Përurohet libri “Një hap i ri me kohën”, Prof. Dr. Agron Fico nderohet me titullin: “Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”

103
Sigal

U promovua në një ceremoni të veçantë në Akademinë e Shkencave, libri i fundit i Prof. Dr. Agron Fico, “Një hap i ri me kohën”. Mes miqve, familjarëve, akademikëve , diplomatëve dhe dashamirësve të shumtë u kujtua Prof. Fico në 90- vjetorin e tij të lindjes.“Një hap i ri me kohën” është një libër që ofron një mozaik shkrimesh për Gjirokastrën e të tjera.

Prof. Agron Fico u vlerësua nga kryesia e ASHSH me titullin “Nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë”  për kontributin e tij të vyer. Çmimi iu dorëzua familjarëve të Prof. Ficos nga Kreu i Akademisë së Shkencave, Prof. Skënder Gjinushi dhe Prof. Vasil Tole në sallën “Aleks Buda” në Akademi.

Bashkëshortja Liri Fico, përgjatë marrjes së çmimit emocionoi të pranishmit duke shprehur konsideratat për nderimin e figurës së Prof. Ficos, si një eurodit në fushën e shkencave shoqërore, gjuhësore, të kulturës dhe folklorit.

Ajo u shpreh se përpos shumë titujve që Prof. Fico ndër vite kishte marrë, ky titull ka vlerë të veçantë për faktin se i jepet në Atdheun e tij për të cilin punoi me shumë përkushtim.

Engjëll Musai: Fico, tempull i dijes si profesor i 3 kontinenteve

Engjëll Musai, Drejtori i Gazetës “Telegraf” gjatë fjalës së tij theksoi se Prof. Fico ishte një vlerë e shtuar për trashëgiminë tonë shpirtërore dhe kulturës kombëtare.

“Më 16 dhjetor 2024 mbushen 90 vjet nga lindja e Prof. Agron Fico, mikut tonë të  shtrenjtë dhe të dashur për të gjithë lexuesit në Shqipëri dhe kudo në botë, mësuesit të  urtë të fjalës së lirë dhe plot dije.  Të marrësh përsipër për të shkruajtur për Prof.Ficon, apo për të analizuar veprat e një eruditi nuk është e lehtë, madje mund të them, se është një mision i pamundur për një nga personalitetet më të fuqishme dhe më të mëdha të Kombit shqiptar, pasardhës i denjë i Rilindjes Kombëtare me dije të gjera dhe të thella në fushën e shkencave shoqërore, gjuhësore, të kulturës, folklorit, të jetës dhe të shoqërisë. Prof. Fico ishte një gur i rëndë në krye të qoshesë dhe trashëgimisë tonë shpirtërore, por edhe vetë kulturës kombëtare. Gjirokastrës dhe trashëgimisë kulturore ju shkëput një gur i shëndritshëm, një gjerdan i artë i njërit prej atyre që bënë histori me mendje dhe penë.Prof. Fico përcolli dituri dhe fjalë të mençura shqipe në 3 kontinente.

Për shumë vite ai do të binte në sy me shkrimet e tij  në Gazetën “Telegraf”, të cilën ai e quante shtëpinë e tij. Mjafton të uleshe dhe të bashkëbisedoje me Prof. Ficon dhe do ta kuptoje që, ligjërata e tij, rrezatonte kulturë të jashtëzakonshme. Me të diskutoje lirshëm, pasi ai largonte me shumë mjeshtëri diferencat e Profesorit me nxënësin, të bënte partner pavarësisht moshës, bindjeve dhe ideve.Ndaj në këtë ditë të veçantë të 90 vjetorit të lindjes së mikut dhe Profesorit të shenjtë, më duhet të kujtojmë edhe dy shkrimet e fundit që Prof.Fico solli në redaksinë e Gazetës ‘Telegraf’ pikërisht disa orë përpara se të ndahej nga jeta: Njëri shkrim kishte të bënte me Luftën e lavdishme të Vlorës 1920 , dhe shkrimi tjetër “Pse shqiptarët duhet t’u jenë përjetë mirënjohës , SHBA-ve dhe popullit amerikan”. Profesor Agroni , ne u mblodhëm në Akademinë e Shkencave të festojmë ditëlindjen tuaj të 90-të, pikërisht në simbolin  dhe tempullin e dijes dhe kulturës, që ju u investuat aq shumë.

