Prof. Vangjel Kici: Të huajt s’kanë nevojë ta pushtojnë Shqipërinë, ata i marrin pasuritë, me ndihmën e qeverive kukulla

543
  • -Të huajt dhe pushtetarët tanë po i grabisin të gjitha pasuritë natyrore të Shqipërisë
  • – Të huajt nuk kanë nevojë ta pushtojnë ushtarakisht Shqipërinë, ata po i marrin pasuritë që deshën, me ndihmën e qeverive tona kukulla
  • -Bujqësinë pas vitit 1990 e shkatërruan plotësisht, që të krijoheshin monopolet private
  • – Bujqësia e parcelizuar në fshat ka degraduar plotësisht
  • -Për çfarë zhvillimi flitet, kur punët bujqësore bëhen me krahë, si në Kohën e Gurit, dhe kanalet ujitës janë prishur?
  • -Vendet e tjera Lindore nuk i shkatërruan kooperativat bujqësore, por i shndërruan në ferma private të fshatarve, të shkëputura nga shteti.
  • -Kush e mban përgjegjësinë për shkatërrimin e plotë të bujqësisë në Shqipëri?
  • – Si do të zgjidhet papunësia masive dhe varfëria ekonomike e shqiptarve, me anë të turizmit?
  • – Pse e lejuat grabitjen e madhe të arit të vendburimit të Munellës?
Sigal

Vetëm zhvillimi i turizmit nuk mund ta zhvillojë ekonominë dhe ta zhduk papunësinë dhe varfërinë ekonomike në Shqipëri. Duhet shtetëzuar (nacionalizuar) nafta dhe gazi në Shqipëri. Në Shqipërinë Lindore dhe Veriore duhen bërë kërkime për naftë dhe gaz nga vet shqiptarët.

***

Agroturizmi është një fjalë, që shumë njerëz i huton. Njeriu i thjeshtë mendon se kushedí se çfarë ka zbuluar kjo qeveria jonë! Në fakt, në shqip agroturizëm domethënë turizëm në fshat. Qeveria “Rama” do ta zhvillojë ekonominë, dhe të zhduk papunësinë masive të Shqipërisë, vetëm duke u bazuar tek turizmi dhe agroturizmi. Lind pyetja: Cili vend në botë u zhvillua dhe zhduku papunësinë masive, duke u bazuar vetëm tek turizmi? Asnjë vend. Bëhet propagandë se në vitin e kaluar Shqipërrinë e kanë vizituar 6 milionë turistë (430 milionë dollarë neto të ardhura!!), dhe synohet për të arritur 10 milionë! Përralla me mbret. Bëhet propagandë për zhvillimin e agroturizmit. Është vendosur nga qeveria programi “100 fshatra”. Pra, qeveria do të investojë, që 100 fshatra të bëhen model për zhvillimin e agroturizmit. Por turistët e huaj nuk rrinë vetëm në fshatin model, siç kërkon qeveria, por vizitojnë edhe fshatrat përreth.

Çfarë do të shohin?

Do të shohin varfëri, rrugë të prishura, mungesë uji, ndërprerje dritash, grabitje nga hajdutët, mungesë sigurie….Pra, vende dhe popuj të prapambetur. Kjo gjendje mjerane turistët e huaj do t’i pikëllojë. Ata nuk do të vijnë prap kurrë në këto fshatra.

Kryeministri Rama para disa vitesh vizitoi fshatin Libofshë në rrethin e Fierit. Ndërmjet të tjerave, ai bëri thirrje, që fshatarët t’i shndërrojnë shtëpitë e tyre në bujtina (hotele) për turistët e huaj. Harron kryeministri, se shqiptarët po vriten njëri me tjetrin për çështje nderi…

Ai theksoi se eksportet bujqësore shqiptare kanë njohur një zhvillim. Për çfarë zhvillimi bujqësor flet ky kryeministër, kur bujqësia ishte e kolektivizuar dhe e mekanizuar, por pas vitit 1990 e shkatërruan plotësisht, që të krijoheshin monopolet private? Tani bujqësia e parcelizuar në fshat ka degraduar plotësisht. Për çfarë zhvillimi flet, kur punët bujqësore bëhen me krahë, si në Kohën e Gurit, dhe kanalet ujitës janë prishur? Vendet e tjera Lindore nuk i shkatërruan kooperativat bujqësore, por i shndërruan në ferma private të fshatarve, të shkëputura nga shteti.

Kush e mban përgjegjësinë për shkatërrimin e plotë të bujqësisë në Shqipëri?

E mbajnë të gjitha qeveritë, të djathta dhe të majta.

Edhe ish-ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, i ka bërë dikur reklamë agroturizmit, sidomos programit të 100 fshatrave model për agroturizmin. Po pse? Cfarë të reje sollën? Sa të ardhura sollën?

 

Këta qeveritarë sikur nuk jetojnë në tokë!

Qeveria e mëparshme e Berishës, për zhvillimin e ekonomisë së Shqipërisë, rekomandoi zhvillimin e drurve frutore arrore. Dhe dihet si e zhvilloi ai ekonominë e Shqipërisë…

Shqiptarët po braktisin masivisht Shqipërinë, për shkak të papunësisë dhe të varfërisë ekonomike. Si do të zgjidhet papunësia masive dhe varfëria ekonomike e shqiptarve, me anë të turizmit? Ky është një mashtrim i madh.

