Bardhyl Xhama miku i Agollit, Kadaresë dhe Shehut në 90-vjetorin e lindjes

231
Sigal

 

Shkrimtari e ‘’’Mësuesi i Merituar’’Bardhyl Xhama : Jam ndjerë i privilegjuar që në rrethin letrar të  shkollës isha së bashku me Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Agim Shehun, Gaqo Veshin, Bekim Harxhin

Dritëro Agolli: ”Puna e Bardhyl  Xhamës, ka ecur paralel në 3 fusha: Në fushën e pedagogjisë, në fushën e publicistikës pedagogjike dhe në fushën e krijimtarisë së letërsisë për fëmijë.

Nga Sejdo Harka

Kush e njohu Bardhyl Xhamën, dhe nuk u mrekullua nga fjala e tij e ngrohtë dhe kultura e lartë, nga buzëqeshja e ëmbël dhe zemra e tij si bora e bardhë… Është kjo, ndoshta, arësyeja kryesore që miqtë dhe shokët e tij më të afërt e thërresin me epitetin më të bukur ‘’I arti Bardhyl Xhama’’. Ai, këto ditë qershori, mbush, 90 vjeç, e megjithatë vazhdon të mbahet fort, edhe pse mbi shpinë mban jo vetëm peshën, gati shekullore të viteve, por dhe vështirësitë  e dhimbjet që ai ka përjetuar, sidomos vitet e fundit të jetës.

Gjatë jetës,-thotë Bardhyli, njeriu mund të përballet edhe me vështirësi e fatkeqësi të mëdha, por, përsëri, ai nuk duhet të gjunjëzohet. Ajo i jepet vetëm një herë. Prandaj duhet ta jetojë atë me nder, deri në fund, ashtu siç i vjen, duke sfiduar vuajtjet dhe dhimbjet, që sjellin dallgët e viteve.

Edhe pse për shkrimtarin dhe” Mësuesin e Merituar” Bardhyl Xhama është shkruar shumë, përsëri ka ende shumë për t’u thënë. Kjo buron, jo vetëm prej personalitetit të tij të papërsëritshëm, por edhe nga puna e veprimtaria e gjatë krijuese, mbi 70 -vjeçare.

Bisedon me të, aty përrreth tavolinës së kafes së mngjesit, dhe e ndjen si merr udhë ligjërimi i tij, sa i qetë, aq dhe i këndshëm për shqetësimet e ditës dhe krijimtarinë, për kulturën dhe shkrimtarinë, për arsimin dhe gazetarinë. Kudo që Bardhyli punoi  e jetoi, para njerëzve u shfaq, sa i thjeshtë, aq dhe i matur, sa i qetë, aq dhe i dashur, sa punëtor, aq dhe kërkues, sa i ditur, aq dhe  krijues.

Trinia e tij e sukseseve e shoqëroi atë në çdo hap të jetës. Për të argumentuar këtë mendim, mjafton të citosh fjalët e ngrohta të shkrimtarit të madh dhe shokut të tij të gjimnazit, Dritëro Agolli, i cili në kujtimet e veta, mes të tjerash shkruan: ”Puna e Bardhyl Xhamës, ka ecur paralel në 3 fusha: Në fushën e pedagogjisë, në fushën e publicistikës pedagogjike dhe në fushën e krijimtarisë së letërsisë për fëmijë e të rinj. Dhe të tria këto fusha i ka me vlera të larta. Sepse, mund të jesh i dalluar në një fushë, por në tjetrën nuk je. Kurse Bardhyli, në të tria është i shkëlqyer. Është shquar, jo vetëm si njeri, që jepte mësim bukur, por dhe si organizator i arsimit, me mendime të drejta pedagogjike dhe të mençme. Kurse në publicistikë, nuk është dalluar vetëm në fushën e pedagogjisë arsimore, por edhe në atë të kulturës sociale. Një kontribut akoma më të shquar  ka dhënë ai, veçanërisht në fushën e letërsisë për fëmijë, nëpërmjet të cilës ka nxitur fantazinë e fëmijëve për animizimin e sendeve, për të nxjerrë në dukje aksionin, që u pëlqen aq shumë fmijëve… Po, kush është në të vërtetë Bardhyl Xhama:

