Safet N. Ramolli: 91-vjet nga krijimi i Gardës së Republikës

1115
Sigal

Historia e trupës speciale të armatosur dhe misioni për të ruajtur personalitetet e larta të shtetit dhe institucionet shtetërore shqiptare

 

91 vjet nga krijimi i Gardës së Republikës  (24 Qershor 1928- 2019)

Krijimi, sekretet, të papriturat, situatat e vështira,

Safet N. Ramolli

Qeveria Shqiptare me vendimin nr. 562 dt. 06.12.1993, duke marrë shkas nga një projektligj dt. 24.06.1928, i qeverisë të atij viti, ka vendosur që kjo datë të jetë datëlindja e Gardës së Republikës. Personalisht kam mjaft rezerva për këtë akt normativ, sepse jemi 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të një qeverie të përkohshme dhe 8 vjet nga krijimi i shtetit të ri shqiptar, dalë pas Kongresit të Lushnjës në janar 1920. Jo vetëm që kuptohet, por ka edhe majft dokumente arkivore që evidentojnë prezencën aktive të një trupe speciale të armatosur, me mision juridik për ruajtjen dhe sigurimin  e personaliteteve të larta të shtetit si dhe të institucioneve shtetërore. Megjithatë jam i prirë të respektoj ligjet, aktet ligjore dhe normative në fuqi, derisa të krijohet mundësia për ndonjë akt ligjor, që të jetë më pranë së vërtetës historike edhe për problemin në fjalë.

Po cila është shkurtimisht ecuria e Gardës së Republikës duke respektuar datën ekzistuese?

Pas Kongresit të Lushnjës në janar 1920, Qeveria e dalë prej tij, organizon strukturat shtetërore, domosdoshmërisht edhe FA-të e xhandarmërinë, në përbërje të të cilave ishte një strukturë speciale, që siguronte drejtuesit e lartë shtetarë. Edhe fillimviti 1925 deri më 24 qershor 1928, (vendosur si datë e krijimit të Gardës së Republikës), na ve në dispozicion mjaft dokumente, që shprehen qartazi për praninë e Gardës. Në dhjetra prej tyre jepet emërtimi i saj, struktura organike, ofrohen fondet buxhetore, jepen drejtues, dhe deri të dekoruar nga efektivi i Gardës, çka na jep të drejtën të shprehemi se data e krijimit të Gardës duhet të kërkohet në fillim të vitit 1920.

Periudha 1925-1939 mbetet krejt e argumentuar për prezencën e Gardës, e quajtur fillimisht “Garda e Republikës”, mandej “Garda Presidenciale”, dhe pas 1 shtatorit 1928 deri më 7 prill 1939 “Garda Mbretnore”. Pushtimi i vendit do të pasohej me shpërbërjen e gjithë institucioneve, përfshi edhe të Gardës Mbretnore.

Më 12 shkurt 1944, drejtuesit e Ushtrisë Nacionalçlirimtare krijojnë një strukturë specifike, një kompani me 34 partizanë, që kishte detyrë të mirëfilltë ruajtjen e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe drejtuesit e Partisë Komuniste Shqiptare. Mandej kjo evoluoi në madhësinë e një batalioni, për t’u emërtuar edhe Garda e Shtetit, Garda e Republikës së Shqipërisë, Garda e Republikës Popullore të Shqipërisë, dhe së fundi Garda e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, deri në vitin 1991. Gjithsesi i pandryshuar ka mbetur misioni i saj për të ruajtur e siguruar drejtuesit e Partisë-Shtet.

