Prekim brenda nesh çfaqjen e një të kundërte artificiale, që na sjell vetëm dëme, humbje kohe dhe energjish
-“Mendimi ndryshe” i nisur nga Grupi, evoluoi në padi gjyqësore ndaj Organizatës sonë për t’u gjykuar në seancën e 12 dhjetorit.
– Toni euforik-kapardisës: “Në Gjyqin e afërt do t’jua rregullojmë qejfin, do të dalë se kush jeni!” është jo miqësor!
Nga Prof. Dr. Hulusi Hako-kryetar i Organizatës së veteranëve
1.Gjatë këtij viti, i nderuar lexues, pas përjetimit të dhimbjes së ndarjes nga jeta e të dashurit tonë Odhise Porodini, na u qep një hije absurde e paradoksale. Prekëm brenda nesh çfaqjen e një të kundërte artificiale, që na solli vetëm dëme, humbje kohe dhe energjish. Për më tej, mbas një procesi përpëlitjesh të atij grupi të pakënaqurish, tani ndodhemi në prag të një të papriture dhe të papandehure, krejt të paprecedent dhe fare e padenjë për natyrën dhe misionin e Organizatës sonë. “Mendimi ndryshe” i nisur nga Grupi, evoluoi në padi gjyqësore ndaj Organizatës sonë për t’u gjykuar në seancën e 12 dhjetorit.
I shfaqur fillimisht, si divergim etiko-organizativ, si zë i mekur e me veprime spontane arbitrare, dhe pas mjaft përpëlitjesh pa sukses për realizim qëllimesh të mbrapshta, ai u formatua si një mutacion social, fyerje, presion e dhunë fizike brenda në zyrë; arriti të shpalosë edhe “shpatën e Damokleut”, derisa më në fund, paradoksalisht iu drejtua edhe Ligjit për ndihmë, për zgjidhjen e atij lëmshi organizativ dhe etik, që kaq ethshëm e krijoi vetë. Me krejt mendimet dhe qëndrimet e tij, Grupi shpejt u shkëput duke dalë më vete si drejtues qëndror i Organizatës, me veprime që s’u pinë ujë. Më së paku, Grupi, të menduarit e ka patur sipas skemës metafizike “bardh a zi”, që do të thotë: o të dua marrëzisht, o të urrej tmerrësisht; e rënduar kjo skemë edhe me ligësi e keqdashje, arrogancë, presion, inat dhe përdorim të çdo mjeti për të realizuar qëllime dhe objektiva, që i kujtonin si “të “vërteta të instancës së fundit”, për t’u zbatuar pa një pa dy, dhe që pjesa e shëndoshë e Organizatës i zbrapste pa ceremoni. Kështu, pasi nuk po u shkonte e tyrja, jo vetëm nuk reflektonin, po e frynë dhe e agravuan konfliktin deri në përdorimin e dhunës fizike. Dhe tani, fare pa sy e faqe, kërkojnë dhe ndihmën e Ligjit, si mjetin final pretendues për kapriçiot e tyre. Ndërsa bota mezi pret të dëgjojë urimin për afrimin e Vitit të Ri, ne të Organizatës morëm një Fletë-thirrje si të paditur për një çështje civile. Zërat dhe fjalët e çakërdisura janë shoqëruar edhe me tonin euforik-kapardisës: “Në Gjyqin e afërt do t’jua rregullojmë qejfin, do të dalë se kush jeni!” Kjo vranësirë, që vinte duke u dendësuar, pati dhe të mirën e vet, atë të nxitjes së sedrës sonë mbi misionin për të cilin Organizatën tonë e lindi historia. Ndërsa Grupi i revoltuar, përpiqej lart e poshtë, me fjalë të tërhiqte e bënte me vete ithtarë, ne me veprimtari masive, krijuese, atdhetare, vazhdonim sipas Statutit dhe traditës.
Por precipitimi në këtë farë feje i shfaqjes së “mendimit ndryshe”, ngritja e zërit nga Grupi deri në kupën e qiellit, bën imperative edhe dëgjimin e palës së paditur. Me këtë reagim, plotësojmë kështu, paksa edhe replikat tona të munguara ndaj shkrimeve të shumta, kaq të paprincipta, bajate e banale, deri ordinere sa të ngjethnin mishtë të konstatoje se sa poshtë bie kjo mendja njerëzore, dhurata më e mrekullueshme, e denjë për arritje madhështore dhe komunikim e rrezatim mirësie e harmonie. Po shprehemi se këtë lloj veshje të mediokritetit mendor dhe ligësisë shpirtërore me vellon e ligjit, nuk e shohim si mënyrë e mjet të gjetjes së të vërtetës, mbasi mungon vërtetësia, saktësia dhe korrektësia e përmbajtjes së letrave të paditësve dhe avokatëve të tyre. Po reagojmë, sepse në jetën tonë nuk janë të pakta e të rastësishme shkrime e akuza, subjektive e voluntariste, të njëanshme e tendecioze si ato ndaj Organizatës sonë. Mendojmë, se nuk e bën më të fuqishëm koracimin dhe garantimin e vërtetësisë as prania e dy avokatëve ligjorë në dispozicion të paditësve. Ndryshe është me një duel artistik, ku zërat harmonikë zbukurojnë melodinë. Sidoqoftë, zëri i palës sonë si e paditur, vlen për saktësimin e të vërtetës. Kjo përbën dialektikën e jetës së vetë mendimit, është normë etike, elementare, mesazh urtësie edhe i latinëve të lashtë. Ky zë vjen edhe në dobi të opinionit publik, veçanërisht të bazës së Organizatës sonë, por mbase i shërben edhe gjyqtarit të çështjes, zotit Ervin Pollozhani, pse jo edhe dyshes së avokatëve, Altin Ibro e Bariola Karafili, të cilët mbase vënë dinjitetin profesional para zellit euforik. Kuptohet, edhe pala jonë nxjerr mësime rreth natyrës dhe procedurave të çështjeve civile. Se, për shembull, që në frazën e fundit të Fletë-thirrjes ngecim në kuptimin e shprehjes: “Kundër: Vjollca Mihallaq Trebicka për Padi civile me masë sigurimi”. Kjo është më e thjeshta, se janë shumë gjëra të tjera substanciale, ku ose anashkalohet e vërteta, ose ajo serviret sipas qëllimeve e llogaritjeve subjektive. Gjithshka në këtë Padijë të kujton një shkelës mafioz, që futet në skuadrën e ndjekjes dhe thërret: “Kapeni kundërvajtësin”! Për ç’është skenuar në Padi dhe cili është thelbi i vërtetë i rrjedhjes së ngjarjeve brenda dhe jashtë Organizatës sonë, këto janë dy gjëra, që ndryshojnë si nata me ditën.
