Një nga premtimet në planin e Partisë Socialise të vitit 2013, ishte ulja taksës e vlerës së shtuar të enërgjisë, në 6 për qind dhe heqja e TVSH prej 20 për qind për ushqimet. Nga verifikimi i ‘Faktoje’ në faqen zyrtare të tatimeve dhe faturave të energjive elektrike dhe të shpenzimeve ushimore, rezulton se ky premtim nuk është mbajtur, edhe pas 8 viteve në qeveri.
Kryeministri Rama, duke prezantuar platformën e Partisë Socialiste të vitit 2013 renditi mes premtimeve, uljen e taksës së vlerës së energjisë me 6 për qind. Kërkuam në faqen zyrtare, të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të verifikuar nëse ka ndonjë ndryshim ligjor mbi këtë taksë. Në bazë të ligjit, furnizimi me energji elektrike nuk bën pjesë në listën e shërbimeve me shkallë të reduktuar TVSH prej 6 për qind.
Për verifikimin e këtij premtimi ne morëm edhe një faturë energjie elektrike të një familjeje, që i përket muajit mars të këtij viti. Edhe në faturën e OSHEE të abonentit familjar pasqyrohet vlera e TVSH prej 20 për qind. Po në 2013, u premtua edhe heqja e taksës 20% për ushqimet si buka, mielli, veza, vaji etj.
“Nuk do t’i kërkojmë më familjeve të zakonshme të këtij vendi, të paguajnë 20 për qind taksë për kilen e bukës, 20 për qind taksë për kilen e qumështit, 20 për qind taksë për kokrrën e vezës, apo për kilen e vajit e të orizit. Ne do t’i bëjmë 0 taksat e ushqimit.” – u shpreh më tej Rama në një nga takimet elektorale me mbështetës të PS-së në vitin 2013. 8 vjet pas këtij premtimi, taksa për të gjitha ushqimet është ende 20 për qind, çka vërtetohet thjesht përmes faturave të ushqimeve që blejmë çdo ditë.