Prof. Dr. Dritan Spahiu: Gazeta “Republika” e 24 Tetor-it 1923

66
Sigal

Ja si u krijua për herë të parë në Shkodër, gazeta që i bëri thirrje riorganizimit shtetëror për kombin shqiptar

“Më 24 Tetor 1923, doli në Shkoder numri i parë i gazetës REPUBLIKA me drejtues ligjor Dr. Mirash Ivanaj dhe pronar e themelues Nikolla Ivanaj. Emri “Republika” u dëgjua për herë të parë në Shkodër. Që në numrin e parë gazeta doli me devizën e Mazinit: “Republika” është e vetmja trajtë ligjore dhe logjike qeverimi”. Kjo gazetë që doli në qarkullim shënoi një lëvizje që shprehte idetë demokratike për një formë të re të regjimit shtetëror”

Me mbarimin e luftës së parë botërore Shqipëria u ndodh në një situatë shumë të vështirë, sepse fqinjët e saj, Italia, Greqia dhe Serbia donin të merrnin; me forcën e armëve të tyre pjesë të truallit shqiptar, megjithëse Serbia mbante të pushtuar Kosovën, duke bërë kështu një padrejtësi të madhe për kombin shqiptar. Fituesit e luftës u mblodhën në Paris për të vendosur një rregull të ri botëror që katastrofa të tilla mos të ndodhnin më në Europë. Kjo mbledhje ishte Konferenca e Paqes. Shqiptarët ndoqën me zemër të thyer dhe me ankth të madh bisedimet e kësaj Konference, por një padrejtësi e madhe dhe e papritur u bë ndaj tyre kur Këshilli i Lartë në këtë Konferencë nuk pranoi përfaqësuesit e Shqipërisë që të parashtronin pikëpamjet e tyre kur ky komision do të shqyrtonte ndryshimet e hartës së Europës, në bazë të parimeve të kombësive.

