Hyqmet Zane: Sot 27 qershori- “Dita e genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë”Përse kaq drama fatale për ccamët dhe Çamërinë?

449
Sigal

Do ta kujtojë politika 27 qershorin si ditë historike në kalendarin kombëtar ?

Përse kaq shumë drama fatale për çamët dhe Çamërinë ?

Nga Hyqmet Zane

Sa herë që afrohet ajo ditë e mallkuar e 27 qershorit, ajo që tashmë cilësohet kombëtarisht dhe zyrtarisht nga institucioni i Presidentit të Republikës, si “Dita e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë nga shovinizmi grek”, kam një trishtim të thellë. Është një trishtim shumëplanësh dhe që besoj se e ndjejnë veçanërisht mosha e tretë, që kanë lindur dhe kanë ardhur nga Çamëria duke përjetuar tmerret e një gjëme të madhe, si të një kasandre biblike.

Janë të thëna e të shkruara nga të gjithë ata që u bënë dëshmitarë pa dashje dhe pa pritur në atë tmerr pa fund. I kanë thënë dhe shkruar edhe historianët e kohës, dhe të pasmit. E kanë të fiksuar në kujtesë edhe komisionet mikse të ngritura, që dëgjuan dhe vlerësuan shkallën e një krimi kundër njeriut, ndaj një popullsie të pafajshme, të pambrojtur, të pakuptimtë, nga një bandë gjaksorësh të pashpirt e të papërmbajtur në krimet e tyre.

Të gjitha këto i morën vesh dhe u diskutuan edhe në mediume ndërkombëtare dhe më pas mbetën në heshtje dhe në një mosdëshirë për të ndëshkuar fajtorët deri në absurdin e pakuptimtë, a thua se të pafajshmit ishin fajësit, që duheshin ndëshkuar pa gjyq dhe pa drejtësi. Popullatës  i mbeti toka për stromë (dyshek) dhe qielli për papllomë (jorgan) dhe kujtimet më të hidhura për viktimat, shtëpitë dhe pasuritë që nuk i panë më. Një popullatë e tërë që e provoi mbi kurriz ligësinë dhe krimin grek të ndihmuar nga kisha greke dhe me miratimin e britanikëve progrekë, që nuk njohën drejtësi, edhe pse sot konsiderohen si të rëndësishëm për shqiptarët në vendimmarrje antishqitpare.

Pikërisht, pas asaj morie krimesh vrastare të rreth 3 mijë burrave dhe grave, pleq e fëmijë, djem dhe vajza, ndëshkimi vazhdoi edhe në Shqipëri, me ndarjen nga jeta të rreth 3 mijë të tjerëve, që sot i kemi kujtuar në memorialin e Kllogjrit si pasoja të luftës pas mbarimit të saj. Nuk di se ku ishte shkruar ky fat që ta lexonim e të kuptonim, se ku kishim gabuar, se asnjë gjykatë nuk ndëshkoi fajtorët, ndërkohë që ndëshkimi vazhdonte për ne, edhe në Shqipëri.

I përkushtuar për kauzën time të Çamërisë, pa pritur që të më tregojnë rrugën ata që pretendojnë se kanë merita për këtë kauzë, por që nuk kanë bërë gjë tjetër, veç kanë çmontuar vlerat e vërteta, kam investiguar, se dramat fatale për çamët dhe Çamërinë, vazhduan si në ritmin e së shkuarës. Me dashje apo pa dashje, dua të them se faktet janë kokëforte,  se pikërisht për këtë popullatë të sakrifikuar filloi një rivrasje tjetër. E para që e provoi këtë ishte një grua çame, që u dënua me vdekje nga komunistët. Sipas një shënimi të vërtetuar të studiuesit Kastriot Dervishi, “krejt pa asnjë akuzë pushkatohet Hanife Ramadan Karkuli, lindur në Pargë më 1902, banuese në Tiranë, nënë e një djali, u arrestua në dhjetor 1944, teksa ishte me banim të përkohshëm në Shkodër”. Tragjikja qëndron në sajesën mjeshtërore të një akuze . Akuzohej se kishte qenë “informatore e Qazim Mulletit”, duke bërë “mjaft shërbime” dhe “dhënë informata mbi veprimtarinë e njerëzve të lëvizjes nacionalçlirimtare”. Ajo ishte arrestuar disa orë në vitin 1943, kohë që pretendohej se kishte zhvilluar “aktivitet spiunazhi”. Por, ish sekretari i dytë i Prefekturës së Tiranës, Qemal Bimbashi, duke qenë i burgosur, lëshon deklaratë më 20.6.1945 ku thotë se në listën e informatorëve të kësaj prefekture nuk ka figuruar asnjëherë e përmendura”. Ishte vendimi i Gjykatës së Lartë Ushtarake e përbërë nga nënkolonel Gaqo Floqi, major Frederik Nosi dhe kapiten I Veledin Zeneli, duke pasur pranë prokurorin major Myftar Tare, që ekzekutuan çamen Hanife Ramadan Karkuli.

