Gjyqtari i trazirave në EULEX/ Ja kush është gjyqtari i rremë, i ngarkuar me dosje në Kosovë, i cili u bë gjykatës i fuqishëm , pavarësisht se nuk kishte arsimin e duhur dhe u pushua nga puna për sjellje të pahijshme

292
Sigal

 

Akuzat për ndërhyrje në çështje gjyqësore dhe presion politik tronditën EULEX-in në Kosovë pasi një avokat britanik, i cili u bë një gjykatës i fuqishëm, pavarësisht se nuk kishte kredencialet e nevojshme ligjore, u pushua nga puna për sjellje të pahijshme.

Nga Bronwyn Jones

Malcolm Simmons duke mbajtur një prezantim për EULEX-in në nëntor 2012. Foto: EULEX.

Fundi i vitit 2017 ishte edhe fundi i karrierës ndërkombëtare të Malcolm Simmons si gjyqtar ndërkombëtar në Ballkan.Ai nuk kishte shërbyer kurrë si gjyqtar në vendin e tij, siç konfirmoi Zyra Gjyqësore në Mbretërinë e Bashkuar, por, megjithatë, kishte arritur të bëhej president i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it – misioni i sundimit të ligjit i Bashkimit Evropian i ngarkuar me vendosjen e sundimit të ligjit dhe një sistemi drejtësie në Kosovë.Simmons kishte qenë gjithashtu kryetar i trupit gjykues në raste të profilit të lartë, politikisht të ndjeshme, krimesh lufte, siç ishte gjyqi për rastin e Kleçkës, i cili përfundoi me lirimin nga akuzat të Fatmir Limajt, një guerril i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë kohës së luftës, i cili pas luftës drejtoi partinë e tij politike dhe shërbeu si ministër.

Megjithatë, pas dy vitesh investigime të Bashkimit Evropian dhe tre seancash disiplinore, Simmons u gjet fajtor për sjellje të pahijshme dhe u urdhërua të kthehej në Britani, në vendin e tij.

Gjatë gjashtë viteve të fundit, Simmons i ka thënë kujtdo që dëshiron të dëgjojë – duke përfshirë një komision parlamentar të Kosovës në korrik 2021 – se ai ishte viktimë e makinacioneve politike nga BE-ja. Në një artikull të shpërndarë gjerësisht në Le Monde në nëntor 2017, ai e përshkroi EULEX-in si një “farsë” dhe pretendoi se dha dorëheqjen nga neveria.

Megjithatë, e vërteta është se Simmons u emërua në pozicione për të cilat ai nuk ishte plotësisht i kualifikuar – dhe pasojat e vazhdueshme të kësaj mund të kenë ende ndikim në një çështje të rëndësishme kanosjeje dëshmitarësh në Hagë.

BIRN foli me vetë Simmons-in si dhe me shumë prej atyre që kishin njohuri për atë që ndodhi; ata shpesh kërkonin anonimitet për të folur lirshëm.

BIRN qe gjithashtu në gjendje të merrte vendimet nga tre seancat disiplinore të BE-së që Simmons humbi. Vendimet mbështesin shumë nga ato që BIRN gjeti përmes intervistimit në mënyrë të pavarur të dëshmitarëve.

Nga Londra në Bosnje

 

Simmons foli gjatë me email me BIRN për karrierën e tij dhe akuzat, por ai refuzoi një intervistë ballë për ballë.Simmons tha se pasi u kualifikua si avokat, ai punoi për firma ligjore në Londër dhe më pas si zv/ndihmës mjek ligjor në Londrën lindore nga vitit 1997 deri në vitin 2000. Zyra e mjekësisë ligjore shpjegoi se ky është një “zyrtar gjyqësor i pavarur, i cili heton vdekje të papritura, jo nga arsye natyrore ose të dhunshme”.

