Prof. Dr. Alqi Naqellari: Studiuesi Mateli provon se Dodona është histori shqiptare, jo greke

783
Sigal

Sot kur revanshi grek nuk njeh kufi për ta mbjellë me varreza tokën shqiptare, për t’i rëmbyer asaj për ditë të Krishtlindjeve ndonjë cope tokë e det, doli në qarkullim libri i autorit Kujtim Mateli “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit” vëllimi i III. Ky vëllim në vijim të dy vëllimeve të para, hedh më shumë dritë mbi historinë e Tempullit të Dodonës, Lisit të Shenjtë, ujit që buron nga uji, dhe historisë së Luginës së Vjosës si histori pellazge (shqiptare si pasardhës të tyre) dhe jo greke (si pasardhës të elinëve). Ky studim është i rëndësishëm edhe sepse Historia e Dodonës Pellazgjike është lidhur me Historinë e lashtë të Luftës së Trojës, me mitin e Omerit, me Priamin, Parisin, Odisenë, Akilin, etj, heronj pellazgë të cilët padrejtësisht në histori paraqiten si heronj të greqisë së lashtë. Mateli provon, se Dodona Pellazge ndodhet në Dëshnicë të Përmetit, duke dhënë edhe argumentet shkencore përkatëse, pa pretenduar shterimin e tyre.


Libri “Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit”, vëllimi i III, është një arritje tjetër e studiuesit Kujtim Mateli. Ai me konkluzionet e studimit të tij përballet me studimet e studiuesve të huaj, dhe për fat të keq edhe me disa studiues shqiptarë.
Studiuesi Kujtim Mateli në provën e Tezës së tij se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit:
-Iu referohet 136 autorëve të huaj dhe të vendit, me shtrirje të ndryshme gjeografike që nga Rusia deri në Angli,

 


-Ju referohet autorëve antikë deri te autorët e ditëve të sotme.
-Analizon Karapanon në veprën e tij origjinale.
-Përdor dhe shfrytëzon me dhjetra harta, thuajse të gjitha të huaja dhe të periudhave të ndryshme kohore.
-Autori është njohës i tre gjuhëve të huaja dhe një pjesë të materialeve e ka përkthyer nga origjinali. Kjo e bën analizën të besueshme.
Për të ardhur deri në këtë botim, autorit i është dashur të vazhdojë shfrytëzimin e materialeve në mbështetje të tezës së tij, por i është dashur, ashtu si edhe autorëve të tjerë, të përballet edhe me anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (Korkuti, Muzafer) që i konsideron këto punime shkencore si diletantizma dhe jo fakte historike, duke vlerësuar më shumë punën e autorëve të huaj dhe duke nënvlerësuar punën e studiuesve shqiptarë. “Dodona është në rrënojat e Melingosë që më vonë u provua që ishte faltorja e famëshme e Dodonës”. Këto janë thënie të Ismail Qemalit. Gërmimet që bëri arkeologu Karapanos dhe studiues të tjerë më vonë, provuan katërcipërisht se Dodona gjendet rreth 25 km në jugperëndim të Janinës. E përmenda këtë fakt historik, këtë të vërtetë, sepse sot në shekullin e 21-të në Tiranë botohen libra dhe shkruhen artikuj në shtypin e përditshëm se Dodona pellazgjike qenka në Malin e Tomorit, një tjetër në Ulqin dhe një muaj më parë e kanë lëvizur dhe e kanë çuar në Këlcyrë të Përmetit” (Muzafer Korkuti, gazeta “Shqiptarja.com”, datë 19 prill 2012).


Argumenti i këtij akademiku se Dodona ndodhet në J-P të Janinës është: se e e ka parë me sytë e tij Ismail Qemali, se është shënuar në albumin e Kristo Frashërit, se është atje te popullsia që ishte, se e paska thënë Karapanua.
Studiuesve shqiptarë veç punës së palodhur që bëjnë, iu duhet të përballen edhe me mendimet e këtyre njerëzve të paaftë që për vite të tëra iu kanë servirur shqiptarëve historinë e parë nën këndvështrimin e tyre, nën këndvështrimin e politikave të kohës, sidomos së kohës së diktaturës ku një pjesë e mirë e saj u shtrembërua sipas interesave të politikës. E tillë është edhe periudha e studimeve pellazgjike.
Studiuesi Kujtim Mateli u ka dalë ndesh këtyre pjesëve të historisë së Shqipërisë që e vendosin Dodonën në J-P të Janinës.(Por edhe atje sikur të ketë qënë edhe ajo është tokë shqiptare). Ai me argumente konkrete, logjike, të bazuar në dokumente, gjetje arkeologjike dhe shkrime të autorëve të vjetër, të bazuar në vendndodhjen reale që përputhet me përshkrimet e këtyre autorëve, e vendos atë në Dëshnicën e Përmetit. Mateli ka elementë të fortë të terrenit real ku ndodhen të gjithë elementët kryesorë të kësaj tëvërtete.
Përmend Grykën e Këlcyrës, Kalanë e Këlcyrës që datohet që në shek III (p.e.s), por ende e pa zbuluar, gërmadhat dhe murishtet që ndodhen në faqen e malit mbi sarajet e Ali Beut në faqe të Trebeshinës, luginën e Dëshnicës, që shpesh kthehet edhe në moçalishte, Ujin e Zi, burimin që buron nga shtrati i Lumit të Shenjtë Aos, dhe që vetëm një sy i stërvitur e dallon, Gurin e Përmetit që është Guri i Faljes (O-më fal), murishtet që nga Dragoti, Mezhgorani, Peshtani etj.

