Prof. Dr. Bernard Zotaj: Një institut (shtet) kundër LANÇ-it

1084
Sigal

Për bijtë që bënë emër dhe çliruan vendin nga pushtuesit dhe tradhtarët janë  ngritë përmendore, lapidarë, dhe u janë kënduar këngë.

Një institut (shtet) kundër LANÇ-it

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

 

Një institut shtetëror që del nga misioni i tij

Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është ngritur me miratimin e parlamentit shqiptar. Parlamenti i Shqipërisë me Vendim nr 10242 në 25 shkurt 2010 si “Institut qendror publik i pavarur” dhe ka statusin e personit ligjor. Ai është një institucion shtetëror, që financohet nga buxheti i shtetit. Misioni dhe qëllimi i punës së Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit është grumbullimi, studimi, analizimi, evidentimi i fakteve dhe informimi i publikut në lidhje me periudhën komuniste në Shqipëri (1945-1991), në të gjitha aspektet e tij. Më tej sipas nenit 5, të Ligjit nr. 10242, datë 25.2.2010, detyrat e këtij instituti janë: – studion dhe vlerëson objektivisht periudhën e regjimit komunist;

– analizon, studion dhe dokumenton krimet e kryera nga organet e diktaturës komuniste, si dhe pasojat gjatë dhe pas periudhës së komunizmit etj.

Ky institut në konkluzionet e vitit 2017 thuhej se do të realizonte “informimin e të rinjve të shkollave mbi periudhën komuniste, krimet dhe padrejtësitë, si edhe pasojat e sistemit”, për të mos vazhduar me tej, po del nga misioni i tij. Është arritur deri aty sa ngjarjet historike që lidhen me aktet gjyqësore politike në periudhën 1945-1991, i analizon sipas dëshirave të tij dhe jo kushteve konkrete të vendit dhe të kohës. Po kështu të gjitha gjyqet e popullit të bëra për diversantët, sabotatorët dhe grupet e tjera armiqësore kundra popullit, vrasjet e njerëzve që kërkonin të renë dhe përparimtaren si Heroinat e Mirditës, të mësuesit Ndrec Nque Gjoka, të deputetit Bardhok Biba etj., i quan proceset të fabrikimit të të ashtuquajturave “grupe armiqësore”. Ju lumtë, bukur kini punuar!

Një institut që nuk ka ekspert të fushës ushtarake

Duke dalë nga misioni juaj, pasi puna juaj fillon në vitin 1944 dhe përfundon në vitin 1991, ju padashur e kini shkelur këtë mision të ngarkuar me ligj dhe keni filluar që nga viti 1941! Kush jua ka dhënë këtë të drejtë! Edhe që e kini marrë, mirë kini bërë, sepse e shohim si dritën e diellit, që LANÇ-i juve dhe mjaft të tjerëve ju verbon, nga shkëlqimi i kësaj epopeje, që e njeh bota, ne duam ta errësojmë. Mirë që e bëni këtë veprim, por në institutin tuaj nuk gjendet asnjë ish-ushtarak, i cili njeh mirë Luftën, ligjet, urdhrat dhe udhëzimet, gjyqet ushtarake të ngritura dhe të ndërtuar sipas parimeve dhe principeve ligjore ndërkombëtare dhe shqiptare të kohës. Si të bëjmë që disa prej tyre janë dekoruar dhe vlerësuar nga fuqitë aleate si Bashkimi Sovjetik, një nga aleatët më të fuqishëm të koalicionit antifashist. Ndaj kërkoni një ish-ushtarak, ekspert që t’i interpretoni mirë dhe gjyqet pas çlirimit, vrasjet, sabotimet, ekzekutimet e diversantëve, kur këta ishin në rrugën e duhur për ndërtimin e një shteti që ju nuk kini të drejtë, ta gjykoni, por ta analizoni në mënyrë sa më objektive dhe të informoni publikun.

