Reportazh/Pëllumb Gorica: Lugina e Valbonës: “E përkëdhelura mes malesh”

301
Sigal

Lugina e Valbonës “E Përkëdhelura  mes malesh

  Shkëlzeni për banorët e këtyre trevave është kthyer në një vend pelegrinazhi.

– Mulliri i Valbonës, dëshmon qytetërimin jetik në plotësimin biologjik të banorëve.

Nga Pëllumb Gorica

Një ndjenjë ngazëlluese të mbërthen kur udhëton drejt Valbonës, drejt kësaj madhështie hyjnore me bukuri të egër; me magji kryeneçe, me thellësi tejpamjeje dhe harmoni ngjyrash e formash përrallore; me gjenialitet deri në infinit të arkitektes Natyrë, që të jep paqe, çarmatosje e përunje, saqë me vete thua se vend të bukur zgjodhi Perëndia.

Lugina e Valbonës shumë shekuj para se besimet fetare të vinin në Vendin e Shqiponjave, ishte një vend pagan, teksa atje uji i lumit që nga stina e Pranverës, dhe deri në fillimin e Vjeshtës ishte kurim për njerëzit me probleme në dashuri.

Një legjendë tregon ardhjen dikur të Julius Çezar në Valbonë, para se të shkonte në Egjypt për të rrëmbyer zemrën e Kleopatrës. Prandaj Romakët në Shek. III pas Krishtit, të mrekulluar nga këto veti, e pagëzuan me emrin Valbona. 

Ajo është një luginë që shpërfaq tiparet e një amfiteatri madhështor, ashtu rrethuar prej malesh të lartë të Alpeve Shqiptare (një Eden Parajse).

Demetra (Toka Mëmë) përgjatë miliona shekujsh e ka shpërblyer me bukuri epike, me larmi majash; por më shumë me ujëra kaltëroshe, si simfoni jetëdhënëse e lumit më të bukur të Shqipërisë, që harbohet shkumë e valë nëpër gurë, me gurgullimë, e cila puth brigje përgjatë një rruge gjysmëqarkore, për t’u bashkuar me rrjedha të tjera më të vogla drejt liqenit të Komanit (që të bëhen dritë) kështu që të bën të ndalosh herë pas here, sidomos tek Ura e Shtrenjtë në Shoshan, ku uji poshtë saj duket tepër i pastër. Aq më madhështore bëhet kjo bukuri edhe nga ashpërsia e shpërfaqur me krenari:

Para nesh Jezerca hijerëndë, që maja i prekte në qiell e nga gjysma e lartë ishte tërësisht e zhveshur, duke u afru bëhej edhe më gjigante. Maja e këtij mali, me borëra të përhershme, me lugje, me liqene akullnajore, me shpella të paeksploruara, të banuara që në Lashtësi konsiderohet nga banorët vendas i shenjtë, gjë që lidhet me kohën e hershme, me besimet pagane, të ruajtura në kujtesën e të Moçmëve si në gjithë trevat e Veriut: me plot Zana, Orë e Shtojzovalle (Është vendi më tipik i legjendave):

Thuhet se shumë kohë më parë në majë të malit të Shkëlzenit lartësohej Tempulli i Diellit, i cili shkëlqente edhe natën deri në breg të detit (nga ka marrë dhe emrin Shkëlzen = shkëlqen).

Shkëlzeni për banorët e këtyre trevave është kthyer në një vend pelegrinazhi (aty ndodhet edhe varri i shenjtit Shkëlzen) ku në stinën e Verës, në shenjë besimi ndaj kultit të Diellit, flijonin gjënë e gjallë (bagëtitë) apo thyenin kotruvet me verë e bulmet (si kurban)  ndaj mirësisë së kryezotit të tokës e të njerëzve.

Pelegrinët, në kthim, thuhej se merrnin me vete ujë nga gurrat e malit (si Ujë i Shenjtë për shërim), të cilin e shpërndanin në kullë, në vathë të bagëtive dhe në arë  (si bekim për mbarësi e bereqet).

Në të njëjtën shtrirje të vargmaleve ndodhet Maja e Hekurave, një emër që vjen nga disa formacione ngjyrë ndryshku. Legjendat thonë se ato janë hekurat e ankorimit të anijeve kur deri këtu ishte det.

Në këtë natyrë madhështore, përplot histori e lavdi kreshnikësh, një copëz tjetër Parajse është Dragobia, ku syri arrin të shijojë ngjyra, tinguj, gjelbërimin e pishave, që duken sikur kanë të përbashkët me banorët e saj krenarinë.

