- -Si këndoi Dhimitër Varfi në Festivalin e Gjirokastrës 1968, këngën “Vajzë e Valëve” të Neço Mukos
- -Në vitet 1980 në Vlorë do këndonin për anëtarët e Byrosë Politike: Ata hanë, ne këndojmë se u shkon më mirë ushqimi më tha si me shaka Ishte Pranverë si tani, një pranverë e largët për moshën time. Papu Mimi, (emrin e kishte Dhimitër, por shkurt kështu i thërisnin) gjyshi im emrin e të cilit trashëgoja, sapo ishte kthyer nga peshkimi ku i kishte vajtur mbarë. Brezi rrethuar me Oktapodhe dhe çanta me copë doku e varrur në qafë ishte tej mase e fryrë nga peshqit. Nuk mjaftonin këto, por në krahun tjetër kishte varur një varg tjetër peshqish në madhësi të ndryshme në një filldispanjë të trashë. Ecte paksa i përkulur, dukej i lodhur nga rruga e gjatë dhe pesha e madhe që mbante. Ishin shumë kile, por fiziku i tij i bëshëm e kishte përballuar deri në mbritjen në shtëpi nga Armiridha, vend tutje nga Llamani ku e kishte si pikë të pëlqyeshme për peshkim. U hodha përpjet nga gëzimi kur e pashë ashtu të mbështjell me gjahun e tij të preferruar dhe me atë fytyrën ku i dallohej kënaqësia e shprehur edhe në buzëqeshjen e ëmbël që më dhuroi si gjyshi për nipin. Shkova me vrap ta ndihmoja, por më tha:-Lëri se ja mbërrita. Nona Amalia solli kazanin e madh ku gjyshi i zbrazi dhe mbetën akoma të tjerë sa solli edhe magjen ku gatuante brumin e bukës dhe i hodhi atje.-Uaaa , edhe anija e peshkimit, që vinte nganjëherë në Himarë nuk kapte kaq shumë – i thashë nga habia me të qeshur gjyshit. Çfarë s’kishte aty: Oktapodh mbi pesëmbëdhjetë të tillë të madhësive të ndryshme, një Rofjo i madh katër – pesë kile. Koce më shumë se një pëllëmbë të mëdha. Sargonj të shumtë, një gavet nga ato të ushtarve që e merrte për ushqim e kishte mbushur plot me të brendëshmet e Iriqave të detit dhe ca peshq guri, që gjyshi i pëlqente për t’i bërë supë. Nxori një kovë me ujë nga pusi, shplau fytyrën, kokën dhe qafën, u fshi dhe u ul në stolin e tij të preferuar. Mbushi llullën me duhan, ashtu qet e ndezi me eshk dhe ndërkohë nona i solli kafen. Unë përpija çdo lëvizje të tij me admirim sepse në ëndrrat e mia jo vetëm të asaj kohe ai ishte heroi im.Teksa u qetësova pak nga ajo mahnitje e të zënurit kaq shumë peshq sytë më vajtën tek carushat e gjyshit, kështu u thoshin opingave në Himarën e asaj kohe. Vura re se ato ishin hapur në të dy majat. Hodha vështrimin tek fytyra e tij dhe vura re se edhe ai po i shikonte e filloi t’i lëviste këmbët sa majtas , djathtas. Buzëqeshëm të dy.- Do t’i marrësh dhe do mi çosh tek usta Dhimitri, këpucari – më tha – ti rregulloj pak, m’u hapën rrugës tek vija.
-Po – I thashë dhe hop brofa në këmbë. Veshi nallanet dhe ndërkohë i tha nonës të më vinte me vete edhe një ohtapodh për t’ia çuar atij.