Këto elementë që janë reale dhe të prekshme nuk ndodhen në asnjë vend tjetër të përcaktuar, aq më pak në J-P të Janinës ku nuk ka as lumë dhe as gur të shenjtë si Guri madhështor i Përmetit. Kujtim Mateli ka shfrytëzuar burime që i kanë shfrytëzuar edhe disa autorë të tjerë. Ai ka hedhur poshtë një sërë përcaktimesh të cilat vijnë ndesh me origjinalin. Duhet të theksojmë se një problem shqetësues është edhe përkthimi që u është bërë këtyre materialeve. Përkthimi në disa raste nuk përputhet me origjinalin, por është bërë sipas anshmërisë së përkthyesit.
Grekët përgjithësisht vendosin vend dhe pa vend fjalët: Greqi, grek, kur në këtë periudhë nuk ka pasur fare entitet të tillë. Këto shtrembërime nuk janë bërë vetëm në librin “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, por është bërë edhe nga shumë autorë të huaj.
Libri përbëhet nga katër pjesë. Në pjesën e parë jepen argumente se Dodona nuk ndodhet në J-P të Janinës në luginën e Carakovistës. Jepen argumente duke u bazuar në të dhëna arkeologjike, topografia e Carakovistës, lokalizimet sipas autorëve antikë etj. Mateli jep tre falsifikime të bëra në botimin e librit “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” botim i vitit 2002.
E para: rrugës romake i kanë shtuar një stacion të ri me XX milje dhe stacionit të origjinalit me XII milje i kanë vendosur emrin e Dodonës. Në përkthim nuk thuhet që ky stacion i quajtur Dodona është bërë prej këtij institucioni (A.SH.). Edhe Hamond e vendos Dodonën në këtë rrugë, por nuk e ka fshehur faktin që Dodona nuk ekzistonte në origjinalin e rrugës romake Tabula Peuntigeriana.
E dyta: është pozicioni gjeografik dhe emri i malit i së ashtuquajturës Dodonë në jugperëndim të Janinës (F.E.SH), ndërsa Karapano e vendos në pjesën jugore dhe lindore që është pjesë e kodrave të Kozmirasë.
E treta: në përkthimin që i është bërë gjeografit Claudio Ptolemeo në lidhje me qytetin Eriboa. Tre autorë japin përcaktime të ndryshme. “Akademiku Kristo Frashëri i besoi këtij libri: “Ilirët dhe Iliria te autorët antikë” që autorët e këtij botimi e kanë përkthyer gabimisht gjeografin aleksandrin Klaud Ptolemeu: emrin e fisit të parthinëve që gjendej në rrjedhat e lumit Osum e kanë zëvendësuar me atë të parauejve që gjendej në rrjedhat e lumit të Vjosës”,- thekson autori.
Po përse bëhet gjithë ky debat për Dodonën?
“Dodona është histori, është vlerë universale në ngjizjen e krijimit të shoqërisë njerëzore, është hapësira gjeografike ku ajo u krijua dhe ushtroi veprimtarinë e saj.Dodona ka qenë e njohur që nga koha e Luftës së Trojës si një faltore me famë të madhe dhe vazhdoi deri në shekullin e IV-V pas Krishtit, kur faltorja u kthye në qendër peshkopale dhe tempulli u kthye në kishë”.
Mateli jep nëntë prova që Dodona nuk ndodhet në luginën e Carakovistës.
E para: “në luginën e Carakovistës, mali i cili pretendohet si mali Tomar, është mali Uliçka. Në këtë mal nuk ka as qytet dhe as tempull që të pretendohet që të jetë mali i Dodonës. Gjetjet arkeologjike ndodhen në krahun e kundërt të luginës, në kodrat e Kozmirasë”.
E dyta: në luginën e Carakovistës nuk ekziston asnjë lumë. “Mungesa e lumit në luginën e Carakovistës do të thotë se Dodona nuk gjendet në këtë luginë”.
E treta: “Gërmimet e kryera nga z. Evangjelides tregojnë se qyteti i luginës së Carakovistës nuk është qyteti i Dodonës. Z. Evangjelides e thotë qartë, nëse do të ishte Dodona, do të gjendej qoftë dhe një copë tjegull që u përkiste kohëve më të vjetra. Po aty nuk ka asnjë shenjë. Mendja njerëzore nuk mund ta pranojë që një faltore me famë që nga Lufta e Trojës (shek. XII) e deri në shekullin e V para Krishtit, të zhdukej pa lënë asnjë gjurmë”.
