INTERVISTA/ Ish-trajneri i Dinamos, Faruk Sejdini, analizon kampionatin e vazhdimësinë e sezonit
Agron Kaja
Abissnet Superiore i mbylli ndeshjet e kalendarit 2023-2024, si i përshkruani pesë ndeshjet e javës së 36-të?
Mendoj se kjo ishte java e matematikës dhe e kalkulimeve. Ndeshjet shkuan siç deshën llogaritë e skuadrave, sepse pak prej tyre e kishin vlerësuar rëndësinë e ndeshjes. E quaj një javë ku rezultatet dolën nga një konkurs i matematikës.
Nisur nga loja, kishte lëshim në rezultat në ndonjërën prej ndeshjeve të javës së 36-të?
Unë mendoj se u bë haptazi, çdo skuadër shkoi në rezultat atje ku deshte dhe për mua kjo ishte një javë e shëmtuar. Ndonjë skuadër e kishte fajin vetë nëse humbi dhe nuk arriti objektivin, por futbolli kështu e ka, të mban të varur në fund.
Në të gjitha ndeshjet u shënuan 16 gola, mund të themi se edhe ky është një tregues me aludime?
Më duket se kjo “Final 4” u bë edhe pak mediatike. Unë nuk e kuptoj qëllimin e “Final 4”, por ama kështu askush nuk e kupton se përse u bë kjo skemë e pakuptimtë, pa asnjë argumentim dhe duke e zeruar djersën e një viti te skuadrat!
Katër vëndet e para në renditje që do luajnë në “Final 4”, sa e merituan, mundet që aty të ishin Dinamo City apo Tirana?
Sigurisht që po. Nëse do ishin Tirana e Dinamo, do thoja se do i arrihej qëllimit dhe shkallët e stadiumit do ishin të mbushura. Të dyja e kanë fajin vetë, por nuk ditën ta shfrytëzonin dhe në fund ishin të detyruara ta pranonin vëndin në renditje.
Ndërkohë që Skënderbeu vazhdon dënimin nga UEFA, është një handikap ky që mund të shmangej?
Skënderbeu bëri detyrën dhe i lumtë që e siguroi një vënd në “Final 4”. Ai mbajti traditën e tij dhe urime skuadrës e presidentit të saj. Nisur nga vazhdimi i dënimit nga UEFA, mbetet handicap i pakuptimtë dhe FSHF-ja duhet ta japë një mendim zyrtar.
“Final 4” u përcaktua me çiftet Partizani-Skënderbeu që luhet ditën e premte, dhe Egnatia-Vllaznia të dielën, ju e keni një parashikim?
Unë do të thoja se futbolli prandaj është i bukur, pasi e ka enigmën brenda. Janë ndeshje teke dhe brenda tyre fshihet enigma. Partizani ka gjëndje të mirë dhe kompletuar, Egnatia duket konstante dhe shkodranët më të konsoliduar. Janë ndeshje e ekuilibruara.
Laçi i vëndit të 8-të do të luajë në Play-off me një skuadër të Kategorisë së Parë të çiftit Flamurtari-Apolonia, po këtë sfidë si e parashikoni?
Unë them se Laçi është më favorit, ka më shumë experiencë në Superiore këto vitet e fundit. Dhe këtu ku është, ndoshta nuk e mendonte, por e mendoj favorit pa ulur vlerat e dy skuadrave të tjera, që mund të dalin përballë skuadrës laçiane.
Pasi të jenë mbyllur ndeshjet e “Final 4”, nga 1 te 4, ju si e mendoni renditjen e tyre?
Unë mendoj se Partizani do dalë kampion, e pastaj Egnatia, Vllaznia e Skënderbeu. Ky është një këndvështrim që bazohet në atë që kemi parë në 36 javët e kampionatit, por do përsëris çka thashë më sipër, futbolli e ka enigmën brenda tij.
“Final 4” me problemin “Skënderbeu”!
Ndeshjet e “Final 4” u përcaktuan me shortin nga FSHF-ja, por ka një handikap që nuk është llogaritur dhe e bën të pavlefshme një ndeshje. Kualifikimi i Skënderbeut në katërshe, ka pamundësinë e tij për të shkuar në Europë, pasi vazhdon dënimi nga UEFA. Kjo bën që tre ekipet e tjera të kenë të siguruar automatikisht pjesëmarrjen në Europë dhe ndeshja se cila skuadër do të shkojë në Europë, mes humbësve të gjysmëfinaleve, bëhet e pavlefshme dhe pa asnjë rëndësi. Ajo do të përcaktojë vetëm renditjen përfundimtare të “Final 4” dhe shërben për të ardhurat që do të ndahen nga biletat, por nuk do të ketë vlerë sportive për ekipet.
SHPËRBLIMET
Fituesit e sezonit 2023-2024
FSHF-ja kishte përcaktuar bonuse për renditjen në mbyllje të fazës së rregullt për katër skuadrat e para në Abissnet Superiore 2023-2024. Nisur nga renditja, Egnatia e vendit të parë do të përfitojë 100 milionë lekë të vjetër; Partizani i dyti merr 70 milionë lekë të vjetër; Vllaznia e treta merr 50 milionë lekë dhe Skënderbeu i katërti përfiton 20 milionë lekë. Por FSHF-ja ka menduar që edhe për fituesin e “Final 4” të japë shpërblim të majmë. Sipas Departamentit të Garave në FSHF, skuadra fituese në “Final 4” do të përfitojë premio për titullin 100 milionë lekë.
KUPA E 72-të E SHQIPËRISË
Egnatia abonohet me Kupën, Kukësi nuk ndez këtë sezon
Dje në mbrëmje, Egnatia dhe Kukësi luajtën finalen e Kupës së Shqipërisë të sezonit që u mbyll, 2023-2024, e 72-ta në histori. Në stadiumin “Air Albania”, skuadra e Egnatias fitoi 1-0 me golin e Ndrecës në minutën e 38-të, pasi u tregua më e qartë dhe e saktë me rastet që krijoi. Përbërja bëri diferencën ndaj Kukësit, i cili dha gjithçka në këtë finale të tretë në historinë e tij në Kupë. Për fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë, Egnatia kishte vënë 20 mijë euro shpërblim, ndërsa Kukësi 30 milion lekë të vjetër. Kujtojmë se Kukësi e ka fituar më parë 2 herë trofeun e Kupës së Shqipërisë, ndërsa kjo ishte finalja e tretë për të. Ndërkohë që Egnatia e kishte fituar 1 herë në sezonin e kaluar, ky është trofeu i dytë. Në historinë e 72 kupave, Tirana është skuadra që e ka fituar më shumë trofeun, 16 herë.
ABISSNET SUPERIORE
RENDITJA E KAMPIONATIT
Skuadrat Nd Pikë
1.Egnatia (F4) 36 63
2.Partizani (F4) 36 63
3.Vllaznia (F4) 36 59
4.Skënderb. (F4) 36 51
5.Tirana 36 50
6.Teuta 36 50
7.Dinamo City 36 47
8.Laçi (P-O) 36 46
9.Erzeni (K1) 36 32
10.Kukësi (K1) 36 27
NDESHJET “FINAL 4”
E premte, 17 maj 2024
Partizani-Skënderbeu 20:00
(Luhet në “Air Albania”)
E dielë, 19 maj 2024
Egnatia-Vllaznia 20:00
(Luhet në “Air Albania”)