Prof. Dr. Lush Susaj: Mesazhi i Emanuel Makronit dhe prangave në protestën e studentëve të mjekësisë

43
Sigal

-Makroni foli troç kur tha se projektet duan reforma antikorrupsion dhe antikrim

– Prangat në duartë e studentëve janë denoncimi dhe paralajmërimi për diktaturën e korrupsionit dhe krimit ordiner e politikë.

Makroni foli troç kur tha se projektet duan reforma antikorrupsion dhe antikrim.

Samiti i Berlinit në Tiranë, mendoj se duhet kuptuar si një mbështetje dhe si fjalë e mbajtur e vendeve dhe institucioneve të BE për Shqipërinë dhe për çështjen shqiptare në përgjithësi. Është një mbështetje nga ana e BE, e cila vendit tone nuk i ka munguar, e që nuk do t’i mungojë kurrë. Prandaj studjuesit e historisë dhe të politikës së rajonit dhe Europës, bashkohen në faktin që shqiptarët, me të drejtë ja dedikojnë konservimin e rracës dhe kulturës së tyre lidhjeve dhe bashkëpunimit të ngushtë me botën latine apo me vendet e Europës Perëndimore. Ajo që u tha më troç se asnjëherë tjetër, besoj se gjendet tek fjalët e presidentit Makron, i cili bëri të qartë mbështetjën e Shqipërisë me investime dhe projekte, por pasi të bëhën reformat integruese kundër korrupsionit, krimit dhe nepotizmit shkatërrimtar. Makron e qartësoi për të disatën here faktin që vendet e BE, nuk mund të financojnë kurrë klanet moniste e abuziviste të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Makroni bëri me dije që të gjithë ata që mendojnë se kanë arritur që të vjedhin dhe të mashtrojnë shqiptarët dhe institucionet shtetërore e politike të tyre, si dhe fondet dhe investimet e BE të adresuara për Shqipërinë, nuk do të mund të shpëtojnë nga përgjegjësia dhe ndëshkimi ligjor. Makroni dhe përfaqësuesit e tjerë të shteteve të BE, nxitën edhe njëherë tjetër reagimin ndaj së keqës sonë të përbashkët, heshtjes përballë krimit, korrupsionit dhe kakistokracisë, dukuri që tashmë kanë paralizuar e stopuar reformat për integrimin dhe europianizimin e shtetit dhe shoqërisë.

Rezultatet e abuzivizmit, korrupsionit dhe vjedhjes, përveçse tek mungesa e madhe e besimit të vendeve dhe institucioneve të BE, mund t’i shohim dhe kuptojmë edhe përmes dukurive të tilla sikurse janë shpopullimi dhe ikja pa kthim e rinisë. Apo tek papunësia e lartë për shkak të vjedhjes së investimeve, apo tek varfëria e shkaktuar nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, apo tek gjendja e mjeruar e infrastrukturës rrugore, shkollore, spitalore, universitare, bujqësore, kulturore etj.

Por, pavarësisht se shoqëria jonë bie lehtë në nepotizëm e në diktaturë, e përpasojë edhe reagon me shumë vështirësi, mrekullisht ekziston edhe një kategori shoqërore e ndjeshme sikurse janë rinia shkollore dhe studentore. Është pjesa që ka pastërtinë dhe largpamësinë politike më të lartë. Është kjo pjesë e shoqërisë që ka reaguar në vitin 1990, e që përsëri po reagon e lidhur me pranga kundër rikthimit të monizmit dhe reduktimit të skajshëm të hapësirave të lirisë dhe demokracisë, në mënyrë të veçantë kundër mohimit dhe shkatërrimit të plotë të demokracisë studentore e universitare.

Etja për liri dhe demokraci e një kombi, e sidomos ndjeshmëria dhe ëndërrat studentore për të reaguar kundër situatës kënetë, e për të kapur lartësitë dhe horizontet e reja të zhvillimit, janë dukuri që e kanë shpëtuar dhe e kanë zhvilluar shoqërinë tonë në momentet më të vështira të saj.

Mbase nuk mund të dime, apo të parashikojmë ato që do të vijnë më pas, por nuk ka asnjë pengesë për të kuptuar faktin që nuk ka eksperiment më dëmbërës dhe antishqiptar se sa ndërtimin e një diktature të dytë të korrupsionit dhe nepotizmit, mbi lëkurën e përgjakur e akoma të pashëruar nga diktatura komuniste. Nuk mendoj se ka një tjetër sjellje e veprimtari më antishqiptare e më ç‘njerëzore se sa krijimin e një përçarje dhe konfliktualiteti të ri shoqërorë e politikë, mbi qënien shoqërore e politike të një populli e kombi, akoma të pashëruar nga përçarja dhe plagët e diktaturës komuniste. Unë jam i bindur në faktin që beteja e shqiptarëve me korrupsionin dhe nepotizmin, është detyrë e lehtë për t’u zhvilluar e fituar. Sikurse jam edhe më i bindur se beteja e diktaturës së korrupsionit e nepotizmit me rininë shkollore e universitare, është beteja e fituar nga rinia që ka dalë e po proteston.