O Zot! përse kështu? Kaq shumë dënime si shprehje e urrejtjes klasore tanimë e nisur ndaj krahinave përtej kufirit. Më pas një pjestar nga familja e madhe e Dinejve, Mazar Dino, do të varej në rrapin e Delvinës, pas një gjykimi për nacionalizëm antigrek në fund të shtatorit 1945. Sipas pohimeve të bashkëvuajtësit Aqif Selimi, kur ka qenë në burgun e Gjirokastrës, më ka pohuar se çdo çam që vinte nga Çamëria pas 1945-ës, vritej me akuzën se  “kishtë bërë akte kriminale|”, pasi i kishin vrarë gjithë familjen !? Segmentet greke, bashkëpunimi me komunistët grekë, çoi deri në fatalitet vendimet antiçame si një zgjatjen e krimeve nga Greqia në Shqipëri.

Pa u mbushur muaji, më 15 tetor 1945, do të ishte një çam tjetër nga Shqefari i kazasë së Filatit, do të pushkatohej me vendim gjyqi Nr.282 të kësaj date të gjykatës së Gjirokastrës.  Ishte Tefik Qazim Hamiti i bugosur në Gjirokastër, që do të akuzohej sikur të ishte grek vetëm e vetëm pse ishte nga Çamëria dhe tha fjalë keqardhëse ndaj varjes së Mazar Dinos si një mbështetës antigrek, ndaj atyre që bënë masakrat çnjerëzore në Çamëri.

Alush Sejko do të ishte një figurë tjetër nga familjet e nderuara të Çamërisë që do të dënohej  me pushkatim më 1948, edhe pse kishte qenë internuar në kampet e Italisë si antifashist dhe një njeri i shkolluar dhe kuadër i shtetit. Ishin krime që bëheshin nga gjykatat dhe prokurorët shqiptarë ndaj shqiptarëve të Çamërisë, me akuza të montuara si një qefbërje e komunistëve shqiptarë ndaj qeverisë greke, si për “fqinjësi të mirë”.

Kush mund t’i harrojë internimet e çamëve që i internuan në Llozhan dhe Maliq më 1949, përse nuk pranuan të bëheshin mish për top për komunistët grekë se kështu donte qeveria e Tiranës. Mbaj mend këngën që doli në atë kohë, që ne çamët jemi shqiptarë dhe në luftë do shkojmë më flamurin shqiptar, dhe jo me atë grek. Nuk mjaftoi internimi grek në ishujt e Hio dhe Midilin më 1940 nga Greqia, por duhej edhe një internim tjetër nga Shqipëria.

Çfarë faji kishin bërë këta burra e gra, fëmijë dhe pleq, që një qeveri shqiptare të sillej kështu si në kohën e inkuzicionit ?

Edhe pse pa pasuritë që kishin, edhe pse pa shtëpi e katandi, por krenarë dhe me besim tek shteti shqiptar si shqiptar që ishin, komuniteti çam do të ndjehej i tradhëtuar kur iu hoq shtetësia greke pa dëshirën, pa dijeninë, në mënyrë të paligjshme më 1953. Ishte ky një krim shtetëror në mirëkupim me shtetin grek që në atë kohë kishte miratuar faljen me dekret dhe kjo heqje shtetësie e komunitetit çam, ishte me qëllimin e caktuar të moskthimit në trojet e veta legjitime.