Megjithatë, për të qenë një mjek ligjor ose zëvendës ndihmës, nuk është e thënë të jesh gjyqtar. Zyra Gjyqësore në Mbretërinë e Bashkuar konfirmoi se Simmons nuk ka qenë kurrë gjyqtar në Angli dhe Uells.

Në vitin 2001, ai mori një rol këshilltari ligjor për Këshillin Ndërkombëtar të Gjyqësorit, një organ i krijuar në kuadër të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë, i cili mbikëqyr zbatimin e marrëveshjes së paqes që i dha fund luftës në Bosnje dhe Hercegovinë, për të rindërtuar sistemin gjyqësor të vendit. Çuditshëm, ai nuk kishte diplomë master, gjë që zakonisht është një kërkesë edhe për një pozicion juridik ndërkombëtar të nivelit fillestar jashtë shtetit.

Në vitin 2004, ai u bë gjyqtar në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës, me kërkesën e tij të mbështetur nga Zyra e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar, pavarësisht mungesës së përvojës së tij sipas një rregulloreje të OKB-së që kërkon përvojë në gjykatë në vendin e origjinës së një individi përpara se ai ose ajo mund të emërohet në një pozicion jashtë vendit. Rregullorja e OKB-së e vitit 2000, e cila zbatohet për vendet që dërgojnë gjyqtarët ndërkombëtarë, thotë se atyre u kërkohet të kenë të paktën pesë vjet përvojë si gjyqtarë në vendin e tyre përpara se të vendosen jashtë vendit.

BIRN pyeti Zyrën e Jashtme, Komonuelthit dhe Zhvillimit përse aprovoi njerëz për poste të tilla pa përvojën e kërkuar gjyqësore, por nuk mori një përgjigje të drejtpërdrejtë, vetëm një deklaratë të përgjithshme që thoshte se nuk komenton “komunikime private, të brendshme me stafin apo të dërguarit”.

Ndërkohë, gazetarja Natalia Zaba raportoi në një artikull për Koalicionin e Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve se gjatë kohës që Simmons punonte në Bosnje dhe Hercegovinë, ai i referohej vetes si “doktor” në artikuj dhe në dokumentet e gjykatës boshnjake. Ai e la këtë titull në Kosovë.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, ai u përplas me kryetaren e gjykatës shtetërore, Meddzida Kreso. Ajo akuzoi Simmons-in se ai nuk e njihte ligjin boshnjak dhe loboi për ta hequr atë si gjyqtar. “Dëgjuam se një nga gjyqtarët nuk kishte qenë kurrë gjyqtar (në vendin e tij)”, tha Kreso për Koalicionin e Evropës Juglindore për Mbrojtjen e Sinjalizuesve. “Ai nuk e njihte ligjin boshnjak dhe as nuk ishte i gatshëm të njihej me të. Ai madje nuk ishte i gatshëm të konsultohej me ligjin vendas. Këtë e mësova nga gjyqtarët vendas me të cilët ai punoi.”

Sipas një raportimi në Slobodna Bosna, botuar në vitin 2017, mosmarrëveshja ishte edhe më serioze: “Siç zbuloi në atë kohë kryetarja e Gjykatës së Bosnjës dhe Hercegovinës (Kreso), konflikti i saj me Simmons shpërtheu pasi ai i kërkoi asaj të bënte një listën e të gjithë të paditurve për krime lufte në Bosnje dhe Hercegovinë dhe të bënte një analizë të kombësisë së tyre (etnisë)”,- thuhet në raportim.

“Pasi Kreso refuzoi ta bënte këtë, Simmons akuzohet se nisi një fushatë kundër saj, madje ka përfshirë disa oficerë britanikë në SFOR (forcat paqeruajtëse të NATO-s në Bosnjë). Komanda e SFOR-it në Bosnje dhe Hercegovinë vlerësoi se një presion i tillë ishte i papranueshëm dhe shkarkoi oficerët që morën pjesë në të”, vazhdonte raportimi.

