Ronaldo rikthehet me dygolësh, fiton Juventusi. Lacio mposht Torinon

295
Sigal

Cristiano Ronaldo rikthehet në fushë dhe Juventusi shijon tri pikët në kampionat pas tre barazimeve radhazi. Kampionët në fuqi fituan 1-4 në transfertë kundër Spezias dhe tashmë renditen në vend të dytë me 12 pikë, katër më pak se kryesuesit e Milanit.

Alvaro Morata zhbllokoi takimin pas çerek ore lojë, por vendasit gjetën barazimin me anë të milanistit Pobega (32′). Pjesa e parë nuk dhuroi më gola, teksa djemtë e Andrea Pirlos nuk u përmbajtën aspak në fraksionin e dytë të lojës.

Cristiano Ronaldo realizoi një dygolësh, teksa pati feste edhe për francezin Rabiot. Një fitore me “poker” në momentin e duhur për Juventusin, që sot feston 123-vjetorin e themelimit. Ardijan Ismajli u fut në fushë në minutën e 88-të, duke debutuar me Spezian.

Spektakël, 7 gola dhe përmbysje e çmendur në Torino-Lazio. Bardhekaltrit fituan 3-4 falë dy golave të Ciro Immobiles dhe Caicedos në minutat 95′ dhe 98′. Bremer dhe Belotti i dhuruan avatazhin ekipit granata në pjesën e parë, me Lazion që kishte kaluar e para në avantazh me anë të Pereiras.

Milinkovic-Savic barazoi ndeshjen në minutat e para të fraksionit të dytë, teksa emocionet e ruajtur për në fund. Lukic riktheu Torinon në avantazh në tre minuta përpara mbylljes së kohës së rregullt.

U mendua se vendasit morën tre pikët, por Ciro Immobile (me penallti) dhe Felipe Caicedo realizuan përmbysjen e pabesueshme në minutat shtesë, duke i dhuruar tre pikë tepër të rëndësishme ekipit të Simone Inzaghit.

Mërgim Vojvoda e zhvilloi të plotë takimin për ekipin e Giampaolos, ndërsa Vedat Muriqi e nisi si titullar, por u largua nga fusha në minutën e 57-të.