1991- Garda e Republikës përballë një misioni të ri

Proceset e gjithanëshme demokratizuese që përfshinë Shqipërinë e viteve ‘90-të, natyrshëm përfshinë Ministrinë e Brendëshme, atë të Mbrojtjes, por edhe Gardën e Republikës. Para së gjithash u gjykua që Garda të kishte një datë krijimi më të herëshme, gjithësesi të bazuar në dokumente historike, e sidomos misioni e detyra e saj duhej të përcaktoheshin qartë juridikisht por edhe si mënyrë realizimi praktikisht. Prandaj ishte i domosdoshëm ristrukturimi, riorganizimi dhe rishikimi i detyrave, që ajo të bëhej “Njësi e Specializuar Ushtarake operative, dinamike, e zhdërvjellët dhe e gatëshme të përmbushte detyrat me përkushtim, me profesionalizëm e me dinjitet, e zhveshur nga politizimi partiak”. Si datë krijimi u vendos ajo e cituar më sipër, çka nuk përbënte thjesht një zhvendosje mekanike datash, por vlerësim logjik të evoluimit historik të ngjarjeve. Gjithësesi diçka më pranë së vërtetës e disi më larg vlerësimeve me ngjyrime politike partiake. Ky vendim përbën një akt të rëndësishëm, përmes të cilit synohet rivlerësimi i historisë duke iu larguar politizimit shterp. Kështu Garda do të kishte një datë krijimi më të bazuar në dokumente historike, një ecuri dhe veprimtari të gjerë, të pasur e të çmuar me vlera krenarie kombëtare, por edhe vlerësim e homazh të kontributit të dhjetra-qindra shtetarëve e ushtarakëve shqiptarë. Në këtë mënyrë Garda, me gjithë pretendimet e mundëshme por edhe të shprehura me argumente bindëse, ka një datë krijimi të bazuar në dokumentet historike autentike, e cila i jep asaj mundësinë e një vlerësimi sa më real të sakrificave që ka kryer dhe të vlerave  në shërbim të Kombit e të Atdheut.

Ligji “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, misioni dhe detyrat

Veprimtaria dhe aktiviteti i Gardës fillimisht u gjykua të riorganizohet e të kryhet mbi bazën e Paketës Kushtetuese, e miratuar në vitin 1991, me fuqi vepruese deri sa të miratohen ligje specifike dhe vendime përkatëse, akte nënligjore nga Ministria e Brendëshme, si dhe përcaktime të Rregullores së  Brendëshme të Gardës. Efektet e këtij ligji nuk do të vononin të ndiheshin. Pas pak kohësh Kuvendi, me Vendimin Nr. 7602 dt. 09. 09. 1992, miratoi ligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, të cilin Presidenti i Republikës e publikoi me Dekretin Nr. 322, dt. 15. 10. 1992. Ligji në fjalë përcakton qartë vendin që ze e rolin që luan Garda në sistemin e ri shoqëror, misioni i saj e lidhjet me organet e tjera, kriteret e kompletimit me efektiva dhe detyrat që ata kanë, përforcimet që bëhen në raste shpalljeje të gjëndjes së jashtëzakonshme apo të deklarimit të luftës, si dhe mjaft probleme të tjera. Ai Gardën e  emërton: “Njësi e Specializuar Ushtarake”, çka do të thotë që, për nga resurset, sidomos për nga detyra që plotëson, e të tjera, është e barazvlerëshme me Njësitë Ushtarake të Bashkuara Operative të kohës (Divizionet), por gjithnjë e mbi gjithçka, e cilësuar “Njësi e Specializuar”, epitetim që rrjedh drejtpërdrejt nga misioni dhe detyrat e saj: “Të ruajë Personalitetet e Larta Shtetërore, Selitë dhe Rezidencat Qeveritare të përcaktuara me ligj ose që vendosen me urdhër të Ministrit të Brendshëm”, detyrë që natyrshëm mund të përmbushet nga efektiva me specializim të nevojshëm dhe me shkallë përkushtimi të lartë. Ligji normon përfshirjen e Gardës në strukturat e Ministrisë së Brëndshme, me vartësi të drejtpërdrejt nga titullari i institucionit. Kësisoj, Garda e Republikës është një repart, që duhet dhe u përmbahet principeve bazë të vlerave të demokracisë e të parimeve të Kartës së Helsinkit, të cilat kanë në themel sigurimin dhe garantimin e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Shtetasve. Kjo është arësyeja përse i është besuar detyra për ruajtjen dhe sigurimin pikërisht të Personaliteteve të Larta Shtetërore, Rezidencave Qeveritare dhe Selive të punës të organeve më të larta konstituive të Shtetit. Ligji e ngarkon Gardën edhe me detyra specifike e kombëtare të përcaktuara qartësisht, ashtu si mbetet e qartë, se misioni dhe detyrat e saj kanë karakter kombëtar, lidhen me gjithë jetën e vendit, po aq sa edhe në marrëdhëniet me botën e jashtme.