Simmons thotë se mosmarrëveshja ndodhi, sepse Kreso favorizoi disa gjyqtarë duke i lejuar ata të shkonin në udhëtime trajnimi jashtë shtetit dhe se ajo donte dy oficerë mbrojtës, ndërsa gjyqtarët e tjerë kishin vetëm një të tillë.

Ai thotë se u mbështet nga ambasadori i atëhershëm i Britanisë në Sarajevë, Mattheë Rycroft, një pretendim i raportuar gjithashtu në artikullin e Slobodna Bosna. Simmons pretendoi se të tjerë në komunitetin ndërkombëtar e mbështetën gjithashtu. Kreso nuk qe e mundur të kontaktohej për një koment dhe Rycroft nuk pranoi të komentonte.

Simmons mbeti gjykatës për katër vjet në Bosnje, duke kryesuar raste të shquara korrupsioni si ai i Ante Jelaviç, një politikani kroat të Bosnjës që kishte kryesuar presidencën e Bosnjës dhe Hercegovinës. Pastaj, thotë ai, qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i kërkoi që ai të shkonte në Kosovë dhe t’i bashkohej misionit të sundimit të ligjit të BE-së, EULEX.

Nga Bosnja në Kosovë

Simmons mbërriti në Kosovë në vitin 2008 dhe kaloi gati një dekadë duke punuar për EULEX-in në Prishtinë, i dërguar nga Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar.Kur u pyet gjatë një seance parlamentare të Kosovës në korrik 2021 për mungesën e përvojës së tij gjyqësore për punën e EULEX-it, ai tha se kishte qenë gjyqtar në Sarajevë për katër vjet dhe se ishte intervistuar nga një panel i EULEX-it “dhe ata e dinin se cila ishin kualifikimet”.Ai i tha BIRN të njëjtën gjë: “Të gjithë e dinin se cila ishte përvoja ime. Jam intervistuar nga një panel gjyqtarësh ndërkombëtarë.”Kur BIRN pyeti EULEX-in për procesin e punësimit, zëdhënësja Ioanna Lachana shpjegoi pse misioni nuk bëri kontrolle përsa i takon eksperiencës për Simmons.“Ka dy mënyra rekrutimi: të transferuar dhe të kontraktuar. Për stafin e kontraktuar, misioni është përgjegjës për verifikimin e të kaluarës dhe kredencialeve të tyre. Për personelin e deleguar, është shteti i të deleguarit ai që duhet të verifikojë dhe certifikojë kandidatët që plotësojnë kriteret. Simmons u transferua nga Mbretëria e Bashkuar. Prandaj, nuk u krye asnjë kontroll për të verifikuar kredencialet e tij”, tha Lachana.

Kjo u konfirmua nga Peter Stano, zëdhënësi i politikës së jashtme të BE-së, i cili tha se “BE-ja drejtohet nga shtetet e saj anëtare… ne u besojmë atyre kur bëhet fjalë për nominimet”.

Richard Le Vay, zëdhënës i Ambasadës Britanike në Prishtinë, tha se “Z. Simmons plotësonte kriteret që duhej të parashtroheshin nga FCO (Zyra e Jashtme dhe Komonuelthit) për këtë rol dhe u konsiderua i denjë për t’u marrë në konsideratë nga EULEX-i. EULEX-i drejtoi procesin e rekrutimit dhe z. Simmons u zgjodh nga EULEX-i.”

EULEX-i është ende misioni më i madh ndonjëherë i Bashkimit Evropian për Politikën e Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, edhe pse në vitin 2018 ai ia kaloi funksionet e tij ekzekutive autoriteteve të Kosovës dhe nuk ka më gjyqtarë dhe prokurorë në vend ose nuk mban gjykime, siç bënte më parë. Megjithatë, ai vazhdon një mision monitorimi dhe sigurie.

