Ergys Alushi: Kur Elez Biberajt i bëhej atentat, më 1991

752
Sigal

Në edicionin e lajmeve të fundit të Televizionit shqiptar, të datës 18 shtator 1991, u dha dhe një lajm për një aksident rrugor që kishte ndodhur 4-5 km pa arritur në fushë – Krujë. Lajmi fliste për përplasjen e dy makinave, njëra prej të cilave ishte makina e gazetës “Bashkimi”, Fiat TR 05 680. Lajmi do të kishte kaluar si një lajm i zakonshëm aksidenti nëse nuk do të kishte shkaktuar reagimin e menjëhershëm të gazetarëve Qemal Sakajeva dhe Mehmet Elezi.

Por çfarë kishte ndodhur?

Në shkrimin me titull “Atentat kriminal si në filmat me mafia” dy gazetarët do të deklaroheshin se ajo që kishte ndodhur nuk ishte një përplasje nga pakujdesia e dy makinave por një atentat i mirëfilltë ndaj gazetarit të njohur amerikan me origjinë shqiptare, Elez Biberaj.
“Për hir të së vërtetës, si intelektualë e si gazetarë, e ndjejmë për detyrë të pohojmë se makina jonë e drejtuar nga shoferi përherë i kujdesshëm Astrit Alimehmeti, nuk është përplasur me asnjë automjet tjetër. Përkundrazi një makinë mafioze erdhi e na goditi për vdekje me një profesionalizëm që e kemi parë vetëm në filmat policorë”


Kështu fillonte shkrimi me të cilët dy autorët, të mbetur të plagosur në ngjarje, kërkonin të sqaronin opinionin publik e të hidhnin dritë mbi të vërtetën e asaj çfarë kishte ndodhur.

Qëllimi i udhëtimit për në Krujë

Gazetari i njohur amerikan me origjinë shqiptare, shef i seksionit shqiptar në “Zërin e Amerikës”, i kishte telefonuar nga hotel “Dajti” kryeredaktorit të gazetës “Bashkimi” Qemal Sakajeva, duke i kërkuar, nëse ishte e mundur që të pinin një kafe. Në kafen e përbashkët në të cilën ishte dhe shefi i sektorit të jashtëm në gazetë Mehmet Elezi, gazetari Biberaj kishte shprehur dëshirën se donte të vizitonte Krujën dhe muzeun e Skënderbeut. Ranë dakord dhe u nisën rreth orës 12 të datës 18 shtator për në Krujë. Makina eci ngadalë gjatë gjithë rrugës, pasi Biberaj dhe bashkëshortja e tij ishin të interesuar të dinin mbi çdo godinë që shikonin në të dyja anët e rrugës.

Si ndodhi ngjarja

“4-5 km pa arritur në Fushë – Krujë, në vendin më të rrezikshëm të kësaj rruge fushore të cilën e zgjodhën kriminelët, ndodhi tragjedia brenda fare pak sekondash. Makina jonë ndodhej në krahun e vet, duke pasur rezervë edhe një metër distancë. Krahu tjetër i kësaj rruge të gjerë ishte krejt i lirë, asnjë automjet as nuk shkonte e as nuk vinte. Vetëm një veturë – hije na u shpif në çast nga pas, doli në krah krejt ngjitur me veturën tonë duke na sulmuar.”

Përshkrimin e asaj çfarë ndodhi në rrugë, Sakajeva e Elezi e vazhdojnë duke treguar se shoferi i gazetës “Bashkimi” i ishte shmangur sulmit të makinës tjetër, duke shfrytëzuar edhe rezervën prej një metra që kishte me anën e rrugës.

“Zonja Biberaj pëshpëriti tërë ankth: “shpëtuam!”. Por u gënjye. Vetura – hije ngjyrë mente fare e çelur pa targë, me shoferin dhe një person tjetër iu sul për së dyti, duke e goditur mes dritës së majtë dhe derës së shoferit me një saktësi prej mjeshtëri të specializuar për mënyra të tilla. Kaq mjaftoi dhe makina jonë të fillojë rrokullisjen me salto”

Pas disa saltosh makina përfundoi në fund të kanalit me ujë. Plani ndoshta kishte qenë që njerëzit në makinë ose të vdisnin ose të pësonin dëmtime të shumta, të rrezikuar dhe nga mbetja në fundin e kanalit duke mos pasur mundësi fizike që të dilnin nga makina.

“Objekti kryesor i sulmit ishte zoti Biberaj me synimin që të vritej. Nëse jo, me gjymtime, t’i thuhej se këtë meriton për intervistat në “Zërin e Amerikës”. Nëse edhe kjo jo, vetëm me tmerrin e aksidentit t’u thuhet atij dhe shqiptarëve të tjerë që regjimi monist i ka etiketuar armiq, ‘ejani në Shqipëri, po kështu do ta pësoni!’. Ky është një aksident i qëllimshëm kriminal, që bën krim ndaj njeriut dhe demokracisë. Ai synon të godasë edhe marrëdhëniet shqiptaro-amerikane pas zhvillimit të proceseve demokratike në Shqipëri.”