E katërta: “mungesa e objekteve të periudhës romake dhe të krishtërimit tek tempulli i qytetit të luginës së Carakovistës”.
E pesta: “… gjetjet arkeologjike të luginës së Carakovistës nuk i përkasin qytetit të Dodonës”.
E gjashta: “Gjetjet arkeologjike që lidhen me institucionet epirote provojnë se ky qytet u ka përkitur këtyre institucioneve. Ky qytet kishte një prostat që i përkiste Di Naios. Nëqoftëse do të ishte qyteti i Dodonës, prostati do të kishte qenë i Di Dodonen”.
E shtata: “Dëshmitë e autorëve të antikitetit se dy ishin orakujt që vepronin në këtë hapësirë në jug të Ballkanit: orakulli i Dodonës në veri të Epirit dhe orakulli i Delfit, na orientojnë drejt për ta zgjidhur përfundimisht vendndodhjen e Dodonës që nuk është lugina e Carakovistës”.
E teta: Qyteti i luginës së Carakovistës ka përmasa tepër të vogla: 3.5 ha, sa një lagje e qyteteve antikë, që provon se kjo qendër e banuar është zhvilluar aq sa ishin nevojat për tëu shërbyer institucioneve epirote.
E nënta: “Monedhat e luginës së Carakovistës provojnë që ky qytet nuk i ka përkitur Dodonës dhe në të njëjtën kohë vërtetojnë se është krijuar për të qenë Selia e Institucioneve Epirote dhe jetëgjatësia e tij gati dy shekullore është e lidhur me jetëgjatësinë që patën institucionet e Epirit”… Dodona ka ekzistuar përgjatë gjithë periudhës romake, madje dhe në periudhën e Krishtërimit”.
Që ta vendosësh Dodonën në mes të Epirit, në J-P të Janinës, në luginën e Carakovistës duhen plotësuar 4 kushte:
I pari: duhet të ketë lumë pranë Dodonës. Në këtë vend nuk ekziston asnjë lumë.
I dyti: Dodona duhet të ndodhet në shpat mali, ose në rrëzë të tij. Në J-P të Janinës nuk ndodhet as në shpat, as në rrëzë, por përballë në kodrat e Kozmirasë.
I treti: Dodona ndodhet në veri të Epirit, kurse Carakovista në J-P të Janinës ndodhet në mes të Epirit.
I katërti: Dodona dhe fusha e Hellopisë ndodhen në kufijtë e njëra- tjetrës. Kjo ekziston vetëm në Këlcyrë. Fusha e Këlcyrës dhe qyteti antik në shpat të malit ndodhen në kufijtë e njëri-tjetrit. Autori nëpërmjet burimeve arkeologjike thekson se gjetjet e Carakovistës i takojnë një periudhe rreth dy shekullore (345-168 para erës sonë) në një kohë që për Dodonën bëhet fjalë për objekte kulti që nga lufta e Trojës. Më tej jepen dëshmitë që e vendosin Dodonën në Veri të Epirit, ndër të tjerë autori përmend Pausanian, Stefan Bizantinin, Plutarkun, Strabonin, Dionis Halikarnasin, Polibin etj., si dhe autorët e kohëve moderne si: Zoto Molosin, Hamondin etj.
Mateli jep tre dëshmi për të provuar se Dodona ndodhet në Dëshnicë të Përmetit.
E para për rrugën që bënë trojanët për të ardhur në Dodonë, e dyta toka e Përmetit njihet si tokë e Molosisë, e treta Dodona ndodhet në shpatin e malit Tomar.Dëshmia e Strabonit për vendodhjen e faltores dhe të qytetit të Dodonës.Dëshmia e Pseudo-Scymnit për vendodhjen e faltores dhe të qytetit të Dodonës.Dëshmia e Hesiodit dhe e komentuesit të Sofokliut se fusha Hellopia dhe Dodona ndodhen pranë njëra-tjetrës.Për këtë pjesë janë shfrytëzuar 30 materiale.
Libri përbën një kontribut të rëndësishëm në Historinë e Shqipërisë. Ai është redaktuar nga Ligor SHYTI, ndërsa recenzentë janë Prof.Dr.Flori BRUQI dhe Prof.as, Prof.in. Alqi NAQELLARI.