Në kohën e Simmons, roli i EULEX-it ishte të ndërtonte sistemin e drejtësisë së Kosovës dhe të përdorte gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë për të gjykuar raste të ndjeshme – kryesisht raste krimesh lufte dhe korrupsioni. Kjo shpesh nënkuptonte trajtimin e rasteve shumë të ndjeshme që përfshinin politikanët të lartë të Kosovës. Rastet po dëgjoheshin gjithashtu ndërsa BE-ja po përpiqej që Kosova dhe Serbia të normalizonin marrëdhëniet e tyre në bisedimet e gjata në Bruksel, të cilat i dhanë një dimension tjetër politik procesit gjyqësor.

Rasti “Kleçka”

 

Simmons ishte kryetari i trupit gjykues në rigjykimin e çështjes së profilit të lartë “Kleçka”, e cila përfshinte akuza se guerilët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës torturuan dhe keqtrajtuan të burgosurit në një objekt paraburgimi gjatë luftës së viteve 1998-1999. I pandehuri më i shquar ishte Fatmir Limaj, kreu i partisë NISMA dhe ish-ministër i Transportit dhe Infrastrukturës i Kosovës, i cili kishte qenë komandant gueril i UÇK-së gjatë kohës së luftës.

Limaj tashmë ishte liruar dy herë nga akuzat në dy gjyqe në gjykatën e OKB-së për krime lufte në Hagë dhe Simmons besonte se çështja nuk duhet të kishte shkuar kurrë në gjyq në Kosovë, sepse ishte shumë e dobët.

Megjithatë, gjykatësi amerikan Dean Pineles, një i diplomuar në Harvard me mbi 40 vjet përvojë ligjore dhe gjyqësore, i cili ishte pjesë e trupit gjykues në gjyqin e shkallës së parë, mendonte se çështja “Kleçka” ishte “plotësisht e denjë për një gjykim të plotë, si ligjërisht ashtu edhe faktikisht ” dhe shkroi një artikull për të hedhur poshtë mendimin e Simmons.

Çështja pati si kryesor një dëshmitar kyç, Armend Zogaj, i cili kishte mbajtur një ditar gjatë kohës që kishte qenë roje në objektin e paraburgimit të UÇK-së në Kleçkë dhe kishte regjistruar krimet. Por para se çështja të dilte në gjyq, Zogaj vrau veten në Gjermani.

Simmons mendonte se çështja nuk duhet të vazhdonte duke qenë se mbrojtja nuk ishte në gjendje ta merrte në pyetje dëshmitarin. Ai argumentoi se provat e Zogajt ishin kundërshtuar nga provat mjeko-ligjore, dëshmitarët e tjerë dhe deklaratat e tij të mëparshme. “Duke pasur parasysh të gjitha këto, nuk mendoj se ndonjë prokuror i arsyeshëm do ta kishte çuar çështjen në gjyq”,- tha ai.

Por Pineles, në një libër të ardhshëm, argumenton se Zogaj ishte përgjigjur mbi “1,000 pyetjeve” në fazën e zbulimit të çështjes nga avokatët mbrojtës dhe se të gjitha ishin në përputhje me njëra-tjetrën.

Simmons gjithashtu argumentoi se Zogaj kishte një histori sëmundjeje mendore, që nënkuptonte se ai ishte një dëshmitar jo i besueshëm. Por ai e refuzoi kërkesën e prokurorisë për të thirrur një psikiatër si dëshmitar, sipas intervistave me persona të afërt me çështjen.

Një burim i afërt me çështjen tha se deklaratat e Zogajt i çonin hetuesit drejt e në prova: “Deklaratat e tij ishin si një hartë”.

Simmons, megjithatë, ka pretenduar se ai po shtyhej nga BE-ja për të dënuar të pandehurit. Ai pretendon se Kenneth Deane, atëherë kreu i operacioneve civile i Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes, i cili menaxhonte të gjitha misionet e BE-së, i tha atij se nevojiteshin dënime.