Unë dija ku ishte këpucaria, por nuk e njihja usta Dhimitrin pasi familja ime banonte në Vlorë prej gati 6 a 7 vitesh dhe kisha ikur nga Himara në moshën 6-vjeçare. Këpucaria ishte tek, këndi në qendër të piacës së Spiles aty ku sheshi ishte më i madh se pjesa tjetër e saj. Dera ishte e hapur dhe brenda ishte vetëm një njeri, i cili po ngulte ca thumba në një këpucë që e kishte në dorë. Nuk isha takuar më parë me të.
-Punë e mbarë. Ju jeni usta Dhimitri ? – i thashë.
-Po. Unë jam. – më tha. La punën u ngrit në këmbë dhe m’u afrua. Ishte një burrë i dobët me një fytyrë të rregullt, të bukur ku rezatonte mirësi.
– Më dërgoi papu Mimi Gjoka për të rregulluar carushat – dhe i lash në tavolinë. Më dha t’ju jap edhe këtë Ohtapodh.
Më vështroi , buzëqeshi dhe më tha:
– Dhimitri ka dërguar Dhimitrin tek Dhimitri.
-Poooo, – i thashë dhe unë i buzëqeshur nga kjo e shprehur që më bëri përshtypje. Më tha pastaj të sillesha rrotull dhe pas gjysmë ore të shkoja t’i merrja.
Kështu ndodhi takimi im i parë me Dhimitër Varfin. Ai mastora, këpucari do të bëhej më vonë një nga njerëzit më të shquar këngëtar i polifonisë Himariote e Shqiptare në përgjithësi, por edhe për të huajt që e dëgjuan dhe e vlerësuan atë zë të jashtzakonshëm. Dhe nuk vonoi shumë . Në Tetorin e atij viti, 1968 diku nga data gjashtë e në ditët në vijim u organizua për herë të parë në qytetin e Gjirokastrës Festivali Folklorik Kombëtar ku mori pjesë edhe grupi polifonik i Himarës më Dhimiter Varfin në krye. Grupi u paraqit me këngën “Vajzë e Valëve” të autorit pak të njohur në atë kohë Neço Mukos, ku marrës ishte Dhimitri duke u dhuruar spektatorëve të papriturën, të pabesueshmen, që me zërin magjik mbi atë skenë ngriti peshë ata qindra të pranishëm apo dëgjues të Radio Tiranës kudo ishin. Zërat e mrekullueshëm të grupit që mbanin iso shpërthyen si asnjëherë tjetër në këngë polifonike. Çfarë harmonizimi mes tyre, çfarë ritmi, çfarë shpirti futi në këngë ky grup virtuoz. Ishte një novacion që buronte nga thellësia e talentit të paimagjinueshëm të Dhimitër Varfit si këngëtar. Unë pata fatin së bashku me prindërit ta dëgjoja në Radio. Sa u emocionuam. Por emocioni më i madh ishte kur u ndanë çmimet dhe grupi polifonik i Himarës me Dhimitër Varfin në krye u vlerësuan me “Medaljen e Art” të Festivalit. Ishte një gëzim i madh, një krenari për Himarën pasi bijtë e saj memorizuan në kujtesën e Kombit një këngë të bukur, një këngë madhështore të pa shoqe, e cila u pasua më vonë nga të tjera këngë që kanë mbetur në kujtesën tonë si të përsosura në gjininë e tyre. Vokali i Dhimiter Varfit, qëndron në piedestalin e polifonisë shqiptare si ekzemplar i rrallë që mbush zemrat e të gjithë atyre që e dëgjojnë duke u mrekulluar me atë diksion, me atë timbrik të pakapshme si një titan që përcjell madhështi, që përcjell vlera të pa shoqe në rrugën e bukur të këngës polifonike. Më pas në moshën madhore më ka rënë rasti të takohesha shpesh sa herë shkoja me pushime në Himarë. Flisnim për artin në përgjithësi, flisnim edhe për këngën polifonike duke zënë në gojë edhe Neco Mukon, këtë simbol të artit