2. Kështu, në lëndën e bollshme, që shoqëron Fletë-thirrjen në adresë tonë, vërejmë se çifti avokator, në rreth 4 faqe që shkoqit përmbajtjen e padijes, e paraqet atë tekstualisht siç e kanë shprehur vetë të pakënaqurit. Por ata, nën maskën e kujdesit për Organizatën, pa hyrë fare në thelbin e çështjes, me pretekste dhe pretendime e paraqesin atë të viktimizuar sipas skemave dhe metodave, që kanë shpikur e përdorur vetë. Mbase avokatët kështu e kanë stilin. Por, na thotë mendja, gjyqtari nuk do t’i marrë llokume servirjet avokatore. Për shembull, sipas arsyetimit të avokatëve, kërkohet edhe shfuqizimi i vendimeve të Komitetit të datës 10 prill 2023. Vërtetë procedura ishte me mungesa në rregullsi për t’u vënë përballë një baze ligjore adekuate. Por, a është ky një argument bindës për pezullim? Ç’ndodhi realisht atë ditë? Pse pretendimet e pakicës paditëse nuk hyjnë në mantelin e ligjit? Cilat janë ato “një sërë shkeljesh proceduriale e materiale” të mbledhjes së Komitetit? Përse nuk gjen Grupi, sinqeritet e ndërgjegje të pastër të rrëfehet vetë si shkaktar i shkeljeve dhe rrëmujës për qëllim imponimi? Tjetër: Pse duhej zbatuar insistimi për votim të fshehtë, kur Statuti e ka të sanksionuar votimin e hapur?
Realiteti lakuriq është se të gjithë të pranishmit në atë mbledhje Komiteti, janë dëshmitarë, shumica dhe të indinjuar, prej sjelljes së përfaqësuesve më tipikë të Grupit paditës, i cili jo vetëm mori pjesë tepër aktive, po kaloi deri në imponim vullneti, që i mbeti pa realizuar. Paditësit e lodhën Komitetin me pretendimet e tyre tendencioze, kanë lodhur kot veten, vunë në lëvizje për të lodhur edhe Gjykatën, duke u paraqitur në fasadë gjoja, me kontestime parimore e konstruktive! Dhe prapë u krekosën, duke i thënë vetes: Na lumtë! Tjetër. Ç’dëme shkaktojnë dhe ç’ndëshkime etike, apo ligjore sjellin frazat e dyshes avokatore, si: “Anëtarët e numërimit të votave ishin punonjës të administratës dhe jo anëtarë të Komitetit; Lista e anëtarëve të Komitetit ishte e firmosur dhe vulosur vetëm nga Sekretari i Përgjithshëm?” Një ethe dyshimi, pasigurie, shqetësimi, që kish mbërthyer të zellshmit e Grupit ditën e zgjedhjeve, u dallua qartë, ra në sy dhe krijoi habi për shumëkënd atë ditë prilli. A nuk ishte vetë Vjollca Trebicka, që uzurpoi derën e sallës, kaloi në vrimë të gjilpërës çdo pjesëmarrës të mbledhjes së 10 prillit? Tani na del paditëse, jo sepse ka vërtetë parregullsi, po thjesht pse nuk arriti realizimin e qëllimit. Dyshja avokatore bën edhe sugjerimin, që çështja e regjistrimit të kandidatit të zgjedhur më 10 prill 2023, shortuar tek gjyqtarja Enkeleda Bajo, të bëhet pjesë e kësaj padie, pra: Të pezullohet regjistrimi i asaj pseudo-vendimarrjeje të Komitetit Kombëtar, sepse dhënia fuqi këtij lloj Kryetari, “do të cënonte rëndë veprimtarinë e ardhshme, veçanërisht abuzimet me fondet,” … “do ta fuste Organizatën në kolaps dhe do të pamundësonte përmbushjen e objektivave të saj.”… “Mjetet financiare, sado pak të preken, do të bënin të pamundur mbarëvajtjen e saj.” (f. 5, 6).
As vjehrra më e keqe në botë nuk e pret kështu nusen e re në shtëpi, si po sillet e vepron ky Grup me titullarin e ri, të cilit i thotë menjëherë “plaç”, pa përdorur fare së pari fjalën “Mirë se ardhe!” Që mund të gjenin strehë në ombrellën e ligjit edhe të tilla llomotitje fallxhoreske si ato të mendjes së Grupit, të shprehura zyrtarisht edhe nga dyshja avokatore; në të 94-tën pranverë hyra, por as nga ëndërrat më të turbullta nuk e kam parë! Ç’koncepton Grupi, me pretekstin e angazhimit dhe mbikujdesit për Organizatën, kur faktikisht, mbërthyer përbrenda nga temperatura e etheve karrieriste dhe qëllimeve të pashprehura, synon të krijojë një kolaps, çoroditje dhe çorientim kur, siç thuhet dhe në vargjet “tjetër bën e tjetër thua, për të më prishur mendjen mua”! Nuk ka gjetur dot as siguresë, as filtër të të menduarit paditës? Kështu u bëka detyra, me regjistrim mekanik? Padije të tilla, si përrallat me mbret, për zbavitje e kalim kohe?
