Shpendi Topollaj: Pse çështja çame nuk ekziston për qeverinë tonë ?

44
Sigal

Libri i profesor Selman Shemes “Çështja çame perspektiva e zgjidhjes perspektivë e integrimit”, në një farë kuptimi është zgjatim i librit të tij të mëparshëm dhe shumë të mirëpritur “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë”. Nuk e di sesa jehona e këtij të fundit, me arsyetimet shkencore dhe të vërtetat që përmbante, ka mbërritur në veshët e politikanëve tanë. Por e di se po kalojmë një kohë të çuditshme, e cila, sepse më sjell ndërmend atë çka Nikollaj Vasiljeviç Gogoli qysh në shek. e 19 – të përshkruante te “Shënimet e një të çmenduri”, se dëshira e një fisniku për t`u ngritur në rangun e të tjerëve, dëshirë që po e torturonte, e shtyn të nxjerrë mllefin për ta duke u shprehur: “Vështroni gjithë këta nëpunës të lartë, këta të gjithë i bëjnë lajka njëri – tjetrit, shtyhen të hyjnë në pallat dhe thonë se janë patriotë. Gjithë këta njerëz, këta patriotë, nuk duan gjë tjetër, veçse para! Për para janë gati të shesin nënën, babanë, perëndinë”. Por këta “fisnikët” tanë ua kanë kaluar edhe atyre, pasi nuk e kanë për gjë të shesin edhe Atdheun, duke tjerrur teorinë e patriotizmit folklorik. Pra, thënë më shqip: jeni të tejkaluar, dhe duke folur për çëshjen kombëtare, po dëmtoni imazhin tonë properëndimor dhe euroatlantik. A thua se këta perëndimorët vetë po zbatojnë parimin e Mark Tul Ciceronit? “Ubi bene, ibi patria” që do të thotë se “Ku është mirë është Atdheu”. Jo mor jo, ata e kanë të shenjtë vendin e tyre dhe gjithçka lidhet me të. Por nuk para bëhen merak për të ndequr sa mundet padrejtësitë që të parët e tyre u kanë bërë vendeve të tjera. Dhe ndofta ajo më flagrantja dhe më e turpshmja është ajo që i është bërë me gjakftohtësi dhe koshiencë të plotë qysh para 110 vjetësh Shqipërisë, duke e ndarë në gjashtë copa. Asnjëherë, në kancelaritë evropiane nuk është diskutuar ky problem. Dhe ata nuk ka pse t`i vrasë sado pak ndërgjegja, kur për këtë çështje nuk flasin vetë shqiptarët. Se ju e keni parë; ne jemi shumë të preokupuar për të tjerët, kurse bashkimin e trojeve tona, ua kemi lënë brezave pasardhës. Mirë ata “fisnikët” mediokër e puthadorë të politikës, po intelektualët ku janë dhe pse heshtin? Si mund të mos u bëjë përshtypje atyre qëndrimi arrogant ndaj Kosovës e sherret me udhëheqësit e saj, deri në profeci Kasandre se do të ketë reperkursione po nuk krijuan asociacionet djallëzore, dhe shpërfillja e Çamërisë të martirizuar? Memecllëkun e polikanëve për t`i ngritur këto çështje polikisht e diplomatikisht, qoftë edhe nëpër forume ndërkombëtare, duhet ta kompensojnë ata, pasi gjithkush ka përgjegjësitë e veta për t`i dalë Atdheut për zot. Dhe ja, shembullin tek e kemi; te përpjekjet e pareshtura të Prof. dr. Selman Shemes, autorit të një mori monografish dhe artikujve studimorë, pa folur për ligjeratat e argumentuara që pa drojë mban në shumë vende të botës deri në SHBA. Natyrisht që ka edhe të tjerë si Shaban Murati, Engjell Musai, Mujë Bucpapaj, Genc Burimi, Fatos Lubonja, Ksenofon Kristafi, Dashamir Uruçi, Halil Rama, biri i Kavajës Xhevat Mustafa etj. por Selmani i ka hyrë në themel asaj, pra Çamërisë, që i madhi Ismail Kadare e quan jo fantazmë për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve, por si arsye për ta lehtësuar ndërgjegjen nga peshat e vjetra, për t`u afruar më fort dy popujt dhe për ta dashur edhe më shumë njëri – tjetrin. Prof. Selmani në këtë libër përshkruan në kapituj të veçantë prejardhjen pellazgo – ilire, shtrirjen gjeografike të Çamërisë qysh nga kohët e lashta, gjetjet arkeologjike dhe tipologjinë shqiptare në mjediset e banimit në Çamëri, që e vërtetojnë këtë, trashëgimi kulturore, përpjekjet për ruajtjen e identitetit kombëtar qysh nga Lidhja e Prizrenit, Kuvendi