Flet Prof. Abdulla Kapidani: Trajtimet në bujqësi duhet të orientohen e zbatohen nga specialisët dhe jo nga tregëtarët e preparative kimike

301
Sigal

Intervista/ Flet Prof. Abdulla Kapidani, i diplomuar në Lajpzig të Gjermanisë

Trajtimet në bujqësi duhet të orientohen e zbatohen nga specialistët, e jo nga tregëtarët e preparative kimikë

Pesticidet e përdorimit të zakonshëm nuk japin efekt, pasi ato kanë shfaqur qëndrueshmëri ndaj tyre

– Është e domosdoshme që në varësi të Ministrisë së Bujqësisë të jetë Instituti i Mbrojtjes së Bimëve

– Është gabimi politik që përvoja e këshillimit të ekstensionit hollandez, të mos vazhdojë

Bashkim Koçi

  Prof, Abdulla Kapidani ka lindur në 6 gusht të vitit 1938 në Borakë të Shijakut, Durrës. Pasi mbaroi shkollën e mesme në Golem të Kavajës në vitin 1957, u dërgua për të vazhduar studimet e larta në Lajpzig, në Gjermani. Në vitin 1963 u diplomua agronom i specializuar për mbrojtjen e bimëve. Nga kjo periudhë e deri në vitin 1966 punoi në detyrën e ispektorit të mbrojtjes së bimëve në rrethin e Shkodrës. Nga viti 1966 u atashua pranë Institutit të Lartë Bujqësor (sot UBT), në fillim si asistent e pastaj si pedagog i lëndës së Entomologjisë bujqësore. Për 15 vjet drejtoi katedrën e Mbrojtjes së Bimëve të Universitetit Bujqësor. Në vitin 1980 fitoi gradën Kandidat i Shkencave Bujqësore në fushën e nematodave parazitare të bimëve në mjedise të mbrojtura. Tre vjet më vonë fitoi titullin shkencor Docent. Gjatë kësaj periudhe, krahas punës mësimore si pedagog, ai punoi intesivisht edhe me punë kërkimore shkencore. Për një periudhë tre vjeçare ( 1989-199), Prof. Abdulla Kapidani mbajti detyrën e rëndësishme të Zv. Rektorit të Universitetit Bujqësor. Ai ka kryer edhe kualifikime jashtë vendit si në Kinë (1969), në Austri (1985) si dhe ka realizuar disa vizita pune për shkëmbim përvoje në Hollandë, Gjermani, Austri,  Jugosllavi e Greqi. Në vitet 2000-2003 ai mbajti pozicionin e konsulentit pranë Qendrës Rajonale të Këshillimit Bujqësor, Durrës. Abdulla Kapidanii ka qenë dhe mbetet aktiv për të trajtuar dhe këshilluar fermerët rreth trajtimit të bimëve bujqësore për t’i mbrojtur nga sëmundjet dhe dëmtonjësit. Gjatë gjithë viteve si specialist dhe pedagog ai ka mbajtur lidhje të pandërprera me botuesit e specializuar, brenda dhe jashtë vendit, duke trajtuar tema të rëndësishme të fushës së tij. Ndër librat më të rëndësishëm dhe që kanë parë dritën e botimit janë: 1. Entomologjia Bujqësore (1971) 2. Mbrojtja kimike e bimëve 3. Dëmtuesit dhe sëmundjet kryesorë të hardhisë 4. Praktikumi i Entomologjisë Bujqësore,  etj. Jo pak të rëndësishëm janë tre skenarë dokumentarësh ku trajtohen probleme të mbrojtjes së tokës dhe bimëve nga sëmundjet dhe dëmtonjësit. Në këtë linjë të punës shkencore ai ka udhëhequr tema të ndryshme për më shumë se të 50 studentëve, të cilët janë diplomuar apo kanë mbrojtur tituj shkencorë. Veç vlerësimeve që ka marrë për kontributin e tij në fushën e bujqësisë dhe përgatitjen e shumë brezave specialistësh si mësimdhënës, Prof. Abdulla Kapidani mban edhe vlerësimin i lartë, “Njeriu i vitit 2002”, dhënë nga “Qëndra Biografike Ndërkombëtare në Kembrixh të Anglisë”. Ai zotëron shumë mirë gjuhën gjermanishte, rusisht dhe sërbokroatiten.

