KUÇEDRA/ Shqiptarët jetojnë mbi “arin e zi” , pasi jemi me pellgun naftëmbajtës më të madh në Europën Qëndrore, por në vendi ynë mbetet më i varfëri në Europë, me rrogat më të ulta dhe me çmimet më të shtrenjta të karburantit. Në 1 vit nga nëntoka jonë prodhohen 1 miliard litra naftë, por ndërrmarrja shtetrore Albpetrol e mbylli vitin me 100 milion euro humbje
Nëntokë e pasur me naftë, por nuk përfitojmë asgjë përveç çmimeve të larta të karburanteve dhe pasurimit të oligarkëve, që i kanë marrë me koncesion.

Të jetosh mbi tokën prej floriri dhe të jesh i varfër!
Në Shqipëri sipas statistikave të AKBN-së (Autoriteti Kombëtar i Burimeve Natyrore) nxirren nga nëntoka rreth 1 milion tonë naftë në vit. Nëse këtë sasi do ta konvertonim në litra do të llogaritej në 1 miliard litra në vit. E nëse llogarisim që shqiptarët e paguajnë 1 litër karburant me 2 dollarë (2 mijë lekë të vjetra) shuma, që shteti fiton është rreth 2 miliard dollar në vit. Të mos harrojmë se me 2 miliard euro, që fitohet nga nafta dhe që po i grabisin oligarkët e qeverisë të lidhur me kompanitë e spekullantit Soros do ishin realizuar: Rritje 100% të pensioneve, të cilat duan vetëm 500 mln USD rimbursim shtesë, 600 mln USD për rritjen 100% të pagave të administratës, 150 mln USD për shëndetësi falas bashkë me ilaçet e të gjithë shqiptarëve, 250 mln USD për uljen 50% të taksave dhe çmimeve, 50 mln USD për t’i bërë shkollat dhe universitetet falas dhe 450 mln USD për investime rrugësh, infrastrukturë, ujësjellsa dhe shërbime të tjera, të cilat do të hapnin mbi 50 mijë vende pune.
Albpetrol ka shitur naftë me një çmim mesatar prej 480 euro gjatë vitit të shkuar, vit që kishte dhe çmimin më të lartë historik të naftës brent në tregjet ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj, për të njëjtën sasi 120 mijë ton që Albpetrol ka shitur vitin e shkuar, Bankers Petroleum e ka shitur më shtrenjtë duke fituar në një transaksion të ngjashëm 5 milion euro më shumë.
Pra të jetosh mbi tokën prej floriri dhe të jesh i varfër duke marrë rrugët e kurbetit është pafytyrësia më e madhe në këto 10 vite qeverisje të Rilindjes në pushtet. Shqipëria prodhoi në 2019 -n, 1.005 milion ton naftë. Në vitin 2018 prodhoi 910.000 ton naftë bruto dhe rreth 5 për qind krahasuar me 2017 d.m.th., 956,000 ton naftë bruto më pak dhe 47 për qind më pak në krahasim me prodhimin pik të vitit 2014 prej 1.37 milionë ton, sipas një analize të Altax, që i referohet të dhënave zyrtare.

Fusha më e madhe naftëmbajtëse dhe më rentabël i është dhënë me koncesion Bankers Petroleum, ndërsa rafineria që përpunonte naftën bruto u shkri për skrap. Kompania shtetërore e prodhimit të naftës Albpetrol, në dy dekadat e fundit nuk ka hapur asnjë pus të ri, dhe nga viti në vit po akumulon miliona euro humbje. Sipas të dhënave të siguruara nga Kronos, humbjet e akumuluara në fund të vitit 2022 për Albpetrol kapën vlerën 108 milion euro.
Prodhimet e naftës nga viti 2013 deri në 2019 në Shqipëri
1.005 milion ton naftë u prodhuan në 2019-n,
910 mijë ton naftë u prodhuan në 2018-n,
956,000 ton naftë u prodhuan në 2017-n,
1.055 milionë ton naftë u prodhuan në 2016
1.3 milionë ton naftë u prodhuan në 2015
1.37 milionë ton u prodhuan në 2014-n
Shpresat se shqiptarët do të hanë me “lugë floriri” u ndezën dhe njëherë në hapjen e siparit të sezonit të ri të qeverisë. E mbytur në një hulli skandalesh me zyrtarë të lartë dhe afera të kapura apo që po hetohen ende nga Prokuroria e Posaçme, fabula e nëntokës së pasur me naftë të Shpiragut u rikthye sërish.
