Prof.Alqi Naqellari: Të shkrihet Bordi i Transparencës, jo legjitim dhe të ngrihet Enti Rregullator i Karburanteve që të lehtësojë barrën e popullit

Muaji i katërt që Bordi i Transparencës përcakton nivelin e çmimeve për karburantet dhe për një pjesë të mallrave ushqimore. A ka qenë ligjor dhe a ka mbrojtur interesat e konsumatorëve  ky Bord? Koha ka treguar se efekti i tij në mbrojtjen e konsumatorit ka qenë i papërfillshëm. Vetëm heqja e akcizës për gazin e lëngët ka dhënë efekt, ndërsa veprimet e tjera kanë qenë më shumë për shou sesa kanë mbrojtur konsumatorin. Që në fillim kam theksuar se ky bord është jo legjitim pavarësisht se është miratuar me Akt Normativ. Ky lloj organizimi është mirëfilli një marrëveshje e ndaluar, e organizuar midis subjektit qeveri dhe subjekteve private për fiksimin e çmimeve. Në ndryshim nga karteli kjo është një marrëveshje e hapur e paligjëshme ndaj së cilës AK duhej të kishte çelur një hetim të thelluar.

Njohësit e ekonomisë, përfaqësuesit e partive politike, FMN, etj kanë qenë kundër këtij Bordi. Alert i ka kërkuar AK-së të çeli një hetim të thelluar për ndryshimin e çmimeve. Si është shprehur FMN për këtë formë organizimi: “Duke marrë parasysh sfidat e bordit të transparencës që monitoron çmimet e disa artikujve ushqimorë bazë, ne e shohim me vend zëvendësimin e tij me mbështetje të mirëorientuar për të varfrit dhe shtresat e ekspozuara me qëllim mbrojtjen e tyre nga efektet e rritjes së ҫmimeve. Për këtë arsye, përpjekjet për përmirësimin e sistemit të mbrojtjes sociale në vend duhet të vazhdojnë, duke përfshirë dhe zgjerimin e mbulimit të shtresës së varfër dhe në nevojë në sektorin informal”, dhe më tej: “Trazirat në tregjet energjetike globale kanë rënduar më tej barrën fiskale, që vjen prej sektorit të energjisë elektrike dhe theksojnë nevojën urgjente për reforma vendimtare për t’i kthyer qëndrueshmërinë financiare ndërmarrjeve shtetërore. Përveç kësaj, nevojiten ndryshime graduale të tarifave, të cilat duhet të shoqërohen me masa që mbrojnë shtresat e varfra dhe në nevojë”.

NOA

Deputetët e Parlamentit janë shprehur në këtë mënyrë. D.Sula, Bordin e Transparancës e ka quajtur si Bord i vjedhjes së shqiptarëve”. P.Vasili ka kërkuar “Të shkrihet menjëherë Bordi i Transparencës si gjymtyrë e hajdutërisë shtetërore”! Presidenti Meta ka theksuar: “Në vazhdimësi kam shprehur shqetësimet në lidhje me goditjen e ekonomive familjare dhe thellimin e varfërisë në kushtet e rritjes galopante të çmimeve. Monitorimi i çmimeve nga bordet i ka shërbyer vetëm propagandës së Qeverisë dhe nuk ka mbrojtur realisht qytetarët dhe në veçanti shtresat në nevojë, nga barra e rëndë e rritjes të kostos së jetës. Në vlerësimin dhe sugjerimin tim ka qenë nevoja e politikave për mbrojtjen sociale nëpërmjet indeksimit të pagave, të pensioneve dhe të ndihmës ekonomike. Misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar në deklaratën e fundit vëren se Shqipëria po përballet me dy goditje për ekonominë e saj, rritjen e çmimeve dhe rrezikun e financimit të huaj të borxhit publik”.

Këtë bord e kanë mbështetur ata që janë pranë qeverisë dhe vetë firmat e karburanteve, sepse as grupi i parë dhe as grupi i dytë nuk humbasin, ai që humbjet dhe përballon barrën e çmimeve është populli. Më poshtë po japim shifrat për të parë se cila ka qenë dinamika e ndryshimit të çmimeve dhe si e ka mbrojtur qeveria konsumatorin nëpërmjet kësaj politike?