3. Bëjmë një kthesë retrospektive për të qartësuar kurdisjen, dhe rrjedhën anormale të gjërave. Bërthama e Grupit, që u krijua më vete, që as na thanë e as na lanë gjë, mbeti tepër agresive; nisi me sugjerimin e idesë jashtstatutore të krijimit të një Komiteti Ekzekutiv në drejtim, që nuk i eci. Projektoi një simpozium shkencor, ku lektorët duhej të shpërbleheshin me nga 300 Euro secili.As kjo nuk u pranua. Insistuan të zgjidhej kryetar një pasardhës veterani, kur Statuti, e thotë shprehimisht: “Kryetari … lipset të jetë Veteran i LANÇ-it dhe, në mungesë të tij të zgjidhet një nga pasardhësit me më shumë përvojë dhe i përkushtuar (f. 24-25). Përparësia e zgjedhjes së një veterani nuk është fakultative, as privilegj, por parim e normë.Tjetër.Ai Grup, e pa të nevojshme të sugjeronte zgjedhje me votim të fshehtë, kur Statuti shprehet për procedim me votim të hapur. Duke patur detyrë nën/kryetarësh, ‘Treshja sulmuese’, e mbajti veten për udhëheqje reale, e vuri veten në idenë e zbrapsur, vetshpalli Komitetin Ekzekutiv dhe ashtu veproi veçmas si e tillë. Injoroi kështu Sekretarin e Përgjithshëm, si figurën kryesore në mungesë të Kryetarit.
Ndërsa e mira dhe pozitivja ndjekin procesin dialektik të zhvillimit, ligësia, kur merr yrysh, rrjedh e kalon nëpër pirueta e metamorfoza zi e më zi. Kështu dhe Grupi kundërshtues, gjithnjë me “mizën në kësulë,” padisë së vet që përbën dhe pikën kulmore të asaj fushatë të egër e të papërmbajtur, i ka kushtuar kujdes maksimal me mbushje letrash, përfaqësim masiv, etj. Por që nuk i janë përmbajtur të vërtetës dhe të drejtës dhe as nuk duan t’u shërbejnë atyre. A nuk përbën kjo një obligim të Ligjit për zhbirim? Ajo Padi është një rezyme apo integrale e përpunuar e çështjeve të ngritura në tërë procesin disa mujor të mënyrave dhe mjeteve që ka përdorur grupi i pakënaqur, ku mungojnë qëllimet e tij të vërteta, e që mbeten të pashpallura dhe që ndonëse janë mbajtur si karburant i padukshëm i sugjerimeve, demarsheve dhe pretendimeve të renditura me kujdes, paditësit prapseprapë, ia heqin vetes me mediokritetin e tyre.
Nëse mund të quhet e pranueshme e ndërtuar një padi e ndërtuar pa temë e bosht themelor vetëm me ngecje e gërricje, u lumtë! Për shembull, në padije përmenden disa “parregullsi” të Sekretarit të Përgjithshëm dhe jo hamendësimi i tyre i kurdisur sikur ai po synonte uzurpimin e postit pa u zgjedhur. Nuk cekin se ndaj kësaj alibie, në vend të zhvillimit të debateve konstruktive për gjetjen e të vërtetës, u muar ”uzurpim” i mirëqenë që krisi një sherr e shamatë banale, brendapërbrenda në thelb, i ngjashëm me pozat e Don Kishotit, i kurdisur virtualisht kundër mullinjve me erë! Ka shumë dëshmitarë, por Organizata e Zonës 9, Tiranë (e cila veproi dhe u dallua, gati si një gardë e Selisë së Komitetit dhe pjesës së shëndetshme, ka shumë ç’të tregojë e të dëshmojë.)Të nisësh një betejë të tillë virtuale, mbi një alibi dështake që në fillim; mandej, në përpëlitje për fitore, të thërrasësh në ndihmë forcën detyruese të ligjit, a nuk kemi këtu me një donkishotizëm në katror? Në padijen e paraqitur është anashkaluar, fshehur e fshirë nga kujtesa e autorëve dhe avokatëve, kjo përplasje e fryrë me karrierizëm, e cila përbën vatrën dhe boshtin e tërë zhurmës së më pasme, të finalizuar në këtë padi. Në të është shtjelluar opinioni, mendimi dhe kënd-vështrimi i të pakënaqurve, me fasadën se po shprehin shqetësimet dhe dëshirat e tyre për dinjitetin, prestigjin dhe imazhin e rregullt statutor të Organizatës.
Alibia për uzurpimin e karriges u përdor si një gogol tronditës serioz shqetësues, kërcënues për të çuar peshë bërthamën e grupit në disa mbështetës jashtë tij, për t’u bërë kështu epiqendra e acarimit agresiv.
