Mevlan Shanaj rrëfën emocionet sesi konkuroi para Mihal Luarasit

282
Sigal

Si konkurova në vitin 1965 para Xhemal Brojës, Naim Frashërit, Andrea Malos, Lazër Filipit, Pandi Stillu dhe Drita Agollit

Mihal Luarasi ishte i pari që më ka dëgjuar si intepretoja

Aktorja e bukur, e famshme, Edi Luarasi, nuk e divorcoi Mihalin edhe kur atë e dënuan

-Profesor Mihal Luarasi më tha: Aty në komision është një grua flokë kuqe, shiko atë në sy dhe drejtoja asaj monologun, aktores Drita Agolli

– Më pas Mihal Luarasin e lëvizën nga Tirana në Korçë pasi Dhimitër Orgockën e çuan punëtor për riedukim

– Filmi “ Fletë të bardha” me skenar të Natashës dhe regjinë time, solli shqetësime në administratën e kohës, por një letër nën dorë e Luarasit më qetësoi

Mevlan Shanaj

Në korrik të 1965 isha nëpër korridoret dhe oborrin e Teatrit Popullor. Aty ishte shkolla e lartë 4 vjeçare e Aktorëve “ Aleksandër Moisiu”. Administrata e shkollës ishte në katin e dytë të së njëjtës godinë ku ishte edhe Drejtoria e Teatrit. Xhemal Broja, që ishte edhe në komision ku ne do të konkuronim ishte Drejtor Teatri. Komisioni drejtohej nga Andrea Malo – Drejtor i Shkollës! Në komision ishin si edhe Naim Frashëri, të cilin e kisha parë përveç rolit të Skënderbeut edhe te Hamleti dhe Intrigë e dashuri. Ndodhej edhe Lazer Filipi, “Lenini i Orëve të Kremlinit”, të cilën shumë më vonë e kam xhiruar për Televizionin Shqiptar. Një grua e vetme që do merrte kursin tonë si pedagoge udhëheqëse binte në sy në atë tavolinë të stërzgjatur. Gjithashtu më i heshturi qe regjisori tradicional Pandi Stillu. Kisha parë “ Karnavalet e Korçës” si edhe “ Toka jonë” të atij regjisori. Para se të futeshim në konkurs duhet të na dëgjonte dhe orientonte një pedagog dhe ky ishte regjisori Mihal Luarasi i pari në jetën time që më ka dëgjuar.  Mes materialeve të përgatitura për konkurs ishte edhe “ E kuqja dhe e zeza” të Stendal. Frymëzuar nga Gerard Philipe ( Zherar Filip) apo edhe imituar atë deri diku. Në monolog thuhej: Zonja De Renal ka qenë për mua si një nënë….. Profesori Mihal Luarasi më tha: Aty në komision është një grua flokë kuqe, shiko atë në sy dhe drejtoja asaj monologun…. Kuptohet unë si majmuni atë bëra. Ju drejtova aktores Drita Agolli, të cilën e kisha parë në skenë si te Hamleti. Mbi gërmadha dhe më ishte dukur shumë e bukur nga salla. Konkursin e fitova.