Ai u lind në Fterrë të Sarandës, në një familje me tradita atdhetare dhe arsimdashëse. Babai i tij, “Mësuesi i Popullit”, Lame Xhama, luftoi me armë në dorë për lirinë e vendit. Mësimet e para i mori në vendlindje, ndërsa shtatëvjeçaren dhe të mesmen i kreu në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrs. Në këtë shkollë ai thekson se “është ndjerë i privilegjuar që në rrethin letrar të asaj shkolle isha së bashku me Dritëro Agollin, Ismail Kadarenë, Agim Shehun, Gaqo Veshin, Bekim Harxhin” të cilët, më pas do të jepnin kontributin e tyre të shquar në fushën e artit dhe të letërsisë. Meqë shkollën e mbaroi me rezultate të shkëlqyera, në vitin 1953, Ministria e Arsimit, si një rast i rrallë, e emëroi Bardhylin“profesor” në gjimnazin, ku ai, sapo  kishte mbaruar maturën. Shokët iu bënë nxënës, ndërsa mësuesit e tij, iu bënë kolegë, prej të cilëve mësoi artin e të mësuarit. Më pas, ka punuar si mësues, inspektor arsimi e drejtor gjimnazi në Delvinë e Sarandë. Gjatë kësaj kohe, përfundoi studimet e larta për gjuhë e letërsi shqipe në Universitetin e Tiranës me rezultate shumë të mira. Në vitin 1969, transferohet në gazetën “Mësuesi”, ku punoi për shumë vite si redaktor e sekretar kolegjiumi. Pastaj, deri në vitin 1989, kur doli në pension, kreu detyrën e zëvendës-drejtorit në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, dhe për disa vite me radhë, shef i sektorit të gjuhës dhe të letërsisë shqipe në Institutin e Studimeve Pedagogjike.

Ashtu siç theksohet edhe më lart, veprimtarinë e B.Xhamës e ka shoqëruar trinia e tij e suksesshme në fushën e arsimit, gazetarisë dhe shkrimtarisë, të cilat janë rritur e zhvilluar bashkë me të, në harmoni të plotë, duke ndihmuar njera-tjetrën. Edhe pse mësuesinë e filloi në një moshë tepër të re, me pasion e përkushtim, ai u bë i suksesshm, jo vetëm si edukator e mësimdhënës, por dhe si organizator e drejtues, studjues dhe aplikues në shumë fusha të arsimit. Është kjo arsyeja që Bardhyl Xhama, kudo që punoi, jo vetëm gëzoi respektin e njerëzve, por dhe u nderua me disa medalje e urdhra të larta pune, të cilat më vonë do të kurorëzoheshin me titullin e lartë “Mësues i Merituar” me motivacionin: ”Është shquar për  moderrnizimin e shkollës dhe të mendimit pedagogjik shqiptar, për përgatitje metodike e shkencore të lartë dhe për studime me vlera të veçanta për zhvillimin e gjuhës dhe të letërsisë në shkollë…”

Fusha e dytë e suksesit të tij, është publicistika. Puna për një kohë të gjatë në gazetën ”Mësuesi”, në Istitutin e Studimeve Pedagogjike dhe në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor, e kanë nxitur e ndihmuar atë të bëhet mjeshtër i gazetarisë dhe i studimeve pedagogjike për problematikat e gjera të mësimit, edukimit dhe të drejtimit të shkollës e të arsimit. Shkrimet dhe kumtesat e tij janë dalluar për gjuhën e bukur dhe argumentet bindëse.

Një ndihmesë të veçantë, B.Xhama, dha për moderrnizimin e teksteve e programeve shkollore, sidomos në lëndën e gjuhës dhe të letërsisë.

Por, ajo që e bën Bardhylin më të njohur, është shkrimtaria artistike, e cila përbën shtyllën kryesore të trinisë së tij të suksesshme. Krijimtaria e tij artistike është sa e gjerë, aq dhe e larmishme, gati për të gjitha moshat, por kryesisht për fëmijë dhe të rinj. Ai lëvron

tregimin dhe përrallën, novelën e romanin fantastiko-shkencor, dhe veçanërisht rrëfenjat. Në vartësi nga llojet e temave që trajton, B.Xhama, herë është quajtur “shkrimtari i detit”, dhe herë vazhdues i denjë i rrëfimtarit të madh Mitrush Kuteli. Brendia e krijimtarisë së tij dallohet nga shpresa dhe ëndrra për një jetë më të mirë. Personazhet dhe karakteret e shkrimtarisë së tij janë fëmijë ëndërrimtarë, të rinj të aksionit e veprimit dhe të moshuar të mençur e të  urtë.

Heronjtë e tij ëndërrimtarë e të aksionit, herë rendin mbi tokë dhe herë përmes deteve dhe oqeaneve, për të projektuar e ndërtuar të ardhmen e njerëzimit. Ata ndeshen edhe me peshkaqenët e kuçedrat e përrallave të frikshme, për të ndërtuar një botë të lirë, pa vrasës e padronë.