Prangat në duartë e studentëve janë denoncimi dhe paralajmërimi për diktaturën e korrupsionit dhe krimit ordiner e politik.

Ditën e Mërkurë, me 18 tetor 2023, para ministrisë së arsimit, përsëri protestuan studentët e mjekësisë përmes një simbolike shumë të rëndë, por të vërtetë si drita e diellit. Në këtë protestë, studentët ishin lidhur dorë me dorë me anë të prangave të policisë, e që brohorisnin për liri, demokraci e për reforma demokratike, kundër modelit monist me vendime autoritare e marksiste të ardhura nga lartë.

Sipas drejtuesve mediokër e me mendësi diktatoriale, njëlloj si në komunizëm, studentët janë të detyruar që të mësojnë e të punojnë ku të dojë e si të dojë partia dhe komiteti ekzekutiv i saj, jo atje ku studentët maksimalizohen interesat dhe aftësitë e tyre profesionale. Sipas këtij ligji absurd e të pakonsultuar me askënd, studentët do të studjojnë 6 vjet, e më pas do të punojnë larg nëpër fshatra të thella (larg klinikave, laboratorëve dhe arritjeve bashkëkohore) edhe për 5 vjet të tjera, e më pas do të jenë të lirë që të shkojnë ku të duan. Që do të thotë se pas 11 vjetësh, studentët e mjekësisë as nuk do të mund të jenë mjekë profesionistë e as studentë të apdrejtuar me arritjet bashkëkohore. Pra, pas 10-11 vjetësh, studentët e sotëm të mjekësisë do të jenë as mish e as peshk. Se është një ndërhyrje shumë e keqe e politikës së partisë shtet, duket sheshit. Ndërsa ajo që po më shkakton shumë habi është fakti që si nuk ju shkon fare mendja që këta politikanë mediokër të mendojnë edhe për studentët e Shqipërisë, sikurse mendojnë e veprojnë për fëmijët e tyre. Që do të thotë që asnjëri nga politikanët dhe drejtuesit e fakulteteve dhe universiteteve tona nuk i ka arsimuar fëmijët në universitetet tona publike. Fakti është që të gjithë, e totalisht me paratë dhe fondet e vjedhura të korrupsionit dhe nepotizmit i kanë arsimuar e specializuar jashtë. Ndërsa guxojnë që të marrin vendime absurde për të bllokuar e shfrytëzuar pa mëshirë e njerëzillëk fëmijët e shqiptarëve, që punojnë e paguajnë taksat për shtetin dhe shoqërinë. Guxojnë të bëjnë një ligj idjotë e totalisht në dëm të studentëve, dhe akoma më shumë në dëm të shoqërisë. Pasi, që të gjithë ata që kanë patur fëmijë e të afërm të diplomuar në mjekësi, e di shumë mirë faktin që rruga më e mirë e studentëve të diplomuar, është ikja jashtë për t’u specializuar e njohur me teknikat bashkëkohore, totalisht përmes punës dhe shpenzimeve personale të tyre. Pasi shteti nuk ua siguron dot kushtet as mundësitë për një specializim të pagueshëm e të mirëfilltë. Kjo praktikë demokratike është ajo që është zbatuar, e që do të mund të zbatohet edhe në të ardhmen, pasi dihet nga të gjithë që mbajtja e studentëve në pranga apo të rrethuar me tela e modelit komunisto-marksistë, është pamundësi absolute, është kohë dhe energji e humbur. Klanet nepotike, korruptive dhe kriminale që kanë uzurpuar vendimarrjen, janë trashur aq shumë saqë duket sikur kanë humbur çdo ndjesi dhe lidhje me realitetin. Ndërsa kanë përballë studentët, apo kategorinë shoqërore me moshën dhe me ndjesinë më të lartë politike, shkencore e shoqërore. Kanë përballë studentët e lidhur me pranga, të cilat me ndihmën e Zotit e të çdo shqiptari të ndershëm e patriotë, shumë shpejt besoj që do t’i thyejnë, e do t’i flakin tutje në kënetën e njohur të degjenerimit nepotik e korruptiv të shtetit. Studentët dhe e gjithë bota shqiptare, do të mund të  reagojnë e të flakin tutje prangat e korrupsionit, përçarjes dhe nepotizmit të verbër e kriminal, për të sjellë kështu shtetin ligjorë, e bashkë me të edhe bashkëpunimin, unitetin, të drejtat dhe liritë e munguara të shqiptarëve, e sidomos të drejtat dhe lirinë e vjedhur të rinisë studentore.