Bordi nga 15 marsi deri në qershor është mbledhur rreth 20 herë. Po japim një pjesë të vendimeve të tyre në sektorin e karburanteve.

            Çmimet e karburanteve me shumicë dhe pakicë mars-qershor 2022

    Me pakicë Me shumicë Gaz  
  l/litër naftë benzinë naftë benzinë Sh Pak
15-16 mars 206 206 211 211 93  
25/3-1/4 mars 245 218 233 206 98 110
2-Jan prill 226 208 214 196 102 114
6 prill 228 208 216 196 103 115
8 prill 219 205 207 193 103 115
13 prill 226 209 207 193 103 115
15 prill 235 211 223 199 103 115
23 prill 232 212 220 200 92 104
27 prill 233 213 221 201 92 104
10 maj 232 224 220 212 88 100
15 maj 237 234 225 222 78 90
19 maj 229 229 217 217 78 90
27 maj 239 237 227 225 78 90
1 qershor 248 244 236 232 78 90

Të dhënat janë marrë nga Ballkan.web dhe nga faqja e Kryeministrisë.

Grafiku i dinamikës së çmimeve që ka përcaktuar Bordi:

Të dhënat tregojnë se çmimet në përgjithësi kanë ardhur në rritje, nëse krahasojmë çmimet e 15 marsit me ato të 1 qershorit kemi një rritje të dukshme. Çmimi i naftës nga 211 l/litri ka shkuar 248 l/.litri, i benzinës nga 211 l/litri ka shkuar në 236 l/litri. Vetëm çmimi i gazit është ulur dhe kjo në sajë të heqjes së akcizës.

15-16 mars, Çmimi i naftës dhe benzinës është ulur në 211 lekë/litër, ndërsa i shitjet me shumicë 206 lekë/litër. Gazi, të jetë 93 lekë/litri me pakicë për automjetet.

1 qershor. Bordi i Transparencës në datë 1 qershor 2022, në mbledhjen e radhës vendosi: Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë 248 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 236 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë 244 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 232 lekë/litër. Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 90 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 78 lekë/litër për automjetet.

Vendet e tjera përreth, me përjashtim të Greqisë thuajse të gjitha i kanë çmimet e karburanteve më të ulët se Shqipëria. Në 30 maj  Shqipëria e kishte çmimin e gazoilit 1.943 euro, Bullgaria 1.597, Kroacia 1.852, Italia 1.912, Hungaria 1.227, Maqedonia 1.547, Serbia 1.571, Turqia 1.427, Ukraina 1.6euro etj. Në krahasim me 45 vende Shqipëria ka rritjen më të madhe në çmimin e E5(super me +0.65).

Me ndërhyrjen e saj në treg, me fiksimin e çmimeve, si asnjë vend tjetër në botë, qeveria ka goditur rëndë konkurencën, sepse konkurenca presupozon një situatë në një treg në të cilën shitësit e një produkti apo shërbimi përpiqen në mënyrë të pavarur të tërheqin blerës për të arritur një objektiv të caktuar tregtar, për shembull, fitime, shitje dhe/ose pjesë të tregut. Rivaliteti konkurrues midis firmave mund të ekzistojë në terma të çmimeve, cilësisë, shërbimit, ose një kombinim i tyre dhe faktorëve të tjerë që mund të vlerësojnë klientët.

Konkurrenca e lirë dhe e pashtrembëruar është guri i themelit të një ekonomie tregu dhe Autoriteti i Konkurrencës ushtron kompetencat e nevojshme për të mbikqyrur sjelljen e ndërmarrjeve, që cënojnë konkurrencën si dhe kontrollin e akteve të ndryshme normative, për zbatimin e ligjit për mbrojtjen e konkurrencës.

Konkurenca është motorri dhe shpirti i zhvillimit të një shoqërie të lirë e demokratike në tërë aspektet e sektorët e saj vital të administrimit e menaxhimit të biznesit, pushtetit, e jetës shoqërore. Në bazë të lirisë dhe barazisë së kushteve të konkurencës përcaktohet jo vetëm shkalla e demokracisë së një vendi apo kombi, por edhe shkalla e zhvillimit e mirëqënies së qytetarëve të tij.

