Analiza/ Agustin Gjinaj: Në spitale dhe gjykata mos rraftë as hasmi!

227
Sigal

Thuajse asnjëherë korrupsioni në mjekësi nuk është denoncuar e as dënuar nga kolektivat spitalore, që do të thotë se atje bakshishi vlerësohet si një veprim jo i dënueshëm

Hall i madh është të kesh punë në gjykata, dogana apo në spitale

  • Masat e marra pothuajse çdo dy tre vjet për “reformën në mjekësi” nuk kanë arritur akoma t’i japin një formë të plotë sistemit tonë shëndetësor
  • – Në mjaft raste mjekët nuk kërkojnë asgjë, por klima e krijuar aty i “detyron” pacientët të paguajnë megjithëse ka edhe raste që pacienti “nuk preket me dorë”
  • – Thuajse asnjëherë korrupsioni në mjekësi nuk është denoncuar e as dënuar nga kolektivat spitalore, që do të thotë se atje bakshishi vlerësohet si një veprim jo i dënueshëm.
  • -Njerëzit e kësaj fushe të kujtojnë fjalët e kaherëshme të një plaku nga një fshat i Vlorës, që u drejtohej disa të rinjve: “djema mos shkoni me gratë ditën se u del turpi e shkojnë me të tjerë”.
  • – Kohë më parë një mjek deklaroi ne TV se, “ne marrim bakshish, që në një farë mënyre kompensojmë rrogën, por nëse pacientët nuk do të jepnin më asnjë lloj bakshishi, nuk do të ngelte asnjë mjek në spital”.

Agustin Gjinaj

 Masat e marra pothuajse çdo dy tre vjet për “reformën në mjekësi” nuk kanë arritur akoma t’i japin një formë të plotë sistemit tonë shëndetësor. Sistemi shëndetësor kritikohet për pagat e ulta të mjekëve, mos pagesat jashtë orarit, mungesën e kujdesit shëndetësor për pacientët e dalë nga spitali, mungesën e infermiereve për pacientët në shtëpi, GDP e ulët, mortalitetin e lartë në moshat 0-5 vjeç, për mungesën e medikamenteve e materialeve të mjekimit, për mangësi të realizimit të testeve diagnostike të kategorive të ndryshme, etj etj. Reformat nuk kanë qenë të plota e shpesh kanë tentuar për të “riparuar” probleme emergjente se sa të zgjidhin probleme afatgjata.

Krahas arritjeve ka edhe denoncime për vjedhje e shpërdorime me shifra prej miliona eurosh nga

keqshpërndarja e keqmenaxhimi i milionave nga buxheti i shtetit. Problem mbetet edhe korrupsioni i personelit, që figurën e mjekut e penalizon pacienti. Me të drejtë njerëzit thonë se “Hall i madh është të kesh punë në gjykata, dogana apo në spitale”, pasi aty personeli  duhet “vajisur” që të jetë më i angazhuar, apo aq sa duhet në shërbim të popullit.

Në mjaft raste mjekët nuk kërkojnë asgjë, por klima e krijuar aty i “detyron” pacientët të paguajnë megjithëse ka edhe raste që pacienti “nuk preket me dorë”, nëse nuk ka paguar tarifën e kërkuar. Thuajse asnjëherë korrupsioni në mjekësi nuk është denoncuar e as dënuar nga kolektivat spitalore, që do të thotë se atje bakshishi vlerësohet si një veprim jo i dënueshëm. Njerëzit e kësaj fushe të kujtojnë fjalët e kaherëshme të një plaku nga një fshat i Vlorës, që u drejtohej disa të rinjve: “djema mos shkoni me gratë ditën se u del turpi e shkojnë me të tjerë”.

Edhe në mjekësi “ka dalë turpi”, marrin bakshish ditën e natën. Dorëzimi i parave është i vetmi çast kur kapadaillëku i mjekut ashtu si morali i tij janë për tokë. Ai duhet të bëjë sikur nuk e ka mendjen që pacienti apo familjari i tij i la diçka në tavolinë, ja futi në xhep apo nën tastierën e kompjuterit, duke plotësuar edhe si veprim atë që ashtu si edhe fjala “bakshish” janë një huazim nga administrata otomane.

Rastet kur mjekët refuzojnë të marrin bakshishin janë tepër të rralla.

Kohë më parë një mjek deklaroi ne TV se, “ne marrim bakshish, që në një farë mënyre kompensojmë rrogën, por nëse pacientët nuk do të jepnin më asnjë lloj bakshishi, nuk do të ngelte asnjë mjek në spital”. Sipas tij, duhet legjitimuar bakshishi, por ai nuk tha se si duhet të veprojnë mësuesit, policët, ushtarakët, që shkojnë në luftëra në emër te atdheut, çfarë duhet të kërkojnë?

