Xhevdet Nerjaku: Me renditjet që kanë në tabelë, skuadrat janë në nivelin e tyre

Xhevdet Nerjaku

KATEGORIA E PARË/ Specialisti i futbollit shqiptar Xhevdet Nerjaku, realitetin e vlerëson në pritshmëri

Agron KAJA

NOA

Në fundjavën e shkuar, Kategoria e Parë luajti ndeshjet e javës së 26-të, ku renditja nuk pësoi ndonjë ndryshim në të gjithë shtrirjen e saj. Ndërkohë që, për specialistin e futbollit shqiptar Xhevdet Nerjakun, të gjitha rezultatet priteshin, por humbja e Besës me Pogradecin mbeti surpriza e javës 26. “Kampionati ka hyrë në fazën e vështirësisë më të lartë. Këtë e treguan edhe rezultatet e javës së 26-të, ku do të thoja se ishin rezultate, të cilat edhe priteshin. Ndërkohë që suprizë ishte fitorja e Pogradecit në Kavajë, ku skuadra pogradecare tregoi se është e denjë për të qënë një ekip kryesues. Por këtu barazimi mund të ishte rezultati më i drejtë. Skënderbeu e Laçi tashmë janë të formuara dhe me meritën e tyre janë në kreun e tabelës, ndërsa në ndeshjet e tjera mendoj se ishin në pritshmëritë e tyre, ndërsa barazimi i Burrelit e ndërlikon renditjen e tij në zonën Play-off. Lushnja po zhgënjen dhe e mban në ngrirje pozicionin në vëndet e fundit”, kështu e nisi dje bisedën ish-futbollisti e trajneri shijakas Xhevdet Nerjaku, i cili më pas për gazetën “Telegraf” përshkroi edhe situatën e skuadrave në këtë kategori. “Situata në Kategorinë e Parë ka patur ecuri të mirë dhe ka qënë më shumë reale. Në forcat që ka çdo skuadër, mendoj se është në nivelin e vet dhe tabela e renditjes është ekzakte për forcën e ekipeve. Por nuk duhet mohuar edhe fakti se kjo kategori ka mungesë të tifozerisë, sepse edhe futbolli i tyre nuk është shumë në identitetin vëndas. Janë një pjesë e vogël që kanë ndjeshmëri për ta ndjekur, por janë pjesa më e madhe që duan identitet dhe produkt vëndas. Kësoj ka humbur mentaliteti i klubit, ndaj dhe tifozeria është për të dëshiruar në Kategorinë e Parë. Ka edhe një fakt tjetër, sepse në skuadra nuk ka futbollistë vendas që të tërheqin. Kjo po e dëmton cilësinë e futbollit, ndaj edhe tifozeria vjen në rënie”. Nga java e 27-të e deri në mbyllje, specialist Nerjaku e mendon garën të vështirë. “Gara është bërë e vështirë, sepse në fazën e tretë, çdo skuadër kërkon të kapë synimin e sezonit. Janë tre skuadra për kreun, tre apo katër skuadra që kërkojnë renditjen deri në vëndin e 6-të, dhe zona e mbijetesës ku janë futur disa skuadra, Apolonia, Lushnja, AF Luftëtari dhe Kukësi. Kampionati ka edhe 7 javë deri në mbylljen e tij, dhe besoj se do jetë një garë me ndeshje shumë të vështira”, ishte ky komenti i specialistit të futbollit shqiptar Xhevdet Nerjaku.