Duke parë pasojat e këtij veprimi, i cili është përcaktuar prej “një situate të veçantë”, mendimeve të ekspertëve, të deputetëve, të presidentit dhe në veçanti rekomandimeve të FMN-së ka ardhur koha që të krijohet Enti Rregullator i Karburanteve. Në Shqipëri ekzistojnë dy Ente rregullatore, ai i ujit dhe ai i energjisë ku përfshihet edhe gazi, pra mungon vetëm enti rregullator i karburanteve. Krijimi i këtij institucioni të pavarur do ndikojë në rregullimin e çmimeve, sepse ky ent ka si objektiv mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. A ka eksperiencë në Shqipëri? Po ka, pavarësisht se këto ente bëjnë çfarë ju thotë qeveria, pavarësisht se ato gjithnjë kanë miratuar rritje të çmimeve dhe në asnjë rast ulje të tyre. Krijimi i këtij institucioni do ta sjelli qëndrimin ndaj çmimeve dhe konkurencës në normalitet.

Enti rregullator i Energjisë (ERE)

ERE-ja është person juridik, publik me seli në Tiranë. ERE-ja përbëhet nga Bordi i Komisionerëve dhe personeli teknik. ERE është person juridik publik, i pavarur nga interesat e industrisë së energjisë dhe nga organet shtetërore. ERE është krijuar në vitin 1995 dhe aktualisht funksionon në bazë të ligjit nr. 9072, date 22.05.2003 Per sektorin e energjise elektrike i ndryshuar dhe ligjit nr.9946 datë 30.06.2008 “Për sektorin e gazit natyror” dhe më tej me ligjet : Ligjit nr. 10362 datë 16.12.2010; Ligjit nr. 10485 datë 26.11.2011 ). Misioni i Entit Rregullator të Sektorit të Energjisë është:

= të garantojë dhe të zhvillojë një treg energjie të bazuar mbi principet e objektivitetit, transparencës dhe të jo diskriminimit duke u mbështetur në parimet e konkurrencës së lirë

= të sigurojë vazhdimësinë dhe cilësinë e furnizimit të energjisë për klientët fundore

= të mbrojeë interesat e konsumatorëve nëpërmjet tarifave transparente dhe të bazuara në kosto

= të mbrojë mjedisin dhe jetën e qytetarëve nëpërmjet ushtrimit të autoritetit në fushën e licensimit dhe të monitorimit të subjekteve që ushtrojnë aktivitete në sektorin e energjisë.

Përgjegjësitë e ERE-së

ERE-ja e ushtron veprimtarinë e vet në përputhje me këtë ligj.

ERE-ja ka përgjegjësi të shumta, por ne po japim disa prej tyre:

-përcakton rregullat dhe kërkesat për dhënien, ndryshimin, transferimin dhe heqjen e licencave të shoqërive për prodhimin, transmetimin, shpërndarjen, furnizimin dhe tregtimin e energjisë elektrike;”

-përcakton dhe rregullon tarifat e shitjes me shumicë dhe me pakicë, afatet dhe kushtet e shërbimit të energjisë elektrike, të propozuara nga i licencuari ose i rishikon ato në përputhje me rrethanat;

ç) mbron interesat e konsumatorëve të energjisë elektrike për tarifat, duke garantuar që:

  1. i) këto tarifa janë në përputhje me parimet e vendosjes së tarifave;
  2. ii) kushtet e tjera të shërbimeve, si cilësia, efiçenca, qëndrueshmëria dhe siguria e furnizimit me energji elektrike janë të përshtatshme, sipas rrethanave;

iii) zgjidh mosmarrëveshjet ndërmjet të licencuarve dhe konsumatorëve dhe ndërmjet të licencuarve sikurse përcaktohet në aktet ligjore dhe nënligjore

  1. dh) ruan ekuilibrin ndërmjet interesave të konsumatorëve, shtetit, investitorëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në sektorin e energjisë elektrike;

nxit efiçencën e energjisë elektrike dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimit në sektorin e energjisë elektrike;

ë) nxit konkurrencën në sektorin e energjisë elektrike;

  1. B) Enti rregullator i ujit (ERRU)

Enti Rregullator i Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe Largimit e Përpunimit të Ujërave të Ndotura (ERRU) është një institucion i pavarur publik, përgjegjës për rregullimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe largimit e përpunimit të ujërave të ndotura në nivel kombëtar .

