Në shtëpinë time në fshat dy ishin bimët aromatike më të preferuara, borziloku dhe trëndafilët. Borziloku ishte preferencë e nënës, ndërsa trëndafilët të babait. Nuk kishte dritare shtëpie që nëna të mos kish vendour një vazo me borzilok.
Aroma e tij ishte dehëse, veçanërisht kur bimëzat çelnin lulet e tyre të vogla me ngjyrë të bardhë. Nëna këpuste degë borziloku, dhe pasi i thante në hije, i varte në murin e shtëpisë ose i fuste në sëndukun ku mbante rrobat e saj më të mira.
Shpesh borziloku njihej me dy emra në anët tona. Atë e thërrisnin borzilok, por edhe vasiliko. Mesa duket fjala vasiliko duhet të ishte e huazuar nga greqishtja. Më kujtohen si sot vetëm tri vargje të një kënge që shpesh e këndonte edhe nëna ime.
Vajta një ditë nga kroi.
Ish rritur vasilikoi.
O lanet kush ta tregoi!
Metaforë e goditur, kur mendon se vasilikoi apo borziloku personifikonte një vajzë të re, që ishte rritur e trupi i saj i brishtë binte aromë borziloku, aromë që i kish rënë në kokë ndonjë shejtan djali, i cili kish rënë në dashuri me të dhe priste ta takonte te kroi i fshatit.
Aroma e kësaj bime ishte deodoranti më i mirë me të cilin u rritëm edhe ne fëmijët. Sa herë shikoj saksi me borzilok kam dëshirë të afrohem për të përjetuar aromën e tij të mrekullueshme. Nuk e harroj kurrë tim atë, që shpesh këpuste një gjethe të vogël borziloku, të cilën e paloste dhe e fuste pjesërisht në një nga vrimat e hundës. Donte, që në çdo frymëmarrje, ajrin ta përzjente me aromën e pakrahasueshme të kësaj bime.
Aroma e borzilokut gjithmonë është konsideruar e shenjtë. Dikur kurorat me borzilok ishin simbol i paqes, harmonisë e lumturisë. Indianët mendonin se aroma e borzilokut ishte një mbrojtje hyjnore, ndaj e vendosnin borzilokun në gjoksin e të vdekurit për të larguar shpirtërat e këqij.
Kur nëna ime ndroi jetë, unë bëra një tufë të madhe me borzilok të freskët dhe e vendosa në gjirin e saj. Nuk kisha dëgjuar kurrë më parë se ky rit ishte indian. Unë thjesht e bëra se borziloku kish qenë bima e shenjtë për nënën time.
Për ne që e kaluam fëmijërinë mes natyrës së virgjër, nuk ishte e vështirë që me sy të mbyllur të dallonin dhjetra bimë vetëm nga aroma e tyre. Si mund të mos dallonim aromën e luleve të shtogut, kulprit, bajameve, ftoit, kumbullave, trëndelinës, manushaqeve, trëndafilit të egër e atij të kultivuar, e sa e sa bimëve të tjera?
Të gjitha lulet kanë aromat e tyre, por trëndafili është një mbret i bimëve aromatike. Trëndafilët ishin pjesë e bimëve të oborrit të shtëpisë sime. Babi më kish treguar që kalemat e tyre i kish marrë në oborrin e teqesë së fshatit dhe i quante të shenjtë. Ai kujdesej në mënyrë të veçantë për ta. Ai i plehëronte, i krasiste dhe i ujiste vazhdimisht. Kur çelnin trëndafilat në pranverë, oborri mbushej plot ngjyra e aromë. Kur kalonin fëmijë të lagjes para portës së shtëpisë, babai dhe nëna u dhuronin nga një trëndafil.
Në periudhën e pikut, babai mblidhte petalet e trëndafilave dhe i thante mbi një çarçaf të bardhë. Pas tharjes i ruante në një çantë bezeje dhe herë pas here përgatiste lëng trëndafili që e ruante në shishe të mbyllura. Sapo kaloje gllenjkën e parë, dukej sikur gjithë trupi aromatizohej me aromën e trëndafilit.
Vite më vonë kam lexuar se shurupi i petaleve të trëndafilit është përgatitur nga njerëzimi më shumë se një mijë vite më parë. Ai është një tonik shumë i fortë dhe ka efekte të shumta mirëbërese për të qetësur organizmin nga stresi.
