Arben Milori: Kampionati po bëhet interesant, do ketë rivalitet deri në fund

INTERVISTA/ Ish-mesfushori i Dinamos, Partizanit e Kombëtares, Arben Milori,  kalon në “skaner” Superioren

Agron KAJA

Sigal

Java e 28 nisi fazën e katërt të Superiores, si e përshkruani në raport me rezultatet që u arritën?

Unë mendoj se tani kampionati ka hyrë në një fazë të ndeshjeve interesante. Të gjitha skuadrat duan të marrin pikë, çka nuk le shtigje për kompromise. Kjo ishte java e “po” e AF Elbasanit me 3 pikët në Vlorë, dhe java “jo” e Dinamos me humbjen ndaj Teutës.

Cila nga ndeshjet e kësaj jave bëri të veçantën, në lojë dhe në rezultat?

Në kuptimin e cilësisë së lojës, Flamurtari-AF Elbasani ishte ndeshja më interesante. AF Elbasani ka vazhdimësi dhe profesionalizëm, te Egnatia-Vllaznia pritej më shumë. Kur luajnë dy ekipe kryesuese dhe loja mbetet shterpë, humbet cilësia.

Pas ndeshjes Flamurtari-AF Elbasani 1-2, ka patur tension drejt dhomave të zhveshjes, sa vlerë kanë këto për Superioren?

Patjetër që ja zbeh vlerat Superiores. Unë mendoj se çfarë ndodh në fushë, është pasqyrim i mirë çfarë ndodh jashtë fushe. Tifozët të shkojnë në stadium për të parë futboll e për t’u zbavitur. Ndryshe ja humbasin bukurinë këtij sporti, dhuna e shëmton.

Ndërkohë, renditja e kësaj jave çfarë ndryshimi pësoi, dhe cilat janë dritëhijet e saj?

Aktualisht, ekipet e meritojnë këtë renditje aty ku janë. Formula nuk të lejon shumë dritëhije, sepse ekipet duan tani sa më shumë pikë dhe diferencat janë të pakta. Dëshira për pikë nuk duhet ta prishë bukurinë e garës nga të gjitha skuadrat.

Jeni ish-futbollist i Partizanit dhe i Dinamos, si e shikoni rivalitetin e tyre në renditje për zonën “Final 4”?

Më vjen mirë që dy ekipet e kryeqytetit janë faktor në elitën e futbollit shqiptar. Kur ka “derbi” mes tyre, është mirë për futbollin. Dinamo ka hyrë në një krizë, e mendoj nga organizimi i brëndshëm. Partizani po i merr maksimumin merkatos së janarit.

Në fundjavë luhen ndeshjet e javës së 29-të të ndara në tre ditë, si e komentoni kalendarin?

Të gjitha janë ballafaqime që i përkasin kreut dhe fundit të renditjes. Ndaj them se do jenë interesante, ku AF Elbasani-Egnatia do jetë si një kryendeshje e javës, për atë që kanë ofruar këto ekipe. Interesante do jetë edhe sfida Vllaznia-Dinamo.

Nisur nga kalendari i javës së 29-të, cilat nga këto sfida mund të prodhojë ndonjë rezultat surprizë?

Nuk besoj se do ketë supriza, por përjashtim nuk bëhet. Tek ndeshja Teuta-Partizani mund të presim ndonjë surprizë, për vetë renditjen dhe synimet e këtyre skuadrave. Ndeshjet e tjera janë të gjitha të forta, e bëjnë një javë intersante.

Ku mendoni se gara do të jetë më e vështirë deri në mbylljen e kampionatit?

Unë mendoj se më shumë vështirësi kanë ekipet për mbijetesë, sepse qetësia psikologjike e tyre është e ngarkuar. Ekipet e tjera e kanë larguar rrezikun dhe mesi i tabelës është më komod. Edhe mund ta tentojnë renditjen në zonën “Final 4”.