Më 9 dhjetor 1919, Franca dhe Anglia, pa praninë e Shteteve të Bashkuara

Në këtë periudhë delikate burrat e mëdhej të Shqipërisë u bindën se duhej të merrnin në dorë fatin e Atdheut të tyre dhe të luftonin për të mos humbur pavarësinë e fituar në vitin 1912. Kështu një grup atdhetarësh trima, pa përfillur praninë e ushtrisë italiane, që ishte akoma në trojet shqiptare, vendosën të  mblidhnin një Kongres Kombëtar në Lushnje, i cili filloi punimet në 21 janar të vitit 1920 nën kryesinë e Aqif Pashë Elbasanit dhe vazhdoi deri në 9 shkurt 1920. Vendimi i parë i këtij Kongresi ishte rrëzimi i Qeverisë së Durrësit, që në fakt ishte një qeveri italiane pushtuese me pak përfaqësues shqiptarë në kabinetin e saj. Pas këtij akti u formua Qeveria Kombëtare me kryetar Sulejman Delvinën. Kongresi vendosi që forma e qeverimit të shtetit shqiptar do të vendoset nga një Asamble Kushtetuese që do të zgjidhi në një kohë më të përshtatshme. Kongresi zgjodhi gjithashtu edhe Këshillin e Lartë të përbërë prej 4 antarësh që do të kryente detyrat e Kryetarit të shtetit. Qeveria e Sulejman Delvinës siguroi bashkimin kombëtarë brenda kufijve të vitit 1913 pas çlirimit të Vlorës nga malësorët e Labërisë dhe të krahinave të tjera, të udhëhequra nga  trimat Qazim Koculi dhe Selam Musaj, që u realizua në shtator të vitit 1920. Me kryerjen e detyrës së bashkimit kombëtar Qeveria e Sulejman Delvinës dha dorëheqjen në fund të vitit 1920 dhe Qeveria e re që u krijua pati si Kryeministër Iljaz Vrionin. Detyra kryesore e saj qe organizimi i zgjedhjeve parlamentare në Shqipërinë e çliruar. Këto ishin zgjedhjet e para të lira në Shqipëri që u zhvilluan pa ndërhyrjen e Qeverisë. Pas kryerjes me sukses të zgjedhjeve parlamentare qeveria e Iljaz Vrionit në bashkëpunim me parlamentin iu përvesh punës për rimëkëmbjen dhe modernizimin e Shtetit Shqiptar. Në këtë periudhë kur Shqipëria kishte hyrë në një rrugë të mbarë për konsolidimin e shtetit të vet, ajo nuk kishte një institucion informimi për gjithçka ndodhte në Shqipëri dhe se si duhej të zhvillohej ekonomia, arsimi, drejtësia, etj. Në atë kohë në Shqipëri mungonte shtypi i lirë, mungonin gazetat. Në vitin e vështirë 1913, në Universitetin Mbretëror të Romës, që ishte Universiteti më i mirë në Itali, u regjistruan dy vllezërit shqiptar Martin dhe Mirash Ivanaj, të lindur në Podgoricë të Malit të Zi, në një familje të njohur për qëndrime dhe veprimtari atdhetare. Vllezërit shqiptar, duke mënjanuar argëtimet e moshës, filluan me zell shumë të madh studimet universitare dhe shumë shpejt ata arritën të bëhen studentët më të mirë të Universitetit Mbretëror të Romës. Pas 10 vite studimesh serioze Mirashi kreu shkëlqyeshëm dy fakultete, fakultetin Letërsi – Filologji dhe fakultetin e Drejtësisë, kurse Martini shkëlqeu në fakultetin e Drejtësisë. Që kur ishte student në Romë Mirash Ivanaj, gjatë studimeve të tij, u njoh me idetë republikane të patriotit të madh dhe filozofit të shkëlqyer Italian Xhuzepe Mazinit (Giuseppe Mazzini), të cilat patën ndikim shumë të madh në rrethet shoqërore italiane të mesit të shekullit 19. Idetë dhe veprimet e tij politike kontribuan në mënyrë deçizive për bashkimin e Italisë në një shtet të vetëm. Teoritë e Mazinit patën influencë shumë të madhe dhe u bënë inspiruese të lëvizjeve përparimtare të Europës për deklarimin e demokracisë nëpërmjet formës republikane të shtetit. Si adhurues i ideve të republikanit më të shquar italian, të Mazinit dhe duke njohur gjendjen politike dhe kulturore në atdheun, e tij, në Shqipëri, Mirashi u vu në kërkim të fushës më të përshtatshme për të dhënë kontributin e tij më të mirë për zhvillimin dhe përparimin e shoqërisë shqiptare. Ai vendosi të merrej me publiçistikë, sepse aty mund të shfaqte lirshëm dhe me sukses të plotë memdimet e tij politike e shoqërore. Pak kohë para laurimit të vllezërve Ivanaj në Universitetin e Romës, kushëriri i tyre, intelektuali dhe patrioti Nikolla Ivanaj, i informoi ata se kishte blerë në Vienë një shtypshkronjë të përdorur për botime gazetash. Çështjen e botimit të një gazete në Shqipëri Mirash Ivanaj e shfaqi që kur ishte student në vitin e fundit të studimeve. I gëzuar nga ftesa e kushëririt të tij, Mirash Ivanaj, në qershor të vitit 1923, me dy diploma universitare të vlerësuara shkëlqyeshëm në çantën e tij, erdhi në Shkodër dhe menjëherë filloi punën për të vënë në funksionim shtypshkronjën për botimin e gazetës. Kështu me shumë vullnet dhe duke mposhtur vështirësitë e fillimit të shtypshkrmit, më 24 tetor 1923, doli në Shkodër numri i parë i gazetës ‘REPUBLIKA’ me drejtues ligjor Dr. Mirash Ivanaj dhe pronar e themelues Nikolla Ivanaj. Emri “Republika” u dëgjua për herë të parë në Shkodër.

“Në pikën e dytë deklarohej se “Organizimi i drejtësisë mbi themele të reja dhe së bashku me shkollën është më i larti funksion i shtetit modern”. Në vijim Gazeta bën thirrje për një riorganizim shtetëror, duke larguar sa të jetë e mundur nëpunësit e huaj dhe duke marrë në punët e organeve shtetërore njerëz kompetent, të arsimuar mirë dhe pa njolla për moralitetin politik dhe shoqëror, njerëz të pastër për të zhdukur kështu nepotizmin.”

