Hyqmet Zane: Historia, teknika e vallës së ” Osman Takës” nga lashtësia dhe sot

182
Sigal

Historia, kultura dhe teknika e valles së “Osman Takës”, nga lashtësia e deri më sot

Origjinaliteti i një valleje, që meriton të jetë në fondin e artë të kulturës botërore të UNESKO-s

Kulturën e vendit tim e dua si vlerë e identitetit të kombit tim. Dramatizimi i Valles së Osman Takës nga një trupë teatrale, më dha spunton të futesha në të thellat e historisë së lashtë të kësaj valleje, por edhe më la një shije jo të mirë fakti që edhe në këto punë kauza jonë e Çamërisë po na katandiset si në një folklor, që nuk bën më shumë se sa na jep një valle edhe pse ajo është e mahnitshëm.

Pikënisja e një shkrimi

Tradicionalizmi i kulturës shqiptare shpesh na kthen në thellësitë e shekujve dhe na emocionojnë momentet epike dhe lirike të këngëve dhe valleve tona origjinale dhe të papërsëritshme. Janë të papërsëritshme ato ndjesi, që krijohen kur kemi parë valltarët shqiptarë në skenat evropiane që kanë shkëlqyer që nga i madhi Besim Zekthi e deri tek Ilir Avduli, si dhjetra e dhjetra djem e vajza, që kanë mbetur anonimatë dhe që kanë ngritur peshë spektatorët.

Një rast i tillë ishte edhe para disa kohësh në “Maratonën e këngës dhe valleve”, që organizohej në Elbasan në zbulimin e shumë talenteve të rinj në të gjitha gjinitë. Por do të spikaste talenti i një të riu me një valle të veçantë siç njihet “Vallja e Osman Takës”. Do të ishte Daniel Sinani dhe Denis Veshi, që në një inskenim të të gjithë fabulës së kësaj valleje puro shqiptare, me elementë të dramës dhe valles, që i ka dhënë skenës një ngjyrë atdhetarizmi të mirëfilltë. Jo vetëm për faktin që vallja e “Osman Takës” i përket një treve siç është Çamëria, por edhe për një edukim me ndjesi kombëtare, interpretimi dhe situatat dramatike, po aq sa edhe lirike që krijoi kjo valle, që rradhitet në elitën e valleve me famë jo vetëm shqiptare.

Nga ana e tij valltari kryesor i saj, një djalë nga një familje po nga Çamëria, Daniel Sinani u shpreh se “ishte një dëshirë e imja dhe e babait tim që unë ta luaja bukur këtë valle, që nuk është vetëm e banorëve të Çamërisë, por e të gjithë shqiptarëve. Ajo është nja nga vallet më të bukura që kam parë deri tani”.

Historia e valles nga lashtësia

Nëse do të hidheshim në të kaluarën e lashtë të historisë sonë kombëtare, do të gjejmë gjithnjë elementë të autoktonisë së një valleje, që mund të quhet më e vjetra në Evropë, pale edhe në Ballkan që mban vulën shqiptare.

Historia flet se vallja e “Osman Takës” është valle rreth 2400 vjeçare që në kohën e Pirros së Epirit dhe është quajtur “Vallja Pirike”. Kjo është e thënë dhe e stërthënë nga etnografë të shquar si nga Ramadan Sokoli, por edhe nga njerëz që kanë erudicion në kulturën e pasur shqiptare. Sipas enciklopedistit Ahmet Mehmeti, i njohur për dijenitë e tij në këtë fushë, në lidhje me këtë risi në gjininë e valles shqiptare që janë kaq emocionuese dhe po aq të larmishme dhe të shumëllojshme. Kjo valle rrjedh nga “Vallja Pirike”, më pas vallja është quajtur “Vallja çâmiko” që vazhdon të quhet edhe sot e kësaj dite. Në kohën e Ali Pashë Tepelenës mori emrin që ka sot “Vallja e Osman Takës”.

