Prof. Dr. Arben Malaj/Bashkimi Europian synon zhbllokimin e negociatave, por jo një biletë fals për anëtarësim

638
Sigal

BE synon zhbllokimin e negociatave, por jo një biletë fals për anëtarësim

Prof. Dr. Arben Malaj

Ndërsa konkurrenca globale po bëhet kërcënuese, BE nuk mund të humbas më kohë për tu rritur dhe bërë sa më efektive  brenda saj dhe në nivel global. Projekti BE-së është akoma i paqartë në objektivin e tij final.

Do të synoj të jetë në modelin e Shteteve të Bashkuara të Evropës/SHBE si SHBA siç Churchill e propozonte?

Do të jetë konfederatë, federatë apo një bashkëpunim ndërqeveritarë për çështje për të cilat shtetet bashkohen në bazë të interesave të përbashkëta, siç është politika e jashtme dhe siguria?

Avancimi i thellimit të integrimit deri në krijimin e eurozonës mund të  lehtësoj hapat e mëtejshme. Sa thellë, me sa rrathë dhe me çfarë shpejtësie do të ecet në të ardhmen , mbeten pyetje ku  çdo parashikim  do të ishte më shumë se shumë i vështirë. Largimi Britanisë së Madhe dhe mungesa e harmonizimit midis Gjermanisë dhe Francës për vizionin, prioritetet, reformat e thellimin të integrimit dhe hapat e zgjerimit të saj me Ballkanin Perëndimor, po ushqejnë grindjet e brendshme në BE, e bëjnë atë më të dobët dhe me pak solidare. Propozimi i ri i Komisionit Evropian ku parashikohet ndërprerja e procesit të negociatave dhe anëtarësimit për vendet e Ballkanit Perëndimorë  mund të jetë lehtësuese për një ‘PO’ të vendeve skeptike, por mund të jetë një burim ushqimi për acarimin e herë pas hershëm të ambienti politik  edhe në vendet ballkanike.Në debatin nëse Shqipëria është një dëm kolateral i krizave  të brendshme të BE-së  duhet të mbahet parasysh çdo efekt negative që favorizon forcat euro skeptike apo radikalët dëmton edhe vetë vendet e Ballkanit Perëndimore. Kjo   pasi procesi i integrimit vihet në rrezik më të madh nëqoftëse këto forca përfitojnë mbështetje elektorale në rritje  vetëm duke qenë  kundërshtarë publike të emigracionit dhe të   përfshirjes së vendeve të Ballkanit në BE.  Liderët e Ballkanit Perëndimorë duhet ta trajtojnë hapjen dhe mbylljen e negociatave më shumë si një proces teknik dy palësh se sa një luftë deklaratash me theks politike midis  pozitës – opozitës dhe manxhorancës qeverisëse me vendet dhe institucionet vendimmarrëse të BE-së.Harmonizimi më mirë i prioritetet tona  me zhvillimet elektorale të  vendeve anëtare të BE-së dhe të  institucioneve të BE-se mund të lehtësoj suksesin e procesit integrues.Ky këndvështrim duhet të jetë i përbashkët si i maxhorancës dhe i opozitës, pasi në procesin e integrimit nuk mund të ketë përfitues apo dështues real të vetëm. Për aq kohë sa nuk do të ndjehen efekte pozitive të integrimit në një qeverisje me një demokraci funksionale dhe me pjesëmarrje, me shtet ligjor ku ndahen, balancohen dhe kontrollohen tre pushtetet, me një administratë publike efikase dhe me një ekonomi vibrante që prodhon më shumë punësim, më shumë të ardhura dhe më shumë kohezion social, çdo fitore e një pale politike  për çeljen e negociatave apo mbylljen e disa kapitujve mbetet vetëm elektorale. Sipas kriteret e Copenhagenit, çdo shtet gjeografikisht pjesë e Evropës mund të bëhet shtet i Bashkimit Evropian kur njeh, plotëson dhe respekton  kriterin politik të një demokracie funksionale, kriterin ekonomik të një ekonomie vibrante dhe kriterin  për  mbrojtjen e lirive e të drejtave themelore, me kujdes të veçantë për  minoritetet etnike e kulturore.Rritja e euro-skeptikëve dhe radikalëve, të cilët ndjehen ndoshta më të fortë pas rezultateve elektorale në rritje në zgjedhjet e fundit parlamentare të BE-së, pas rritjes së peshës së tyre politike në shtetet kryesore të BE-së si edhe pas daljes së Britanisë të Madhe nga BE-ja, nuk mund të konsiderohet vetëm problemi  i tyre, por edhe i vendeve të Ballkani. Kjo sepse fuqizimi i tyre është realisht një derë e mbyllur për të ardhmen tonë evropiane brenda Evropës së Bashkuar.

