Bashkim Koçi: Në Skrapar, në vendlindjen e brigadës së VII Sulmuese

23

I gjithë ai mjedis është kthyer në një “auditor” të stërmadh ku tema e ditës është 80 vjetori i Brigadës së VII Sulmuese. Ishte bukur në Vlushë në këtë ditë pranvere, në këtë ditëlindje të një nga formacionet më të mëdha luftarake, të Brigadës së VII Sulmuese.

Sigal

 Jeta është e ardhmja dhe e shkuara, por është edhe e tashmja kur vjen çasti i përkujtimit të ngjarjeve të mëdha, të atyre momenteve për të cilat ia vlen të ngacmosh kujtimet, librat historikë dhe pse jo edhe ëndrrat që herë-herë të bëjnë t’i përqafosh për faktin se aty qëndron e vërteta. Kjo ngjet edhe me historinë e luftërave siç është historia e LANÇ, e cila sapo ka hyrë në vitin e 80-të të saj, siç është edhe ajo e Brigadës së VII Sulmuese. Ajo e filloi këtë histori më 17 Mars të vitit 1944, ditën që u formua e që ka  për vendlindje fshatin Vlushë të Skraparit.

Kanë kaluar 80 vjet nga ajo ngjarje e madhe. Rrënojat e kohës kanë ndërtuar kullën e betontë më të paprekshme e që kjo do të thotë përjetësi. Përjetësi për ata që guxuan të mblidheshin bashkë, të organizuar e nën një komandë luftarake; për ata që luftuan e nuk u tërhoqën përballë një armiku të frikshëm; për ata që e bënë atë luftë dhe ranë atje ku e deshi nderi për të mbetur heronj.

Atë mot e atë muaj që lajmëronte pranverën, Vlusha kishte përjetuar ngjarjen më të zezë të historisë së saj, vrasjen nga forcat gjermane e bashkëpunëtorët ballistë të 114 burrave,  të cilët edhe pse po përballeshin me armikun më të pamëshirshëm, qëndruan dhe u vranë në këmbë. Ndoshta edhe për këtë fakt, nga më mizoret e me çmim të lartë (kujtojmë se masakra e Borovës u kushtoi jetën 107 personave, nëVlushë u masakruan 114) të Luftës së Dytë Botërore. Në vendin tonë u përzgjodh fshati i Vlushës,  “fusha” me emrin e bukur Destinë për të bërë inaugurimin e Brigadës së VII sulmuese Partizane. Gjithçka që përbën historinë e kësaj brigade heroike është e shkruar, e që fillon e mbaron me betejat e zhvilluara të 2229 partizanëve nga të cilët 302 djem e vajza kishin vendosur  që altarin e lirisë ta ndërtonin me gjak.

Vlusha në këtë 17 mars u gjend si atëherë, si 80 vjet më parë, me atë pamje magjepsëse mes malesh, me atë reliev të thyer e ngastra tokash të mbështetura në mure gurësh e drurësh ku kumbullat, thanët e manushaqet kanë konfirmuar ardhjen e pranverës. Dhe të gjithë këtë mrekulli të Natyrës ia shton madhështinë e krenarinë lapidari i ngritur mes atij sheshi përzier  me bar dimëror e pranveror e  qëndisur me flamuj kombëtarë.

Mikpritja skraparase u shfaq e shkëlqeu edhe në këto çaste gëzimi e krenarie të përkujtimit të Brigadës së VII Sulmuese. Kryetari i Komitetit të OVP të LANÇ, bashkia Skrapar shoku Enver Naska dhe sekretari i këtij Komiteti Taip Çela, i pritën miqtë që vinin nga larg; Tirana, Lushnja, Kuçova, Dimali, Berati etj. si të ishin mysafirë në shtëpitë e tyre, sipas një zakoni të vjetër e që do të thotë të marrësh në ngarkim lumturinë e tjetrit. Kjo çka po them është një fjalë goje, por kur ajo materializohet tek një kafe zemre, tek rehatimi dhe marrja e masave të sigurisë për rrugën goxha të largët Çorovodë-Vlushë etj. Gjëja merr kuptimin e pritjes së mikut krahëhapur e dëshirën që kjo të zgjasë deri në përcsjellje.

