Manushaqe Shehu, Valentina Haliti, Hamdie Beqiri, tri dibranet e para në historinë e shtetit shqiptar

1252
Sigal

Tri zonja që, në të gjithë historinë e shtetit shqiptar, janë të parët në detyrat e  tyre, që kanë ushtruar e ushtrojnë

Si në shumë drejtime të tjera, edhe në drejtim të emancipimit shoqëror dhe të suksesit të grave e vajzave dibrane në karrierë shtetërore e ushtarake, Dibra zë vendin e parë në shkallë Republike.

Dibra, tashmë, ka tre zonja që, në të gjithë historinë e shtetit shqiptarë, janë të parët në detyrat e  tyre, që kanë ushtruar e ushtrojnë.

Të tilla janë Manushaqe Shehu (e para gjenerale dhe e para Zëvendës shefe e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë), Hamdie Beqiri (e para prefekte në shkallë vendi) dhe Valentina Haliti (Doda, e para kryetare e Qarkut në vendin tonë.

Znj. Manushaqe Shehu dhe znj. Valentina Haliti janë ende të parat dhe të vetmet gra me këto detyra, ndërsa si prefekte, në nëntor 2017 e më parë, u emëruan dhe të tjera gra prefekte në prefektura të ndryshme, si: Suzana Jahollari në Tiranë, Etjona Hoxha në Vlorë, Valbona Zylyftari në Berat etj.

Manushaqe Shehu, e para General Brigade dhe Zëvendës Shefe e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë

U  lind në Peshkopi, më 5 nëntor të vitit 1965. Ajo është titulluar oficere në vitin 1984. Në karrierën e saj të gjatë prej 32 vitesh në uniformë, ka shërbyer në disa detyra dhe funksione.

Pas përfundimit të studimeve në Akademinë e Lartë të Oficerëve Tiranë,  në vitin 1984, emërohet shefe Logjistike  në Brigadën e Peshkopisë.

Gjatë  viteve 1989- 1994, përfundon Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës.

Në vitin 1991, mori gradën Kapiten i Parë.

Që nga fillimet e karrierës së saj ushtarake deri në vitin 2000, ka punuar në detyra të ndryshme në fushën e logjistikës, financës etj.

Gjatë viteve 2000-2002, punon në ekipin amerikan të Departamentit të Mbrojtjes të USA, pranë MM, si përkthyese, njëkohësisht kryen studime pasuniversitare (Kursin Themelor të Oficerit në Shtab), në Akademinë e Mbrojtjes, Tiranë.

Në vitin 2003, merr gradën major. Gjatë kësaj periudhe, ka qenë nismëtare e disa projekteve për ristrukturimin e FA dhe anëtare e bordit të kompanisë amerikane SAIC për ndryshimin e strukturave të FA, si dhe anëtare e bordeve drejtuese të ndryshimit të disa rregulloreve të logjistikës në FA.

Në vitin 2004-2005, përfundon shkollën logjistike ADAMS P&P në Francë si dhe Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm “Spiro Moisiu” në Tiranë.

Në vitin 2006, mori gradën nënkolonel.

Nga 2007 deri në vitin 2011, ka asistuar ish-presidentin e RSH në pozicionin e këshilltarit për Sigurinë.

Gjatë kësaj periudhe përfundon studimet në Kolegjin e Lartë Rajonal të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, në Tiranë.            Është autore e disa botimeve, si dhe ka marrë pjesë në kurse dhe trajnime në vende të Aleancës dhe partnere.

Në vitin 2010, përfundon Masterin Shkencor MND në fushën Sigurisë Kombëtare dhe po në këtë vit merr gradën kolonel.

Gjatë karrierës së saj është dekoruar me urdhra e medalje të ndryshme nga ministri i Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm.

Ajo është pjesëmarrëse në stërvitje të përbashkëta me vende anëtare të NATO-s dhe po ashtu aktiviste dhe drejtuese e nismave në ndihmë të grave ushtarake dhe civile të FA dhe të rajonit.

Më 2012, emërohet drejtoreshë në Shtabin e Përgjithshëm.

Që prej 1 nëntor 2012,  ishte komandante e Akademisë  Nënoficerëve, detyrë të cilën e ushtrojë deri më deri më 16 janar 2016, kur u njoftua se ishte emëruar komandante  Akademisë së Doktrinave të Stërvitjes, detyrë që e kreu deri më 16 janar 2018, kur u emërua zëvendës shefe e Shtabit të Përgjithshëm të FA.