Ligji përcakton se, të gjitha detyrat e detyrimet që rrjedhin nga misioni i Gardës, planizohen, organizohen, kryhen e kontrollohen përmes një bashkëpunimi të përcaktuar qartë, me shërbimet e tjera të Ministrisë së Brëndëshme, me Shërbimin Informativ Kombëtar, me Ministrinë e Jashtme, të Mbrojtjes, si dhe me organe të tjera shtetërore në qëndër e në rrethe. Për kompletimin e Gardës me efektiva ka kritere të qarta dalluese; organika dhe uniforma është cilësisht e dallueshme; efektivat pajisen me dokumente të posaçme për identifikimin e tyre, sikurse planizohen e zbatohen masa për kualifikimin dhe shkëmbimin e përvojës me homologët përkatës etj. etj. Të gjitha këto kërkesa e përcaktime, kushtëzohen e lidhen me karakterin e veçantë e specifik të detyrës së Gardës, prandaj edhe detyra e gardistit mbetet një mision i madh, human, fisnik dhe detyrë atdhetare. Ligji “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, edhe pse synon të jetë bashkëkohor, ai ka nevojë të plotësohet me çështje të karakterit social, ekonomik e shoqëror, që të rritë dinjitetin e efektivit edhe përmes trajtimit financiar dhe etik dinjitoz.

Ristrukturimi ose rritje e përgjegjësisë

Misioni i Gardës në kushtet e Shoqërisë Pluraliste, i konceptuar si një shërbim për të gjithë Personalitetet Shtetërore sipas rezultatit të rrotacionit dhe garave politike, bënte domosdoshmëri ristrukturimin e saj dhe planizimin e shërbimit për të rritur masat e sigurisë. Këto masa duhet të synonin që Garda të bëhej e aftë profesionalisht dhe e përkushtuar për të përmbushur misionin ligjor. Hapësira juridike e krijuar u bë më e përshtatshme për të realizuar detyrat, çka rriti sigurinë dhe dinjitetin e efektivit, sepse efektivi dhe veprimtaria e tij vihen më mirë nën mbrojtjen e ligjit.

Në prag të riorganizimit Garda kishte strukturën e vet organike, krejtësisht ushtarake, por ishte edhe Drejtoria e Dytë, që deri tash bënte ruajtjen, sigurimin dhe shoqërimin e afërt  të Personaliteteve të Larta dhe Institucionet e Shtetit Shqiptar. Më 1992 epërsi bazë dhe prioritare, për ta bërë shërbimin sa më rezultativ, u gjykua zbatimi i disa ndryshimeve organizative: para së gjithash, duhej realizuar drejtimi e komandimi unik, çka do të thoshte që, Komandanti dhe stafi i tij drejtues, të kishin në administrim, zotërim dhe në përdorim efektiv, të gjitha resurset njerëzore dhe potencialin teknik e material, që zotëronte njësia. Drejtimi do realizohej nga komandanti dhe zëvendësi i tij; ndërsa për problemet e gatishmërisë e të përgatitjes në përgjithësi, përgjigjej Shefi i Shtabit. “Drejtoria e Dytë”, që kishte varësi nga Ministria e Brendshme, do të integrohej si pjesë e strukturës organike të Gardës, të merrte detyra nga Komandanti i Gardës e t’i realizonte ato në bashkëpunim partneriteti me efektivat e tjera të Gardës. Me organizimin e ri, ajo u emërtua “Dega e Ruajtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore”. Ky konceptim dhe praktikë, përqendronte detyrat tërësisht në duart e komandantit, unifikonte veprimet e qëndrimet e të gjitha strukturave në funksion të misionit dhe të detyrës së Gardës, penalizonte gati njëlloj të gjitha strukturat, duke rritur përgjegjësinë e të gjithëve sipas detyrave që mbulonin e zgjidhnin. Në Gardë do të vepronin edhe struktura të tjera, secila kishte drejtues kryetarin dhe sipas përkatësisë plotësonin detyrat, puna organizohej me seksione ose shërbime, që kishin autonomi e hapësirë të mjaftueshme veprimi.