Pas vitit 1990, të gjitha qeveritë e njëpasnjëshme shqiptare, pasuritë natyrore të Shqipërisë ia hoqën popullit dhe ua dhanë të huajve dhe privatve vendas, me konçesione korruptive (grabitqare). Kështu, arka e shtetit u boshatis. Këto pasuri janë: Nafta, gazi, bitumi, kromi, bakër-ari, hekur-nikeli etj. Vetëm këto pasuri mund ta shpëtojnë popullin shqiptar nga papunësia masive dhe nga varfëria ekonomike. Për rishtetëzimin (rinacionalizimin, rikombëtarizimin) e këtyre pasurive nuk flet asnjë kryeministër shqiptar, por e venë popullin në gjumë me përralla. Qeveritë e njëpasnjëshme shqiptare deklarojnë se nuk mund ta zhvillojnë naftën dhe minierat, sepse nuk kanë pará (arka e shtetit është bosh). Në fakt, vet qeveritë e boshatisën arkën e shtetit, duke ia hequr shtetit (popullit) dhe duke i privatizuar vendburimet e naftës dhe minierat. Ky privatizim u bë, që ato të grabiteshin nga pushtetarët, në bashkëpunim me të huajt. Rikthejani shtetit (popullit) këto pasuri, dhe arka e shtetit do të mbushet përsëri. Po të jetë nevoja, qeveria le të marrë edhe pará hua nga populli, dhe t’ia kthej atij më vonë, kur të zhvillohet nafta dhe minierat. Të huajt dhe pushtetarët tanë po i grabisin të gjitha pasuritë natyrore të Shqipërisë. Të huajt nuk kanë nevojë ta pushtojnë ushtarakisht Shqipërinë. Ata po i marrin pasuritë që deshën, me ndihmën e qeverive tona kukulla.

Po kështu mund të flasim edhe për Pukën. Puka ka pasuri të jashtzakonshme: Naftë, gaz, bakër, ar etj. Pse e lejuat grabitjen e madhe të arit të vendburimit të Munellës? Ku vajti ari? Në radhë të parë Puka ka perspektivë shumë të madhe për naftë dhe gaz, në gëlqerorët poshtë masivit gjigant ultrabazik të Pukës dhe atij të Gomsiqes, në thellësi jo të mëdha. Shtoni këtu edhe bakrin, arin etj., dhe populli mund të jetojë i lumtur. Puka dhe e gjithë Mirdita (gjithë Shqipëria Lindore dhe Veriore) ka perspektivë për naftë dhe gaz përafërsisht si vendet e pasura arabe!! Pse nuk flet për këto pasuri kryeministri Rama? Nuk i besojnë studimit me titull: Nafta në Albanide, botim i vitit 2013? Le të kërkojnë ekspertizë nga gjeologët shqiptarë dhe të huaj, që të argumentojnë dhe të botojnë mendimet e kundërta. Për ndryshe, këta qeveritarë punojnë qellimisht kundër popullit shqiptar.

“Programi i Integruar për Zhvillimin Rural – Programi i 100 Fshatrave”

  1. i)             Qëllimi i Programit

Programi i Integruar për Zhvillimin Rural (PIZHR) – Programi i 100 fshatrave synon të koordinojë ndërhyrjet zhvillimore në hapësirën rurale të 100 fshatrave, përcaktuar në shtojcën B të kësaj strategjie, sipas qasjes ndërsektoriale dhe me shumë aktorë, duke u shkëputur nga ndërhyrjet e copëzuara dhe me qasje strikte sektoriale, që po ndodhin apo pritet të ndodhin në vend.

  1. ii)            Objektivat e Programit

PIZHR do të programojë ndërhyrjet me investime të integruara në zonat e përcaktuara (100 fshatra), nëpërmjet 3 objektivave si më poshtë:

  1. a) Përmirësimi i infrastrukturës publike(mbeshtetja për infrastrukturë rrugore, rivitalizime hapësirash publike/urbane, infrastrukturë komunitare, shërbime publike, infrastruktura mjedisore, turistike, monumente të trashëgimisë kultutrore, qendra multifunksionale komunitare, pejsazhi mjedisor etj.)
  2. b) Zhvillimi ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike( përmirësimi i potencialit turistik në hapësirat rurale, agroturizëm dhe turizëm rural, investimet në përmirësimin e shërbimeve tregtare, investime ne prodhimin e produkteve tradicionale dhe sherbime te tjera ekonomiko-financiare etj. Mbështetja për inkubatorë të produkteve rurale tradicionale, promovim dhe marketim të zonave rurale, shërbime transporti, panaire dhe festat lokale etj.)
  3. c) Zhvillim i kapitalit social dhe njerëzor,(mbështetje për krijimin e rrjeteve rurale, grupeve lokale të veprimit si dhe shoqërinë civile në zonat rurale, trajnim profesional për të rinjtë dhe gratë, mbështetje të trashëgimisë kulturore, mbështetje për promovimin e traditave dhe jetesës në fshat, etj.)