Me përgjegjësi të plotë qytetare para Organizatës sonë, opinionit dhe Ligjit, përgënjeshtroj atë alibi, që u kurdis si një bombë dhe shpërtheu në këtë arenë të nderuar! Me dorë në zemër dhe kujtesë të qartë, pohoj se në ditët e para të muajit shkurt 2023, duke pirë kafe në kolltuqet e zyrës së Komitetit, Veliu kërkonte mendim për ndonjë kandidaturë veterani për vendin vakant. Në konfidencë dhe me konsideratë i kisha thënë në telefon ato ditë dhe koleges sime, Elidianës, se njëri nga ne të dy me duket kandidat i përshtatshëm për atë post. Ndërsa Veliut, kur më tregoi karrigen, iu përgjigja: “Pse, ç’është ajo atje, arenë boksi apo mundjeje?” Në televizionin MCN, datë 22.03.2023, ai u shpreh tekstualisht: “Nuk e kam patur këtë ambicje personale! Ideja rreth një kandidati të denjë, po piqet kolegjialisht me një ish kuadër, edhe veteran, edhe profesor, njeri publik.” U përforcua kjo kandidaturë edhe nga portreti i shkruar për të nga i paharruari ynë, Sevo Tarifa, në librin “Njerëz model” etj. Të vërtetën dhe të saktën për procedurat dhe debatet e pohojnë pjesa dërmuese e Komitetit dhe Kryesisë së Organizatës, siç kanë mirë në kujtesë edhe sjelljet anarkiste e të vullnetit imponues të grupit paditës. Pikërisht, sepse nuk piu ujë e tyrja nisur mbrapsh, vendosën të përdorin dhe kartën e gjykatës për të vënë në vend atë që dëshirojnë dhe synojnë. Bërthamës së revoltuar, organizuese dhe hartuese të padisë, pse iu desh një listë prej 19 firmëtarësh, për ndonjë kurim forumi, apo për të sugjestionuar bindje mbi “shkeljet” e denoncuara? A do të jenë të gjithë këta në seancë? Mos na duhet edhe ne të lajmërojmë Komitetin apo Kryesinë? Krejt koncepti i Padisë lë shumë për të dëshiruar! Ballafaqimi në seancën gjyqësore, me siguri do të evidentojë dhe nxjerrë në pah të vërtetën dhe të drejtën.
4. Në vijimësi përjetuam qasje e komunikim të shëmtuar, pa realizëm e korrektesë, vetëshpërthime betejash ndaj skenave alibike, inat e urrejtje patologjike dhe veçanërisht vërtitje të alibisë me forcën më vepruese se “Sekretari i Përgjithshëm po uzurpon karrigen pa e zgjedhur kush!” Në vend që dyshimet, hamendësimet ëndërruar me sy hapur apo idetë ndryshe të bëheshin debat i brendshëm konstruktiv për gjetjen dialektikisht të së drejtës e të vërtetës (ku t’i hanim mishin njeri-tjetrit e t’i ruanim kockën), hap pas hapi u divergua, u krijuan dy mendime dhe këndvështrime, pozicione dhe veprime diametralisht të kundërta. Varianti paditës, i pozicionuar “o ne, o ju”, mbeti i kurdisur negativisht, sipas formulës: “nuk di as poezi, as të të këndoj, jam i prirë, vetëm të të qaj e vajtoj!” Kjo lloj Padie, na del e tillë, e padenjë, se të tilla janë pikënisja dhe krejt periudha vijuese. Shkëndija e një “mendimi ndryshe” nisi nga një Treshe pasardhësish (Vjollca, Elidiana dhe Murati, më saktë, Manthos, sipas Kartës identiteti të tij të pa shfaqur publikisht deri vonë). Këta, të ngarkuar dhe me detyra të profileve të caktuara (Financë, Marrëdhëniet me Jashtë dhe Pasardhësit, kishin dhe titullin honorifik të nënkryetarëve, pa funksion ekzekutiv e frynë veten si të ishin zv/kryetarë; dolën më vete, u hodhën në veprime si udhëheqje në fuqi dhe, ish-kolegët; të rizgjedhurit e mëvonshëm, i shpallën “uzurpatorë, të roitur”, deri dhe “të padenjë”. Fyerjet verbale dhe veprimet inatçore u bënë aq të bollshme, sa mund të përpiloheshin disa padi ndaj tyre, Ata zgjodhën këtë mjet, në zbatim të normës “të mbrohemi duke sulmuar”. Para ndërmarrjes së “sulmit ligjor” është ngjarja tragjikomike e vetgjyqësisë, që do të mbetet në historikun tonë e fiksuar me shprehjen: “7 mars mos ardhç kurrë!” Me fjalë të tjera, grupimi i kompaktësuar jashtë, këtë ditë futet në zyrë pa trokitur, pa pritur e papandehur, tërë kapardisje e krekosje dhe përvishet të nxjerrë jashtë aktivistët e rregullt, që vazhdonin normalisht punën sipas programit. Vjollca, pasi përmendi disa donacione kornizash e karrikesh, shoqëruar edhe plot fjalë fyese dhe tentativa fizike ndaj Veliut dhe Anilës dhe fjalë kërcënuese ndaj të pranishmëve në mbledhje, për nxjerrjen e tyre forcërisht jashtë zyre, inskenuan atje një maskaradë groteske, të cilën në shkrimet e mëvonshme ia atribuan pjesës së shëndetshme. Zbatimi në miniaturë i dhunës historike në planin mbarëkombëtar, u kristalizua në shprehjen “ngreu prift, të ulet hoxha!”. Prepotenca verbale dhe fizike, krijoi një skenë të gangsterizmit. Një nga boshllëqet e shfaqura nga Vjollca, është harresa e normës: Të kontribuosh është fisnikëri dhe bujari, të përflasësh ndihmat, është egoizëm, cinizëm dhe arrogancë!” Me atë lehtësi që i leu ca vetulla Organizatës, Vjollca jonë, tani i thotë: “dua të të nxjerr sytë!” Dhe prap se prapë, ka sy e faqe të kapardiset në krye të skuadrës paditëse, sikur të ketë bërë forcë të jetës, normën: kam para, mund të bëj gjithçka! Ndërkohë, gjuha lesh na kish zënë, duke u thënë se jemi tanët, me të njëjtat rrënjë dhe të njëjtin mision, të një strategjie; të ulemi të bisedojmë shtruar për taktikat dhe format e punës. Por kuadrot si Vjollca dhe Shefkiu, as begenisën më të afroheshin edhe në një kafe pune. Skema metafizike “bardhë a zi”e të menduarit mbetej në fuqi dhe, herë më shumë, herë më pak, ajo bënte kërdi. Ndërsa vetë distancoheshin me mendime dhe veprime, na bënë një pyetje provokuese: “Mos doni të na shpallni dhe “Armiq të popullit?” Sjelljen e tyre ndaj nesh, na e veshën neve si ves ndaj tyre. Pra, Grupi, i dalë veçmas nuk ka fare shqetësimin dhe preokupimin të rregullojë Organizatën ekzistuese.Ai vazhdon të përdorë çdo mënyrë e mjet për të hequr drejtuesit aktualë dhe të vendosë të tjerë sipas llogarive dhe motiveve të tij. Kushdo duhet të ketë të qartë dhe të mbajë mirë parasysh se përgjatë vitit 2023, në Organizatën tonë ka vepruar një lloj dy-pushteti me dy ekipe drejtuese në qendër: njëri, ky i zakonshmi, vijues i rregullt i misionit, Statutit dhe traditës; i dyti, një drejtim i lindur si mutacion social nga ky gji, i improvizuar, po dhe i mobilizuar totalisht për të fituar terren. Çdo fjalë që thonë ata të grupit të dytë, çdo hap e veprim që ndërmarrin, kanë për qëllim dhe objektiv vetëm këtë synim. Mbasi dështuan me qëndrimin mbi kokë dhe manipulimin e mjeteve dhe formave demokratike, kaluan në lëvizjen e levës së ligjit dhe mbajtur pas idesë se shpresa vdes e fundit.