Në shkollë nuk më jepte mësim Mihal Luarasi, të cilin e komentonin si të ardhur nga Hungaria me një përgatitje shumë të mirë dhe i ndryshëm nga shkolla ruse siç kishin ardhur: Andrea Malo, Kujtim Spahivogli, Drita Agolli, Piro Mani, Esat Oktrova dhe Misto Zoto. Gjatë viteve shkollore Mihal Luarasi ishte petagog me shumë autoritet dhe regjisor ndër kryesorët në Teatrin Popullor. Është koha e shkëlqimit absolut e Esopit “ Dhelpra dhe rrushtë” pas suksesit me “ Intrigë e dashuri” . Ishte koha e artë e repertorit të Teatrit Popullor.Vetëm të hënën kishte pushim. Vepra të mëdhaja të dramaturgjisë botërore ngjiteshin në skenë gati çdo muaj! Në këto vite partnerja e Mihal Luarasit Edi Luarasi kishte një shkëlqim, si femër e çliruar me një ajër modernizmi dhe si aktore krejtësisht e veçantë. Ajo kishte role kryesore sa në teatër edhe në kinematografi.( Vitet e para dhe Ngadhnjim mbi vdekjen). Me sukses po shfaqej “ Shtëpia në bulevard” , aty Edi Luarasi kishte suksesin e radhës. Pas katër vitesh të shkollës, rastisi të isha në Korçë me filmin “ I teti në bronx”. Është koha që edhe Mihal Luarasin e lëvizën nga Tirana në Korçë. Ardhja e tij koinçidoi me dënimin e Orgockës, sepse i burgosën të vëllain, inxhinier, i martuar me polake. Dhimitër Orgockën e çuan punëtor për riedukim. Në këtë kohë për të zëvendësuar Orgockën Mihali më kërkon mua për Teatrin e Korçës me që ndodhesha nëpër këmbë me xhirimet e filmit. Për këtë qëllim nisi në Ministri Leonidha Shkodranin, drejtorin e Teatrit. Para pallatit të Kulturës u bë përcjellja e Nidha Shkodranit, ja dhamë dorën njëri tjetrit kur ma dha dorën Mihallaqi ( kish zakon ta fuste gishtin e mesit në shputë.) gjatë shtërngimit të dorës. E bëri këtë xhest me mua! Më pas e mora vesh se hera e parë që xhesti e kishte kuptimin. E hëngre ka dashur të thoshte Luarasi. Leonidha Shkodrani po nisej me mision për të më tërhequr në Teatrin e Korçës. Kishte kërkuar në Ministri me argumentin se ky Mevlani na duhet për skenë se na iku Orgocka, kështu që na duhet aktori hero ( argument kishin rolin e diplomës sime Pedro nga Pushkët e Nënës Karrar dhe në këto çaste Ibrahim Kovaçi “ I teti në bronx” ) Leonidha Shkodranit nuk i ndezi për mua, pasi në atë vit ishte shumë i rëndësishëm Televizioni Shqiptar që më kishte emëruar regjisor!

 Po fillonte një ndryshim i madh

Shqipëria do kishte televizion! Më vonë jeta e solli që regjisori i shquar Mihal Luarasi të dënohej për agjitacion – propagandë. Moda e shtërnguar ishte që familjet shkatërroheshin internoheshin, divorcoheshin, burgoseshin. Aktorja e bukur e famshme Edi Luarasi nuk bëri asnjë nga këto çmenduri. Zgjodhi të ikte nga Teatri Popullor dhe të punonte punëtore në rrobaqepësi ( NPV) që ndodhej në fund të rrugës “M. Shyri, po kaloja aty se diku pranë kisha shtëpinë. Rastisa Edi Luarasin, biseduam dhe e pyeta: Me çfarë merresh?- Punoj si rrobaqepëse dhe konkretisht jam duke qepur benevreket e ushtarëve!…. Filmat e saj ishin bllokuar. Edi nuk zgjodhi divorcin. Zgjodhi familjen! Pas viteve të burgut Regjisori i Madh Mihal Luarasin e takova në Pallatin e Pionierit ,hipur në një shkallë bojaxhiu me kapele gazete që sajonin bojaxhinjtë! U përshëndetëm këtë herë nuk e përdori “ humorin e tij” që në ndarje të përdorte gishtin në shputë të dorës. Pas disa vitesh filmi “ Fletë të bardha” me skenar të Natashës dhe regjinë time, solli shqetësime në administratën e kohës. Pati reagime ,kërcënime dhe në këtë kohë më erdhi një letër nëndorë përmes djalit që ishte në shkollën Fan Noli. Një nxënës i panjohur i kishte dhënë një letër me shkrim nga Mihal Luarasi.

