Vepror Hasani: 30 vjet të dështuar me kultivimin e bimëve medicinale dhe krijimin e vendeve e reja të punës

378
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ambasada zvicerane një shembull i mirë punësimi për qeverinë shqiptare

Që prej 30-vitesh kemi qenë të dështuar dhe vijojmë të jemi të tillë përsa i përket punësimit, krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritjes të të ardhurave në familjet e fermerëve shqiptarë, dhe jo vetëm. Madje nuk dihet edhe sa vite të tjera do të kalojnë ashtu siç kaluan këto 30 vjet, sepse format e realizimit të ideve, përmbajnë më shumë propagandë, si: “ja çfarë po bën partia dhe bashkia për ju”, sesa përpjekjet reale orientuese si niset dhe si implementohet një projekt hap pas hapi, që nga dita e parë kur dikush e nis si fermer, e deri te hapi i fundit kur fillon të ndihesh biznesmen. Edhe sot e kësaj dite, besimi se gjendja mund të ndryshojë është i paktë. Dhe është kjo arsyeja që askush nuk ka dëshirë të dëgjojë edhe kur flitet për projekte të reja, sepse të gjitha kanë patur të njëjtin dështim. Një shembull brilant si bëhet punësimi, si lidhen kontratat, si mbështeten të punësuarit etj, do ta sjellim në fund të këtij shkrimi nga përvoja e Ambasadës zvicerane në Shqipëri. Në këtë material do të flasim konkretisht për kultivimin e bimëve medicinale dhe aromatike dhe në ç’kushte kontraktore punojnë shqiptarët.

Nuk pati punësim të familjeve

Qarku i Korçës, (Korçë, Pogradec, Devoll dhe Kolonjë), zotëron sipërfaqe të mëdha tokash kodrinore, malore, pyjore, kullusore dhe kushte të mrekullueshme klimaterike për kultivimin e bimëve medicinale, ashtu siç ka sipërfaqe të konsiderueshme edhe në zona të thella, të cilat vijojnë të mbeten të pashfrytëzuara. Deri më sot të impenjuar në kultivimin e bimëve medicinale janë evidentuar individë dhe grupe të vogla njerëzish, pa ndonjë organzim të mirëfilltë apo mbëshetje efikase nga pushteti vendor. Thjesh kanë qenë iniciativa individuale të paorientuara nga modelet më të mira të kohës; për rrjedhojë edhe të ardhurat financiare kanë qenë modeste. Të gjitha këto pohohen edhe nga burime pranë bashkive të qarkut Korçë, por edhe pse këto të fundit bëjnë të ditur se aktualisht kanë dalë udhëzime të reja dhe amendamente të ligjeve, dhe tokat mund t’u jepen fermerëve me qira simbolike, sërish nuk është arritur të tërhiqet vëmendje e familjeve që jetojnë në fshat apo në qytet, për fillimin e një aktiviteti të tillë. Pra, sipas fermerëve, prania e specialistëve duhet të jetë më e madhe dhe më efikase, njëkohësisht edhe nga ana e shoqatave dhe fondacioneve që operojnë në qarkun e Korçës.

Pa përpunim të bimëve, të ardhurat të pakta

Megjithatë, edhe pse individë dhe grupe të vogla njerëzish përpiqen që me kultivimin e bimëve medicinale të sigurojnë bukën e përditshme, sërish nuk ia kanë mbërritur këtij qëllimi, sepse që sasia e të ardhurave të rritet, është e nevojshme që familjet të bëjnë vetë edhe përpunimin e bimëve medicinale, por kjo gjë realisht nuk ndodh. Madje sipas specialistëve të kësaj fushe, nëse bëhet përpunimi, diferenca në çmimin e shitjes është e konsiderueshme, dhe nëse vijohet kështu të ardhurat rriten nga viti në vit. Gjithashtu favorizues për fermerët mbetet tregu i sigurtë i këtij malli, por që realisht kërkon përmirësim të vazhdueshëm. Ndaj për këtë arsye, nga vetë familjet duhet të kërkohen sipërfaqe më të mëdha toke, përpunim të bimëve dhe më shumë përkrahje nga specialistët e bujqësisë, deri ditën që ata të mos kenë nevojë për ta dhe tregu të funksiojojë si gjithë tregjet evropiane.

Ligji i xhunglës

Sepse  fermerët shqiptarë jo rrallë herë gjenden përpara situatave të papritura. Nëse sasia e bimëve medicinale dhe aromatike të kultivuara është e madhe, grumbulluesit e tyre e ulin çmimin e blerjes,  duke e përgjysmuar atë ose edhe më shumë se kaq, ndërsa familjet që kultivojnë këto lloj bimësh, papritmas gjenden të falimentuara. Por në raste të tilla a duhet të mbajë dikush përgjegjësi, kur dihet që vendet që e marrin këtë mall nga Shqipëria, çmimet i kanë të qendrueshme dhe jo të luhatshme nga viti në vit. Për këtë arsye, fermerët duhet të ndihmohen edhe në hartimin e kontratave, pasi probleme të tilla siç ndodhin në Shqipëri nuk i dëgjon në asnjë vend tjetër të botës. Ja një shembull konkret: nëse një vit më parë luleciani u shit me 700 lekë kg, vitin që lamë pas u shit me 300 lekë kilogrami. Ndodhi kështu sepse fermerët të kënaqur nga të ardhurat që siguruan, i shtuan sipërfaqet e mbjella me këtë lule edhe me 20 mijë hektarë, sipërfaqja e përgjithshme shkoi në 250 mijë ha. Me çmimin qo ofruan grumbulluesit, fermerët nuk mund të likujdonin dot as pagesat e punëtorëve, por kështu ndodh vetëm atje ku nuk vepron as e dreja dhe as ligji.

Ambasada Zvicerane një shembull i mirë për qeverinë

Ndërsa vajzat dhe djemtë e Kolonjës dhe të Leskovikut, po braktisnin familjet me synim punësimin në vende të tjera të botës, sepse në atdheun e tyre nuk kishin gjetur asnjë mundësi, shumë të rinj, patën fatin të lidhen me një kompani për kultivimin e bimëve medicinale dhe aromatike të quajtur “Agromati”. Këta të rinj, djem dhe vajza, u mbështetën nga Ambasada Zvicerane përmes projektit “Risi Albania”, i cili përveç mbështetjes financiare u siguroi edhe tregun e shitjes. Këto u bënë të ditura nga drejtori i këtij projekti, Stefan Xhos. Madje jo vetëm kaq, gjatë fazës së parë (si projekt punësimi i të rinjve), pak vite më parë, sollën dhe implementuan dhoma tharjeje, kryen kualifikimin e të punësuarve dhe realizuan, ndërmjetësimin me tregun e punës, që gjithçka të kryhej më së miri. Ky është vetëm një shembull që vjen nga Ambasada Zvicerane. Kaq i duhet të bëjë edhe qeveria shqiptare, asgjë më shumë: mbështetje financiare, kualifikim dhe treg të sigurtë. Të tjerat i bëjnë familjet shqiptare me shumë përkushtim.