5.Veprimin më mafioz, skandaloz dhe dashakeq të tyre bën vënia dorë arbitrarisht në auditin financiar të Organizatës për vitin 2022. Vjollca Trebicka, ish e caktuara për drejtimin e Departamentit të Financës për auditin në fjalë, kooptoi për kryetar Shefki Velajn, një ithtar, sipas midesë së vet, pa qenë i zgjedhur në Komisionin e Kontroll-Revizionimit. Ky i fundit, po sipas frymës së Shefes dhe qëllimeve të Grupit, kurdisi një raport të zi, që nuk u pranua as nga të gjithë anëtarët e vetë ekipit dhe që nuk e paraqiti atë as në Kryesinë funksionale (të cilën nuk e njihte, e kish abandonuar). Përkundrazi, duke qenë në vartësi dhe nën urdhrat e Udhëheqjes së re të improvizuar, të Treshes formuar rishtas jashtë Organizatës, ia dërgoi bazës direkt. Synuan të diskreditonin Organizatën në një pikë nevralgjike Por baza i ktheu mbrapsh ato letra me helm dhe nuk u a vuri fare veshin. Drejtuesit në bazë i kishin ende të freskëta skenat anarkiste të veprimtarëve më agresivë në mbledhjet e forumeve, kështu që dhe dërgimin e materialit drejt tyre e trajtuan si një provokim të radhës. Për më tej, atë Raport-audit të zi që nuk e përligji dot me përdorimin e “vijës së masave”, Shefkiu ia përcolli edhe Ministrisë së Financave, e vuri edhe atë në lëvizje, se mos i përligjet zyrtarisht. Ajo Ministri, është gjithnjë e mirëpritur nga ne që jemi aktualisht në drejtim për një audit profesional, kompetent. Por, këtë radhë është vënë në alarm nga një person, që i përket Drejtimit tjetër, të vetëshpallur dhe që synon e pretendon të bëhet udhëheqja reale. Shprehjes së supozimit alarmues nga dyshja avokatore (blloku 2), se edhe zgjedhja, kinse e “parregullt” e titullarit, do të krijojë çrregullime fatale në financat e Organizatës, ky audit-skarco i ka shërbyer gjithashtu si prapavijë po skandaloze prej grupazhi, siç është dhe analiza tërësore e gjendjes shëndetësore mendore, njëvjeçare.Edhe me kaq çdo njeriu me mend i lind pyetja: vallë, sa i shkon për shtat natyrës së Organizatës sonë kjo pamje dhe mënyrë funksionimi? A duhet t’i shërbejmë asaj vetëm në drejtimin pozitiv, që të mbetet ashtu dhe ashtu si e krijoi dhe e kërkon historia dhe jeta?!Lindkan pakënaqësi, inate, mëri e fërkime edhe në kushtet e vullnetarizmit e të përkushtimit të lartë, edhe në një grupim kaq të shtrenjtë e të shenjtë, ku emërues i përbashkët është atdhetarizmi i kristaltë?Këto pyetje retorike pushtojnë mendjen dhe krejt ndërgjegjen e secilit prej nesh, si ushtarë vullnetarë në shërbim të një kauze madhështore
6. Për më tej, “të pakënaqurit” kaluan në një fushatë denigruese e me shprehje ordinere në faqet e gazetës X. Titujt keqdashës e tërë romuze si: “Maskaradë në Organizatën e Veteranëve” dhe “Veteranë të LANÇ-it, ruhuni nga uzurpatorët”, “Të poshtërit, më ngrejnë babanë nga varri”(F. Tarifa), “Një ish polic rrugaç ka uzurpuar Organizatën e Veteranëve” (S. Braho), “Veliu, Saliu dhe Hulusiu Veli,” “Nuk e meritojnë këta tipa të drejtojnë Organizatën” (Elidiana Canaj), “Veteranë dhe pasardhës, ruhuni nga uzurpatorët”, ”Mohuesit e LANÇ-it s’e meritojnë të drejtojnë Organizatën”, “Për ta që duan të mbjellin luftën civile brenda Organizatës (P. Xhufi) “Mjerani Hulusi i roitur nga mosha dhe nga mendja” (I. Hasani); “Situata në Organizatën e Veteranëve dhe një adresim shokut Veli Myftari” (K. Kristafi) etj-etj.
