme të këtyre  njerëzve të  mirë dhe shumë punëtorë , natyrshëm flasim edhe për vlerat e tyre  në sport. Midis shumë emrave  që vijnë që  nga viti 1930 , kur është krijuar klubi i futbollit  “Bashkimi Dibran” dhe  i riorganizuar ndryshe në vitin  1945 me emrin “Korabi”, të gjithë me një zë  të thonë:”Maradona” jonë është Shpëtim Toska. Dhe kur vendos përpara fotografitë e shumta  të këtij futbollisti që na servirin të apasionuarit e sportit dibran  Fehmi Lleshi dhe Fatmir Zhuzhi , bindesh  shpejt se ky  djalë  thuajse në çdo drejtim të pamjes fizike  ishte një “fotokopje” e kësaj magjie të futbollit botëror të atyre viteve. Dhe futbollisti dibran Shpëtim Toska në  vitet më të mira të karrierës  së tij , kishte një trup jo shumë të gjatë dhe muskuloz . Ishte i shpejtë , shumë teknik , por tepër efikas në gjuajtjet me të dy këmbët dhe kokë. Kur ishte në  fushën e lojës triblimet ishin pjesë e spektaklit të tij  sportiv. Golat  e shënuar , janë një “galeri” më vete , që i  gjen të fiksuar nga çdo pozicion dhe për çdo stadart. Dhe në  karrierën e tij  në vitet 1979 deri 1994 sulmuesi  Shpëtim Toska   ka shënuar  318 gola. Dhe nuk janë pak kaq shumë  gola të shënuar  nga ai  për dy skuadrat ku është aktivizuar me “Korabin” e Peshkopisë dhe “Korabin” e Dibrës së Madhe.

Fati i keq i biografisë së tij  bëri që sistemi i kaluar  e ndaloi  të vezullonte ashtu si duhet, madje dhe me ekipin kombëtar.  Që në moshë  të vogël , aty tek ajo fusha e vogël pranë xhamisë , në lagjen “Treg” të Peshkopisë , një  djalë trup vogël , por tepër i shpejtë dhe i shkathët do harrohej me orë të tëra pas lojës së futbollit. Në moshën 12 vjeçare , në verën e vitit 1972   bën pjesë në ekipin e qytetit  të tij  për në spartakiadën e pionierëve  në Durrës , ku trajnerët e tij të parë Njazi Shehu dhe Xhevdet Tusha do t’i jepnin shansin të përballej me shkodranët Luan Vukatana , Xhabril Gruda dhe partizanasin  Genc Tomorri. Kaq ka mjaftuar që në  moshën 13 vjeçare të fillojë stërvitjen me ekipin e të rinjve të  “ Korabit”. Trajnerët Naxhi Lazimi dhe Niko Delia nuk dëshirojnë  t’i japin ngarkesa maksimale dhe e  aktivizojnë nga pak minuta. Ndeshja e parë me këtë ekip është në moshën 15 vjeçare , Korabi –Tërbuni. Çfarë shpërthimi djaloshar i Toskës “vogël” që në ndeshjen e parë , kur shpartallon një mbrojtje të tërë dhe shënon plot tre gola. Kaq ka mjaftuar që në fushën e lojës në çdo ndeshje të shpaloset bukur  “simfonia” sportive e Shpëtim Toskës. Edhe pse në kategorinë e dytë , pak kush besonte se aty tek ajo fushë sportive  e Dibrës mes shtatë maleve, po rritej një talent futbolli .Dhe  kur ende nuk ka mbushur 17 vjeç , trajneri i njohur Bexhet Shehu  do i besojë fanellën  e sulmuesit  kryesor , atë me numërin 10 . Dhe ndeshja e parë zyrtare me ekipin e parë në Corovodë , ku përballen “5 Shtatori “ –“Korabi” .

Barazim 1-1  dhe golat  mbajnëë firmën e  dy sulmuesve me të ardhme, por që nuk i lejoi kush të kapnin  nivelet e larta si për skrapalliun Azis Çeçon dhe dibranin Shpëtim Toska .Të dy  të gjithë  karrierën  e kanë në Kategorinë e Dytë, por me shumë dashuri dhe besnikëri ju kanë  shërbyen deri në fund qyteteve të tyre. Vitet kalonin dhe Shpëtim Toska vetëm forcohej,  rritej dhe bëhej një “tmerr “ i vërtetë për çdo portier.  Dhe nuk janë pak, por 280  gola të shënuar me fanellën e “Korabit” të Peshkopisë në harkun e  viteve 1979- 1991. Jo vetëm portierët e kategoris dytë , por dhe ata të  kategorisë së parë në ato vite janë ndëshkuar  nga golat e  sulmuesit Toska . Në një ndeshje për kupë midis Korabit dhe Labinotit  me dy gola të shënuar nga gjuajtjet stadarte është ndëshkuar dhe portieri elbasanas Bujar Gogunja, që në atë vit mbante dhe rekordin e mos pësimit të golit.  Në garën me golshënuesit më të mirë të atyre viteve si :  Dali Faruku , Bert Kamberi  ,Azis Çeço dhe Albert Haxhia  do dilte fitues si përherë Shpëtim Toska. Trajnerët që kanë punuar me të si Bexhet Shehu , Sadri Avdiu, Agim Pira, Rexhep Demneri, Fatbardh Delliallisi, Rexhep Spahiu dhe Refik Resmja , tek ky djalosh kanë  konstatuar  cilësi të jashtëzakoshme të një sulmuesi , por si “hije e  zezë “ i qëndronte biografia.