Letra ishte si një ilaç, ku na përgëzonte për filmin, na jepte kurajo duke theksuar se na ndodhej pranë, pasi e kishte provuar atë gjendje të tmerrshme pas dramës” Njollat e murme” që u bë shkas për burgosjen e tij. Kjo letër inkurajuese për ne ato ditë ishte mbështetja më e madhe dhe mbetet si një ndër xhestet më fisnike. Mendoni një i dënuar, “një bojaxhi”, na jepte zemër me një kurajo të jashtëzakonshme për kohën. Jemi në qershor të 1990! Për fatin e gjithë shqiptarëve koha ndryshoi dhe në fillim fare të 1991 ja japim letrën mikes sonë Elsa Ballauri, që punonte në gazetën “ Zëri i Rinisë” për ta botuar. Letra humbi diku në redaksi pa u botuar. Nuk kishte fotokopje. Ne dorëzuam origjinalen. Vite më vonë Mihal Luarasi i stërvitur e kishte ruajtur kopjen e letrës dhe e botoi në librin e tij. Po xhiroja dokumentarin për Vangjush Furxhiun, e mora çiftin Luarasi në Korçë, për të rikujtuar “ Njollat e murme” që u hëngri kokën të treve. Kujtoj se risollën kujtime të dy me aq natyrshmëri duke plotësuar njëri tjetrin gati si një monedhë e njëjtë në të dy anët! Më 2021 u ndodha në Presidencë ku u dekorua Edi Luarasi me titullin “ Nderi i Kombit”. Ajo nuk mundej të ishte e pranishme pasi shëndeti ishte i rënduar. Mora fjalën në Presidencë. Për ta uruar Edi Luarasin duke thënë se edhe asgjë të mos kishte bërë ky emër i shquar, mjafton vetëm për xhestin e madh kur i burgosën Mihal Luarasin, e meritonte këtë vlerësim! Të dy kanë ikur! Po janë ikje që mbeten model! I lumtur që ndava me ju, njerëzoren e artistëve “ LUARASI”

Kush ishte Mihal Luarasi

Mihal Luarasi lindi më 16 shtator të vitit 1929 në KorçëShkollën e mesme e kreu në liceun artistik “Jordan Misja” në Tiranë, ndërsa studimet e larta në Akademinë e Arteve të Teatrit dhe Filmit në Budapest të Hungarisë. Në teatër për herë të parë si regjisor paraqitet me tragjedinë Shilerit “Intrigë dhe dashuri” në 1957 me shumë sukses në Teatrin Popullor, spektakël qe qëndroi në repertor shtatë vjet dhe u luajt më së 300 herë. Mihal Luarasi është njeri nga tre regjisoret e shquar të periudhës më të ndritur e cilësore të teatrit shqiptar në vitet 19571973 : Luarasi – Spahivogli – Mani. Për arsyet që dihen, në Teatrin Kombëtar Luarasi vuri pak pjesë, por ato u dalluan për cilësinë dhe nivelin e lartë artistik, si: “Dragoi i Dragobisë”, “Dhelpra dhe rrushtë” (fituese e te gjitha çmimeve te para në Festivalin e II-te kombëtar të teatrove), “Mosha e bardhë”, “Banorët e shkallës nr. 6”, “Rrugë të tërthorta”, “Një dashuri e tille”. Më 1966 ve për herë të parë në skenë në Teatrin Migjeni të Shkodrës dramën “Cuca e maleve”. Në 1973 vuri në skenë dramën e Tennessi Ëiliamsit “Orfeu zbret në ferr”, dramë që u ndalua në provat e përgjithshme. Është regjisor i dramës “Njolla te murrme” me trupën e Korçës me të cilën fitoi të gjitha çmimet e para në Festivalin e IV kombëtar të teatrit 1969. Pas tre ditësh spektaklin e pa diktatori Enver Hoxha dhe e dënoi si vepër armiqësore