Përmes degëve të pyllit me pisha dhe ahe dëgjon shushurimën e ajrit të shëndetshëm (si dallgët e një oqeani) dhe zërat e zogjve; ndjen thellë aromën e luleve; vështron ujërat e freskëta e të pastra qelibar: tejet e vështirë t’i rigjesh në magjira të tjera.

I prek kullat hijerënda, këto karakolle burrërie shqiptare, së bashku me shpellën, aty ku kaloi ditët e fundit të jetës Heroi i Popullit Bajram Curri, i cili në zhvillimet historike të kohës (vitet 1920 -1925) u shqua si atdhetar:

“Atje nisi, / atje mbaroi;/atje krisi, /atje pushoi…”

Ecja në atë dekor luftrash me dragoj e bajlozë, me duele kreshnikësh e vringëllima heronjsh mitologjikë. Më bëhej se shihja mes gurgullimave të Valbonës mahnitëse ato valltaret, që u ngjanin shtojzovalleve të përrallave tona.

Në Tropojë në valle nuk kërcehet, por sikur fluturon, gjë që i jep solemnitet asaj dhe e bën komunikuese me malet rreth e rrotull, me qiellnajën e shqiponjave të bjeshkëve.

Valbona në pentagramet e shpirtit.

Valbona është kthyer në një qytezë që frymon mes gjallërisë së Parajsës Natyrore të “Parkut Kombëtar” me ndërtesa si një dhembje për sytë, si kërpurdha helmuese, pa rregulla dhe pa asnjë respektim të Arkitekturës. Duke rënë pre e babëzisë për fitime të shpejta, do të vijë dita që do të jetë e vështirë të gjesh vend aty. Do të vijë dita që në tavolina do të të shtrohen ushqime të blera në market e gjysëm të gatuara, ndërkohë që vizitori shkon atje për ushqim tradicional të zonës dhe jo për Coca-Cola e për vezë pularie, apo qumësht me kuti. Ai nuk do të kërkojë krepa me çokollatë në Valbonë, por petulla me mjaltë, qumësht të freskët e djathë bjeshke. Ai do që të pushojë në kullat e gurta me çati të pjerrëta e të mbuluara me dru. Ai do të mos ia mbulojnë krevatët ato kuvertat prej atlasi, por me velenxa. Ai do që pushimoret të jenë me oxhak e jo bujtina me ajër të kondicionuar; të mos shkelë mbi pllaka majolike, por prej guri; të mos i heqin malësorët poturet dhe plisin për xhinset, por t’i mbajnë veshur dhe të presin turistët me to, sepse nderohen.

Bujtina më e bukur, më mikpritëse dhe tipike malësore, në Rragam të Shalës, në Valbonë, është ajo e Kolë Gjonit (e vetmja kullë në Valbonë, mbetur e paprekur nga babëzia e ndërtimeve). Atje shijohet ende mikpritja malësore sipas traditës, saqë të duket se takon njerëz të mrekullueshëm që prisnin Mujin me Halilin të kalojnë natën aty.

Veç poezi ka në këto pamje, kur vështron ndërtime të thjeshta (me gurë dhe dru, me çati të pjerrëta brenda natyrës dhe në harmoni të plotë me të) që të japin kënaqësi të veçantë e çlodhje në freskinë magjike të pyllit; por edhe kur vështron murana të rrënuara kullash e stane të braktisura, që përpijnë me pamjen e tyre çdo kalimtar.

Mendja më çoi mbrapa nëpër kohë, në vendbanimet e ndërtuara nga fundi i Neolitikut, që, për të plotësuar nevojat baritore, vizitorit si mua i flasin për një art ndërtimi me materiale e mundësi të thjeshta.

Teksa po vështroja brenda staneve nuk vëreja asnjë dru, as shtylla e porta. Hyrjet ishin krejt natyrore, zgavra të vogla pa dritare. Asnjë krevat brenda stanit. Çobanë e baresha, (burra, apo gra) i përfytyrova me shpinën shtrirë mbi rrasa guri dhe me kokat e tyre mbështetur mbi jastëkë guri.

Mulliri është i njohur në qindra vite për banorët përreth e më gjerë: me mure prej guri dhe pa tavan; me trarë të trashë, jo dhe aq të drejtë; kurse çatia me dhoga, mbi të cilat ishin vendosur pllaka guri.

Mulliri i Valbonës, që dukej prej së largu (si magjja e jetës) me objekte të hershme të zhvillimit social, dëshmon qytetërimin jetik në plotësimin biologjik të banorëve malësorë. Pasja e një mulliri në të kaluarën shënonte kulmin e pasurisë së një familjeje, kur ajo kishte lopë, dele, bletë dhe veronte në bjeshkë.