Në vitin 1986  grumbullohet nga ish trajneri Medin Zhega me ekipin Kombëtar B ku shënon dhe golin e barazimit 1-1 me Kombëtaren A. Por vetëm  kaq , sepse dikush  e kishte  dërguar më parë  letrën me biografinë e tij, ndaj  “gardhi “ nuk duhej kaluar. Në verën e 1987  trajneri i Dinamos Bejkush Birçe e  bën pjesë të Dinamos vetëm për një javë,  sepse përsëri ajo “biografia” nuk e lejonte  …. Me skuadrën e tij  aktivizohej rregullisht përkrah  shokëve  të tij  Ylli Mece , Bujar Sharra , Besnik Armadhi , Mentor Melani, Ramazan Konçi, Avni Hoxha, Kujtim Prençi, Demir Toçi e të tjerë,  me të cilët shumë herë  e  vendosnin “Korabin” e tyre në krye të klasifikim dhe papritmas në dy javët e fundit të kampionatit   vjen  nga lart  “Urdhëri” se  në Kategorinë e Parë do të  kalonin Traktori , Besa , Tomorri, Luftëtari , Skënderbeu e Besëlidhja ose  dikush tjetër, por jo Korabi siç argumentonin  “drejtuesit”,  sepse  duheshin plot 8 orë të udhëtohej nga  Tirana në Peshkopi , si ka ndodhur në 1962 , ndaj   mendonin se “ Korabi”  i dibranëve duhej të qëndronte aty në  atë kategori futbolli. Në  kujtimet e tij Shpëtim Toska nuk harron përpjekjet  për të pasur  në çdo kohë  materialet e duhura  për një futbollist.  “Shumë herë takat e këpucëve të sportit i siguroja me anën e kushëririt tim Fastos Bekteshit ish futbollist i Tiranës   në ato vite”- kujton Shpëtimi. Por  në një ndeshje  për Kupë, Korabi –Vllaznia  në vitin 1988 ,në një dyluftim me mbrojtësin  Dedja , sulmuesi i njohur  thyen këmbën duke qëndruar për katër muaj larg futbollit.

Përveç  përkujdesjes të mjekut të  njohur ortoped Pëllumb Karagjozi , në  memorjen e tij ka mbetur dhe sjellja e  ekipit shkodran që  e vizituan disa herë deri sa ai u rikthue në fushën e lojës .Në  vitin  1991 Shpëtim Toska mbyll karrierën si futbollist tek Korabi –Peshkopisë , ku në një ceremoni tepër të veçantë ia dorëzon fanellën me numër 10 sulmuesit të njohur të ekipit tonë kombëtar dibranit  Mahir Halili. Por  jo vetëm kaq. Për dy vite në  1992-1994 Shpëtim Toska bëhet pjesë e “Korabit” të Dibrës së Madhe, ku aktivizohet si futbollist dhe zv/trajner në ligën e dytë maqedonase. Edhe këtu në dy sezone shënon 38 gola. Në vitet më vonë deri sot që po shkon tek mosha 60 vjeç  atë e gjen çdo ditë , pranë ekipeve të futbollit “Korabi”  duke ndihmuar me përvojën e tij  trajnerët dhe futbollistët. “Me futbollin kam pjesën më të madhe të jetës time dhe pa atë nuk më shkon  mirë dita”- mbyll fjalën Shpëtim Toska. Kjo  thënie e tij  shumë kuptimplote , është dhe  epilogu më i mirë i momenteve që ndamë së bashku me ish futbollistin  dibran Shpëtim Toska .


SKEDA  E SHPËTIM TOSKËS

Lindur: Në Peshkopi,  më 8 shkurt  1960
Karriera si futbollist: 1979 -1991 “Korabi”-Peshkopisë dhe 1992-1994“ Korabi” -Dibrës së Madhe.
Roli në skuadër: Sulmues
Numri fanellës:  10
Gola të shënuar:  318 gola gjithsej, ku 280 gola  me Korabin –Peshkopisë dhe 38 gola me “Korabin “ e Dibrës  së Madhe .
Vlerësime: ”Mjeshtër Sporti”  dhe “Nderi i Qytetit”.