Bëhet e ditur se personazhi kryesor i valles, Osman Taka, nga Konispoli, luftëtar dhe atdhetar për lirinë e atdheut, u kap dhe u dënua me varje nga Pashai turk dhe si dëshirë të fundit në këto raste, kërkoi që të luante një valle. Kërcimi i valles u bë brenda hapësirave të një tepsie bakri të madhe dhe të kallaisur të kohës që do të thotë se kërkonte edhe mjeshtëri të veçantë që ta luash bukur. Osman Taka e realizoi duke merituar edhe faljen e jetës nga Pashai turk, për shkak të bukurisë dhe mahnitjes që i krijoi valltari shqiptar i Çamërisë. Për çudi, më e emocionuar ishte edhe zonja e pashait turk që i kërkoi bashkëshortit të saj që t’ja falte jetën këtij artisti.

Por fatkeqësisht, sot, ashtu si çdo gjë tjetër tradicionale shqiptare, grekët edhe këtë valle e quajnë si valle panhelenike për ta përvetësuar si valle e të gjithë grekëve, e helenëve. Janë tendenca tipike të grekëve, që kanë përvetësuar gjithçka pellazge dhe ilire në interes të vetes duke manipuluar me historinë edhe arvanitasit autoktonë. Ashtu kanë bërë grekët edhe me fustanellën, edhe me historinë, edhe me figurat si Skënderbeun, Ali Pashë Tepelenën, ata kërkojnë t’i quajnë grekë, siç edhe kanë greqizuar trojet shqiptare të Çamërisë e më gjerë, siç shprehen shpesh etnografët dhe historianët e mirënjohur, po aq edhe ata arvanitas si i lavdëruari Aristidh Kola që u flijua si një arvanitas i vërtetë.

Me gjithë këto përçapje dhe përçartje tipike greke, kjo valle është sot në fondin e artë të artit historik që ka trashëguar kombi shqiptar dhe mbetet e tillë përjetësisht.

Efektet koreografike dhe ato emocionale, po aq sa edhe veshja dhe zhdërvjelltësia e valltarit, përkulja si në një urë e valltarit dhe hipja sipër e bashkëshoqëruesit. Më kujtohet i ndjeri valltari virtuoz Taip Madani, çami nga Vlora, që spikati bujshëm në festivalin e Gjirokastrës më 1978, ku ra në sy e veçanta dhe e mahnitshmja “Vallja e Osman Takës”. Një bashkëkohës i atyre viteve, Ruhi Xhani nga Vlora që ka qenë i pranishëm në atë kohë, më pohonte se “Taip Madani e e ka mahnitur hapësirën e festivalit sa edhe vetë diktatori i pranishëm në atë moment së bashku me bashkëshorten e tij, u ngritën në këmbë kur panë atë lojë të magjishme të një vallëtari që e ka kërcyer këtë valle si të ishte vetë Osman Taka gjallë”.

Edhe këngët e kënduara në shumë variante kushtuar Osman Takës duke e ngritur emrin dhe vallet e tij në lartësinë e merituar dhe duke e shndërruar një valle dhe duke e ngritur lapidar që nga thellësitë e shekujve para 2400 vjetësh, është po aq shprehëse në fuqinë e interpretimit të shpirtit çam dhe atij shqiptar njëherazi.

Ka një përcaktim nga koreografë specialistë të mirënjohur se “vallja çame ka levendëri, ka krenari, ka burrëri në lëvizje, të cilat venë në dukje edhe virtytet e mësipërme. Nuk është valle erotike, por gjithashtu nuk është valle luftarake, as e ndjenjës. Vallja çame është valle triumfale. Dyshoj se mund të ketë një të dytë në botë”. E tillë është edhe vallja pirike, çamiko, e Osman Takës.

Epilog

Shpesh bëhen përpjekje që vlerat kombëtare shqiptare të futen në fondin e vlerave botërore si ndërtimet, vallet, këngët, si edhe së fundmi kostumi ornamentik shqiptar “Xhubleta”. Por të harrosh ose ta mënjanosh vëmëndjen nga një art i valles si ajo e Osman Takës, vetëm e vetëm pse është vallja çamiko e Pirros, ngaqë do mërziten grekët për këtë vlerësim. Ministria e Kulturës dhe qeveritë e njëpasnjëshme shqiptare duket se shprehin një ndjesi të papranueshme për opinionin shqiptar dhe atë ndërkombëtar. Unë e dua këtë valle jo pse është e trevës time Çamëri, por sepse ajo është futur në fondin e artë të kulturës trashëgimore shqiptare.