i Prevezës, e deri te dhelpëritë e qeverive greke për t`i deportuar çamët nga trojet e tyre, pra, për të realizuar spastrimin etnik të atyre trevave. Po ashtu, ai ndalet gjatë te përshkrimi i krimeve që u bënë ndaj asaj popullsie, duke gjetur pretekste sa absurde aq keqdashëse, krime që për nga mizoritë e barbaritë nuk do të shlyhen lehtë nga kujtesa popullore. Se nuk mund të harrohet asgjësimi i 600 burrave në 27 qershor të vitit 1944 në kishën e Paramithisë, të prerë në besë nga përbindëshi Napoleon Zerva. Prof. Selmani hedh poshtë me fakte dhe shifra të ashtuquajturin bashkëpunim të çamëve me gjermanët, po ashtu ai shpjegon sesi u veprua edhe nga regjimi komunist me heqjen e shtetësisë greke, çamëve të përzënë dhe trajtimin me dyshime të pandara ndaj tyre nga qeveria, por kurrsesi jo nga populli, i cili u soll me ta si me vëllezërit e të njëjtit gjak. Në libër gjejmë të zbardhura disa intervista televizive po nga ky autor me cilësinë e Kryetarit të shoqatës “Çamëria”. Selman Sheme në këtë rol, ka folur burrërisht dhe pa ju dridhur qerpiku kudo që ka mundur për të sensibilizuar opinionin rreth domosdoshmërisë së zgjidhjes së problemit çam dhe abrogimit të ligjit qesharak të luftës me Shqipërinë që Greqia mban qëllimisht në fuqi. Ai gjithashtu tregon edhe rrugët sesi duhet bërë realizimi i të drejtave të çamëve, të cilat konsistojnë: në riatdhesimin e tyre në vatrat prej nga u shpërngulën forcërisht, kthimi fizik i pronave sipas nenit 2 të Konventës të të Drejtave të Njeriut dhe kompensimi për shfrytëzim i objekteve për më shumë se 60 vjet. Ky autor ka edhe një shqetësim tjetër mjaft të rëndësishëm; rrënimin e qendrave kryesore urbane si ato të vendit të tij të origjinës Filatit, po ashtu Margëlliçit, Paramithisë, Prevezës, Artës, etj., ku janë gdhendur ato monumente që bënin prezente kulturën autentike çame. Ai nuk e fsheh revoltën e tij kur sheh se Akademia e Shkencave të Athinës në librin e botuar “4000 – vjet histori dhe kulturë helene”, falsifikon të vërtetat historike të Çamërisë, dhe këtu asnjë nga institucionet tona nuk reagon. Ai shkon më tej duke u shprehur: “Qeveritë shqiptare kurrë nuk kanë shtruar në bisedime zyrtare dypalëshe problemin e njohjes së minoritetit shqiptar në Greqi. Kjo e ka bërë më të lehtë mohimin dhe mosnjohjen e këtij minoriteti nga pala greke”. Dhe vazhdon: “Sot në Çamëri jeton një popullsi shqiptare prej 300.000 banorë të besimit të krishterë. Kjo popullsi i është nënshtruar asimilimit nëpërmjet administratës, shkollës dhe kishës. Është tragjike për minoritetin çam në Greqi që Shqipëria, shteti amë nuk arrin të ngrihet në nivelin e Maqedonisë së Veriut, në përpjekjet për njohjen e statusit të minoritetit çam në Greqi dhe realizimin e të drejtave të tyre”. E sheh këtë si një anë të rëndësishme të çështjes çame që ai me të drejtë e quan “një problem i madh politik, juridik, ekonomik, dhe kulturor albanologjik”. Dhe këtë mesazh prof. Selman Sheme, nuk ia dërgon vetëm politikanëve tanë të pandjeshëm ndaj kësaj çështje, por edhe atyre diplomatëve të Evropës plakë, siç e quan Antoni Baldaçi, që këtë tetor pati 156 vjetorin e lindjes, i cili vijon te vepra e tij “Shqipëria e madhe”: “Ky shtyp (i asaj kohe), vuri në qarkullim epigramin e mësuesit që pyet nxënësin se cilët janë kufijtë e Shqipërisë, ku nxënësi u përgjigj se do të pyeste Fuqitë e mëdha”. Ja që fati ynë historik ka bërë që ende po ata, me ndërhyrjet për hir të interesave të tyre, po duan të vendosin mbi tërësinë e stërlashtë të trojeve tona. Në këtë këndvështrim, vepra e prof. Selmanit është mesazh edhe për popullin e sidomos për klasën e përgjumur të intelektualëve që të bashkohemi në të njëjtin kor, që i këndon qartazi të drejtave tona të patjetërsueshme kombëtare, të lëna trashëgim nga stërgjyshët tanë.