Një shtab luftarak dhe me peshë në luftë

Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër (Z1Op) u krijua me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH-së, më 4 gusht 1943, në Kuç të Kurveleshit. Ajo përbëhej nga komanda dhe shtabi. Komandant i saj ishte kapiten Islam Radovicka dhe komisar toger Bedri Spahiu. Ky formacion në pak më tepër se një vit të ekzistencës së saj (gusht 1943-tetor 1944), përballoi me sukses shumë operacione lokale të nazizmit gjerman dhe të bashkëpunëtorëve të tij, krahas dy mësymjeve të mëdha të përgjithshme të ushtrisë gjermane, atë të Dimrit të vitit 1943-1944 dhe të Qershorit 1944. Z1Op si formacion luftarak e administrativ ishte unikal dhe i veçantë për shkak të shtrirjes gjeografike, organizimit dhe të funksionimit luftarak e administrativ në përbërje të UNÇSH-së gjatë Luftës Dytë Botërore. Juridiksioni i Zonës u shtri në dy qarqet Vlorë e Gjirokastër dhe përfshiu edhe krahinën e Mallakastrës. Sipas direktivave të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH dhe vendimeve të Komandës së Zonës, më 10-11 tetor 1943, u krijuan 5 grupe partizane me nga tre batalione secili. Por pati dhe grupe si Grupi i Tretë i Mallakastrës që kishte katër batalione. Por komanda e shtabi i saj mbajtën në rezervë dhe dy batalione. Kështu Zona kishte gjithsej 18 batalione partizane të organizuar dhe gjithmonë në gatishmëri të përhershme luftarake. Z1Op, në fushën e organizimit ushtarak, për vetë masën e gjerë të kontingjenteve që zotëronte krahina e Labërisë dhe e Mallakastrës, por dhe të mobilizimit të popullit në luftë, shërbeu si burim i pashtershëm furnizimi me kontingjent njerëzor të 7 brigadave partizane të hapura në të gjithë Zonën. Të tilla ishin Br. V, VI, VIII, XII, XIV, XIX dhe XI S, si dhe plotësimin me kontingjente të shumta të brigadave të tjera të UNÇSH-së, si Br. I, II, III, IV, XVI S etj. Mbi 16.000 djem e vajza u përfshinë në formacionet partizane dhe ranë në fushën e nderit 2130 dëshmorë. Në hapësirën e Z1Op vepronin edhe formacione luftarake të UNÇSH-së, si brigada sulmuese. Komanda e shtabi i Z1Op organizoi dhe ushtroi edhe pushtetin e prapavijave të Zonës si dhe formacionet ndihmëse luftarake të UNÇSH-së, çetat e batalionet territoriale në gjithë hapësirën e saj gjeografike. Pas kapitullimit të Italisë fashiste (1943) forcat e Zonës çarmatosën posta e garnizone të divizioneve italiane “Parma” e “Peruxhia” në Gjirokastër, Tepelenë, Përmet, Sarandë, Drashovicë etj. Komanda e shtabi i Zonës përballuan një sërë operacionesh të pjesshme nazistëve gjermanë, si atë “Eilbote”, “Sturm”, “Bergkeseel”, si dhe dy operacione të mëdha të përgjithshme: operacionin gjerman të dimrit 1943-1944, që ndërmorën nazistët gjermanë me forca të Korpusit XXI e XXII Malor dhe 5.000 forca mercenare, si dhe operacionin gjerman të qershorit 1944, e cila në fazën e dytë të saj i zhvendosi veprimet luftarake në juridiksionin e Z1Op. Pranë shtabit të Z1Op gjatë luftës qëndruan dhe misione ushtarake të vendeve të koalicionit antifashist botëror si anglezë dhe amerikanë. Pas përballimit me sukses të operacionit të Qershorit 1944, komanda e Zonës, në bashkëpunim me brigada sulmuese, organizoi veprimet luftarake dhe çliroi qytetet e Gjirokastrës, Delvinës, Vlorës e Fierit dhe krejt hapësirën e qarqeve e të krahinave që mbulonte ajo. Kështu Z1Op i plotësoi me nder dhe lavdi detyrat që iu ngarkuan. Gjithë shtabin e Zonës së Parë Operative Vlorë-Gjirokastër-Mallakastër, pas 75 vitesh e akuzojnë, për krime të luftës, nga vinin urdhrat e ekzekutimeve, ku bënin pjesë: Islam Radovicka, Bedri Spahiu, Hysni Kapo, Hasan Pulo, Baba Fejzo, Rexhep Plaku, Jaho Gjoliku, Ferik Hado, Faslli Jaho, Hariz Velo etj.

Po me bijtë e Smokthinës ç’patët?

Akuzohet ushtaraku dhe gjenerali Bako Dervishi, si komandant batalioni në Br. V S, që luftoi gjer në Kosovë dhe ishte po ai, që pas çlirimit bëri një punë titanike për përjetësimin e dëshmorëve të krahinës. Biri i Smokthinës, komandanti i çetës “Zigur Lelo” dhe komandant i Br. XI S, Mevlan Dervishaj, që mori gjashtë plumba në luftë, akuzohet nga ky institut. Ushtaraku Dane Mehmeti, komandant batalioni në Br. V S, Feti Smokthina, komandant i kompanisë II, në Br. I S dhe komandant i Br. VIII S, Shahin Ruka, komisari i Br. XV S.

Ky institucion jo vetëm ka dalë nga misioni i tij, por ka prekur dhe ndjenjat e gjithë familjarëve, të veteranëve, të familjeve të dëshmorëve dhe të një komuniteti të madh, siç është krahina e Smokthinës dhe Lumi i Vlorës. Për këta bij që bënë emër dhe çliruan vendin nga pushtuesit dhe tradhtarët , në vite janë ngritur përmendore dhe lapidarë, shkruar në libra dhe bërë histori. Emrat e tyre i mbajnë rrugë e shkolla, si të bëjmë tani që ky institut pas 75 vitesh çlirim dhe përparim ju vendos një njollë të pa qenë. Në qoftë se çlirimtarët janë tradhtarë dhe vrasës, atëherë kujt ngelet, që t’i çojmë kurora me lule, tradhtarëve!