Deane nuk kishte asnjë rol të drejtpërdrejtë mbikëqyrës mbi Simmons ose dy anëtarët e tjerë të trupit gjykues. Por Simmons pretendon se në një rast, Deane “udhëzoi EULEX-in të mos ndërmarrë asnjë veprim” lidhur me ankesën e Simmons se BE-ja po ushtronte presion mbi gjyqësorin për arsye politike. Simmons tha se e kishte letrën, por nuk pranoi t’ia tregonte BIRN-it. Deane nuk punon më për Bashkimin Evropian.

Simmons i tregoi BIRN një pjesë të një letre nga Charles L. Smith, ish-zv/presidenti i gjyqtarëve të EULEX-it, i cili tani është gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në letër thuhej se Smith donte ta caktonte çështjen për gjykim për shkak të shqetësimeve politike dhe të tjera. Smith, përmes Dhomave të Specializuara të Kosovës, nuk pranoi të komentonte.

Simmons pretendon se ndjeu se po shtyhej të dënonte njerëz për shkak të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja Beograd-Prishtinë që synonte normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai tha se BE-ja mendonte se Serbia nuk do ta vazhdonte dialogun nëse nuk do të kishte dënime të guerilëve të UÇK-së.

Stano e hodhi poshtë këtë sugjerim: “Dua të them se kjo vërejtje është aq absurde, saqë mendoj se bie vetë. Çfarë kuptimi mund të ketë numri i të dënuarve? Qofshin këta 10 apo qofshin 100? Çfarë mund ta nxisë dialogun, suksesi i të cilit varet nga aftësia e Kosovës dhe Serbisë për të rënë dakord për një kompromis për një marrëveshje gjithëpërfshirëse ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve?”

Pavarësisht presionit të supozuar të BE-së për një dënim, Simmons vendosi t’i lirojë nga akuzat të pandehurit, përfshirë Limajn. Pas kësaj, ai u rrit në detyrë dhe u bë president i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it.

Megjithatë, edhe një herë, ai nuk kishte kualifikimet e duhura për këtë rol – siç theksohet në faqen 31 të këtij dokumenti të EULEX-it për punën – pavarësisht përvojës së tij gjyqësore në Ballkan. Për t’u kualifikuar, ai duhet të kishte një diplomë master dhe “të paktën 10 vjet përvojë profesionale si gjyqtar, mundësisht edhe në gjykata të larta/apeli”.

Presidenti i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it është në thelb një rol menaxhues dhe Simmons mbikëqyri të gjithë gjyqtarët dhe të gjitha çështjet gjyqësore në EULEX.

Pas lirimit nga akuzat të të pandehurve në rigjykim, çështja “Kleçka” vazhdoi me një apelim të vendimit. Si president i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Simmons mori pjesë në përzgjedhjen e gjyqtarëve që dëgjuan apelin.

Mediat në Kosovë më pas filluan të publikonin akuza për sjellje të pahijshme personale dhe profesionale kundër gjyqtarit kryesor të apelit. Sipas BE-së, një memorandum konfidencial, një vlerësim i çështjes i ndarë vetëm midis anëtarëve të trupit gjykues, ishte vjedhur nga dhomat e gjyqtarëve kryesorë. BE-ja filloi të hetonte Simmons-in.

BIRN ka parë dy dokumente që përmbajnë konkluzionet e seancave disiplinore të Simmons. Njëri prej tyre, i cili mban datën 13 dhjetor 2017 dhe i emërtuar si “Rasti numër 2017-1” ka të bëjë me sjelljen e tij në çështjen “Kleçka”.

“Duke qenë kryetar i trupit gjykues në çështjen “Kleçka” në shkallë të parë në rigjykim, gjyqtari Simmons kishte një interes profesional dhe ndoshta moral në rezultatin e apelit. Në kohën kur ai mori kryesimin e gjyqtarëve të EULEX-it në tetor 2014, dihej mirë se disa nga gjyqtarët e EULEX-it që kishin shqyrtuar rastin kishin dyshime për faktet e gjetura nga gjykata.”