Që në numrin e parë gazeta doli me devizën e Mazinit: “Republika” është e vetmja trajtë ligjore dhe logjike qeverimi”. Kjo gazetë që doli në qarkullim shënoi një lëvizje, që shprehte idetë demokratike për një formë të re të regjimit shtetëror, që është Republika dhe që realizohet jo vetëm prej një ose disa njerëzve, por, siç thoshte M. Ivanaj, “prej të gjitha klasave që përbëjnë një shtet”. M. Ivanaj ishte jo vetëm drejtor juridik i gazetës “Republika”, por ai ishte edhe autor i shumë artikujve që paraqisnin problemet e kohës në Shqipëri. Gazeta “Republika” që në fillim u dallua për trajtimin mjeshtror të problemeve që preokuponin botën shqiptare, ajo shkëlqeu për nivelin intelektual të paraqitjes së këtyre problemeve, që lidheshin me idetë e lirisë, të demokracisë dhe të atdhetarisë në Shqipëri. Programi i gazetës Republika, i deklaruar në numrin e parë të saj, përmban 15 pika, ku pika e parë është: “Shkollat fillore dhe të mesme do të jenë vetëm në dorë të organeve qeveritare”. Në pikën e dytë deklarohej se “Organizimi i drejtësisë mbi themele të reja dhe së bashku me shkollën është më i larti funksion i shtetit modern”. Në vijim Gazeta bën thirrje për një riorganizim shtetëror, duke larguar sa të jetë e mundur nëpunësit e huaj dhe duke marrë në punët e organeve shtetërore njerëz kompetentë, të arsimuar mirë dhe pa njolla për moralitetin politik dhe shoqëror, njerëz të pastër për të zhdukur kështu nepotizmin si një trazhgimi orientale. Në programin që do të ketë gazeta Republika bie në sy fakti se për politikën e jashtme të Shtetit do të kërkohet dhe do të mbështetet riorganizimi i diplomacisë dhe marrëdhënieve miqësore me të gjitha shtetet, sidomos të Ballkanit, sepse Ballkani është i ballkanasve. Gazeta insistonte në kërkesën se forma e shtetit tonë do të jetë Republika. Drejtuesit e gazetës deklarojnë se: “Atdheu është një dhe i lirë, prurësi i paqës dhe i sigurisë, i veprimit dhe i fatbardhësisë së përgjithshme. Ata deklaruan se “plagët tona janë shumë të rënda dhe kanë ardhur më shumë prej së brendëshmi se sa prej së jashtëmi, prei atye që kanë mohuar kombin e vet dhe janë bërë bashibozukët e qeverive të huaja”. Gazeta Republika, në numrin e saj të parë deklaronte se: “është koha për të shporrë manovrat tinzare dhe të poshtra të Kuvendeve dhe te kafeneve; është koha për me jua hapë sytë popullit, për të zhdukur gurrën e territ, që në emër te Dritës ju prishë trutë”. Që në numrin e parë e në vijim të gazetës Republika u dëshmua në mënyrë të qartë se ajo do të ishte një tribunë e fuqishme që do të informojë lexuesit e saj për padrejtësitë që do të vihen re në zhvillimet politike dhe ekonomike jo vetën në Shkodër, por gjithandej në Shqipëri. Në numrin e parë të kësaj gazete drejtori i saj deklaronte se: “Populli shqiptaë, më tepër se çdo popull në këtë botë, ka nevojë për moral të pastër politik në qoftë se don me e gëzue dhe mbas sodit atë liri që kundra gjithë atentateve e gëzon sot. Prandaj populli ynë duhet të harrojë të gjitha mësimet politike të marruna deri sot, sepse ato janë bërë prej njerëzve të pazot e pamoral”. Ai vazhdon dhe deklaron se: “Populli nuk duhet të qeveriset në mënyrën që qeveriset sot, aq më pak në mënyrën që e qeverisin dhe që do ta qeverisin ata që nuk nderuan popullin, atdheun dhe Zotin. Prandaj drejtuesi i gazetës Republika, Mirash