Nga data  16 .11. 2016,  mban mbi supet yjet e Gjeneral Brigadës.

Është njohëse e mirë e dy gjuhëve të huaja.

Valentina Haliti, e para grua që u bë kryetare qarku

U konstituua Këshilli i Qarkut të Dibrës. Valentina Haliti, kryetar e këtij këshilli, e parë grua në krye të këshillit të Qarkut të Dibrës por, në dijeninë tonë, dhe e para grua në krye të këshillave të qarkut të vendit.

Pas zgjedhjeve të 30 Qershorit 2019, u konstituua Këshilli i Qarkut të Dibrës dhe u zgjodh kryetarja e re i këtij Qarku.

Në këtë mbledhje morën pjesë të gjithë anëtarët  e Këshillit të Qarkut,  nga   bashkitë e Dibrës, Bulqizës, Klosit dhe Matit.

Si kandidaturë e vetme për kryetar të Këshillit u votua Valentina Haliti (Doda), anëtare e Këshillit bashkiak të Dibrës, e cila mori 16 vota pro dhe u zgjodh kryetare e re e këtij Këshilli, me një mandate 4 –vjeçar.

Znj. Valentina,  është një mësues e me përvojë të gjatë në gjimnazin e Peshkopisë dhe aktualisht dhe kryetar e PS të Dibrës.

Nga të dy familjet, edhe nga babai, Hysni Doda, edhe nga bashkëshorti, Agim Haliti, ka patur mundësi të përfitojë përvojë pozitive në drejtim të punëve në komunitet.

Hysni Doda, ndër të tjera, për një kohë të gjatë ka drejtuar ndërmarrje ekonomike të rëndësishme të Dibrës dhe Agimi për 4 vite (shkurt 1985-shkurt 1989) ka drejtuar Seksionin Ndërtim-Komunale, në Komitetin Ekzekutiv të Dibrës.

Nënkryetar i Këshilli u zgjodh z.Halit Palamani, gjithashtu jo pa përvojë. Z.Palamani, ndër të tjera, qe edhe prefekt i Dibrës, si dhe është anëtar i këshillit bashkiak të Matit.

Hamdie Beqiri (Lleshi), prefektja e parë grua

 Znj.Hamdie Beqiri është, padyshim, gruaja e parë në Dibër dhe në Shqipëri, që kreu një detyrë të lartë si ajo e prefektes së Dibrës. Gjithashtu, ka një karrierë të pasur dhe është një personalitet i afirmuar.

U lind në Maqellarë.

Arsimin 8 vjeçar e ka mbaruar në vendlindje dhe studimet e mëtejshme në shkollën e mesme të Gjuhëve të Huaja, në degën Gjuha Ruse e më pas Fakultetin e Shkencave Shoqërore, në degën Gjuhë-Letërsi.  Zotëron shumë mirë gjuhën ruse dhe mjaftueshëm gjuhën angleze dhe italiane.

Ka kryer dy kurse kompjuteri, si dhe ka kryer një numër të konsiderueshëm kualifikimesh profesionale lidhur me aftësimin e gruas dhe si politikane e drejtuese të zhvilluara nga fondacione të huaja e vendase, ka ndjekur kualifikimin 2 vjeçar  të financuar nga Zyra Austriake e Kooperimit dhe Zhvillimit në Shqipëri, si dhe Organizata Austriake “Horizont 2000” dhe kualifikimin një vjeçar  pranë Akademisë për Udhëheqësi dhe Reformë Politike ( NDI).

Për 4 vjet ka punuar si mësuese në shkollën e mesme bujqësore në Shupenzë e më pas në shkollën nr. 1, në Bulqizë.

Më vonë, ka punuar 5 vjet në drejtorinë Arsimore, Bulqizë.

Gjatë periudhës korrik 2002- prill 2004, ka ushtruar detyrën e Prefektes së Qarkut Dibër. Që nga kjo kohë e deri në fund të vitit 2005, kur  u zëvendësua nga përfaqësues të PD-së, ka qenë drejtore rajonale e Albtelekom sh.a. Dibër.

Pastaj, ka punuar si kuadër pranë një firme ndërtimi, te Fakulteti i Infermierisë dhe shefe e Burimeve Njerëzore në Posta Shqiptare.

Fatos DACI