-Ç’është për Ju mjeku i bimëve, Profesor?

-Për sigurimin e rendimenteve të larta në kushtet e bujqësisë intensive, mbrojtja e bimëve edhe në të ardhmen do të ketë një rëndësi të madhe. Ulja e dëmtimeve nga sëmundjet dhe dëmtuesit ka ndikim të drejtpërdrejtë në shfrytëzimin më të mirë të energjisë diellore, pjellorinë natyrale të tokës nëpërmjet potencialit prodhues gjenetik të lloit. Çdo kontribut për përsosjen e mbrojtjes së bimëve për rritjen e efektivitetit dhe sigurisë së masave, lidhur kjo jo vetëm me aspektin ekonomik, por gjithnjë e më shumë edhe me problemet ekologjike. Mbrojtja moderne e bimëve synon gjithnjë e më tepër në një kompromis ndërmjet ekonomisë dhe ekologjisë. Çdo njëanshmëri shpie në pasoja të rënda. Kur nisemi vetëm nga qëllimi ekonomik kemi pasoja në agrosistem, në mjedisin e njerëzve dhe në orientimin e njëanshmëm ekologjik. Pra nuk arrijmë të marrim prodhime të larta e të stabilizuara.

-Pak më thjeshtë e më konkretisht Profesor, që edhe lexuesi të mund të kuptojë këshillat tuaja dhe të gjejnë zbatim në praktikë.

-Shkenca që meret me mbrojtjen e integruar të bimëve quhet Fitomjekësi. Ajo, sipas studjuesve të mirënjohur botërorë, është shkenca që studjon dëmtimet e bimëve, shkaqet e tyre, format e shfaqjes dhe ecuria tek bima e prekur apo e infektuar. Pra objekt i saj është ruajtja dhe mbajtja e shëndetshme e bimëve dhe ngastrave të mbjella nëpërmjet mjeteve e masave mbrojtëse. Një pjesë e mirë e shkencëtarëve kanë pasur si objekt studimi dëmet, morfologjinë, biologjinë, sistematikën, ekologjinë dhe masat e luftimit. Ndërsa një pjesë tjetër e vogël e tyre kishin si objekt studimi bimën e sëmurë ose të dëmtuar. Me termin Fitomjekësi dhe vënien e saj në jetë, sigurohet mësimi i të gjitha disiplinave të mbrojtjes së bimëve. Në qendër të vëmendjes vihet bima dhe ngastrat e mbjella me kultura bujqësore. Akoma dhe në ditët tona shpesh në qendër të vëmendjes e në plan të parë janë dëmtuesit ose faktorët abiotik, ndërsa vetë bima mbi të cilën ato shfaqen dhe e dëmtojnë vihet në plan të dytë.

 

-A është e matëshme puna e specialistit në lidhje me mbrojtjen e bimës nga sëmundjet dhe dëmtonjësit? Ka vlerësim real dhe në proces të këtij shërbimi?