Marrja parasysh e efekteve  favorizuese  që mund tu sjell forcave euro skeptike çdo hap përshpejtues për integrimin e Ballkanit Perëndimore mund të prodhojë  humbje të votave mbështetëse për këto maxhoranca, të cilat në disa vende evropiane janë të brishta dhe në disa vende të tjera përballen me riskun e humbjeve në zgjedhjet e ardhshme, presidenciale, kombëtare e lokale.  Do të ishte naive nga ana e vendeve të Ballkanit Perëndimor të këmbëngulnin që hapja e negociatave të injoronte efektet  jo pozitive për këto maxhoranca qeverisëse. Kjo edhe për faktin se përfitimet gjatë  fazave të para të proceseve integruese janë të padukshme  sepse ato përqëndrohen më shumë në atë që është më e rëndësishme, pikërisht  funksionimin e shtetit ligjore. Ndërsa përftimet nga politikat dhe fondet respektive të BE për vendet e Ballkanit perëndimore  do të ndjehen gradualisht. Edhe aktualisht fondet  e BE-së përthithen nga vendet e Ballkanit perëndimorë nen 40 % perqind të shumave të destinuara për vendet e Ballkanit Perëndimore. Kjo përqindje e ulët ka në thelb dy pengesa jo lehtësisht të kapërcyeshme në kohë të shkurtër. E para është burokracia e vetë institucioneve të BE-së dhe e dyta është aftësia e ulët absorbuese nga  vendeve përfituese. Faktori i dytë  pa një administratë profesionale dhe të përkushtuar mund të jetë më kritik. Kjo bazohet jo vetëm në faktin që vendet e konsoliduara  të BE-së kanë aftësi absorbuese të lartë por sidomos në eksperiencën e provuar  të vendeve të reja të BE-se pas zgjerimit të madh të vitit 2004, të cilat e kanë rritur aftësinë absorbuese proporcionalisht me përafrimin jo vetëm ligjore por sidomos të performancës së institucioneve të tyre që kanë qenë përfituese nga politikat dhe financimet e BE-së. Strategjia e re e BE-së kërkon të vendos një raport më të ashpër  midis politikes së karotës – joshjes dhe lehtësimit të integrimit dhe politikës së shkopit – penalizmit të vendeve që nuk plotësojnë kriteret.  në këtë strategji duket se për të ulur reagimet bllokuese të eurospektikeve i është dhënë një fuqi më e madhe aplikimit të politikës së shkopit – deri në ndërprerjen e procesit të negociatave dhe të integrimit në tërësi.  Koha do të vërtetojë se politika e shkopit nuk do të jetë efektive në inspirimin dhe mbështetjen e procesit të integrimit. Viktimat reale të dështimit të politikanëve të Ballkanit Perëndimorë  janë popujt e vendeve tona, të cilët me mundësitë në rritje që do të ofrojë gjithnjë e më shumë tregu evropian, nuk do ta presin BE të bëhet realitet i  jetës së përditshme në vendet e tyre por do të vrapojnë të bëhen evropian duke i braktisur vendet e tyre. Jo rastësisht fjala Ballkan në fjalorin politik nënkupton grindjet dhe jo përgjegjësi. Por nëqoftëse kushti i ndërprerjes së negociatave  heq barrierat e çeljes së tyre, është pozitive  të hidhet një hap zhbllokues dhe të bëhet maksimumi që pasi të nisin negociatat të mos rishfaqet edhe për këtë sfidë kombëtare,  sëmundja e vjetër ,një hap përpara kur afrohen zgjedhjet dhe dy hapa pasi kapet shteti nga të fortët në ekonomi që mbështeten nga  të fortët në politikë.