Flet Dr. Vladimir Mici: Albpetroli ka qënë efektiv deri në vitin 2016, pastaj nisi tatëpjeta

– Për vitet 2007-2022 nga nëntoka shqiptare janë nxjerrë 14,480,027 ton naftë ose mesatarisht për këto 16 vite në evidencë prodhimi vjetor ka qënë 905,001ton në vit.

– Nga e gjithë kjo naftë bruto e nxjerrë mbi 80% e saj është eksportuar, që do të thotë rreth 720 mijë ton naftë kanë shkuar për eksport çdo vit.

Sigal

– Kontributi vjetor i industrisë nxjerrëse në buxhet përbën rreth 3-4% të të ardhurave në buxhet.

– Albpetroli ka qënë mjaft efektiv deri në vitin 2016 dhe pas vitit 2016 shikojmë një përkeqësim të treguesve të performancës.

– Në vitin 2021 shoqëria Albpetrol e ka mbyllur me një rezultat 10,857 000 lekë fitime para taksave, e cila përfaqëson një normë fitimi prej 0.21% ndaj të ardhurave totale.

– Vitet 2017-2021 pra 5 vite resht Albpetrol me humbje. Të ardhurat 2017-2022 janë 22,630 ,874  mijë lekë dhe humbjet totale 692,399 mijë lek ose një nivel humbjesh prej 3%.

 

Intervistoi: Albert Z. ZHOLI

Shqipëria prodhon mbi 1 milion ton naftë në vit dhe Albpetrol sh.a del me humbje. Shqiptarët jetojnë mbi “arin e zi” pasi jemi me pellguun naftë mbajtës më të madh të Europës qëndrore, por vendi ynë mbetet më i varfëri në Europë dhe me çmimet më të shtrënjta në karburant. Albpetrol e mbyll me 100 milion euro humbje. Nëntokë e pasur me naftë, por nuk përfitojmë asgjë veç çmimeve të larta të karburanteve dhe pasurimit të oligarkëve. Pse? Kush mban përgjegjësi?

Për vitet 2007-2022 nga nëntoka shqiptare janë nxjerrë 14,480,027 ton naftë ose mesatarisht për këto 16 vite në evidencë prodhimi vjetor ka qënë 905,001ton në vit. Prodhimin kryesor sot i takon marrëveshjeve hidrokarbure ku prodhimi i tyre arrin në nivelin e rreth 13 milion tonëve ose mesatarisht 812,500 ton në vit, që përbën 90% të sasisë së nxjerrë. Në vitet e fundit përqindja e tyre është pak më  e lartë. Nga e gjithë kjo naftë brut e nxjerrë mbi 80% e saj është eksportuar që do të thotë rreth 720 mijë ton naftë kanë shkuar për eksport çdo vit. Prodhimi i Albetrolit ka vijuar me rënie të vazhdueshme. Në vitin 2007 prodhimi ishte 281,147 ton, ndërsa në vitin 2020 ky prodhim ishte 40,920 ton. Midis këtyre dy periudhave është edhe minimumi historik viti 2013 viti kur pushtetet ndruan kahun, ku prodhimi i Albpetrolit shkoi 37,407 ton. Pas kësaj filloi një rritje, e cila arriti maksimumin në vitin 2018 ku prodhimi shkoi 93,096 ton dhe pastaj me një pikiatë deri në nivelin e vitit 2020. Po shteti? Sipas një përllogaritje të thjeshtë shteti ka marrë  ekuivalentin e rentës minerare 10% pra 1,448,000 ton. Duke mos bërë shumë përllogaritje ekuivalenti i shtetit me një çmim, për barelë për 50$/bbl i bie të ketë marrë në buxhet për 16 vite 434.4 milion $ rentë minerare, e cila një pjesë ka shkuar për pushtetin lokal. Taksa të tjera janë minimale dhe nga do ta kthesh nuk arrijnë në total 1 miliard euro (sigurime shoqërore, tatim pagë, tatim fitimi, taksa lokale. Por ne i rrumbullakosim kaq. Po ta kthesh mbi baza vjetore vlera mesatare e të gjithë tatimeve nuk kalojnë 62,500,000$ në vit në një prodhim prej 905 mijë tonësh në vit. Ky është kontributi vjetor i industrisë nxjerrëse në buxhet dhe përbën rreth 3-4% të të ardhurave në buxhet.