Ky këndvështrim ka çuar edhe në konkluzionin deri në ditët tona, biles edhe në vendin tonë se vlera e mbrojtjes së bimëve duhet të matet në radhë të parë me sasinë e sipërfaqes së trajtuar në hektar ose sasinë e preparateve të harxhuar në tonë kundra sëmundjeve e dëmtuesve të shfaqur. Më i drejtë do ishte që ky vlerësim të përllogaritej me efektivitetin e masave të mbrojtjes së bimëve, me sasinë e cilësinë e prodhimit të realizuar në bimët e arave, pemtarisë dhe perimeve. Luftimin e dëmtuesve e sëmundjeve duhet ta realizojmë me përdorimin e sasisë minimale të energjisë dhe kimisë, të ngarkojmë në minimum mjedisin me pesticide dhe të përjashtojmë apo minimizojmëdëmtimin e njeriut dhe të bimëve të mbjella kur flasim për mbrojtje efektive të mbrojtjes së bimëve ndaj parazitëve. Duke u nisur nga ky këndvështrim duhet të bëjmë vlerësimin e ri të mbrojtjes së bimëve.

-Ka pika afrimi mjekësia bimore më atë shtazore, apo edhe me mjekësinë humane?

-Sigurisht që ka. Si disiplinë shkencore Fitomedicina (mjekësia bimore) ka pika afrimi dhe largimi me mjekësinë humane dhe atë veterinare. Që të tre disiplinat, kanë të përbashkët për objekt studimi e pune mbrojtje në gjendje të shëndetshme të organizmave si individ tek njerëzit nga mjekësia humane, si kafshë ose grupe kafshësh nga mjekësia veterinare dhe si ngastër me bimë nga mjekësia bimore. Por përsa i përket aspektit etik, social dhe në veçanti aspektit ekonomik ndërmjet tyre ka ndryshime të mëdha. Me realizimin e përmbajtjes së mjekësisë bimore, specialisti i mbrojtjes së bimëve në praktikë merr një pozicion të ri. Ai nga luftues i dëmtuesve dhe sëmundjeve kthehet në mjek të bimëve ose (Fitomediciner). Kompetenca profesionale e tij duhet të ngrihet në nivelin e asaj të mjekut veteriner. Një specialist i mbrojtjes së bimëve, megjithë kualifikimin e tij si specialist i lartë, nuk gëzon respektin dhe emrin e mjekut veteriner.

-Mund të thoni diçka më shumë rreth këtij opinioni?

-Kriteret për vlerësime të ndryshme ndërmjet tyre nuk duhet të jetë më, e sidomos sot kur flasim për një angazhim serioz të mbrojtjes së bimëve. Sepse nga njëra anë nuk ka ndryshime të theksuara në përmbajtjen e kohëzgjatjen e studimit, përsa i përket formimit universitar të mjekut veteriner dhe agronomit të mbrojtjes së bimëve. Nga ana tjetër, janë rritur shumë rendimenti dhe vlera e prodhimit bujqësor deri në atë nivel sa që rreziku i dëmtuesve me perspektivën ekonomike nga këta parazitë mund të jenë më të larta se ato që shkaktohen prej tyre në prodhimin blegtoral. Shfaqja e epizifive të sëmundjeve ose e gradacioneve të dëmtuesve në areale të gjera shpien në dëmtime aq të mëdha e katastrofale si edhe nga sëmundjet e rrezikshme në kafshë. Përgjegjësia për të ruajtur gjendjen shëndetësore, aftësinë prodhuese të bimëve dhe kafshëve në bujqësinë moderne është e pandarë. Sot në disa vende të Botës ka shoqëri për fitomedicinë, revista mjeku i bimëve, tekst për fitomedicinën, institut për fitomedicinë etj. Në universitete sëmundjet dhe dëmtuesit zhvillohen në bazë kulturash.

-Shtrohet pyetja: Në çfarë mase shkon koncepti i Fitomjekësisë me strategjinë e luftës së integruar.