Vasil Tole:  Prof. Fico mbështetës pa kushte në promovimin e gjuhës shqipe, si zemra e etnokulturës

Prof. Vasil Tole gjatë ceremonisë u shpreh se: E kujtojmë sot Agron Ficon se ai ka pasur një veprimtari intelektuale që shtrihej që nga kërkimi primar shkencor, drejtimi i institucioneve shkencore, pedagogjia e publicistika, me vetë folklorin në këndvështrimin më të gjerë, me albanologjinë si shkencë ndërdisiplinore, me Eposin e Kreshnikëve e dhe me çështjen homerike, me studimin e letërsisë shqipe dhe personalitetet e saj, me aktualitetin e Shqipërisë dhe të diasporës shqiptare etj, etj. Fokusi qëndror i punës së Tij kërkimore e shkencore ka qënë i lidhur ngushtë me njohjen dhe studimin e gjuhës shqipe, si zemra e etnokulturës shqiptare. Pa përmendur botimet e Tij të shumta.Ai ishte “Qytetar Nderi” i qytetit muze të Gjirokastrës, doktor HONORIS CAUSA i universitetit “Eqerem Çabej” dhe antar i komisionit të përhershëm të ARTIT dhe TRASHËGIMISË pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Ai ishte një mik i dashur për mua dhe një mbështetës pa kushte i rolit dhe rëndësisë të Akademisë së Shkencave dhe instituteve pranë saj për ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kombëtar.

Albana Fico: “Një hap i ri me kohën”, dritare afër hapësirës shpirtërore dhe kulturore të babait

Vajza e Prof. Agron Ficos, Prof. Dr. Albana Fico me nota nostagjie u shpreh se: Mua që nuk më mungojnë fjalët, më ka rënë barra të flas për babanë tim që ishte mjeshtër i fjalës. Ishte vërtetë një njeri i veçantë që me përpjekje të stërmundimshme erdhi deri në ditët që lamë pas një sërë gjërash për t’u kujtuar. Shkruajti intesivisht për gjuhën, folklorin dhe kulturën shqiptare, botoi libra dhe hapi katedra dhe programe të gjuhës shqipe në 3 kontinente, duke u bërë si rrallë herë, profesor në të treja.  Kujtojmë babain për çka la pas në trajtën e punës dhe përpjekjeve të tij personale, faqeve të shumta të shkrimeve të shumta të shkrimeve për gjuhën shqipe, dashurisë dhe hapësirës shpirtërore që na krijoji ne fëmijëve të tij, ndjeshmërisë ndaj edukimit si një dritare e pashoq për të kuptuar botën që na rrethon.Adrenalinën për të shkuar përpara, dhe besimin tek ne dhe Lirika e tij e dashur ,sesa të humbasim në terrin e dhimbjes së largimit të tij. Përurimi i këtij libri vjen edhe për ato që nuk e njohën dimensionin e tij njerëzor.

Akademike Floresha Dado: Libri “Një hap i ri me kohën”, frymëzimi i një studiuesi si Prof. Fico për një moziak qasjesh

Libri i Prof. Agron Ficos është një mozaik qasjesh, ku kuptojmë për botën shpirtërore dhe vlerat kulturore që ka përcjellë përmes faqeve. Shihet qartë pasioni i një dashuruesi i historisë së vendit të tij. Duke ndjekur këtë galeri ne kuptojmë se sa shumë ka jetuat Agron Fico në përjetimet e thella të ngjarjeve dhe figurave që lidhen më kulturën e vendit . Ka njerëz që mund të jetojnë shumë vite fizike, por shpirtërisht zhduken jetojnë shumë pak.Sepse jeta e vërtetë e një studiuesi është frymëzimi i tij intelektual dhe shpirtëror. Raporti që ai ndërton me problematikat e vendit të vet. Duke lexuar këto shkrime takojmë një njeri  përcjellë vetëm ndjenja pozitive dhe patriotizmin tek lexuesi.