Shkrimtari Bardhyl Xhama, deri tashti, ka botuar mbi 18 libra artistikë. Dhjetë nga librat e tij më të mira janë nderuar me çmime të ndryshme, kurse disa prej tyre janë përfshirë nga Ministria e Arsimit në listën e librave për lexime jashtë klase në shkollë.

Disa nga librat e tij më të mira, që janë botuar para vitit 1990, të vlerësuara me çmime të ndryshme, janë: “Përrallat e detit”, novela”Zhytësit e vegjël të thellësive”, romani fantastiko-shkencor ”Ekspedita e kaltër “,  “Zjarrfikësi i pyllit” dhe novela përrallë ”Tërfili me katër fletë”.

Ndërsa pas vitit 1990,veprat që janë nderuar me çmime janë:libri me rrëfenja ”Pse qau delfini “(nderuar me çmimin“Mitrush Kuteli”), romani “Në kthetrat e Piratit”,( nderuar me  çmimin “Tasim Gjokutaj”), vëllimi me përralla “Lejleku me akullore”, (nderuar me çmimin “La Fonten”), libri me rrëfenja ”Djaloshi që kapte rrufetë”, (nderuar me çmimin “Bekim Harxhi), novela për të vegjël ”Tre vëllezërit”, vlerësuar si libri mё i mirё pёr fёmijё nё Panairin e Librit tё vitit 2010, vëllimi me rrëfenja ”Gota e lumturisё”(nderuar po me çmimin “Tasim Gjokutaj”). Nga Kolana me rrfenja janë botuar ”Shtёpia pa libra, si trupi pa shpirt”, “Dora me baltё, buka me mjaltё”, “Guri i rёndё nё vend tё vetë”, dhe së fundi ”Mikeshat e pёllumbit” (101 rrёfenja tё zgjedhura), e cila mund të quhet kryevepra e serisë së librave të tij me rrëfenja.

Me rastin e 70-vjetorit të lindjes, shkrimtari B.Xhama është nderuar me “Çmimin e Karierës”, për kontribut të veçantë në letërsinë për fëmijë. Ka disa Ҫertifikata Mirёnjohjeje dhe ёshtё zgjedhur Kryetar Nderi i Shoqatёs sё Shkrimtarёve pёr Fёmijё e tё Rinj.

Shtëpia Botuese “Toena” është duke botuar kolanën prej tetë librash me rrëfenja për fëmijë e të rinj.

Krijimtaria e tij artistike  ka tërhequr vëmendjen e studjuesve dhe të kritikës letrare. Për të kanë shkruar shumë emra të njohur të letërsisë dhe të artit shqiptar, si D.Agolli, S.Hasko, Xh.Bushati, R.Braholli, M.Nelaj,etj. Limoz Dizdari, përveç të tjerash, shkruan: ”Shkrimtarë si Bardhyl Xhama nuk janë shumë të mëdhenj, që të tronditin dheun  kur kalojnë, por janë përherë prezent, me botën e tyre të madhe. Ndaj ata hyjnë në zemrën tonë, në gjakun tonë, ashtu të përzemërt dhe mbeten të përjetshëm”.

Përveç librave të shumta, B.Xhama ka shkruar dhe disa pjesë teatrale të shfaqura nga teatri i kukullave në Sarandë. Ka përgatitur për radion e televizionin dhjetra skenarë me teletregime e telenovela për fëmijë. Ka shkruar dhe tre skenarë për filma dokumentarë.

Librat e Bardhyl Xhamës kanë vlera të mirëfillta edukative, veçanërisht ato për fëmijë e të rinj. Ato përçojnë mesazhe universale për të mirën dhe të keqen, për virtytin dhe vesin, për të kaluarën , të sotmen dhe të ardhmen. Pëveç mesazheve të ngrohta, krijimtaria e tij u jep lexuesve  edhe kënaqësi estetike. Kjo buron nga fakti se botimet e Bardhyl Xhamës shquhen për një gjuhë të përpunuar letrare, të pasur me fjalë e shprehje të bukura frazeologjike.

Përmes rrëfenjave, fëmiëjt njihen edhe me kuptimin e shumë fjalëve të urta  dhe të sentencave të bukura filozofike, si :”Më mirë xhepin bosh, se sa kokën zbrazur”. “Shtpia pa libra – si trupi pa shpirt”etj. Krijimtaria artistike e Bardhyl Xhamës ka dhe vlera të mëdha didaktike.

“Mësuesi i Merituar” B,Xhama, si njohës i mirë i pedagogjisë dhe i psikologjisë së fëmijëve, ka mundur të na japë veara letrare edhe me vlera të spikatura didaktike