-Metoda e integruar e luftimit mbështetet në të gjitha metodat e luftimit që justifikohen nga ana ekonomike, ekologjike e toksikologjike, për të mbajtur organizmat dëmtues nën kufinjtë e dëmit si edhe për të shfrytëzuar e dhënë përparësi faktorëve natyrorë kufizues të parazitëve. Në krahasim me mbrojtjen tradicionale të bimëve, mbrojtja e integruar e bimëve dallohet në disa drejtime kryesore. Strategjia për zhdukjen dhe shkatërrimin e plotë të sëmundjeve, dëmtuesve dhe barnave të këqia të bimëve të kultivuara nuk ja ka arritur qëllimit, me gjithë përdorimin e shumtë të pesticideve, sepse ato kanë potencial të lartë shumëzimi. Pesticidet e përdorimit të zakonshëm nuk japin efekt pasi ato kanë shfaqur qëndrueshmëri ndaj tyre. Në shumë kultura bujqësore mund të ndryshojë spektri i dëmtuesve në favor të atyre që kanë qënë të fjetur ose që luftohen me vështirësi. E rëndësishme është që metoda kimike e luftimit duhet të vendoset jo në fillim, por në fund të hallkave të zinxhirit si masë specifike.

-Përdorimi i pesticideve apo preparative të tjerë kimikë është i dëmshëm për shëndetin e njeriut. Mund të përdoren praktika të tjera shkencore që, siç thotë populli “mishi të piqet e helli të mos digjet”?

Në prespektivë vendin e metodës kimike në bimët e arave duhet ta zënë rritja e qëndrueshmërisë së bimëve ndaj parazitëve si masë për rregullimin e bimëve ndaj parazitëve, si masë për rregullimin e mekanizmave ndërmjet popullatës së parazitëve dhe bimës së kultivuar. Vetëm në ato raste kur këto masa nuk ja arrijnë qëllimit, atëherë detyrohemi të përdorin pesticidet në luftë kundër tyre. Metoda biologjike e luftimit nuk do të ketë ndonjë rëndësi të veçantë edhe në të ardhmen pasi kërkon precizion të lartë, prognomi i dëmtuesve ende nuk është i sigurt, efektiviteti nuk është i mjaftueshëm, faktorët e mjedisit të jashtëm ndikojnë negativisht, ka veprim fillestar të dobët etj.

-Po rreth vlerësimit, favorizimi dhe shfrytëzimi i strukturës ekologjike dhe agrosistemit ç’rëndësi i duhet dhënë sot e në prespektivë?

-Në një agrosistem të caktuar, sistemi vetërregullohet sipas shfaqjes jo vetëm të dëmtuesve, por edhe të antagonizmave të tyre, të insekteve indiferentë si edhe aftësinë kompesative e vetërregulluese të bimës. Masa të ndryshme kimike, por edhe masa të caktuara agroteknike si punimi i bimës, sistemimi, kullimi, ujitja, qarkullimi bujqësor,  ndikojnë në çrregullimin e këtyre ekosistemeve. Ato pakësojnë aftësinë vetërregulluese të tyre edhe në rastet ekstreme. E çrregullojnë plotësisht atë si pasojë e ndërhyrjeve të panevojshme në strukturën ekologjike kur shfaqen epidemitë dhe gradacionet e popullatave të dëmtuesve latent. Trajtimet e vazhdueshme, kalendarike me insekticide, fungicide, favorizojnë seleksionimin e rracave rezistente dhe në këtë mënyrë shumimin masiv të dëmtuesve dominues.

-Atëherë cili është mendimi juaj Profesor, ç’rekomandoni për specialistët dhe fermerin shqiptar?