Ndërsa përmbajtja e shkrimeve, e shpalosur gjatë betejave verbale, është tepër pretenduese, e egër dhe sulmuese, me thirrje për ndryshime rrënjësore, problemet e shtjellujara në padi janë reduktuar në disa sugjerime mbi procedurat, dokumentacionet e duhura etj. Krahas kësaj, vërejmë se autorëve të mësipërm u erdhën në shteg tema, gjetën dhe terren ku të zbrazin helm e vrer, inat e zemërata, të provojnë humorin dhe satirën, sarkazmën dhe ironinë, paroditë dhe bejtet! Po të kishin bashkuar mendjet autorët e këtyre shkrimeve mund të dilnin dhe me titullin integral: “Epoka para gjyqit!” Disa prej atyre materialeve, pasi kaluan sensasionin treditor, kanë mbetur si dokumente arkivore burimore për studimin e një rasti të turbullimeve të mendjes njerëzore, për të mos thënë “Ekspertizë psiko-analitike”.Po pse duhej shpërdoruar e keqpërdorur në këtë farë feje, kaq keq dhe ulët liria e mendimit dhe fjalës, si në artikujt e mësipërm?Kjo, do të thonë, i shkoka për shtat “demokracisë” alla-shqiptarçe.Të jesh misionar vullnetar e me përkushtim të lartë dhe të bësh piruetën e diktimit të vullnetit, kjo do të thotë të kesh hyrë në ngërçin e një lloj konflikt interesi.Grupi i mësipërm i intelektualëve të kalibrit e me reputacion, u gjend disi me mbështetje; caktoi të rekomandonin një kryetar të ri, u bind për ofertën dhe u vetndërgjegjësua si shpëtimtar i daljes nga situata. Ky angazhim i tyre i bëri më me krahë pasardhësit e revoltuar. Të mobilizuarit në atë Komision u angazhuan sinqerisht, pasi i kishin i bindur se Organizata po uzurpohej, po bëhej batërdi në financën e saj, etj. Artikujt-çarçafë me apelet dhe alarmet, SOS-set si thirrjet pranë Ministrisë Mbrojtjes për të vënë dorën shpëtimtare, të shoqëruara dhe me fraza patetike, për të përpunuar opinionin sikur gjendja e Organizatës është më e keqe se rënia e një zjarri të pafikshëm, se nga një përmbytjeje e pandalshme! Se ajo duhej rindërtuar në themel dhe drejtuar krejt ndryshe! U krijuan alibi pas alibish; nga mosmarrëveshjet u kalua në inat, zëmëratë, urrejtje e veprime fizike, gati për të kaluar në duele sipas praktikës së Mesjetës!
7.Po çfarë pikësynimesh e rezervash ka mbajtur përbrenda pala kundërshtuese dhe me ç’karta ka luajtur publikisht? Ajo u vetlargua pikërisht për të vetvepruar, me çdo mënyrë e mjet, me synimin, mundësisht për të marrë drejtimin. Kjo është pohuar publikisht, në mes të ditës, nga Elidiana, që i tha titullarit të zgjedhur rishtas: “Jep dorëheqjen ti, që të vë unë kandidaturën!”. Ajo po e rëndonte ndërgjegjen duke gjëmuar dhe disa pretekste, me të cilat të trokitse në gjyq, si e si të na viktimizonte, dhe gjithnjë duke na hyrë në hak. Në të gjitha deponimet publike, ka përdorur gjuhën për të fshehur qëllimet e vërteta. Na e ka bërë disa herë borxh ta padisnim, por e kemi lënë pa bërë këtë, me hamendësimin se kritizerët do të tërhiqeshin prej peshës së dështimeve e prapësive të veta të shpifura. Por e keqja e nisur s’kishte të ndalur. Qëllimi i vërtetë i hapave, veprimeve e masave gjithnjë e më flagrante të këtij fraksioni të organizuar, anarshist, të papërgjegjshëm e pa dinjitet, është heqja qafe e disa vullnetarëve të Organizatës sonë, duke i shpallur ata të paaftë në drejtim dhe për të zbatuar kështu vullnetin e “vullnetarëve të aftë”, që duhej të drejtonin. Për të vënë në jetë atë vullnet, hodhën dhe hapin tjetër arbitrar e voluntarist: grupuan 5 kuadro intelektualë me reputacion dhe krijuan një komision i posaçëm provizor për gjetjen e një kandidatur të përshtatshme për drejtimin e Organizatës. Kjo masë ishte një shkelje tjetër e Statutit dhe injorim e fyerje për Organizatën, sikur ajo të ishte një kopësht antikapësh, ku duhej gjetur për drejtues një specialist i kujdesit të veçantë.
8. Treshja aktive, që shpejt u reduktua në një Dyshe, (pas dorëheqjes së Vjollcës nga përgjegjësitë, po jo dhe nga synimet!), edhe pse të dalë veçmas e me qëndrime si i shkrepej, me veprimtari, tërë dridhërima ethesh; prapseprapë u gjend në mbledhjen e Kryesisë së Komitetit Kombëtar dhe në kremtimin e 66-vjetorit të themelimit të Organizatës më 20 korrik dhe përsëri, si në mars e prill, me qëllim dhe mision presioni, diktati dhe me veprimin anarkist të largimit demonstrativ e revoltues! Trajektorja e mendimeve dhe veprimeve të asaj bërthame dhe disa pasuesve, është ajo e organizimit fraksionist, e kundërvënies anarkiste, e insinuatave, parodive, denigrimit të individëve, shëmtimit të imazhit të Organizatës me maksimumin e dashakeqësisë, inatit dhe sjelljeve ordinere.U futën në një mënyrë të menduari e vepruari kundërshtues, që shpesh u kthehej në boomerang. Ndërsa kujtonin se po u vinin vetulla qëllimeve të tyre, realisht, nga më thellë, po ua i nxirrnin sytë.Pjesëmarrësit në këto ngjarje, apo dhe të informuarit për bëmat e shkrimet e tyre, janë ndjerë keq në karakter e ndërgjegje; kanë mbetur me shije të hidhur.Rruga e keqe u shtonte të këqijat vetë keqbërësve.
