Nuri Plaku: Invalidët e LANÇ, dëshmorët e gjallë të Atdheut

1087
Sigal

Të plagosurit e Luftës, ata që më vonë morën pensione dhe u quajtën invalidë, në fakt janë gjysmë dëshmorët e saj

 

Dëshmorët dhe heronjtë e LANÇ të gdhendur në memorien e Historisë

38 invalidët personazhet e këtij libri, janë 38 avokatë që mbrojnë vlerat më të mirëfillta të LANÇ

 

Libri “Plagë lufte” është një botim monografik me kontribut pozitiv në evokimin e vlerave të Luftës Antifashiste dhe forcimin e mëtejshëm të memories  së saj. Memoria e Luftës është një monument ku secili nga aktorët që janë marrë me strukturimin e saj në këto 75 vjet, kanë venë secili nga një gur të çmuar në përjetësimin e saj. Asnjë luftë në historinë e njerëzimit nuk kujtohet pa memorie, pa shkrimin e saj në letër, pa lapidarët, pllakat përkujtimore, bustet e heronjve etj. I tillë është edhe libri i Vladimir Lamçes, një gur i çmuar në fushën e shkrimit të historisë së Luftës. Shpesh vëmendja e  biografëve apo shkrimtarëve të Luftës fokusohet tek bëmat, betejat, sakrificat e luftëtarëve, e të rënëve etj.

Po ta shohim historinë e LANÇ në këtë këndvështrim, mund të vëmë re fare lehtë se asaj i mungojnë monografitë e të plagosurve, monografi të tilla si kjo që po promovojë sot. Pikërisht, në këtë këndvështrim, ky libër merr një tonalitet të veçantë historik, tonalitetin e dhimbjes së plagëve të saj.

Të plagosurit e Luftës, ata që më vonë morën pensione dhe u quajtën invalidë, në fakt janë gjysmë dëshmorët e saj. Një partizan apo partizane e plagosur nga një plumb apo cifël predhe, e ka jetën në fije të perit dhe është pikërisht kjo fije peri që e ndan atë edhe nga vdekja por edhe nga dëshmorët. Po ajo llogore, po ai heroizëm po ajo sakrificë, vetëm jeta që ndahej në fije të perit i ndau edhe ata në invalid dhe dëshmorë. Në tërësi, mbas çlirimit, kontingjentet luftarake janë trajtuar në tre kategori. Në dëshmorë, invalidë dhe partizanë. Për dëshmorët është shkruar shumë, janë botuar monografi si: “Yje të pashuar” janë ngritur lapidarë e janë krijuar këngë. Për invalidët nuk është bërë ndonjë përmbledhje monografike dhe nuk është ngritur kult. Rrëfimet kanë qenë sporadike apo individuale.

Në këtë mënyrë, dhimbja e plagëve të tyre u tret në modestinë e njeriut të Luftës, por, përkundër kësaj shfaqjeje, mjerisht me plakjen dhe ndarjen e tyre nga jeta, plagët filluan të harrohen. Harrimi është mola e memories së luftës që bren çdo vit palcën e kujtesës së saj. Pikërisht kundër kësaj mole u ngrit Vladimir Lamçaj duke përdorur shkrimin si pasqyrim të këtyre plagëve. Shkrimi i këtij libri sot, mbas 75 vjetësh na sjell një pamje të re të Luftës, na sjell njerëz të harruar, raste heroizmi dhe drama njerëzore që të rrëqethin me vërtetësinë e tyre tronditëse. Ky është një nga elementët që e bën këtë libër të marrë vlera të konsiderueshme bashkëkohore.

Një element tjetër që i jep vlera të qenësishme këtij libri, është fryma e tij kolektive, e cila e përshkon atë, që nga kreu deri në faqen e tij të fundit. Çdo partizan i plagosur nuk jepet asnjëherë i vetmuar. Medikamenti më i efektshëm për kurimin e dhimbjes së plagëve të tyre është dashuria e shokëve, kujdesi i vazhdueshëm i strukturave  partizane e më vonë, interesimi i jashtëzakonshëm i qeverisë. Askush nuk anashkalohet, askush nuk neglizhohet. Përkundrazi shteti i ngritur pasçlirimit i ka dërguar ata për mjekime edhe jashtë kufijve të vendit. Këtë frymë autori e trajton në mënyrë evidente aq sa krijon një shembull edukativ human për brezat e sotëm. Edhe për këtë arsye ky libër duhet të jetë pjesë e rëndësishme e bibliotekave tona.

Një element tjetër, ndoshta më i rëndësishëm, është informacioni i bollshëm monografik që autori sjell në çdo faqe të këtij libri. Informacioni jepet në mënyrë të thjeshtë e të drejtpërdrejtë, ashtu si është vjelë nga kujtimet e pasardhësve apo rrugët e tjera dokumentare e pikërisht te kjo thjeshtësi qëndron edhe vërtetësia e ngjarjeve të përshkruara. Në situatën e sotme përfshirë nga debate të ashpra pro dhe kundër Luftës, ky libër është një avokat i rëndësishëm i saj.

Lufta  nuk mbrohet me të bërtitura e as me të shara, por me fakte e argumente. Ky libër ka pikërisht këtë lëndë jetike që kthehet në argument në mbrojtje të saj. 38 invalidët personazhet e këtij libri janë 38 avokatë që mbrojnë me gjakun e tyre të derdhur vlerat më të mirëfillta të kësaj lufte.

Janë pikërisht këto element që e bëjnë këtë libër një faktor të rëndësishëm informativ nga historia e luftës dhe mjaft produktiv në fushën e edukimit patriotik të moshave të reja.

Urime autorit dhe suksese të mëtejshme në fushën e botimeve të tilla!

Faleminderit!

 

Nuri Plaku

Drejtor i Muzeut Historik Fier