KOMBËTARJA – PRAGSFIDA ME POLONINË

Tre “moskëtierët” e sulmit në dyshim, shpresat te Muçi e Mehmeti

Ndërkohë që ndeshja me Poloninë po afron (26 mars), trajnerit Silvinjo i kanë ardhur lajme të rëndësishme për disa lojtarë që i mendon në listë. Duke qënë një përballje me rëndësi për një kualifikim të mundshëm në Kupën e Botës, pragu i saj përballet edhe me momente që ia lëvizin planet bankinës kuqezi. Konkretisht, dy sulmuesit Rei Manaj dhe Mirlind Daku, po kalojnë gjëndje fizike jo të mirë pas dëmtimeve, çka i shkaktojnë probleme Silvinjos. Manaj u largua nga fusha e lojës në sfidën e fituar të Sivasspor ndaj Umraniyespor, pasi ndjeu shqetësim në pjesën e sipërme të kofshës së majtë. Shqetësuese mbetet dhe situata e Mirlind Dakut, i cili është larg fushës pas dëmtimit stërvitor, dhe burimet e klubit kanë konfirmuar se rikthimi i tij në gjendje optimale pritet pas ndeshjeve ndërkombëtare. Ndërkohë që më shpresëdhënës duket aktivizimi i Armando Brojës me Burnley, njëherësh edhe forma e mirë e Muçit në Turqi dhe e Mehemtit në Angli. Mungesa dhe alternativa, këto shtojnë shpresën për ta ftuar në sfidën e vështirë në Varshavë.

Tifozët të bëhen gati, nisi aplikimi për biletat

Nga dita e djeshme, e hënë 15 mars, të gjithë tifozët shqiptarë që duan një biletë për në ndeshjen Poloni-Shqipëri, e cila është e vlefshme për Play Off-in e Botërorit 2026, mund të aplikojnë përmes platformës t-Ticket. Në një postim nga FSHF-ja, tifozët që dëshirojnë të aplikojnë duhet të regjistrohen paraprakisht në platformw, duke krijuar një llogari personale. Çdo aplikant do të ketë mundësi të aplikojë vetëm për dy bileta, pa mundësi për të kërkuar më pak, apo më shumë. Tifozët të bëhen gati!

Të mërkurën luhet java e 27-të me dy kryendeshje

Kalendari i javës së 27-të në Kategorinë e parë duket shumë afër. Sepse nesër, ditën e mërkurë datë 18 mars, nisur nga ora 15:00 do të luhen të gjashta ndeshjet. Nisur nga situata në renditje, dy janë ndeshjet më të veçanta të kësaj jave: Laçi-Besa dhe Pogradeci-Iliria. Ndërsa për skuadrat e mbijetesës, ndeshjet AF Luftëtari-Apolonia dhe Kukësi-Lushnja do të vendosin shumë në renditjen e tyre.

KATEGORIA E PARË

SEZONI 2025-2026        

Ndeshjet-Java 27

E mërkurë, 18 mars 2026

Skënderbeu-Korabi                 15:00

Laçi-Besa                                15:00

Pogradeci-Iliria                       15:00

Kastrioti-Burreli                      15:00

AF Luftëtari-Apolonia            15:00

Kukësi-Lushnja                       15:00

Skuadrat                    Nd       P

1.Skënderbeu              26        63

2.Laçi                          26        60

3.Pogradeci                 26        55

4.Iliria                          26        37

5.Kastrioti                   26        33

6.Burreli                      26        33

7.Besa                         26        31

8.Korabi                      26        28

9.Apolonia                  26        24

10.AF Luftëtari           26        21

11.Lushnja                  26        21

12.Kukësi                    26        18

 

 

Formacioni i javës së 26-të, ka vënd edhe për Kukësin

Tashmë është bërë traditë në FSHF, ku trajnerët e ekipeve kombëtare të moshave përzgjedhin formacionin më të mirë të javës në Kategorinë e Parë. Pas ndeshjeve të javës së 26-të, ata kanë përzgjedhur formacionin më të mirë të kësaj jave, bazuar në paraqitjet e futbollistëve në ndeshjet e fundjavës. Me skemën 1-4-3-3, ky është formacioni i përzgjedhur: Në portë Hasanbelli i Laçit; Në mbrojtje Shaqe i Skënderbeut, Dedgjonaj i Burrelit, Selmani i Ilirisë dhe Lamellari i Kukësit; Në mesfushë Myrta i Laçit, Ramadani i AF Luftëtarit dhe Canka i Lushnjës; Në sulm Nasr i Skënderbeut, Fofana i Ilirisë dhe Lesai i Pogradecit. Trajneri më i mirë i javës së 26-të është përzgjedhur Ernest Gjoka i Skënderbeut.