9. Në tërë këto manovra për të realizuar plane e qëllime të mbrapshta të të vetëshpallurve drejtues, iu bë ithtarëve të vet si dhe divergim në grupin e auditit financiar. Kjo Organizatë, e plotësuar dhe mirëorganiuar, edhe gjatë këtij viti, megjithë ngërçet e krijuara artificialisht, retorikat boshe, koha dhe energjitë e harxhuara kot, ka vazhduar punën pozitive në ritme dhe cilësi. Replikuam me pak editoriale në gazetën tonë “Kushtrim Brezash”, por i thamë mendjes të flasim me veprimtari pozitive, siç e ka traditën dhe siç i takon Organizatës sonë. Fjalët, romuzet, denigrimet ordinere i mbetën domen i dyshes kritizere, që i janë bërë refleks sistematik me veprim të pandërprerë. As nuk u lodhën së vepruari mbrapsh, as nuk reflektuan.Më kot prisnim e shpresonim në uljen e agresionit me mendime e veprime, deri në ndalimin e tyre dhe kthesën për së mbari. Por nuk qe thënë!
Ndërkaq, tërë këto pështjellime, lëmshe e prapësi krijuan dhe në bazë disa lëkundje e debate, por fraksioni nuk fitoi dot terren masiv, siç dëshironte e synonte! Me shumë sjellje, veprime, diversione dhe fjalë të pacipta, i krijuan vetes një reagim apatik, mospërfilljeje dhe izolues.
- Në korrikun e këtij viti, Elidiana, në detyrën e ish të ngarkuarës për Marrëdhëniet me Jashtë, projektoi dhe një lojë me dy porta: Për gjatë një jave u kujdes të sillte për takim në Kryesi një antifashist italian, që kishte me vete edhe disa libra për dhuratë. Në fund, nxori krye inatçorja si e papajtueshme me ish bashkëpunëtorët e saj, doli me propozimin që takimi të bëhej në lokalin e Tajvanit, ku përfundimisht dhe e realizoi vetë. Në zyrën e braktisur prej saj, për korrektesë, solli vetëm dhuratën, pakon me libra italisht për Shqipërinë.E vetlarguara një herë nga zyra, i qëndroi besnike atij hapi negativ.Vetëkurdisi një padi, kur vetë është objekt i një replike të thellë etike dhe objekt për padijë. Kanë pak ngarkesë organet tona gjyqësore; u kish mbetur mangut dhe jashtë vëmendjes edhe Organizata jonë! Ç’djaj t’u shtuan në shpirt, moj motra jonë e hershme, që shkele dhe etikën më elementare?
- Nxjerrja edhe e autorit në poligonin e qitjes, me aq lehtësi, ashtu, aforfe, vetëm pse u bashkua aktivisht në jetën e Organizatës, është një dëshmi sinjifikative e veprimit të ligësisë së papërmbajtur, që nuk u mungon disave në shpirt dhe “u vesh etikën për të parë të tjerët me ato syze”. Pa i hyrë kurrë në hak e prishur punë kërkujt, si mund të shkruash në shtyp më keq nga ç’flet e ëma e Zeqos majë thanës?Asnjë bir nëne, grup apo forum, përgjatë tërë jetës së ndërgjegjshme, s’del dot më shesh të burrave të ankohet se ka parë keq prej meje.Të keqen dhe shportën e veseve njerëzore, i kam larguar me vendim suprem, sepse ato tjetërsojnë njeriun, shëmtojnë jetën, dëmtojnë rëndë dhe shëndetin. Shëmtimet e fantazisë së sëmurë të disa të tjerëve nuk më bëjnë asnjë përshtypje, nuk më krijojnë qejfmbetje, zemërim e inat. I bëj vetëm objekt studimi mikrosociologjik dhe i thërras mendjes pse është ndërtuar kështu dhe sa do të vazhdojë kjo botë të ketë imazhin e titullit të një libri të të ndierit Hamid Beqja: “Janë brenda tek i gjalli, edhe ëngjëlli dhe djalli.”
- Nga kjo panoramë dalin dhe në disa përfundime.
Së pari, nuk është rastësi përse habia imediate, më elementare, po substancile, që kalojnë nëpër mend apo diskutojnë shumë njerëz është: Ç’i gjeti, ç’fshehin dhe si e motivojnë tërë këtë merak zhurmues, vetëm tre pasardhës veterani (Vjollca, Elidiana dhe Murati), që kurdisën këtë zhurmë dhe e frynë në përmasat e furtunës? Me rrënjë atdhetare, por të nderuar me përgjegjësi në Organizatë, si ata, s’kish; përkrah Veteranëve, që përbëjnë detashmentin pararojë, ku t’a gjenin; ku qëllojnë vickat e hedhura me etiketën e Ligjit në patkua? Nuk është vetëm për njeriun halli, që ç’e zë dhe s’e heq! Një bela-“hall” na erdhi dhe neve në prag si Organizatë, që sa punë e fjalë të mira do të themi, në aq shumë të mira do të na kthehen. Por me një kusht: Mendo për mirë edhe kur sheh apo të duket se bëhet keq!
Së dyti, ku punohet me vullnetarizëm e përkushtim, siç i gjejmë këto parime tipike në Organizatën tonë, pa interesa meskine dhe paramendime, atje mbretërojnë e përdoren sinqeriteti, transparenca, mirëkuptimi, dashamirësia dhe jo diktati e imponimi, deri në përdorimin e forcës së ligjit. Në organizata të tilla si jona, prej vullnetarësh e të përkushtuarish, veprojnë vetëm faktorët bashkues, aftësitë edhe mundësitë komplementare e kordinuese dhe jo përjashtuese e larguese, aq më pak gjykuese ligjërisht.