Ndryshe nga vendet Perëndimore, në Shqipëri disa mjekë të punësuar në sektorin publik, marrin para për kryerje operacionesh me mjetet e shtetit, në pavionet e sallat e operacionit të shtetit, me materialet e shtetit, që në fund të fundit i përkasin qytetarit që është pacient.

 

  1. Era e ndryshimit është tek të rinjtë e kualifikuar në perëndim

Ato që kisha dëgjuar për mjekësinë në vite, i pashë “live” gjatë këtij viti, kur isha “mik” në spital. Në një moment të vështirë që po kaloja te “Nënë Tereza”,  ndërsa duhej marrë një vendim se çdo të bëhej me mua në të ardhmen, mjeku i shërbimit më tha se “do mundohem mos të prezantoj me…nuk e mbaj mend se për cilin bëhej fjalë, se mbase ai të merr përsipër”.

Fjalët “a të merr përsipër” ishin si tekst i koduar, që unë nuk i kuptova. E pyeta doktorin, “nëse punon këtu djali i një shokut tim, Doktor A.., a do të mundej ai të bënte diçka për problemin tim”? “Patjetër që po”, më tha mjeku dhe iku.

Kishin kaluar diku te 20 minuta kur në dhomën time u shfaq një djalë i pjekur ose një burrë i ri.

  • -A më njihni kush jam?- më tha ai duke qeshur.
  • -Nuk ju njoh i thashë, por e marr me mend se kush mund të jeni.
  • -Unë jam doktor A…., djali i Gj. V, shokut e kolegut tënd të punës gjatë shumë viteve në Aviacion.
  • -Kjofsh me jetë i thashë pa ditur të gjejë një fjalë më të përshtatëshme.

-Ju falemnderit ma ktheu ai. Por unë kam ardhur këtu që të them se që sot e deri sa të shërohesh, unë do të jem edhe “djali” yt, ndaj mos u shqetëso për asgjë lidhur me sëmundjen. Dhe vazhdoi. E studiova gjëndjen tuaj shëndetësore, u konsultova edhe me mjekët e tjerë dhe do të zgjidhet në mënyrën më të mirë.

Dr. Altini jo vetëm kreu me sukses një operacion të vështirë, por gjatë gjithë kohës, që isha në spital më shoqëroi aty ku bëheshin vizita, analiza, mjekime, kontrolle, etj. Pas daljes nga spitali, në një rast që pata një shqetësim ai erdhi të më vizitonte në shtëpi. Ndërsa në ditën që duhej të paraqitesha në spital për heqjen e penjëve, kur unë e pyeta atë se “në cilën orë, duhet të vij te spitali”, pas një momenti heshtjeje nga telefoni matanë u dëgjua përsëri zëri energjik i doktorit:’ po si do vish ti në spital me gjëndjen që ke, me këtë trafik, me këtë situatë virale… e mirë, mirë, mos u shqetëso se po vij unë në shtëpi.

Erdhi në banesë për të kryer detyrën e infermierit si një njeri i madh,  më dhuroi  disa ilaçe që mund të përdoreshin në rast emergjence dhe një aparat për matjen e oksigjenit në gjak dhe pulsit.

Kur të kalojë pak kohë e ti do të bëhesh mirë, do ta harrosh edhe sëmundjen edhe peripecitë e saj, por me këtë pajisjen e vogël jo vetëm do kontrollosh të dhënat e duhura, por do më kujtosh mua. Dhe qeshi me të madhe teksa po më shtërngonte dorën për t’u larguar.

Në largim, familjarë të mij tentuan t’i japin atij diçka si shpërblim, por ai nga koridori u kthye në dhomën ku isha i shtrirë e më tha;”Nuk kam ardhur në shtëpinë tuaj për lekë”.

Nuk kisha fjalë për përgjigje…

Për fatin e të ardhmes së reformës në shëndetësi, por edhe të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, ka mjaft mjekë, që janë simbol i shërbimit sipas betimit të Hipokratit. Janë kryesisht mjekë të rinj që kanë studiuar në universitetet apo janë kualifikuar në vendet perëndimore. Vinë në Shqipëri me një mentalitet krejt tjetër, atë të shërbimit kundrejt pacientëve për pagesën që u jep atyre shteti.

Njëri prej tyre është edhe A… V…, një nga yjet e rinj të mjekësisë shqiptare, që ka studiuar në Universitetin e Mjekësisë në Padova. Pas specializimeve në Itali e në Londër, dy viteve punë në Guatemala, ai ka punuar edhe në Boston të SHBA e në vitin 2010 është rikthyer në Shqipëri.