Në vështrim të përgjithshëm, zotërimi i agrosistemeve duhet vlerësuar si detyrë strategjike e mbrojtjes moderne të bimëve. Këto agrosisteme janë të përcaktuara nga ana shkencore, por nuk janë gjë tjetër veçse ngastrat e mbjella me bimë të kultivuara. Prandaj edhe strategjia e mbrojtjes së bimëve orientohet drejt bimës së kultivuar ose ngastrës me bimë. Këtu shihen aspektet e faktorëve biotikë, obiotik dhe ekonomik që lidhen me bimën e kultivuar dhe qëllimin e Fitomjekësisë. Për shërbimin praktik të mbrojtjes së bimëve, kjo do të thotë që të vendosësh për masat profilektike ose direkte të luftimit, duhet të nisesh nga gjendja reale e shkaktarëve të dëmit në ngastrën me bimë të kultivuara. Prandaj diagnostika, vrojtimi, kontrolli i gjëndjes së bimëve në të ardhmen do të marrin rëndësi më të madhe se sa realizimi i drejtuar i masave të luftimit i mbështetur në aspektin ekonomik dhe ekologjik. Në qendër të vëmendjes mbetet bima e kultivuar me aftësinë e saj kompesuese e rigjeneruese, me mekanizmat mbrojtëse dhe qëndrueshmërinë e saj. Vetëm në këtë mënyrë pakësohet ngarkesa e tokës, mjedisit me pesticide dhe prodhimeve bujqësore me mbetje kimikatesh.

-Me çka thatë del nevoja e ngutëshme për përgatitjen e specialistëve me profil të ngushtë, atë të mbrojtjes së bimëve. Apo jo?

-Në kuadrin e përgatitjes së specialistëve të lartë të mbrojtjes së bimëve për të ardhmen, duhet të kihen parasysh zhvillimi i mbrojtjes së bimëve i parashtruar si më sipër dhe realizimi i tij. Edhe në kushtet tona janë të gjitha premisat për një zhvillim të mëtejshëm të përgatitjes së specialistëve të lartë në përshtatje të kërkesës së mjekësisë bimore (Fitomjekësisë) dhe luftës së integruar. Pranë fakultetit të agronomisë të (UBT) është hapur që përpara shumë vitesh dega e mbrojtjes së bimëve. Studentët e diplomuar të këtij profili i përgjigjen nivelit të shërbimit praktik të mbrojtjes së bimëve mësimit dhe kërkimit. Uniteti i sferës së profilit dhe strategjisë së mbrojtjes moderne të bimëve realizohen nëpërmjet leksioneve, praktikave, detyrave etj, për të gjithë studentët. Me konceptimin e formimit të ri të përgatitjes që është në diskutim, nuk do të bëhen ndryshime në transmetimin e dijeve (diagnoza, vrojtimi, metodika, shfrytëzimi i kompjuterit, prognoza, ekologjia e aplikuar etj.), por ndryshime edhe të emërtimit të profilit Fitomedicinë ose mbrojtje bimësh dhe të specialistëve që mbarojnë si mjek i bimëve ose agronom për mbrojtjen e bimëve. Tendencat e reja të zhvillimit të mbrojtjes së bimëve, e luftës së integruar, kërkojnë drejtim përkatës edhe përsa i takon kërkimit në fushën e mbrojtjes së bimëve. Disa nga këto çështje janë realizuar ose vazhdojnë të sqarohen si: Futja e sistemit modern të vrojtimit fushor në shkallë vendi; sqarimi i marrëdhënieve prekje-dëmtim dhe mbi këtë bazë përcaktimi i pragjeve orientuese të luftimit; studimi i proceseve epidemiologjike e gradologjike për qëllime prognozimi të prekjes së dëmit, bazuar edhe në modelet simulativ me kompjuter; trajtimi me pesticide i një pjese të sipërfaqes dhe i anës së ngastrave; kërkime për sqarimin e rolit dhe rëndësisë së organizmave të dobishëm në agrosistme. Të gjitha këto janë të domosdoshme për të realizuar principet e luftës së integruar në praktikën e gjerë.

Është e domosdoshme që në varësi të Ministrisë së Bujqësisë të jetë Instituti i Mbrojtjes së Bimëve dhe specialistët përkatës. Mendoj që është gabim që ky institucion nuk funksionon. Është gabim politik që përvojën e këshillimit të ekstensionit hollandez, në kushtet e ekonomisë së tregut, të mos vazhdojë ashtu si edhe u zbatua vite më parë.