Së treti, përsa i përket armatës rigjeneruese të Pasardhësve, ata janë për Organizatën tonë si toka për Anteun e legjendës, që kur e prekte atë, bëhej i fortë. Kush e kthen këtë rol jetëdhënës në dëmtim e dobësim të saj, bën një sakriligj më të rëndë, se ato “mëkatet” ndaj qiellit që kanë mbetur tradicionalisht në opinion.
Së katërti, Gjykatës i kërkojmë ndjesë për parregullsinë e dosjes për rregjistrimin e titullarit të ri. Prisnim prej saj të na sugjeronte plotësimin e tyre të rregullt, po kurrë jo, futjen e asaj kërkese në një dosje hetimi e gjykimi.
Së pesti, nuk jemi as ne pa të meta, dobësi e mungesa. Kush punon, edhe gabon, se kot nuk e ka thënë latini: “errare humanum est”. Po gjendjen tonë e futën tërësisht në këto kanalet e vënies në veprim të ligjit. Le të shpresojmë se do të dëgjohet edhe mendimi ynë, siç ka fituar të drejtë qytetarie edhe urtësia përkatëse e vjetër latine.
Së gjashti.Del qartë në çdo veprim e hap, se Grupi në fjalë i ka bërë hyzmetin alternativës ndarëse ultimative: “O ne, o ju! Marrëveshje e rrugë të mesme s’ka!” dhe s’la gur pa lëvizur për të fituar terren, pozita e pasues, – premtime dhe presione, kooptime dhe mbledhje firmash të pamotivuara etj. Për qëllime të mbrapshta justifikohet çdo mjet i rafinuar! Le të theksojmë se padija gjyqësore përmban majën e ajzbergut, – pretekste dhe sajesa inatçore e të pasakta. Vetë ajo është një montim dhe skenar i sforcuar i një kokëfortësie të ngjeshur dhe karakteri inatçor. Kurse, përsa i përket pjesës së nënujshme të tij, ka motive të tjera, që i çuan në shkëputjen nga ne. Nëse publikisht u paraqitën se i duan më të mirën Organizatës së Veteranëve, realisht, në bilancin njëvjetor të zërave shurdhues, fyes, deri në ato më ordinere, gjeneruan vetëm një zinxhir të këqijash. Këto motive “sekrete” mbeten monopol i brendshëm shpirtëror i paditësve, që mund ta zbërthejë vetëm një espertizë psikoanalitike.
Së shtati, më thoni ju motra dhe vëllezër, përballë kësaj tabloje, a nuk obligohemi të bëjmë fjalë dhe për normat përkatëse etike-njerëzore të gjithëpranueshme, që duhet të jenë baza elementare e veprimtarisë dhe komunikimit brenda nesh? Ato duhen respektuar seriozisht dhe jo të shkelen e nëpërkëmben brutalisht. Veprimtari apo vizitori që hyn në atë zyrë, pasi të ketë hedhur shportën e veseve në Lanë, të rrëfehet thellë, po e desh pjesa, edhe në të tre faltoret e rrugëve që të sjellin në Komitet dhe të zgjojë në shpirt vargjet: “Po më shumë dua Shqipërinë, të gjallërojmë e të forcojmë atdhetarinë.”
Së teti, si përfundim më përgjithësues, theksojmë edhe se ç’nuk pjell kjo mendja përsa i përket ligjit, nëse ai shtrihet në norma dhe prerogativa etiko-organizative, i përballemi denjësisht me të vërtetën lakuriq dhe të drejtën pa ekuivok. Se ç’presin paditësit nga ligji, nuk i parashikojmë dot hesapet e tyre donkishoteske.Shapin nga sheqeri e ndajnë ripërsëritja e mbledhjes së Forumeve kompetente, një Referendum apo Peticion në të gjitha komitetet e bashkive të vendit. Jo me organizma virtuale-fantazmë, të vetëshpallura në qoshe kulisash, me njerëz të kooptuar e grumbulluar rastësisht, jo me insinuata e zemërata; vetëm me Statut e Rregullore, me mirëkuptim, harmoni dhe dashuri njerëzore. Zemra dhe mendja na e do dhe na thotë: vetëm në këtë dhe për këtë Organizatë, jo si më sipër. Për shumëkënd dhe për shumëçka, mbetet në fuqi për zbatim shprehja: “dallëndyshe, ktheje ndryshe”.
Së nënti, kjo lloj padije nuk është thjesht e diskutueshme dhe me defekte logjike e pasaktësira, po një provokacion i turpshëm, tekanjoz, revanshiost, egoist, një produkt i shportës së veseve, e cila tjetërson disa njerëz, shëmton jetën, zbrazet dhe mbi një Organizatë të dashur e të respektuar, e cila në kult dhe piedestal ka atributin e atdhetarizmit, dhe mbetet e hapur me të gjithë, që e kanë të shëndetshëm këtë tipar jetik. Në respektofshim sentencën popullore: “Mendja, që bën kala, bën dhe hata”, do të nënkuptojmë, se mendimi i secilit ruan ekuilibrat kur është i lidhur dhe bazuar organikisht me një karakter të shëndoshë.
Së dhjeti.Ky skenar me bosht tematik, këtë përmbajte të Padisë, edhe pse na duket jashtë kornizave ligjore, nën nivelin optimal të seriozitetit, tanimë, është në proces, një dorë aktorësh do të dalë në skenën e sallës gjyqësore; se nga do të peshojë sovraniteti i mendimit, e vërteta objektive dhe e drejta njerëzore, kjo ide është në provën e vet serioze.
Uroj që sa fjalë u thanë, aq të mira t’i bëhen organizatës dhe mbarë popullit shqiptar, në prag të 80 vjetorit të Çlirimit që po afron!