Sheh mullirin dhe të bëhet se dëgjon rropamën e çartur të gurëve të tij, të detyruar nga goditja e ujit. Ai nuk është i vogël. Përkundrazi, madhësia e tij tregon për numrin e njerëzve që vinin këtu e mund të qëndronin në hyrje, me trajtën e mirëfilltë të një oborri pritës. Mulliri ishte dhe një lloj logu dashurie prej gurgullimës së vijës së ujit, sikurse edhe për muzikën e tij.

Mulliri ishte një vend ku njerëzit takoheshin, një vend që rrethohej me enigmat e veta, aty ku luhej dhe miqësia e hatëret për rradhën e blojës; zënkat me mullisët (me vetullat gri në të bardhë nga puhia e miellit) nën ritmin e trokashkave me atë tingull të ëmbël monoton, që të vinte në gjumë.

Një herë të vetme të shkosh, mrekullohesh. 

Shëtitjet në luginën e Valbonës (me shumë befasi) dhe ecja në ajër të pastër nëpër shtigjet historike shpërfaqin përjetim të këndshëm, që nuk harrohet lehtë, mes kënaqësisë së pamjeve të mrekullueshme të maleve hijerënda, veshur me fustanin e Driadave dhe ajrin plot freski (në një botë të largët legjendash) nga stani në stan, nga shpella në shpellë, nga qafa në qafë, ngjitur kreshtave, ku shpesh i ngre sytë mbi humnerat dhe ujëvarat.

Sa më lart ngjitemi, më e bukur shfaqet pamja, atje ku Zotërat bëjnë punë njerëzish.

Në një udhëtim ndryshe, larg rrëmujës, të duket sikur koha prej shekujsh ka ngecur në vend, me histori që janë ruajtur fort dhe me zakone e tradita të lashta. Pushime herë pas here mes fishkëllimave të degëve të bredhave dhe nën tingujt e gurgullimave të ujit, që rridhnin në gurrat e drurit.

Duke u bërë pjesë e një grupi miqsh u futa në një rrugë gjarpëruese në drejtim të Qafë së Valbonës. Në fakt vështirësia është mbi mesataren. Udhëtimi zgjati gati gjashtë orë.

Qafë – Valbona është kufiri me Thethin. Dikur kalonin nga Thethi në Valbonë nëpër Shtegun (shekullor) të Dhenve, Valbonë – Theth, aq sa të njohur, aq edhe të panjohur.

Befas vëmendjen ta tërheq (si një pikturë e më shumë si një magji poetike me plot muzikë dhe pëshpërima të bukura) saqë nuk beson se Liqeni i Xhemës është krijuar nga dora e Zotit; ashtu, rrethuar nga gjelbërimi, me ngjyra shprehëse të drithërimave të qetësisë. Liqeni i Xhemës është brenda pyllit të gjelbër, si një unazë e argjendtë e rrethuar me gurë të hirtë shkëmborë, nga malet dhe majat e Alpeve.

Ishte edhe një ecje e bukur sportive deri te liqeni brenda pyllit.

Duke mos e prishur atë ndjenjë të këndshme solemniteti që na kishte pushtuar, u ulëm në breg të tij. Nuk ke si të mos mrekullohesh para ujit të kthjelltë, që merr edhe ngjyrë të gjelbër, kur rrezet e diellit përflakin majën e Xhapojës dhe krijonin ca vezullime të ylberta si fole drite nëpër degët e aheve. Të ngjan si loti i derdhur i Ajkunës për vëllain e pagjetur (një nga shtatë Omerët e Mujit) dhe i mallkon bjeshkët që e fshehin varrin e tij.

Atje ku buron kaltërimi i këtij lumi hyjnor dhe në një ujëvarë me ujë të pastër rrjedh gjithë zhurmë e potere nga një shkëmb i lartë, ne takohemi me ata që po ktheheshin: Fëmijë, të rinj, gra e burra. U gëzohesh tingujve të ëmbël, cicërimave të zogjve, që ndjekin me potere njëri-tjetrin nëpër gjelbërimin e harlisur. Në këtë manifestim të mrekullueshëm të Natyrës sa kënaqësi ka aroma e lulebjeshkëve dhe e barit të sapokositur. Mbi lëndinën e njomësht, me lule ngjyrash të hareshme, gumëzhinin nga ngritje – zbritjet bletët e vyeshme. Ato të joshnin dëshirën për të qëndruar sa më shumë atje.