dhe këngës jo vetëm Himariote. Më kujtohet njëherë diku nga mesi i viteve 80 të shekullit të kaluar kisha vajtur si Regjisor për të regjistruar një aktivitet në qytetin e Vlorës nga Televizioni Shqiptar. Në këtë aktivitet merrnin pjesë edhe 2-3 antarë të Byrosë Politike të KQPPSH. Pasi mbaroi aktiviteti u shtrua një drekë në “Hotel Turizmin” e Vlorës. Kishim marrë urdhër të rregjistronim fjalimin e njërit prej antarëve të Byros. Pasi mbaroi rregjistrimi, i gjithë ekipi ynë i Televizionit ishim në gjendje të lire, por pa u larguar nga vendi i punës pasi mund të pritej ndonjë urdhër nga lartë edhe për ndonjë tjetër regjistrim. Në hollin e hotelit ishin mbledhur këngëtar të Estradës, grupe polifonike të rrethit të Vlorës e mes tyre edhe grupi i Himarës si gjithmonë me Dhimitër Varfin në krye. U gëzova shumë që u takova jo vetëm me Himariotët e mi, por edhe me këngëtarët e Estradës së Vlorës pasi kisha vite që i njihja nga afër dhe ruaja respektin më të madh për ta. Në një moment u gjeta i vetëm me Dhimitër Varfin. E pyeta se çfarë këngë do të këndonin.
– Dhimitri i dashur – më tha – kemi tre këngë në program, por ata mund të kërkojnë edhe të tjera, ne gati jemi për këtë kemi ardhur të kënaqim oreksin e tyre. Ata hanë, ne këndojmë. U shkonë më mirë ushqimi kështu. – e tha si me shaka, i buzëqeshur, por kjo e thënë kishte një të vërtet ta pamohueshme brenda. Ashtu ndodhte rëndom në të gjithë Shqipërinë kur kishte festa sidomos përvjetor dhe ku merrnin pjesë edhe ndonjë nga ata të lartët e byros.
Në vitet e demokracisë të pas 1990 – ës, u nisa enkas në Himarë për t’i kërkuar t’i bëja një dokumentar televiziv për gjithë jetën e tij,’ por nuk e pranoi.
-Jo – më tha – është më mirë të mbeten këngët. Kam shumë brenga nga ajo kohë. Nuk dua t’i risjell më në mendje, le të mbeten në kujtesën time dhe familjarëve të mi.
-Po pikërisht këto do themi – i thashë – Çfarë ty të ka bërë mirë jeta dhe çfarë jo. Të siguroj që nuk do heqim asgjë nga çdo thuash. – Por këmbënguli në të tijën. Ishte e kot të vazhdoja më tej me këtë propozim. U thashë edhe dy miqve tanë të përbashkët Himariot të flisnin edhe njëherë, por jo, nuk e pranoi të memorizohej në film. Unë e dija dhe e ndjeja brengën e tij. Kishte mbajtur brënda vetes në gjithë vitet e diktaturës hallin e madh të ikjes së vëllait tej kufirit shqiptar diku në Australinë e largët. Ia zinin shpesh në gojë deri edhe tek fëmijët për shkollë të lart dhe më pas për të vuajtur edhe për punësim.
Dhimitri ishte mjaftë popullor, i urtë dhe me shumë miq. Me punën e tij, me zërin e tij me një disiplinë të pa shoqe ai bëri epokë në polifoninë shqiptare. Pushtetarët të detyruar nga talenti i tij i jashtzakonshëm i dhanë titullin “Artist I Merituar”. Ai mbeti njeri mbi të gjitha, ashtu i thjeshtë mes njerëzve të dashur që e rrethonin kudo ndodhej.
Këto mendoja të dashur miq ulur tek kafe Manolo ne Spile, pranë filxhanit të kafes me detin e qetë karshi dhe në të djathtën time jo shumë larg prej këtu me shtëpinë e këtij korifeu Himariot, që mbeti në panteonin e kulturës si meteor i rrallë i polifonisë Kombëtare.