Premtimet dhe entuziazmi për naftën në Shpirag duken të tepërta, pasi akoma dhe sot, një muaj e gjysëm pas deklartës së kryeministrit Edi Rama, kompania gjigande në tregun ndërkombëtar Shell nuk ka bërë asnjë deklaratë se çfarë është gjetur në Shpirag, cili është rezultati i testeve të naftës dhe a është instaluar teknologjia që do të nxjerrë nga 6400 metra thellësi naftën në këto puse?
Realiteti në terren me atë që ka thënë dhjetra herë kryeministri është ndryshe. Në pusin Shpiragu 5 sasitë e gjetura të naftës janë të mëdha dhe presioni dalës është në nivele të kënaqshme, por nëse sasitë për puset Shpiragu 4 dhe 5 krahasohen me kapacitetet e fushave naftëmbajtëse të Patoz – Marinzës, sasia e naftës që projektohet të dalë nuk e kalon atë të 3 mijë fuçive në ditë. Vetë Bankers Petroleum, që operon në zonën e Fierit, ka prodhuar në vitet e saj më të mira dhe mbi 4 mijë fuçi në ditë.
Për të bërë të mundur nxjerrjen nga nëntoka të naftës bruto, Shell-it i duhet një plan ambicioz investimi, ku sipas marrëveshjes së firmosur me autoritetet shqiptare shkon në total në vlerën 2 miliard euro për fazën e kërkimit dhe zhvillimit. Që të arrijë të marrë paratë që do të investojë për të nxjerrë naftën, do t’i duhen që të shesë nga kjo lëndë të paktën 10 vjet, ndaj për momentin Shpiragu nuk duket një zonë fizibël për një kompani gjigande siç është Shell, e cili është spostuar për të bërë kërkime në Golemaj.
“10 deri në 15 vite më parë, tregu i prodhimit të naftës ishte 25%, ndërsa tani është i dominuar nga importuesit dhe prodhimi vendas është minimizuar”,- thotë eksperti i Qendrës Altax Eduart Gjokutaj.
“Çmontimi i ARMO-s është pikpyetje e madhe se përse nuk investojmë për të përmirësuar ciklin e përpunimit të naftës? Shqipëria zotëron 40% të rezervave të naftës bruto në të gjithë Ballkanin, vetëm ne dhe rumunët zotërojmë miliarda fuçi nafte nëntokë”, -thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike.
Shpresat e shqiptarëve se do të kenë përfitime nga nëntoka e pasur me këtë lëndë kanë mbetur vetëm shpresa. Fusha më e madhe naftëmbajtëse dhe më rentabël i është dhënë me koncesion Bankers Petroleum, ndërsa rafineria që përpunonte naftën bruto u shkri për skrap. Kompania shtetërore e prodhimit të naftës Albpetrol, në dy dekadat e fundit nuk ka hapur asnjë pus të ri, dhe nga viti në vit po akumulon miliona euro humbje. Sipas të dhënave të siguruara nga Kronos, humbjet e akumuluara në fund të vitit 2022 për Albpetrol kapën vlerën 108 milion euro. Vitin e shkuar Albpetrol arriti të siguronte një fitim modest në vlerën 150 mijë euro, por i gjithë ky fitim i dedikohet më së shumti shitjes së energjisë elektrike dhe jo aktivitetit të naftës.
Albpetrol merr energjinë nga OSHEE dhe ia shet si ndërmjetës koncesionarëve të naftës duke siguruar fitime nga ky transkasion, pasi bazohet në çmimin e bursës. Në bilancin kontabël këto para shënohen si të ardhura, por në zërat e shpërndarjes së bilancit një pjesë e mirë e tyre ende nuk janë arkëtuar.
Lista me kontraktorët, që i kanë borxh Albpetrolit për energji të papaguar është e gjatë dhe fillon me Bankers Petroleum. Bankers i detyrohet 5.4 milion euro për energji të papaguar dhe 1.2 milion euro ka kompania Anio Oil&Gas, që operon në puset Ballsh -Hekal. 2.2 milion euro janë energji e palikuiduar nga kompania Terra Oil SËiss dhe të tjerat në shuma më të ulta ndahen me firmat e tjera koncesionare. Në total bëhet fjalë për 17.5 milion euro energji të palikuiduar.
Në një auditim të ushtruar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, është konstatuar se Albpetrol nuk ka lidhur kontratë për shitjen e energjisë me kompanitë koncesionare të naftës çka rrezikon në të ardhmen vjeljen e këtyre detyrimeve.