Veprimtari pozitive, por edhe probleme në komandim në dy dekadat e fundit

Viti 1992 u konsiderohej vit-kthese në misionin e Gardës. Pas riorganizimit u bë po me të njëjtën përgjegjësi kompletimi me resurse njerëzore. Me efektivat synimi ishte: rivendosja e disiplinës dhe e rendit ushtarak pas asaj shkoqitjeje e amullie të fundvitit 1990-1991. Edukimi psikologjik, juridik e atdhetar, synonte të rrënjoste mendimin se, efektivi kryen detyra kombëtare me përgjegjësi të veçantë, se ata janë ndër më të zgjedhurit, e të tjera. Në vijimësi disiplina e përgjegjësia erdhi në rritje, pati përkujdesje të mjaftueshme për kompletimin me teknikë, aparatura, mjete e pajisje logjistike. Fundviti 1993 e fillimviti 1994 do të përkonte me rivlerësimin e gradave të funksioneve dhe të shërbimeve: ato përshkallëzoheshin nga grada më e lartë “Gjeneral brigade” deri në më të ultën “Nëntoger” për oficerët, dhe “kapter” për nënoficerët. Për të rritur nivelin cilësor të stërvitjes, të shërbimeve, të gatishmërisë etj, problem parësor u vlerësua vënia në pozita pune e kuadrit, përpilimi i instruksioneve të shërbimit, hartimi i Rregullores së Gardës për shërbimet, etj. Po ashtu u vlerësua edhe përmirësimi i metodës së punës, motivimi dhe nxitja pozitive, përmirësimi i mjediseve, zgjidhja me përgjegjësi e ankesave dhe problemeve të efektivave. Me mjaft kujdes u zbatua edhe nxitja përmes stimujve moralë e materialë, duke organizuar e zhvilluar sa më shumë veprimtari sa më festive si: ceremonitë e hapjes së procesit stërvitor, të betimit ushtarak, të ditës së krijimit të Gardës, ditës së Shpalljes së Pavarësisë  etj.; spartakiada ushtarako-sportive, veprimtari kulturore e sportive, etj. Efektivat e kanë gjetur veten disa herë në organet e shtypit ushtarak dhe në mjetet e tjera të medias së shkruar, deri edhe në emisione televizive. Për rrjedhojë Garda ka përmbushur me sukses e nivel të lartë detyrat e shërbimit për shoqërimin e Personaliteteve të Larta Shtetërore, duke i kryer ato me cilësi, me korrektesë, me kulturë, me dinjitet, me bindje, dhe sigurisht me profesionalizëm. Vlerësime pozitive janë evidentuar nga titullarët e Ministrisë së Brendshme, por edhe nga Personalitetet më të Larta të Shtetit e të Qeverisë Shqiptare. Më 24 Qershor 1994, në kremtimin e parë të 66-të Vjetorit të Krijimit të Gardës së Republikës sipas datës së re (24 qershor 1928 S. R), mori pjesë Presidenti i Republikës, dhe pas një ndërprerjeje të gjatë, të paktën nga viti 1978, do të ishin të pranishëm atashetë ushtarakë të disa vendeve të huaja të akredituar në vendin tonë, si të SHBA, Rusi, Angli, Itali etj., si rrallë herë morën pjesë edhe përfaqësues të forcave të ndryshme politike, përfaqësues nga shtypi ushtarak etj.

