EURO 2020/ Favoritët nuk falin, Finlanda bën ‘surprizën’ përballë Danimarkës

278
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Kanë përfunduar ndeshjet e para të grupeve A, B dhe C,  të ‘Euro 2020’, kompeticion i cili ishte planifikuar për t’u zhvilluar vitin e kaluar, por për shkak të pandemisë po zhvillohet këtë vit. Në ndeshjet e para, ekipet favorite për të ecur më gjatë në garë për trofeun presitgjoz, nuk kanë zhgënjyer, me përjashtim të Danimarkës, lojtarët e të cilës mbetën të shokuar pas arrestit kardiak që pësoi në fushën e lojës udhëheqësi i tyre në fushë, Kristian Eriksen.

Lojtarët e Danimarkës ditën e djeshme duke qëndruar rreth Eriksenit të shtrirë pa ndjenja në fushën e lojës

Grupi A
Ndeshja hapëse e grupit A përkoi me ndeshjen hapëse të këtij kompeticioni Turqi-Itali, ndeshje e cila u fitua nga ‘axurrët’ me rezultatin e pastër 0-3, duke i çuar italianët në krye të grupit A.

Mesditën e së shtunës u luajt dhe ndeshja e dytë e këtij grupi mes Uellsit dhe Zvicrës, e cila përfundoi me rezultatin 1-1, edhe pse lojtarët e Zvicrës ishin më kërkues me sulmet euforike të Embolo dhe Gavranoviç, me këtë të fundit që realizoi dhe golin e dytë për kombëtaren ‘helvetike’, por që ishte në pozicion jashtë loje dhe nuk mundi të ndryshonte rezultat. Ndërkaq, uellsianët duhet t’i falen portierit Uard, i cili i mohoi Zvicrës 2 gola të sigurtë.

Grupi B

Ndeshja e parë e grupit B ishte ajo mes Danimarkës dhe Finlandës, e cila përfundoi me rezultatin 0-1. Në minutën e 43’ lideri i mesfushës daneze, Kristian Eriksen, pësoi një arrest kardiak në fushën e lojës, duke shokuar dhe shokët e skuadrës, të cilët patën një nisje të mirë të lojës. Në minutën e 60’ do të vinte dhe surpriza, ku sulmuesi Pohjanpalo realizoi për Finlandën duke bërë surprizën. Fantastik dhe portieri Hradeki me atë penallti të pritur në minutën e 74’.

Ndeshja e dytë në grupin B ishte mes Belgjikës dhe Rusisë, e fituar nga belgët me rezultatin e pastër 3-0. I pari do të ishte Lukaku që do të shënontë, më pas Munier dhe sërish Lukaku në minutat e fundit të ndeshjes, duke marrë një fitore mëse të merituar, nga një ndeshje të cilën e dominuan tërësisht ata.

Grupi C

Austri-Maqedoni e Veriut ishte ndeshja hapëse e grupit C, e cila u zhvillua ditën e djeshme dhe përfundoi me rezultatin 3-1. Ndeshje që nisi e zjarrtë dhe me shumë sulm nga austriakët të cilët kaluan të parët në avantazh me Lajner në minutën e 18’. Në minutën e 28’ erdhi dhe përgjigja e debutuesve maqedonas me Pandev, që vendosi barazpeshën. Fitoren austriakëve ia dhanë golat e Gregoritz dhe Arnautoviç, të cilët shënuan respektivisht në minutën e 78’ dhe 89’ të sfidës.

Nga ana tjetër Holanda luajti mbrëmjen e djeshme me Ukrainën, ku fitoi me rezultatin 3-2. Fillimisht ishin holandezët që shënuan 2 herë brenda 6 minutave, përkatësisht në të 52’ dhe 59’ me Vijnaldum dhe Vegrohst. Më pas erdhi dhe kundërpërgjigja e ukrainasve, të cilët me golat e Jarmolenko në të 75’ dhe Jaremçuk në të 79’, “tronditën” tulipanët. Por, nuk do të mbaronte me kaq, pasi në minutën e 85’ Damfris do të realizonte golin e 3-të dhe të fitores për holandezët, duke i dhënë atyre 3 pikë të vyera në grupin C.

Grupi D
Ka startuar me supersfidën Angli-Kroaci, grupi D ku fitimtar dolën “ishullorët”, falë atij goli të shënuar nga Rahim Stërling, në minutën e 57’. Fitore mëse e merituar e anglezëve, që këtë edicion, sëbashku me Francën dhe Belgjikën, shihen si pretendentët kryesorë, për fitimin e kupës së ‘Euro 2020’. Paraqitje fantastike nga Stërling, i cili ishte i kudondodhur në fushë, për këtë arsye nga ‘Uefa’, ju dha dhe çmimi personal, “Lojtari më i mirë i ndeshjes”.

Përballja tjetër e grupit D, do të luhet ditën e sotme, në orën 15:00, ku Skocia do të përballet me Republikën Çeke, një përballje që pritet të jetë shumë e luftuar nga të dyja skuadra, në kërkim të një bilete për në fazën tjetër. Përveç ndeshjes Skoci-Rep. Çeke, ditën e sotme do të luhen dhe sfidat e grupit E, Poloni-Sllovaki dhe Spanjë-Suedi, sfida të cila do të zhvillohen respektivisht në orën 18:00 dhe 21:00.