Teksa çapitemi drejt ujëvarës, që gurgullon pa pushim duke shpërndarë currila të kristalta, drithërimat të vërshojnë në trup. Uji i saj bie nga një lartësi prej pesëmbëdhjetë metrash (rrëmbyeshëm e hollak) për të rrjedhur gurgullueshëm nëpër ca rrëke. Ato herë gjarpërojnë në shtratin e gurtë të luginës e herë zhduken në nëntokë, sikur luajnë kukafshehtas e pastaj dalin sërish atje ku nuk e pret, poshtë Fushës së Gjësë, në Rragam, me shushurimë magjike dhe pamje kaltëroshe, porsi flokët e harlisur të një vajze.

Makutëria vrapoi dhe varrosi lumin e Valbonës. 

Bukurinë e Valbonës, aty ku Perëndia përgjatë miliona shekujsh ka bërë stilizime në mënyrën më të mrekullueshme e më mjeshtërore të mundshme, më bëhej se dëgjoja zëra zotash mbi Shkëlzen.

Valbonën po e shëmtojnë, për ta fshirë nga monumentet e Natyrës që të largojnë banorët, të cilët jetojnë me mrekullinë e saj. Dhe këto me leje të qeveritarëve kusarë. Je i pafjalë nga ajo çka vështron atje, ku turistët nuk do të kenë se ç’të gjejnë më.

Në emër të zhvillimit po e tjetërsojnë pa mëshirë këtë magji, nga lakmia e pafrenueshme e njerëzve me pushtet. Pra, askush nuk mund t’i marrë Natyrës më shumë se ç’mund të japë në të vërtetë, sado ta dhunojë atë.

E kanë masakruar shtratin e Valbonës me prita, dhera, beton, zhavorr e hekur, duke bërë që këtë bukuri tepër mbresëlënëse (siç bëjnë kudo në Shqipëri) ta shëmtojnë më shumë. Prerja e ujërave të lumit Valbona në Mbaskollatë për t’u kthyer në digë me ndërtimin e HEC- ve do të bëjë që atje të mungojë jeta e njerëzve, bimëve, kafshëve, lumenjve, maleve…

Sot në Shqipëri është shndërruar në epidemi fakti që atje ku rrjedh ujë prej maleve të shëmtohen peizazhet me ndotje dhe tharje burimesh, duke ndërtuar HEC-e dhe prej kësaj sëmundjeje nuk ka shpëtuar as magjia e Valbonës.

Sytë e bukur të saj, Flora, Fauna, diversiteti biologjik, nëse vazhdohet më tej, nga masakrimi me beton e hekur, nga ndërtimi i HEC-ve të tjerë, pa funksionimin normal të saj, do kthehet e shkretë, e përpirë nga përbindëshi shkatërrim, saqë pasojat do të jenë dramatike (në kohë të afërta e të largëta) si për Natyrën, ashtu edhe për banorët, që vazhdimisht shpërngulen.

Ishin të pranishëm banorët e luginës (me përfaqësim) qytetarë nga gjithë Shqipëria: artistë, alpinistë, ambientalistë, etj; të ndërgjegjësuar, pa dallim bindjesh politike (Kombëtarë, e pse jo, edhe Ndërkombëtare) me thirrjen për pezullimin e këtij projekti ogurzi të HEC – ve, duke shkatërruar atë të shpallur Park Kombëtar.

Ishte një shembull ky se toka mëmë, me pasuritë e saj të dhuruara nga Zoti, e trashëguar ndër breza, duhet të mbrohet, duke i bërë ballë kujdo, që e cënon. E zgjodhi këtë lloj kundërshtimi, që kjo bukuri e kësaj lugine madhështore në emër të fitimit të shpëtohet nga shkatërrimi për interes të pak njerëzve, të cilët mendojnë vetëm për pará (apo për gostinë e dallaveres pushtet). Kjo bëri që edhe Catherinë Bohne, e cila braktisi jetën e saj në Amerikë për të ushtruar profesionin e saj si botaniste, të bashkëjetojë me Luginën e Valbonës, prandaj fjalët e saj jehuan:

– Valbona është një lumë i mrekullueshëm. Lereni të rrjedhë shëndetshëm!

Eh, Valbona! Ky lumë e kjo luginë e bjeshkëve tona të mahnitshme, me plot bukuri, me më shumë aroma të larushuara, me gjuhë zogjsh, me ajër dhe dëborë të pashkrirë, merr shkëlqimin e syve të vizitorëve.

Një herë të vetme të shkosh, e rrëmben një “copë” prej saj; prej asaj bukurie hyjnore që, përtej mbresave, i ruan si kujtim: ato, ujërat shushuritës të lumit, si lot i kthjelltë përgjatë shtratit të saj mijëravjeçar.