Përmes shumë masash u mundësua që, Garda të ngjiste me siguri e në vijimësi shkallët e suksesit, si dhe “të arkivonte” përvojën e duhur si bazë për startet e mëpastajshme. Pozitivisht është gjykuar prania e Personaliteteve më të larta në Gardën e Republikës. Në analizën vjetore 1992, zhvilluar më 4 Janar 1993, mori pjesë ministri i rendit publik etj. Në qershor 1993, u mundësua organizimi i spartakiadës ushtarako-sportive, nuk do të mungonte ministri i rendit publik, kryetari i komisionit parlamentar për Mbrojtjen Rendin dhe ShIK-un. Analiza vjetore 1993 u zhvillua më 24 dhjetor 1993. I pranishëm Ministri i Rendit Publik, etj. Viti 1994 rezultoi i ngarkuar me më shumë veprimtari e ngjarje: më 24 mars 1994 u zhvillua Ceremonia e Betimit Ushtarak. Mori pjesë Kryetari i Kryesisë së Kuvendit dhe disa ministra, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Më 24 qershor, për herë të parë, kremtohet përvjetori i krijimit të Gardës, sipas datës së re (24 qershor 1928 S. R). Mori pjesë Presidenti i Republikës, Zv/kryetari i Këshillit të Ministrave, ministrat e Rendit Publik, Mbrojtjes, Transporteve; Kryetari i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes Rendit e ShIK-ut, dhe përfaqësues të disa partive politike. Për herë të parë dokumentohet në Historinë e Gardës prania e atasheve ushtarakë të SHBA-së, Anglisë, Italisë etj.: morën pjesë ambasadorët e SHBA-së, Rusisë, Rumanisë, Gjermanisë. Më 12 prill 1995 u zhvillua ceremonia e çeljes së stërvitjes, mori pjesë Kryetari i  Kryesisë së Kuvendit; më 6 maj po me këta ushtarë, u zhvillua ceremonia e Betimit Ushtarak. Mori pjesë Ministri i Brendshëm, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Kryetari i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes Rendit e SHIK-ut, Këshilltari Ushtarak i Presidentit të Republikës, drejtues në Ministrinë e Brendshme etj. Gjatë vitit 1996 e në vijim në Gardë janë të pranishëm disa prej Personaliteteve të Larta të Shtetit.

Por në dy dekadat e fundit (mars 1997-qershor 2013) në Gardën e Republikës, është evidentuar edhe drejtimi i saj politik dhe aspak profesional. Më 1997 politika emëroi në krye të saj një kuadër të sjellë nga SHIK-u, i cili nuk u prezantua asnjëherë me uniformë e gradë, dhe nuk bëri asnjë komunikim me efektivat. Drejtimi i keq prej tij u shoqërua me 6 viktima të pafajshme në Cërrik më 23 maj 1997, me një sulm të tipit taleban në Spitalin Ushtarak etj. Ditën që mbaroi procesi zgjedhor parlamentar, mori arratinë në Turqi. Politika e ka vlerësuar thjesht si militar. Më 1998 (pas ngjarjeve të 14 shtatorit) u emërua nga politika një komandant, që më 2018 po nga politika u cilësua në kategorinë e “Drejtorëve legenë” i akuzuar për shpërdorim detyre. Në vitet 2006-2013, po nga politika u emërua si një komandant, i cili në zhvillimet e 21 janarit 2011, rezultoi vrasës i drejtpëdrejtë i 4 protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” duke shkaktuar paradoksalisht për politikën shqiptare, nga njëra anë 4 “Dëshmorë” dhe nga ana tjetër 4 “Kokëpalarë”. E përbashkëta e tyre është se nuk hodhën asnjë rresht të zezën mbi të bardhën, por edhe nuk lexonin mirë ato që u përgatitnin të tjerët. A thua politika shqiptare nuk mund të gjejë kuadro me dinjitet? Këto sjellje të politikës më trishtojnë, po aq sa më vjen keq për humbjen e jetës së një kuadri (M. N) pas një goditje nga një automjet dhe të një punonjësi i gjetur i pajetë në automjetin që drejtonte; qëndrimi brutal i dy efektivave të Gardës duke ekzekutuar bashkëshortet më ngjall neveri dhe vetëm neveri.