Sepse rrugën për në Vlushë e kishin marrë jo një e dy, por qindra. Ai shesh mbushur me dhjetra autobuzë e makina të vogla tregonte se aty po festohej vërtetë një ditëlindje, siç ishte 80 vjetori i Brigadës së VII Sulmuese. Aty takova të njohur e të panjohur. Të gjithë kishin ardhur vetëm për një mision: të nderonin Ditëlindjen e Brigadës dhe njerëzve të tyre të zemrës, që kishin luftuar apo rënë në luftë për çlirimin e Atdheut. Më befasoi në atë mori pjesmarrësish moshat e reja, të rinj dhe të reja, pionierë të veshur me kostume popullore, por edhe mosha të thyera, që kishin sakrifikuar të ngjiteshin deri në atë majë mali. Me më të moshuarin, 94 vjeçarin Prof Dr. Hulusi Hakon, Kryetarin e Komitetit të OVP të LANÇ “Nderi i Kombit”, e solli rasti të isha bashkudhëtar që nga Tirana, por kur pashë shoqen Mine Guri, ardhur enkas nëVlushë, s’kishte si të mos shtoja dozat e respektin ndaj saj, por edhe të brezit që ajo përfaqëson. Ilmi Balliu, që edhe ai ndodhej aty për të nderuar çlirimtarët, më tha se Mine Guri i kishte kaluar të 86-tat  dhe se kish marrë këtë rrugë, jo të lehtë për moshën e saj, për të nderuar 7 dëshmorë të familjes, rënë në luftën NÇ e sot gëzojnë titullin e lartë “Dëshmorë të Atdheut”.

Në atë shesh, mbushur me njerëz fytyrëqeshur, mund të përballeshe me emra që kanë ardhur për të nderuar prindërit, gjyshërit, apo edhe stërgjyshërit. Kastrioti është këtu në Vlushë për të kujtuar babanë, komandantin e Brigadës Gjin Markun. Ka marrë me vete edhe të bijën. Do të vinte edhe motra, Svetllana, tha, por është e sëmurë. Këdo që mund të pyesësh të përmend emrin e të afërmve të tij, partizanë apo kuadro në këtë Brigadë me emër të madh. Dihet që vendimi apo planëzimi për të krijuar Brigadën e VII u bënë në fshatin Leshnje, në familjen e Sinanit, babait të Kahremanit dhe  Aqifit, ku ky i fundit u rradhit ndër të parët partizanë të Brigadës së porsaformuar. Dhe për të kujtuar Luftëtarin Aqif Ylli aty kish ardhur e bija      bashkë me të shoqin, edhe ai bir partizani, i BrahimBrahos, ish deputeti Spartak Braho. Ca më tutje janë pasardhës veterani nga Beërai. Kuçova e Dimali. NeshatBrahimaj kujton  babanë partizan, Rizanë; Skënder Kullauka ardhur po për babanë,Musanë; Misiri po për babanë partizan, Ahmet Kumrinë; Hajria, edhe ajo, na thotë se është e bija e ish partizanit Petrit Kondi. Në krah të një grupi skraparlinjësh, Asqeriu, ardhur nga Tirana, flet për babanë, sjell kujtime nga ai, nga ish partizani Qemal Zylyftari. I gjithë ai mjedis është kthyer në një “auditor” të stërmadh ku tema e ditës është 80 vjetori i Brigadës së VII Sulmuese.

Ishte bukur në Vlushë në këtë ditë pranvere, në këtë ditëlindje të një nga formnacionet më të mëdha luftarake, të Brigadës së VII Sulmuese.