Të aksidentuarit u transportuan për në urgjencën e Spitalit nr.2 të Tiranës. Në spital, do të vinin me shpejtësi kryetari i PD, Sali Berisha dhe numri dy i misionit diplomatik në Shqipëri i Ambasadës Amerikane diplomati Christopher Hill. Pak më vonë një helikopter special do ta transportonte Biberajn për kurim në një spital të Gjermanisë.

Protesta e Bashkimit të Gazetarëve të Shqipërisë

Një ditë pas ngjarjes, Bashkimi i Gazetarëve të Shqipërisë do të reagonte në një deklaratë për shtyp të botuar në gazetën “Bashkimi”. Ndër të tjera në deklaratë “Shtrohet pyetja: Kujt i interesojnë “incidente” të tilla? Pse lejohet qarkullimi i makinave të paidentifikuara?… Bashkimi i Gazetarëve të Shqipërisë proteston energjikisht për këtë akt barbar kundër punonjësve të shtypit, që, në të vërtet është një goditje kundër zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Kjo organizatë kërkon deri nga organet më të larta që të gjenden e të vihen para përgjegjësisë fajtorët e këtij veprimi kriminal”

Komunikata zyrtare fsheh të vërtetën!

Në një tjetër reagim publik, të botuar po në gazetën “Bashkimi” të datës 21 shtator, dy gazetarët Qemal Sakajeva dhe Mejmet Elezi, deklarohen ndër të tjera dhe kundër formulimit të komunikatës së përpiluar nga policia në lidhje me ngjarjen. Televizioni shqiptar kishte ndërprerë një bisedë në studio për të dhënë këtë njoftim si një “edizione straordinaria”, praktikë e re kjo në atë kohë në TV.

“Nuk kemi akuzuar dhe as kemi dëshirë të akuzojmë askënd, pa pasur fakte. Por fshehja e rrethanave dhe minimizimi i tej mase i tyre në TV nga përfaqësues zyrtarë, zor se bien erë të mirë. Dhe kur kjo ndodh me gazetarët, përfaqësues të opinionit publik, nuk e dimë ç’mund të thuash për të tjerët. Kur shikon ditën për diell se si në TV fshihen rrethanat dhe ngjyrat e vërteta të tragjedisë, atëherë gjithkujt i lind e drejta morale, të dyshojë dhe në vërtetësinë e fajtorit që u ofrua në ekran. Edhe një naiv e di që, po të jetë nevoja, një alibi si kjo është nga më të thjeshtat e ordineret për t’u realizuar”

Kush është Elez Biberaj

Ai u lind më 15 nëntor 1952, në një fshat të banuar me shqiptarë në Plavë të Malit të Zi. Në vitin 1968 bashkë me familjen e tij do të emigrojë fillimisht në Itali e më pas në Amerikë. Në dhjetor të vitit 1980 do të fillojë punë si gazetar në radion “Zëri i Amerikës”, në redaksinë e gjuhës shqipe. Në vitin 2004 emërohet redaktor përgjegjës për redaksitë në gjuhët evropiane.

Radio “Zëri i Amerikës” ishte e vetmja media e rëndësishme ndërkombëtare, që mbuloi nga afër lëvizjen demokratike studentore në kapërcim të viteve 1990-1991, dhe ndikoi në rrjedhën e ngjarjeve me një mori lajmesh dhe intervistash me protagonistët e zhvillimeve. Për punën e tij në “Zëri i Amerikës”, historiani dhe gazetari shqiptaro-amerikan është shprehur:

“Unë fillova punë në “Zërin e Amerikës” në dhjetor të vitit 1980, në një kohë kur shqiptarët jetonin nën regjimet shtypëse komuniste dhe kur kontaktet midis shqiptarëve dhe amerikanëve pothuajse nuk ekzistonin. Shumë shqiptarë, në atë kohë, e shikonin “Zërin e Amerikës” si të vetmen dritare shprese. Kolegët e mi dhe unë u angazhuam me gjithë shpirt për përmbushjen e misionit të “Zërit të Amerikës”:

  • T’u tregonim dëgjuesve të vërtetën rreth shoqërisë së tyre dhe zhvillimeve në botë; të nxisnim respektin për të drejtat e njeriut;
  • Të përhapnim lirinë dhe demokracinë;
  • Të nxisnim interesat amerikane në Ballkan;
  • Të fuqizonin miqësinë tradicionale midis shqiptarëve dhe amerikanëve.”

“4-5 km pa arritur në Fushë – Krujë, në vendin më të rrezikshëm të kësaj rruge fushore, të cilën e zgjodhën kriminelët, ndodhi tragjedia brenda fare pak sekondash. Makina jonë ndodhej në krahun e vet, duke pasur rezervë edhe një metër distancë. Krahu tjetër i kësaj rruge të gjerë ishte krejt i lirë, asnjë automjet as nuk shkonte e as nuk vinte. Vetëm një veturë – hije na u shpif në çast nga pas, doli në krah krejt ngjitur me veturën tonë duke na sulmuar”