Ivanaj, i influencuar nga mësimet e Mazinit, insistonte dhe deklaronte me bindje të fortë se liria për qeverisjen e popullit do të sigurohet vetëm nga forma Republikane duke përdorur të gjitha instrumentet demokratike, siç kishte argumentuar më parë filozofi i madh G. Mazini. Për të njohur lexuesit e saj me pikpamjet filozofike të Mazinit në faqet e gazetës Republika janë vendosur të përkthyer në gjuhën shqipe kapituj nga vepra e tij “Detyrat e njeriut”. Duke qenë gazetë patriotike dhe moderne për kohën e vet, në numrat e tjerë që botoi gazeta Republika u trajtuan probleme të rëndësishme të asaj kohe si “Feja dhe politika”, “kleri dhe politika”, “Politika pa moral” e tjera. Kështu autori i këtyre artikujve, M. Ivanaj, deklaronte se përfaqësuesit e rrymave fetare në Shqipëri, si kudo në botën e qytetëruar nuk duhet të merren me politikë dhe nuk duhet të zgjidhen si anëtarë të parlamentit sepse “parlamenti i tyre është Kisha apo Xhamia”. Në numrin 7 më 16 dhjetor 1923 gazeta Republika botoi të plotë Traktatin e fshehtë të nënshkruar ndërmjet qeverisë italiane dhe qeverisë së përkohshme shqiptare të Durrësit. Gazeta Republika goditi shumë ashpër Qeverinë e Durrësit, duke e quajtur veprimin e saj si një akt poshtërimi dhe i tregoi opinionit publik shqiptar se qeveria italiane kishte bërë pushtimin e Shqipërisë pa armë, por këtë radhë me një akt të shëmtuar tradhëtije. Në numrin 5, më datën 2 dhjetor 1923 gazeta Republika ka botuar me gërma të mëdha një njoftim me titull: “Shqipëria dhe Italia” ku deklarohet se: “Kryeministri i Italisë Musolini në fjalën e vet në Senat më 16 Nëntor 1923, ndërmjet të tjerave, duke përmendur luftën e Vlorës, tha: “Kur unë kuptova se Vlora përzuri që andej ushtrinë italiane qava. Nuk e them këtë për ta përdorë si frazë retorike, por kam qa me zemër”. Më 27prill 1925 botohet numri i famshëm i 13, i cili u konfiskua me shpejtësi, duke ua marrë prej duarve gazetën shitësve të saj dhe duke ndaluar shpërndarjen e gazetës për abonentët e saj në postën e Shkodrës dhe Tiranës që do t’i dërgonin gazetat në gjithë Shqipërinë. Në numrin e saj të 14 të vitit të tretë të botimit, në datën 29 Maj 1925, si kryeartikull të gazetës Republika u botua shkrimi: “Atentat Kundra Statutit”. Aty deklarohet se: “Janë dy muaj qysh se filloi persekucioni i Fletores (gazetës) tonë sipas vullnetit të përfaqësuesve të ndonjë fuqie të madhe,…sepse Republika ende tash, në kohën e rilindjes së Shqipërisë,…e bani kryekëput detyrën e vet.” Por problemi për të kundërshtuar veprimet e gazetës Republika arriti deri aty sa u shkelën deklarimet e Statutit 126 dhe 132, ku thuhet se:” Liria e fjalës dhe e shtypit është e garantuar. Censura preventive është e ndalueme. Konfiskimi i shtypshkrimeve rregullohet me ligje.” Kështu prefekti i Shkodrës, i dërgoi një akt zyrtarë drejtuesve të gazetës Republika ku kërkohej cenzura preventive. Drejtori juridik i gazetës bëri menjëherë ankimet dhe protestimet e nevojshme për të mbrojtur nderin dhe statutin e ligjeve që ishin në veprim, por nuk mori asnjë përgjigje, “kurrkah”. Numri i gazetës ‘Republika’ që u botua më 29 maj 1925 ishte numri i fundit i botimit të saj. U mbyll kështu një gazetë e shkëlqyer, shumë atdhetare, e përkushtuar për të sjellë në Shqipëri parimet e Republikanizmit, që do të ishin në bazën e re të shtetit Shqiptarë.