Dr. Veshti, është anëtar i Shoqatës Evropiane të Kardiokirurgjisë dhe është pjesë e ekipeve ndërkombëtare të kardiokirurgëve, që kanë realizuar operacione në Afrikë, në Eritrea. Është e para pjesëmarrje nga një mjek shqiptar në një ngjarje të tillë, duke e rreshtuar emrin e vendit tonë, përkrah vendeve të Europës edhe në këtë nismë humanitare.

 

  1. Duke menduar për të ardhmen

Nevoja e një reformimi të thellë ndjehet sot edhe në fushën e politikës, në drejtësi në aparatin shtetëror etj, çka të bën të mendosh se nga mënyra si do të zgjidhen këto reforma, do t’i jepet përgjigje pyetjes “ a do të bëhet ky vend?”

Ky vend do të bëhet në radhë të parë nga ata që jetojnë në Shqipëri. Rënia demografike në Shqipëri që vijon që prej 3 dekadash ka bërë që popullsisë së Shqipërisë, sot i mungojnë rreth 1 milion e 200 mijë banorë. Shqipëria zë vendin e parë në Evropë për emigrimin masiv. Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale, ka konstatuar se “…rezulton se dëshirojnë të emigrojnë më shumë nga Shqipëria të punësuarit, personat me arsim të lartë dhe kualifikim të lartë. Ndërsa në fillimin e tranzicionit emigronin të papunët…”. Ka kërkesa për mjekë e profesionistë të shquar në vendet e zhvilluara, por është e sigurtë se nuk ka kërkesa për deputetë, doganierë, gjyqtarë,tatimorë e nëpunës administrate shqiptarë.

Kur mendoj se si duhet të mendojmë për të ardhmen e vendit, mendja më shkon te filmi amerikan “Shpëtoni ushtarin Rajan”i Steven Spielberg, që tregon historinë e një grupi ushtarësh nën drejtimin e kapitenit Xhon Miller të Tom Henks, janë urdhëruar të “shpëtojnë- largojnë” nga lufta ushtarin Rajan. Po pse ishte e domosdoshme të shpëtohej jeta e këtij ushtari për Amerikën? Ata që menduan për të nesërmen e dinin se, po të qëndronte Rajan në frontin e Normandisë, do të bënte të njëjtën gjë që bënë edhe tre vellëzërit e tij gjatë zbarkimit të trupave aleate. Ata ishin vrarë  për Amerikën, për Evropën, për lirinë.

Në finale të filmit, Rajani i plakur bën një vizitë në varrezat e Dëshmorëve i shoqëruar nga fëmijë e nipër e mbesa, të cilëve u thotë se, “ shpesh herë kam menduar se si do të mund t’ua shpërbleja atyre njerëzve që dhanë jetën për mua. Ajo që mendova unë se ishte nderim për ta ishte që të bëja një jetë të ndershme”.

Edhe ne duhet ti “shpëtojmë” ata që duan të qëndrojnë në këtë vend e t’i shërbejnë atij me devotshmëri, që preferojnë një jetë të ndershme. Duhet t’u hapet rruga intelektualëve të rinj në të gjitha fushat e të mënjanohet garda e vjetër e politikanëve, profesorave që kanë “kontribuar” për të mbajtur gjallë korrupsionin.

Reformat e marra nga qeveria duhet të jenë të plota pa lënë hapësira për keqinterpretime e mëdyshje në zbatimin e tyre. Kohët e fundit flitet me entuziazëm nga ana e qeverisë lidhur me propozimin për të lejuar mjekët të punojnë në spital jashtë orarit të punës e të paguhen nga të interesuarit. Në këtë rast qeveria bën sikur i plotëson mjekëve një kërkesë të kaherëshme e të drejtë, por nuk e bën këtë me buxhetin e shtetit dhe e “hedh” edhe këtë shërbim në kurriz të nevojtarëve, popullit, duke krijuar edhe një herë mundësi për forma të tjera korrupsioni.

Është në nderin dhe detyrën e shtetit e të qeverisë që mjekët të mirëtrajtohen, të paguhen me paga speciale, me bonuse për çdo orë e minute, që punojnë jashtë orarit, për çdo rast që natën apo në çdo kohë lënë familjet për t’u shpëtuar jetën atyre që janë në rrezik. Nëse nuk vihet dorë për zgjidhjen e problemit nga qeveria, atëhere marrëdhëniet mjek-pacient do të “prodhojnë” ashtu si deri më sot haraçin, bakshishin, ryshfetin, paranë nëndorazi, korrupsionin.