Rezar Xhaxhiu: Promovohet në Paris libri “Dollia” i Sherif Bundos

32

Dollia e Skraparit mbërrin në Paris. Koha që dosja e dollisë të depozitohet në zyrat e UNESCO

Sigal

Telegraf.al / Pjesmarrës të ndryshëm nga bota e artit letërsisë, nga fusha akademike dhe studiues të trashëgimisë kulturore u mblodhën në Paris dhe “shijuan” Dollinë e prof. Sherif Bundos. Në “Maison de l’Albanie” u promovua “Dollia” libri monografik i Prof.Bundos si një copëz e trashëgimisë kulturore jo materiale dhe si një nga elementet më të rëndësishëm të antropologjisë shqiptare.

I konsideruar si një protokoll më vete, protokolli i dollias në Skrapar është ku e ku më i rreptë se protokolli i shtetit dhe ka arritur që për nga eleganca dhe finesa të rivalizojë edhe vetë protokollet e dinastive mbretërore. Dhe pikërisht tek rregullat dhe praktikat e dollisë Prof. Bungo qëmton, zbërthen dhe përpunon detaje të imta, nje sistem te tërë rregullash dhe praktikash duke nxjerrë në dritë dhe duke na sjellë gjithë këtë korpus juridiko –etnik, i cili përpara se të botohej në monografi lëvizte nga një krahinë në tjetrën, nga një zonë në tjetrën në formë herë të legjendës dhe herë të gojëdhanës. Për shkrimtarin dhe studjuesin Luan Rama libri në fjalë sjell dhe amplifikon vlerat dhe rëndësinë e rolit të dollias si një nga elementet më të rëndësishëm të antropologjisë shqiptare, për të cilën ka edhe burime të autorëve të huaj. Ndërsa për piktorin Zamir Mati dollia e sjellë me aq finesë në librin e Profesorit praktikohet në zona me tradita të theksuara në mikpritjen shqiptare, por edhe me pasuri të mëdha në fushën e arkeologjisë dhe të polifonisë. Sipas Matit ka një unitet të plotë në gjuhën e përdorur për ritin e dollias në zona dhe krahina të ndryshme të vendit. Autori i librit Sherif Bondo spjegoi rrethanat prej të cilave është frymëzuar për të shkruar monografinë, për elementet e veçanta të këtij riti me autenticitet të plotë shqiptar, për shprehjet tipike, bejtet, fjalët e rralla, të gjetura dhe shprehjet kuptimplota që përdoren në sofrat, odat dhe eventet ku praktikohet dollia.

Autori spjegoi me detaje se çfarë është dollia, si ngrihet ajo, çfarë është dollibashi, pritësi i dollias, saku, lidhjet e dollisë me polifoninë, me vallen, hierarkinë në dolli, delikatesën dhe forcën shprehëse të fjalës në dolli, emoncionin që përcjell dhe vlerat që transmeton. Për ish ambasadorin shqiptar në Paris Luan Ramën dollia meriton një vemendje shtetërore të veçantë, pasi ajo duhet të shpallet si pasuri kombëtare e trashëgimisë kulturore jo materiale (shpirtërore) dhe duhet që dosja e dollisë të depozitohet për t’u shpallur si element i pasurisë së trashëgimisë kulkturore botërore prej UNESKO-s. Në fund të aktivitetit pjesëmarrësit shqiptarë e francezë u bashkuan në një dolli, një dolli që kish mbërritur nga Skrapari, Labëria, Mallakastra dhe që si një urë lidhëse bashkoi shpirtra në një kryeqytet, i cili është i gjithi shpirt.