“Shoqëria Albpetrol nuk ka marrë asnjë masë shtrënguese për arkëtimin e detyrimeve të energjisë elektrike të konsumuar nga shoqëritë koncesionare. Ky veprim përbën risk të lartë për të për shumën 3 miliard lekë së bashku me kamatë vonesat, pasi në rast falimentimi ose largimi të ndonjë prej shoqërive koncesionare, detyrimet për energji i mbeten për likujdim shoqërisë Albpetrol. Kjo e bën më të vështirë sidomos për ato shoqëri koncesionare, që nuk kanë kontratë shitje energjie për të kërkuar në gjykatë detyrimet, duke rënduar situatën financiare të kompanisë”,-thuhet në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Albpetrol është në mosmarrëveshje me koncesionarët edhe për pagesën e rentës që jepet në formën e lëndës, që nxirret nga nëntoka si prodhim paraekzitues. Me kompaninë Bankers Petroleum çështja po gjykohet në Gjykatën Ndërkombëtare të Arbitrazhit, ndërsa diskutimet për marrjen e sasive vazhdojnë dhe me koncesionarët e tjerë. Për vitin 2022 Albpetrol pretendonte se kompanitë koncesionare nuk i kishin dhënë 80 mijë ton naftë duke e interpretuar gabim formulën, sasi që vitin e shkuar mund t’i çonte Albpetrol të paktën 30 milion euro të ardhura.
“Albpetrol ka në shfrytëzim puse të rëndësishme, që po të shfrytëzoheshin me ekonomi do të dilnin me fitim, por aty ka keqmenaxhim”,-thotë eksperti i ekonomisë, Pano Soko.
Sasitë e naftës që Albpetrol prodhon në vit janë 70 mijë ton, ndërsa afërsisht 40 mijë të tjera merren, nga tarifa që derdhin në natyrë kompanitë që kanë marrëveshje hidrokarbure. Këtë sasi Albpetrol e shet në tregun vendas te disa kompani lokale, ku dy prej tyre Al Global dhe Europetrol Durrës operojnë në tregun e shumicës dhe pakicës së shpërndarjes së karburanteve.
Vitin e shkuar Albpetrol shiti gjatë një ankandi 120 mijë ton naftë bruto për kompanitë Europetrol Durrës dhe RBH Belinë, por sipas asaj që ka gjetur Kontrolli i Lartë i Shtetit, formula e përdorur është e gabuar pasi janë llogaritur kosto fiktive të shpenzimeve, që mund t’i kenë vetëm kompanitë ndërkombëtare, siç janë kostot e transportit me autobotë deri në port, depozitimi i lëndës apo shpenzimet për ngrohjen e naftës. Në procedurën e ankandit të vitit të shkuar kostoja e gabimeve në formulë ka çuar në xhepat e kompanive private 2.63 milion euro, 2.3 milion euro kanë shkuar gabimisht dhe vitin që shkoi, ndërsa për sasitë e shitura për vitet 2021 dhe 2022 kompanitë Europetrol Durrës dhe RBH Belinë kanë marrë nga Albpetrol 5.8 milion euro për shpenzime që nuk i kanë kryer.
Albpetrol ka shitur naftë me një çmim mesatar prej 480 euro gjatë vitit të shkuar, vit që kishte dhe çmimin më të lartë historik të naftës brent në tregjet ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj, për të njëjtën sasi 120 mijë ton që Albpetrol ka shitur vitin e shkuar, Bankers Petroleum e ka shitur më shtrenjtë duke fituar në një transaksion të ngjashëm 5 milion euro më shumë.
“Më vjen keq ta pranoj që Albpetroli është parë si një pishinë votash dhe jo që ka për qëllim fitimin. Është parë si hambar votash ku punësohen njerëz për kontribut politik dhe sigurohet kontribut politik në të ardhmen”,-sqaron Soko.
Nëse do të ktheheshim pas në të shkuarën, administrimi shtetëror i të gjithë zinxhirit të naftës që nga prodhimi, përpunimi dhe shpërndarja funksiononin thuajse në mënyrë perfekte. Çmimet e naftës në treg ishin të ulta dhe kompanitë rentabël, por prishja dhe shkatërrimi i pasurive duke i dhënë një pjesë përmes koncesioneve privatëve dhe lënien e rafinimit në duart e privatizuesve, që e çuan drejt falimentit, kanë sjellë sot një treg të ri që dominohet nga një grusht kompani që operojnë në kushtet e oligopolit. Në gjithë këtë histori 30 vjeçare të tregut me vlerë 3 miliard euro në vit të naftës, të humbur janë vetëm qytetarët!


