Ka një shprehje që thuhet  “çfarë të të kujtoj moj hudhër, të qelburën apo të djegurën”. Tamam siç do ta thoja se çfarë i duhet kujtuar jetës së komunitetit çam në Shqipëri. Pas Konferencës së Tiranës më 1956, nisi një gjueti shtrigash edhe ndaj intelektualëve çamë si në rastin ndaj Vehip Demi dhe Taho Sejko, njerëz me kontribute në luftën antifashiste dhe në ndërtimin e vendit. Ishte ky prologu i asaj që do të ndodhte më 1960 me Hilmi Seitin që e helmuan pse nuk pranoi intrigën e Kadri Hazbiut me shokë dhe Enver Hoxha i dha fund jetës së tij në Shkodër.

Më pas, i ashtuquajturi “grupi i Teme Sejkos”, do të ishte kapaku i padrejtësive dhe pabesisë komuniste që i bënte një elite intelektuale të komunitetit çam, a thua se e kishin hak këtë poshtërsi që çoi në plumb 11 burra, po 11 të tjerë vdiqën në burgje dhe që dhe 1250 vite burg për 63 të arrestuar që në fund, sipas vetë Enver Hoxhës më 1983, rezultoi se ishte intrigë e Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut, sipas edhe pohimeve të Halim Xhelos, që ia kishte pohuar në burg Lutfi Sejkos.

Më pak se një vit pas ekzekutimit të të vëllait, Taho Sejko, do të pushkatohej pa gjyq, vetëm e vetëm pse nuk pranoi  të hante atë kabuninë e “ëmbël” të përgatitur nga sigurimi i shtetit me ideator Kadri Hazbiun dhe që nuk e lejuan të shkatërronte të gjitha planet e asaj sajese ogurzezë që u sajua si një mision grek përmes Kosta Filit që më pas i ka pohuar vete të kundërtat. Dhe si për ta plotësuar tërësisht kuadrin e vrasjeve të elittës çame, më 4 mars 1973 do të pushkatohej Sokol Sejko, i biri i Teme Sejkos dhe nëna e tij, Shpresa (bashkëshortja e Temes) do të hidhej nga lartësia e pallatit për t’i vënë kapakun vuajtjeve të familjes.

Dhe si të mos mjaftonin të gjitha këto, pluhuri i poshtërimit i hedhur në popull kundër çamëve, ishte një genocid më vete, që e provuan bijtë shqiptarë  të Çamërisë në tokën shqiptare nga udhëheqësit shqiptarë të ashtuquajtur popullorë. Ishte një mohim i të drejtave të njeriut që qarkullonte gojë më gojë, sa poeti kosovar Adem Istrefi, e ka përmbledhur të tërën në poezinë e tij “Çamërisë ç’i panë sitë” ku shkruan:

“Rri,o Zot,mos fol,

në bri të kaut s’u fshihka dhembja/ dhe as ndër kisha s’u shkruaka historia,/ mizori si kjo kujt tjetër i panë sitë,/ atje çam i ndyrë, këtej çam i djegur,/ vallë veten të bindnim se hak kishim

                                                mizorinë?!”.

Sa shumë urrejtje ka mbajtur mbi shpatullat e veta komuniteti çam si një plagë  që i dhembi aq shumë andej kufirit dhe mëndej kufirit, a thua se meritonin dramat fatale. Cila filozofi e ushtroi këtë të drejtë? Sa shumë urrejtje u rrënjos në shpirtin e një populli, sikur brenda nesh të ishin të instaluar grekë e serbë që na tjetërsuan shpirtin dhe na bënë viktima të kësaj urrejtjeje.

Epilogu do të ishte vrasja e fundit më 16 maj 1990 të Myfit Nexhipit nga policia shqiptare pa shkak, vetëm e vetëm pse ishte një protestues në heshtje, i padrejtësive ndaj popullit shqiptar dhe veçanërisht ndaj çamëve. Dhe si të mos mjaftonte e gjithë kjo, sot pas 30 -vjetësh, jemi në një udhëkryq të pashembullt të zgjidhjes së çamëve, ku u bënë bashkë antishqiptarët e Greqisë, antishqiptarët në Shqipëri, dritëshkurtësia dhe mosdashja e qëllimshme e qeverive të njëpasnjëshme shqiptare me emrin “demokraci” që të ndodhemi sot në një udhëkryq më shumë se një shekullor të pamerituar, të padrejtë, të parrëfyer dhe tërësisht flagrant si shkelje e të drejtave të njeriut për një popullatë që provoi tre genocide në 110- vjet.