Dokumenti më pas vazhdon duke thënë: “Në këto rrethana, ishte veçanërisht e rëndësishme që gjyqtari Simmons të mos merrte asnjë pjesë në përzgjedhjen e gjyqtarëve të EULEX-it që do të dëgjonin një rast i cili mund të kishte rezultuar në rrëzimin e një vendimi në hartimin e të cilit ai luajti një rol udhëheqës në shkallën e parë… Për më tepër, sjellja e gjyqtarit Simmons binte ndesh me parimin e gjyqtarit të ligjshëm.”

Simmons pretendoi se ai kishte të drejtë të zgjidhte panelin si president i gjyqtarëve të EULEX-it, por paneli disiplinor i BE-së nuk u pajtua me këtë.

Bordi disiplinor e liroi Simmons-in nga tre akuza të tjera, duke përfshirë pretendime të tjera për ndërhyrje gjyqësore në rastin “Kleçka”, për shkak të mungesës së provave.

Por ai zbuloi se ai ishte fajtor për një akuzë për ndërhyrje në rastin “Kleçka” dhe urdhëroi që ai të “riatdhesohej me efekt të menjëhershëm” në vendin e tij.

Rasti Drenica II

Ndërsa Simmons ishte Kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, ai ishte gjithashtu i përfshirë në përzgjedhjen e trupit gjykues në një rast tjetër të profilit të lartë, të njohur si Drenica II, i cili përsëri pati polemika.

Të pandehurit në rastin Drenica II, ish-guerilë të UÇK-së të akuzuar për kryerjen e krimeve të luftës duke përfshirë torturën kundër të burgosurve civilë, përfshinin disa figura të profilit të lartë – ambasadorin e Kosovës në Shqipëri, Sylejman Selimi, dhe kryetarin e Skenderajt, Sami Lushtaku.

Dy gjyqtarë polakë u zgjodhën për panelin e çështjes Drenica II, por Simmons pretendoi se ata kishin një lidhje bashkë dhe se njëri prej tyre kishte bërë deklarata antishqiptare.

Gregor Guy Smith, avokati i të pandehurit Sylejman Selimi në këtë çështje, tha për BIRN se ai kishte disa biseda me Simmons dhe kishte raportuar shqetësimet e tij se dy gjyqtarët polakë ishin të përfshirë në një marrëdhënie.

Marrëdhënia e pretenduar si dhe komentet fyese u panë nga Simmons si një problem i mundshëm njëanshmërie. Por kishte pak prova të tjera përveç një shikimi të raportuar të dy polakëve në Shqipëri dhe pohimeve të Simmons. Asnjë nga personat me të cilët foli BIRN nuk i mbështeti akuzat për komentet apo lidhjen e tyre dashurore.

Megjithatë, Simmons pranoi të dëshmonte për këto incidente në gjyqin Drenica II në emër të mbrojtjes.

Simmons pohon se të gjitha komunikimet e tij me Guy Smith ishin transparente dhe të regjistruara. Guy Smith u pajtua, duke thënë se ai kurrë nuk e kishte takuar Simmons, por komunikoi me të vetëm përmes emailit. Ai tha për BIRN se ndjente se Simmons thjesht po përpiqej të sigurohej që të dy gjyqtarët të ishin në përputhje të plotë me standardet e paanshmërisë së plotë gjyqësore dhe sjelljes etike.

Guy Smith pohon se ai donte që të mbahej një seancë dëgjimore për akuzat ndaj dy gjyqtarëve, duke përfshirë pretendimet shtesë se gjyqtari kryesor ishte antishqiptar. Por seanca nuk u mbajt dhe Guy Smith tha se kjo nënkuptonte se klienti i tij nuk u lejua të zbulonte nëse ai kishte një trup gjykues të paanshëm.

Vendimi i panelit disiplinor të BE-së për pretendimet se Simmons ka ndërhyrë në rastin Drenica II, i datës 15 dhjetor 2017, tha se “në përfaqësimin dhe promovimin e çështjes për njërën nga palët në procedurat ligjore (mbrojtjen), gjyqtari Simmons qartazi nuk po vepronte në mënyrë të paanshme”.