Kur unë fillova punën si pedagog, vizitoja shpesh Kopshtin Botanik të Tiranës. Aty ishte një parcelë e veçantë për kultivimin e varieteteve të ndryshme të trëndafilave. Në prill e maj parcela mbushej plot ngjyra e aroma trëndafilash. Ishte një parajsë e vogël që të linte pa mend.
Një nga punonjësit pasionantë të kopshtit në atë kohë ishte Halil Bejkua, me origjinë nga Skrapari. Veç punëve të tjera për pasurimin e kopshtit me bimë të egra, ai kujdesej edhe për trëndafilat. Pasioni i tij për këto bimë ishte mbresëlënës. Kur këpuste një gonxhe trëndafili i dukej sikur këpuste ndonjë copëz nga trupi i vet.
I kisha shpjeguar Halilit jo pa mburrje për pasionin e tim eti për trëndafilat në fshatin tonë të lindjes. Nuk i kërkoja kurrë të më falte trëndafila, por ai e kishte kuptuar që për mua një tufë trëndafilash ishte një dhuratë më e shtrenjtë se çdo dhuratë tjetër. Nuk kishte nevojë t’i kërkoja. Halili merrte gërshërët dhe me shumë delikatesë priste kërcejtë e gjatë me gonxhe të sapoçelur, i pastronte nga gjëmbat dhe m’i falte me shumë kënaqësi. Tufat ishin aq të bukura sa nuk mund të përshkruhet.
Një ditë i thashë Halilit që në vjeshtë kur bënte krasitjen të më falte disa kalema nga kërcejtë që hidhte poshtë. Doja t’ia çoja babait si dhuratë në fshat. E dija që kjo do të ishte një nga dhuratat më të mira për të dhe do ndihej shumë i gëzuar.
Dhe kështu ndodhi. Në një nga vjeshtët e atyre viteve shkova në Kopshtin Botanik dhe Halili më përzgjodhi varietetet më të mira jo vetëm për cilësitë dekorative, por edhe për aromat. Kisha shumë dëshirë që oborri i shtëpisë sime në fshat të ishte si një copëz e vogël e Kopshtit Botanik të Tiranës.
Babai u gëzua shumë. Shkuli disa nga trëndafilat ekzistues dhe i mbolli kalemat në të dy anët e rrugës, që çonte deri te shkallët e shtëpisë. Kur trëndafilat e rinj u rritën e lulëzuan, babai u gëzua shumë. Ai u besonte fjalëve të mia, por kur pa ngjyrat e petaleve dhe aromat e trëndafilave të mbjellë rishtas, e kuptoi se fantazia e tij nuk kish mbërritur deri aty. Oborri i shtëpisë u përflak dhe u bë më i qeshur nga kaq shumë ngjyra.
Të gjithë kalimtarët dhe ata që vizitonin shtëpinë, gjëja e parë që bënin ishte të shikonin trëndafilat e çelur. Edhe po mos të donin, kalimtarët do e kthenin kokën kur ndjenin aromat edhe përtej gardhit të oborrit. Komshinjtë u bënë kurioz dhe morën kalema për t’i mbjellë në shtëpitë e tyre. Babi u tregonte gjithë kuriozitet miqve të tij për një kopsht në Tiranë ku ishin “gjithë lulet e bimët e botës”. E kështu, një pjesëz e vogël e Kopshtit Botanik të Tiranës kishte mbritur sadopak edhe në shtëpitë e fshatit tim të largët.
Unë nuk besoj se në krahinën tonë mund të kishte trëndafilë më të bukur se ata të shtëpisë sonë. I kam parë me shumë vemendje edhe trëndafilat e Përmetit, që i kanë dhënë identitet këtij qyteti. E megjithatë, varietete trëndafilash si ata që u rritën nga duart e tim eti në oborrin e shtëpisë sime nuk gjendeshin askund.
Tani shtëpia në fshatin e lindjes jeton vetëm nën peshën e dhimbjes së ikjes sonë. Të parët tanë thoshin se shtëpinë e mban fryma e njeriut. Rikthehemi rrallë atje ku lindëm, atje ku përplasëm për herë të parë gishtat e këmbëve në gurët e sertë, dhe lënduam gishtat e duarve me gjembat e trëndafilëve.
E megjithatë, trëndafilët kanë mbetur atje për të mbijetuar pa kujdesin e dashurinë e dikurshme. Ndaj sot, kush më fal një trëndafil, më fal botën dhe më kthen fëmijërinë e dikurshme në fshatin tim të largët, në Turan të Tepelenës.