Ideja e lakuar së fundmi nga disa deputetë të rithemelimit, mori një “Jo” këtë të premte nga ish-kryeministri Berisha. Ky i fundit në ritualin e konferencave të përjavshme të së premtes tha se ishte kundër këtij propozimi. “Rama është i vendosur të bëjë gjithçka për një sistem qeverisje të bazuar mbi bandat, drogën dhe krimin. Opozita në ditët në vazhdim do shqyrtojë situatën shumë kritike të krijuar nga votimi i djeshëm në Kuvend dhe do të dalë në konkluzionet e saj. Rama dhe pluralizmi janë të papajtueshëm. Rama mori dje përsipër emërimin e përfaqësuesve të partive opozitare. Bylykbashi është zgjedhur nga PD dhe parti të tjera opozitare, si një nga ekspertët më të shquar të të drejtës elektorale. Kjo nuk i intereson Ramës, i intereson pengu i tij “Brava” me Alibashën.”, -tha Berisha. I pyetur nga mediat nëse parashikonte zhvillimin e ndonjë proteste në ditën e Samitit të Berlinit ai tha: “Nuk kemi parashikuar protestë, por dokumentet elektorale janë shpërndarë në të gjithë botën. Libri i zi është shpërndarë në të gjitha qendrat e BE-së dhe KE-së. Libri është dërguar kapitull për kapitull online ODIHR dhe jemi të kënaqur me raportin objektiv që kanë publikuar. Në mbledhjen e fundit të grupit të PD ka pasur propozime nga deputetët për ribërjen e partisë. Çfarë qëndrimi keni? Çdo deputet ka të drejtë dhe tagër të diskutojë për PD-në. Jo vetëm në atë mbledhje, por ekzistojnë mendime për karshi bllokimit dhe plaçkitjes së vulës dhe logos nga Edi Rama, PD mund të gjejë modalitete të tjera ligjore. Si diskutim është normal. Mendimi im është që para një padrejtësie njeriu nuk tërhiqet. Ne duhet të bëjmë një luftë deri në fund me Ramën që do të mbajë peng logon tonë.” – tha të premten lideri demokrat Sali Berisha.





















