Mbyllet Panairi i librit “Tirana 2023”, rritet numri i lexuesve, ulen çmimet e shitjes

Shtëpitë Botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” risitë e këtij Panairi

Në panair erdhën mbi 2600 tituj të rinj nga 95 shtëpi botuese.

Dje mbylli siparin Panairi i librit “Tirana 2023”. Duke ndjekur të gjitha ditët e Panairit nga prononcimet me botuesit dhe organizatorët vihet re se ata nuk kanë vërejtur dallim midis edicionit të kaluar të mbajtur më 2022 dhe të sivjetshmit sa i përket interesimit për të blerë libra. Sigurisht pati një rritje të lehtë …

NOA

Dita e parafundit (e shtuna) e edicionit të sivjetmë të Panairit Mbarëkombëtar të Librit në Tiranë ka qenë ndër më produktivet sa i përket interesimit të lexuesve. E shtuna, po ashtu, ka shënuar rritje të interesimit të të rinjve si rrallë herë. Kurse nga e mërkura, kur edhe u hap ekspozita e madhe e librit, deri të premten, interesimi qe jo në këto nivele. Edhe dita e diel kishte interesim të madh. Me rreth 2600 tituj të rinj, mbi 95 shtëpi botuese nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi për pesë ditë kanë qenë në dispozicion të lexuesve në Pallatin e Kongreseve. Ofertat e botuesve kanë qenë prej më të ndryshmëve. Zakonisht çmimet e librave gjatë Panairit janë më të favorshme deri 40% ulje. Problem kryesor është se lexuesi është në gjithë gjeografinë e vendit, por mundësitë e tij për të pasur një botim të ri në dorë duke qenë në skajet e vendit është shumë e paktë. Ky është një problem gjatë 33 vjetëve demokraci dhe mendohet se i tillë do të mbetet. Vetë fakti se nuk ka librari në asnjë fshat madje dhe në qytete të vogla tregon se rrugëzgjidhja nuk egziston.

Një ditë para përfundimit të edicionit të 26-të janë ndarë çmimet e Panairit të Librit 2023. 

Shkrimtari më i mirë i vitit 2023 iu dha znj. Mira Meksi, për romanin “Parisi vret”, me motivacionin: Për gërshetimin e erudicionit me hedonizmin, për zhytjen në zgafellet e historisë dhe të psikologjisë; për shkrirjen e fakteve me trillimin; për një këndvështrim tjetër mbi disa tabu me rrënjët në kohën e diktaturës, të cilat ende na shoqërojnë; për lëvrimin elegant të gjuhës.

Çmimi Përkthyesi më i mirë i vitit 2023 i jepet znj. Ana Kove, për romanin “Daullja prej llamarine”, nga Gunter Grass, me motivacionin: Për ballafaqimin e denjë me librin kompleks të një autori sfidues; për përcjelljen në shqip të fantazisë së tij të guximshme, të tisit satirik dhe simbolikës…Për pasurimin në mënyrë cilësore të bibliotekës së shqipes me një gur miliar të letërsisë botërore.

Çmimi për veprën më të mirë studimore për vitin 2023, i jepet zotit Thomas Frashëri, për veprën me titull “Frashëri i shquar, i panjohur” me motivacionin: Për një vizatim të plotë e sidomos të plotësuar me fakte të panjohura të një peme shqiptare me rrënjë të forta, trung solid dhe kurorë të dendur siç janë Frashërllinjtë. Për gërshetimin e akribisë shkencore me rrëfimin tërheqës, duke krijuar një portretizim harmonik brenda mozaikut të gjerë të kontekstit historik dhe gjeografik.

Çmimi për librin më të mirë për fëmijë të vitit 2023 i jepet znj. Rudina Çupi, për librin “Gjyshja me zemrën prej ketri”, me motivacionin: Për njohjen e botës fëmijërore, për praninë e elementit bashkëkohor, për gërshetimin e letërsisë me didaktikën.

Çmimi i Ambasadës së Francës në Tiranë për përkthimin më të mirë nga gjuha frënge i jepet Znj.Diana Çuli për përkthimin e veprës “Të pandarat” të Simone de Beauvoir, me motivacion: Përmes zgjedhjeve përkthimore, fuqisë së fjalës dhe sintaksës së rrjedhshme, respekton stilin autentik të Simone de Beauvoir duke sjellë një atmosferë njëherësh intime e emocionuese.

Shtëpitë Botuese “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” risitë e këtij Panairi

Për çdo vit në Panair 3 shtëpitë botuse “Bota Shqiptare”, “Morava”, “Argeta LMG” kanë qenë befasitë e Panairit. Këto shtëpi botuese dallohen për librat cilësorë, autorë të njohur brenda dhe jashtë Shqipërisë, dhe për cilësinë e botimit. Secila prej tyre vjen në Panair me afërisht mbi 50 tituj ( u shtuan tre ditët e fundit) të rinj të autorëve më në zë, por edhe me libra të tjerë me karakter historik dhe monografi që kanë tërhequr vëmendjen e lexuesit.

“Bota Shqiptare”

52 tituj të rinj që u prezantuan në Panairin e Librit Tirana 2022, në Pallatin e Kongreseve, 15-19 nëntor. Bota Shqiptare ka vite që është më e frekuentuara për lexuesit për cilësinë e librave dhe për  mënyrën e përzgjedhjes së botimeve duke iu përshtatur shijeve të lexuesve.
22 tituj për të rritur.
30 tituj për fëmijë. Ulje surprizuese deri 40%

Shtëpia Botuese “Morava”

Shtëpia Botuese “Morava ” sjell këtë Panair mbi 45 libra të rinj për fëmijë dhe të rritur. Kjo Shtëpi Botuese prestigjioze e ka nisur aktivitetin e saj në fushën e shtypshkrimeve që në vitin 1991. Pas shumë viteve përvojë, aktiviteti i saj u shtri edhe në fushën e botimeve të teksteve shkollore dhe librave artistikë. Botimet në fushën e letërsisë artistike i përkasin grupmoshave të ndryshme, duke iu ofruar një kohë të vyer në praninë e librit.

“Argeta LMG”

26 vjet mes lexuesve. Në këtë Panair erdhi me 47 libra të rinj. Libra ndër më të lexuarit në botë. Kjo shtëpi shquhet për botime cilësore dhe ndjek me vëmëndje kërkesat e lexuesve. Për vite me radhë ajo është ndër më të frekuentuerat e Panairit. Libri më i lexuar

‘Magjia e mendimeve të mëdha”

Ky libër nuk ofron premtime boshe, por një program të menduar me shumë kujdes për të përfituar sa më shumë nga puna, jeta, martesa dhe komuniteti në të cilin jetoni. Ai ju rrëfen se nuk keni pse të jeni intelektual apo të keni lindur me talent për të pasur sukses në jetë dhe për të arritur kënaqësi, por duhet të mësoni dhe kuptoni shprehitë e të menduarit dhe të sjelljes në mënyrë që të arrini aty ku dëshironi.