-Le të kthehemi tek Albpetrol. Çfarë do theksosh për të?

E para duhet të theksoj se Albpetrol nuk ka përjetuar asnjëherë humbje prej 100 milion euro në vit, sepse aq nuk është edhe kapitali i saj. Në vitin 2021 shoqëria Albpetrol e ka mbyllur me një rezultat 10,857 000 lekë fitime para taksave, e cila përfaqëson një normë fitimi prej 0.21% ndaj të ardhurave totale. Ajo që vihet re ndër vite është ulja graduale e rezultateve të saj, duke kaluar edhe me humbje në ndonjë nga vitet ushtrimore. Në tabelën e mëposhtme keni të ardhurat bruto, fitimin para tatimit në mijë lekë dhe normën e fitimit para tatimit, prej vitit 2006 (burimi pasqyrat financiare Albpetrol sha )

Vitet Të ardhurat bruto totale Fitimi para tatimit Norma bruto e fitimit në %
2006          5,595,605    451,915 8.08%
2007 5,896,644 420,040 7.12%
2008 7,720,692 939,184 12.16%
2009 7,080,131 554,206 7.83%
2010 7,155,106 1,280,727 17.90%
2011      9,381,035 3,905,896 41.64%
2012 8,034,541 1,429,724 17.79%
2013 10,404,728 1,455,892 13.99%
2014 8,370,684 1,844,311 22.03%
2015     3,101,717 1,176 0.04%
2016      5,381,579  1,532,432 28.48%
2017     4,757,629 (405,005) -8.51%
2018    6,519,715    (19,973) -0.31%
2019 4,180,089         8,911 0.21%
2020 2,096,829 (287,189) -13.70%
2021 5,076,612          10,857 0.21%
  100,753,336 13,123,104 13.02%

Siç edhe shihet nga tabela  Albpetroli ka qenë mjaft efektiv deri në vitin 2016 dhe pas vitit 2016 shikojmë një përkeqësim të treguesve të performancës. Sigurisht kjo periudhë ka ngadalësuar rritjen e saj, nivelin e pagave dhe erozionin e specialistëve më të mirë. Pavarësisht rritjes së prodhimit në vitet 2017 dhe kulmin në vitin 2018 rezultatet paraqesin thellim të humbjeve, humbje që mesa duket ka vijuar edhe në vitin 2022. Ajo që bie në sy është se të ardhurat nga shitja e energjisë elektrike janë bërë një burim i rëndësishëm të ardhurash, edhe pse blerja e përgjithshme e energjisë elektrike nuk i kalon 3 milion Kw në muaj. Albpetroli përdor rrjetin e saj të shpërndarjes në vb për të furnizuar me energji shoqëritë konçesionare duke përdorur një çmim me të cilat kanë rënë dakort. Ky fakt është mjaft domethënës kur kujton se aktiviteti kryesor, prodhimi i naftës brut, ka ulur në mënyrë të konsiderueshme rolin e tij. Kalimi në prodhim  deri 40 mijë ton në vit do të thotë që të ardhurat e saj nga nafta e prodhuar nuk kalojnë 12 milion$ në vit ose 1.4 miliard lekë. Të ardhurat e tjera vijnë nga energjia dhe të ardhura të tjera dhe ndryshim i gjendjeve të prodhimit në process. Pikërisht tek ky i fundit e kanë shtysën edhe rezultatet  lart – poshtë. Por sidoqoftë fshehja e rezultateve duke luajtur me shitjet dhe prodhimin në proces nuk mund të mbulohet më dhe për pasojë vitet e fundit rezultatet janë mjaft të këqia. Shihni vitet 2017-2021 pra 5 vite resht Albpetrol me humbje. Të ardhurat 2017-2022 janë 22,630 ,874 mijë lekë dhe humbjet totale 692,399 mijë lek ose një nivel humbjesh prej 3%.