ERRU është krijuar në vitin 1998, në bazë të ligjit nr. 8102, datë 28.03.1996 “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura ( azhurnuar me Ligjin nr.9352, datë 03.03.2005;  Ligjin nr. 9584, datë 17.07.2006; me Ligjin nr. 9845, datë 17.12.2007 dhe me Ligjin nr.9915, datë 12.05.2008) . Është një institucion publik i pavaruar dhe është drejtpërdrejt përgjegjës ndaj Këshillit të Ministrave dhe Kuvendit të Shqiperisë, të cilëve u raportojmë rregullisht nëpërmjet Raportit Vjetor, dorëzuar në janar. Këshilli i Ministrave nëpërmjet Ekipit Përzgjedhës pas një procesi selektiv emëron Kryetarin dhe anëtarët e Komisionit Kombëtar Rregullator (KKRR). Enti Rregullator i Ujit (ERRU) funksionon në bazë të ligjit nr. 8102, datë 28.03.1996.

Qëllimi kryesor i këtij ligji është vendosja e një kuadri rregullator dhe ngritja e një Enti të pavarur për të garantuar e mbrojtur interesat publike dhe për të krijuar një mjedis transparent ligjor dhe rregullator në sektor.

Vizioni i ERRU është: “Një sektor ujësjellës-kanalizimesh financiarisht i vetë-qëndrueshëm që ofron shërbime të një cilësie të lartë, por të përballueshme, për të gjithë konsumatorët në Shqipëri”.

Detyrat e përgjithëshme të ERRU

ERRU operon dhe ushtron funksionet dhe kompetencat e tij në bazë të ligjit, në mënyrë që:

  1. të garantojë që personat e licencuar të punojnë sipas kushteve të licencës dhe të mbrojë interesat e konsumatorëve në lidhje me:

(i) çmimet, tarifat dhe kushtet e shërbimit;

(ii) cilësinë, efiçencën dhe vijueshmërinë e këtij shërbimi jetik për të gjithë konsumatorët;

  1. të nxisë konkurrencën;
  2. të ushtrojë veprimtarinë institucionale në mënyrë transparente;
  3. të gjejë një ekuilibër të drejtë ndërmjet interesave të konsumatorëve, qeverisë, investitorëve dhe të gjithë pjesëmarrësve të këtij sektori.

Çfarë bën ERRU?

Siguron që operatorët t’ju ofrojnë konsumatorëve shërbime me cilësi të mirë dhe efikase dhe me një çmim të arsyeshëm;

Përcakton tarifat e shërbimit, në mënyrë që të siguroj qëndrueshmërinë financiare të operatorëve si dhe përballimin e tyre nga klientët;

Monitoron performancën e operatorëve duke siguruar zbatimin e masave për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve dhe duke nxitur progresin e vazhdueshëm të shërbimit, përmes vendosjes së objektivave efikasë dhe sfidues;

Siguron që operatorët bëjnë më të mirën për klientët dhe mjedisin në vështrim afatgjatë;

Analizon ankesat e konsumatorëve dhe i mbështet ata në zgjidhjen e tyre ndërmjet konsumatorëve dhe operatorëve;

Disa kompetenca të Komisionit Kombëtar Rregullator (KKRR)

Të miratojë tarifat e ujit të pijshëm dhe kanalizimeve, afatet dhe kushtet e shërbimit të ofruar nga operatorët që sigurojnë ujë për konsumpublik.

Të caktojë tarifat e aplikueshme për licencat.

Të vendosë sanksione administrative dhe monetare.

Entet janë institucione ligjore të pavarura dhe nuk krijohen në situata të veçanta.

Edhe Enti Rregullator i Karburanteve, në fushën e tij, këto lloj kompetencash do ketë, me prioritet mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Duke bashkëvepruar me Autoritetin e Konkurencës do jetë më efektiv se Bordi i Transparencës. Eksperiencat nuk mungojnë, mungon vetëm dëshira e mirë.