Në këndvështrimin tuaj, si mund ta formatoni një renditje pas javës së 36-të?

Ekipet e vëndeve të para do jenë Vllaznia, AF Elbasani dhe Egnatia, me diferenca të ngushta mes tyre. Me këtë trend, Elbasani e mbyll në vëndin e parë, ndërsa  Partizani, Dinamo dhe Teuta do jenë të shkëptura me kreun dhe fundin e renditjes.

 

Dobi i Teutës, trajneri i javës së 28-të, ja formacioni më i mirë

Trajnerët e ekipeve kombëtare kanë përzgjedhur formacionin më të spikatur të javës 28 në Abissnet Superiore, ndërsa trajneri më i mirë është vlerësuar Enkeleid Dobi i Teutës. Në portë, gardiani i Egnatias, Dajsinani; në mbrojtje Zhongo i Teutës, Gjini i Vllaznisë dhe Halili i Tiranës; në mesfushë Krymi i Vllaznisë, Abass e Lajthia të AF Elbasanit dhe Kasalla i Vorës; në sulm Human i Partizanit, Tabekou i Tiranës dhe Arifi i Teutës. Kjo përzgjedhje me skemën taktike 1-3-4-1-2.

ABISSNET SUPERIORE

SEZONI 2025-2026       

Ndeshjet-Java 29

E premte, 20 mars 2026

AF Elbasani-Egnatia   19:00

E shtunë, 21 mars 2026

Bylis-Flamurtari                      15:00

Teuta-Partizani                        18:00

Vllaznia-Dinamo City             18:00

E dielë, 22 mars 2026

Tirana-Vora                             15:00

RENDITJA       

Skuadrat                    Nd       P

1.Vllaznia                    28        52

2.AF Elbasani              28        52

3.Egnatia                     28        50

4.Partizani                   28        43

5.Dinamo City             28        39

6.Teuta                        28        37

7.Bylis                         28        27

8.Vora                         28        27

9.Tirana                       28        24

10.Flamurtari               28        24

Alarm te Vllaznia, Lirim Kastrati mbyll sezonin

Pas barazimit 0-0 në Rrogozhinë ndaj Egnatias, lajme të këqija vijnë nga kampi  shkodran. Sulmuesi Lirim Kastrati, ka mbyllur sezonin. Ai u detyrua të largohej nga fusha në lot për shkak të një dëmtimi në shpatull, në minutat e fundit të pjesës së parë, ndërsa dje u mësua se ka këputur ligamentin “cruciate anterior”. Ky dëmtim do ta detyrojë që të qëndrojë jashtë fushave për një kohë të gjatë, pasi Kastrati do t’i nënshtrohet operacionit. Kjo konsiderohet një mungese e madhe për Vllazninë, në një fazë tepër delikate të kampionatit, sepse Kontributi i tij ka qënë i rëndësishëm në vijën e sulmit të Vllaznisë, ndërsa ai ka shënuar edhe 3 gola.

Pas pritjeve të rëndësishme, dëmtohet Janaçek

Në ndeshjen e javës së 28-të, Flamurtari-AF Elbasani 1-2, ishin të gjitha ato që prodhon loja e futbollit në fushë dhe në ambientet e tjera të stadiumit. Gola, penallti të humbura, protesta të lojtarëve dhe më shumë të tifozerisë vlonjate, këto ishin të veçantat, të cilave në minutën e 69-të iu shtua edhe një tjetër detaj. Portieri Janaçek i AF Elbasanit dëmtohet rëndë dhe shkon në spital me ambulancë, e për pasojë loja u ndal për 13 minuta. Pasi largimit të tij, ishte Totoshi ai që hyri në katërkëndorin e portës së AF Elbasanit. Ndeshja u mbyll me fitoren e tyre 1-2. Janaçek udhëtoi drejt Çekisë për vizita më të kualifikuara. Rikuperimi në pritje.