Nëse do t’i thellohemi analizës duke e krahasuar me periudhën 2006-2016 fitimi ka qënë 17.68%, ose mesatarisht një fitim vjetor prej 1,255,954 mijë lekë në vit. Ose e përkthyer në$  (1$=100 lekë), atëhere  fitimi vjetor mesatar i kompanisë ka qenë 12.559,540$. Për 5 vitet e fundit i bie që shoqëria të ketë humbur këtë fitim që është 5×12,559,540$ + humbjet e këtyre viteve 6,923,900 = 69,721,690$. Pra keq menaxhimi, keq orientimi dhe përfundimisht shkatërrimi është bërë me rregji. Shikoni titullarët e këtyre viteve të fundit. Nuk ka asnjë   specialist që promovohet me karierë, s’ka asnjë strategji, s’ka asnjë plan, apo piketë ku Albpetroli do të shkoj, Pra askush në qeveri, në ministri nuk kanë asnjë platformë zhvillimi të këtij aseti gjigand; Si do të shkojë? Cili do të jetë roli i saj në të ardhmen? Si e parashohin ata industrinë e naftës, burimin e saj natyror naftën dhe gazin. Si do të investohet, kur dhe si? Pra: s’ka asnjë strategji zhvillimi për sektorin hidrokarbur. E vetmja gjë që dihet janë qokat, që bëhen me këtë pasuri kombëtare, ashtu siç është bërë këtu e 30 e kusur vjet. Nuk e kishte marrë malli kryeminstrin kanadez apo së fundmi atë hollandez, që erdhën në Tiranë. Kishte qokë dhe ata e bënë me kryeministrin tonë. Tashmë ia kemi parë rezultatet. Atëhere Bankers tani SHELL.

Ankandet e naftës janë një turp i gjallë dhe sidomos edhe pjesa, që lidhet me shitjen e tyre, ku allishverishet s’kanë fund dhe nisin nga zyrat lart, sepse asnjë ankand nuk mund të fitohet pa miratuar nga zyrat e kryeministrisë. Për pasojë dinosaurët e vjedhjeve dhe abuzimeve kanë qënë shtrirë dhe shtrihen  në zyrat e Kryeministrisë dhe jo tek Albpetroli, i cili është kthyer në një kufomë të gjallë. Nepotizmi dhe emërimet partiake sidomos nga Tirana janë kryeveprat e kësaj dhe asaj demokratike, kur ishte në pushtet. Albpetroli u shpërbë dhe u masakrua vetëm për të shtuar vjedhjet.

Ne kërkojmë çmime të ulta, por nuk mund ta bëjmë atë sa kohë që kostot e naftës po vijojnë tendencën e rritjes, sa kohë që qeveritarët tanë pa ngjyrë e konsiderojnë atë naftë brut të papërshtatshme, të keqe që mirë bëhet, që ikën dhe shyqyr që kemi ende klientë për ta se marrim ndonjë lekë. Ata e kanë trajtuar dhe e trajtojnë naftën shqiptarët loë cost. Kemi 32 vjet që shohim batërdi në industrinë hidrokarbure, batërdi që ka marrë formën e zhvatjes së rezervave, shkatërrim të inteligjencës së naftës, përdorime partiake të menaxhimit të kompanisë, asnjë investim në zhvillimin e klasës së re intelektuale të naftës. Ndonjë ditë do të kërkojmë ndonjë inxhinier gjeolog të huaj si Zuberi për të na treguar pasuritë, sepse Shqipëria i ka dhënë fund këtij arsimimi profesional. Në Albpetrol është e vështirë të gjesh gjeolog, inxhinier shpimi apo prodhimi. Ajo është mbushur me të tjerë ku vetëm profesioni i tyre ka lidhje me xhepin e tyre, por jo me me profesionin e tyre. Kjo sepse edhe inxhinierët, ekonomistët, juristët, nuk janë promovuar dhe ecur në karierë gradualisht, por janë emëruar sipas oreksit të shefit dhe partisë. Kjo është e vërteta. Mos i vini fajin Albpetrolit, që del me humbje. Atë vijani pushtetit, që ka qeverisur dje dhe atij që qeveris sot. Industria e naftës shqiptare nuk u shkatërrua në një ditë, por me vite është grushtuar dhe goditur pa mëshirë. Dhe fytyrat janë po ato partitë dhe njerëzit e tyre në pushtet.

Kam 33 vjet që nuk kam dëgjuar nga asnjë kryemistër shqiptar të na artikulojë dhe tregojë se si sektori hidrokarbur do të zhvillohet dhe ku do ta çojnë këtë industri për 10 apo 20 vitet e ardhshëm. Nuk kemi parë dhe as dëgjuar asnjë kryeministër të raportojë për këtë sektor për të na treguar se ku e mori dhe ku e ka vidhisur. Ajo që kemi parë janë vendimet monstruoze dashakeqe në kurriz të naftëtarëve dhe popullit shqiptar.