Trupi gjykues disiplinor zbuloi se Simmons ishte aq këmbëngulës për të dëshmuar për mbrojtjen, saqë i dërgoi 13 emaile njërit prej tre gjyqtarëve në rastin Drenica II, dhe pesë emaile një tjetri. “Jam i gatshëm të japë prova dhe besoj se do të ishte në interes të drejtësisë që ta bëja këtë”, shkroi Simmons.

Dokumenti i procedurës disiplinore shpjegon se këmbëngulja e Simmons në përpjekjen për të ndikuar në panel në një çështje ku ai nuk ishte pjesë u ndërlikua më tej nga fakti se si kryetar i Asamblesë së Gjyqtarëve, ai ishte menaxheri i drejtpërdrejtë i gjyqtarëve që ai po përpiqej të bindte që ta lejonin të dëshmonte për mbrojtjen.

Dokumenti përfundon: “Vitet e gjyqtarit Simmons si anëtar i misionit të EULEX-it që nga viti 2008 dhe pozicioni i tij si kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it do të justifikonte pritshmërinë që sjellja e tij t’i përgjigjej standardeve dhe nivelit më të lartë të integritetit dhe se ai duhet të ishte një shembull për kolegët e tij gjyqtarë. Në rastin aktual, sjellja e tij ishte e qëllimshme dhe e përsëritur, dhe shpërdorimi i tij i detyrës si kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it ishte skandaloz.”

Ai gjithashtu e akuzoi atë për keqorientim të gjyqtarëve në rastet Drenica dhe shefin e Zyrës Ligjore për të Drejtat e Njeriut të EULEX-it. Email-et e tij u bënë edhe më këmbëngulës, tha ai, dhe paneli disiplinor vuri në dukje se ishte e çuditshme që, me gjithë përvojën e tij, Simmons dukej se nuk e kuptonte procedurën e duhur në situata të tilla.

Rasti Drenica II vazhdoi dhe të pandehurit u gjetën fajtorë. Simmons ende pretendon se lidhja dashurore e supozuar e gjyqtarëve në një farë mënyre e orientoi trupin gjykues drejt një vendimi fajësie.

Megjithatë, gjykata e apelit – e cila kishte një trup gjykues të përbërë nga gjyqtarë të Kosovës – gjithashtu nuk u pajtua me Simmons për këtë. Në vendimin e saj thuhej se shkeljet e supozuara nga dy gjyqtarët polakë “nuk përbëjnë shkelje të ligjit” dhe për këtë arsye do të ishte një çështje e brendshme për të cilën duhet të vendosë EULEX-i.

Pasojat vazhdojnë ende për Kosovën

Malcolm Simmons duke folur për Asamblenë e Kosovës në Zoom në korrik 2021. Foto: BIRN.

Në dëshminë e Simmons në komisionin parlamentar të Kosovës më 13 korrik 2021 për të diskutuar akuzat e tij, ai pohoi se gjyqtarët polakë ishin aty “për të mbushur xhepat me para” dhe se në shumë raste kishin punuar vetëm në “gjykata trafiku”.Simmons, i cili fitonte 15,600 euro në muaj duke punuar në EULEX, nuk kishte punuar kurrë në asnjë gjykatë në vendin e tij dhe nuk ishte bërë kurrë avokat. BIRN kontrolloi eksperiencën e gjyqtarëve që Simmons kritikoi dhe të gjithë ishin shumë të kualifikuar dhe punonin si gjyqtarë në çështje penale në vendet e tyre – ndryshe nga Simmons.

Simmons shprehu shumë kritika për procesin disiplinor kundër tij, por nuk pranoi t’i tregonte BIRN dokumentet përkatëse. Ai tha se donte të ishte e qartë se nuk po refuzonte të bënte publike dokumentet, por se këtë mund ta bëjë vetëm pas një hetimi të plotë parlamentar në Kosovë. Ai tha gjithashtu se është këshilluar që të mos i publikojë dokumentet nga këshilltari i tij ligjor.

