Patriotizmi , Perëndimi dhe streha e të pabesëve

21
Sigal

Speciale nga Vangjush Saro: Mbahu Shqipëri! Më në fund po vjen edhe finalja e komedisë: Klani që drejton vendin, është i lumtur, është në qiellin e shtatë; motivet që e mbajnë atë në këmbë, janë partiake dhe deri vetjake. “Revolucionet mbarojnë në momentin kur plotësohen qëllimet personale të drejtuesve.” Dhe ky klan s’e ka problem as Drejtësinë, as Përparimin, as Demokracinë; planifikon vetëm të shtojë fitimet dhe jetëgjatësinë në pushtet

 

Duke u marrë me propagandë dhe duke synuar vetëm fitime e pushtet, mundësisht edhe për disa mandate të tjera, klani që drejton sot Shqipërinë shikon e zmadhon vetëm qasjet vanitoze për t’u dukur ‘të përvëluar’ për vendin, për t’u shitur me gjasë të përparuar, ‘Perëndimorë’ e besnikë të aleatëve. Kjo gjë është bërë fiksim, qëllim në vetvete. Patriotizmi është streha e fundit e të pabesëve.

 Duke u marrë (posaçërisht) me propagandë dhe duke synuar vetëm fitime e pushtet, mundësisht edhe për disa mandate të tjera, klani që drejton sot Shqipërinë shikon e zmadhon vetëm qasjet vanitoze për t’u dukur ‘të përvëluar’ për vendin, për t’u shitur me gjasë të përparuar, ‘Perëndimorë’ e besnikë të aleatëve. Kjo gjë është bërë fiksim, qëllim në vetvete. Pse-të mund të jenë disa. Dhe ja njëra: “Patriotizmi është streha e fundit e të pabesëve.” (S. Xhonson). Zbukurimi vetëm i qendrës së kryeqytetit; aeroportet (e vegjël) pa avionë e pa pasagjerë, por jo pa bujë; bazat e huaja ushtarake, si pakkush në rajon; trojet bregdetare, përfshi Portin e Durrësit e deri edhe ishullin e Sazanit në shitje e në këmbim të përparimit fals, këto dhe vetëm këto ia vlejnë për klanin në fjalë. Të tjerat, nuk kanë rëndësi.

Dhe cilat janë ‘të tjerat’? Borxhi ekonomik ka shkuar lëre mos e pyet. Diametraliteti i jetës është bërë më kërcënues se kurrë më parë. Të ashtuquajturat ‘Zona të mbrojtura’ po falen. Ndotja mjedisore dhe ajo akustike janë krejt jashtë kontrollit. Ikja e njerëzve nga vendi i tyre gjithashtu nuk është problem për klanin, që drejton në Shqipëri; ashtu është më e lehtë të sundosh. Mund të gostisësh vetëm ata që të vijnë pas, nga qendra në bazë, duke siguruar një masë votuesish që, edhe pse përqindja e pjesëmarrësve në këtë proces sa vjen bie, prapë të japin fitore ty. Dhe këto fitore e pasurojnë edhe më tej klanin, paçka se disa syresh, kohë pas kohe, arratisen ose shkojnë te SPAK-u dhe për këtë askush nuk skuqet… (Sa shumë po kërkon!)

Prania e bandave dhe e grupeve kriminale, atentatet, larja e hesapeve, shfrytëzimi i të gjitha mundësive për të fituar terren, këto gjithashtu pak e shqetësojnë klanin që drejton Shqipërinë. Në shtyp mund të lexosh (dhe me sy mund të shikosh) që ato synojnë të miturit, “sepse ata thyhen më lehtë dhe dalin me vështirësi nëse bien pre në këtë moshë”. Lexo: “Në fund të vitit të shkuar, policia arrestoi 600 shtetas në dy aksione kombëtare që kishin në fokus sigurinë në sistemin parauniversitar.” Dhe më tej: “Zona më e nxehtë ku të miturit përfshihen në aktivitetin e paligjshëm të prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, është Tirana.” Aty afër kësaj gjëme, shkatërrimi i familjeve dhe marrja nëpër këmbë e fëmijëve, gjithashtu është një temë e një makth që klani pushtues (ashtu, në pushtet) s’e ka fort në fokus. (Pa mohuar që segmente të Policisë së Shtetit dhe të Administratës përpiqen të shërojnë ç’të munden.)

Më në fund, finalja e komedisë: klani që drejton vendin, është i lumtur, është në qiellin e shtatë; motivet që e mbajnë atë në këmbë, janë partiake dhe deri vetjake. “Revolucionet mbarojnë në momentin kur plotësohen qëllimet personale të drejtuesve.” Dhe ky klan s’e ka problem as Drejtësinë, as Përparimin, as Demokracinë; planifikon vetëm të shtojë fitimet dhe jetëgjatësinë në pushtet.

Dhe pastaj, ‘flaka’ ka përfshirë vendin edhe në tema ‘luksi’. Disa media e çorodisin më tej gjindjen; përfitojnë e fitojnë nga dalldia e përgjithshme në jetë, në politikë, në kulturë. Shpëlarja e trurit dhe fshehja e halleve janë në rendin e ditës. Një tjetër problem i trajtuar këto kohë gjerësisht (edhe nga autori i këtyre radhëve): Shqipëria ia doli të kishte një Gjuhë Letrare, një Standard, që po respektohej në të gjitha trojet shqipfolëse. Por tash janë shfaqur ca trima pas lufte, snobë, gjakbërës, që edhe këtë arritje e quajnë punë të Socializmit (madje ata thonë të Komunizmit, ec e gjeje ku ishte ai rend). Dhe kanë filluar të shkruajnë (e të botojnë) në dialect (e) duke provuar qartazi se sa egoistë, sa të papërqendruar dhe fals kemi qenë dhe mbetemi. Kurse institucionet përgjegjëse heshtin, duke u lënë hapësirë snobëve përçarës e përçartës. E si për ta zbukuruar tablonë e kaosit, ka plasur ‘luftë’ e madhe edhe sa i takon vjetërsisë e ‘madhështisë’ së Gjuhës Shqipe, duke ia blatuar asaj të gjitha arritjet dhe shpjegimet e gjuhëve të vendeve të tjera, në çdo kohë, more në çdo çast. Çudi! Anglezët s’e kanë problem që gjuha e tyre vjen (siç kam lexuar) nga një dialekt gjerman. (“A Short History of Literary English”, WF. Bolton.) Por ndërkohë, ajo (anglishtja) ka pushtuar botën, aq sa edhe në Shqipërinë e vogël, një më dy e përdorin shprehje dhe fjalë në anglisht (gjithnjë për të treguar ‘përparimin’).

Më në fund, finalja e komedisë: klani që drejton vendin, është i lumtur, është në qiellin e shtatë; motivet që e mbajnë atë në këmbë, janë partiake dhe deri vetjake. “Revolucionet mbarojnë në momentin kur plotësohen qëllimet personale të drejtuesve.” (V. Hygo) Dhe ky klan s’e ka problem as Drejtësinë, as Përparimin, as Demokracinë; planifikon vetëm të shtojë fitimet dhe jetëgjatësinë në pushtet. Ky klan, sa vjen po koracohet, po bëhet edhe më solid, më prepotent. Dhe kjo është vërtet e frikshme.

Mbahu, Shqipëri! (Mbahu?) E them këtë, sepse nuk ka mbetur tjetër gjë me u thënë… Për fat të keq! “Pena ime është e dobët për t’ia dalë mbanë detyrës së rëndë.” (F. Dostojevski)