Parlamenti i Kosovës e ka dëgjuar dëshminë e tij, por gati një vit që nga dëshmia e tij, ai nuk ka vendosur të hapë ndonjë hetim parlamentar.

Në nëntor 2017, Zyra e Jashtme, e Komonuelthit dhe Zhvillimit e Mbretërisë së Bashkuar mbajti një gjyq punësimi për statusin e Simmons. Simmons e hapi çështjen për të sqaruar situatën e tij të punësimit, sepse ai donte një post “diku më afër Mbretërisë së Bashkuar, nëse jo në Mbretërinë e Bashkuar”.

Megjithatë, gjyqtari i gjykatës së punësimit tha se nuk kishte punë në dispozicion për të. Ai tashmë ishte refuzuar për një post në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Gjykata përcaktoi se Simmons ishte dërguar në EULEX nga qeveria e tij dhe teknikisht punonte drejtpërdrejt për Zyrën e Punëve të Jashtme. Njësia e Stabilizimit e Zyrës së Jashtme, e cila i raporton drejtpërdrejt zyrës së kryeministrit, miratoi pozicionin e tij.

Ndërsa EULEX-i ishte “menaxheri” i tij, punëdhënësi i tij ishte qeveria e tij. Mbretëria e Bashkuar përfundimisht e zgjodhi atë për këtë post, e vlerësoi rregullisht punën e tij dhe ia zgjati vazhdimisht kontratën. Madje Zyra e Punëve të Jashtme bëri një përjashtim që ai të merrte zgjatje shtesë përtej kufirit të shërbimit katërvjeçar.

Raportet e gjykatës së punësimit të BE-së iu dorëzuan plotësisht qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar. BIRN paraqiti një kërkesë për të drejtë informimi për raportet, por qeveria e Mbretërisë së Bashkuar iu tha se ndërsa dispononte disa nga materialet e kërkuara, për arsye të “marrëdhënieve ndërkombëtare”, nuk do t’ia japë ato BIRN-it.

Stano tha gjithashtu se BE-ja nuk do t’i ndjekë më tej pretendimet e Simmons: “Ne mendojmë se EULEX-i është i fortë dhe mund ta menaxhojë këtë. Dhe Britania e Madhe nuk është më një shtet anëtar.”

Megjithatë, pretendimet e Simmons vazhduan të kishin pasoja. Charles L. Smith iu kërkua të tërhiqej nga gjykimi i Nasim Haradinajt në Dhomat e Specializuara të Kosovës për shkak të akuzave të Simmons për ndërhyrje të motivuara politikisht, por refuzoi.

Haradinaj, nënkryetar i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u gjykua dhe u dënua për rrjedhje të dokumenteve konfidenciale të gjykatës në media. Haradinaj pohoi se vërejtjet e Simmons tregonin se Smith ishte i njëanshëm kundër UÇK-së.

Nga viti 2017 deri këtë vit, Simmons ka punuar periodikisht si këshilltar gjyqësor në Maldive në Oqeanin Indian, si pjesë e një programi të mbështetur nga Projekti i Zhvillimit i OKB-së, UNDP, dhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në vend.

Në shkurt, ai u emërua gjykatës i përkohshëm i Gjykatës së Lartë dhe mjek ligjor i lartë  në Ishujt Falkland, Gjeorgjinë Jugore, Ishujt Jugorë Sanduiç dhe në Territorin Britanik Antarktik, territore të largëta britanike jashtë oqeanit Atlantik.

“Për shumë vite, kam dashur të vizitoj Ishujt Falkland, por nuk kam pasur kurrë mundësi. Kur doli ky vend i lirë pune, shfrytëzova rastin”, citohet të ketë thënë Simmons nga South Atlantic News Agency.