Rrëfimet e Petro Markos: Si vdiq në kampin e Mat’hauzenit, Dëshmori i LANÇ Tahir Titini

129

Me rastin e 75 vjetorit të vrasjes në kampin e Mat’hauzenit Riza  Tahir  Titini

 Nga Sakip  Cami & Shuaip  Met’hasani

 Dëshmori i LANÇ  nga fshati Sohodoll i Dibrës, që  vdiq në kampin e Mat’hauzenit. Për herë të parë, një rrëfim i jashtëzakonshëm  i shkrimtarit Petro Marko për dëshmorin dibran Riza Titin

 

Riza  Titini është i datëlindjes 1917. Është lindur në fshatin Sohodoll të Dibrës. Babai i tij Tahir Titini ka qenë i martuar me Zahide  Zebin  nga Borovjani. Rizai ishte nip tek  Zebi i Borovjanit. Rizai dhe Zahidja  patën katër fëmijë, tre djem dhe një vajzë, Samiun, Shyreten, Rizain dhe Lutfiun.  Shyretja ka qenë e martuar tek fisi Makishti, bazë e LANÇ, shtëpia që strehoi partizanen Ollga Mati nga Librazhdi. Vëllai i Rizait, Lutfiu e dërgoi fshahurazi tek motra. Ngjarja që do ju tregojmë  më poshtë është pikërisht kjo.

Nusja partizane që kaloi përmes nazistëve

Nuk është skenari i filmit “Nusja dhe shtetrrethimi” por ngjarja e vërtetë që ka ndodhur në fshatin Sohodoll të Dibrës në korrik të vitit 1944. Gjatë luftimeve të Brigadës I-S në Dibër për çlirimin e Peshkopisë, gjermanët kapën rob një partizane dhe po e torturonin. Jo vetëm e torturonin, por edhe talleshin me të. Partizania  njihej me emrin Zenepe, por në fakt quhej Ollga dhe ishte nga Librazhdi. Ishte 22 vjeç. Një nga dibranët që shoqëronte gjermanët nuk e pranoi këtë poshtërim. Por nuk mund të dilte drejt për drejt. Natën, kur gjermanët u larguan dhe ja lanë nën ruajtje ai ja dorëzoi Lutfi Titinit (vëllait të Rizait) për ta larguar dhe për ta fshehur. Lutfiu e mori dhe çoi fshehurazi tek Ramiz dhe Halit Makishti. I porositi që të ruanin me kujdes, ta vishnin si vajzë dibrane dhe kur të vinin partizanët e Brigadës I-S, tua dorëzonin atyre. Ramizi ashtu bëri. E veshi Zenepen me rrobat karakterisike të grave dibrane, me fustan, shami, çorape e opinga zifti, me përparëse dhe me drapër në dorë për të  korrur grurë. Tek Ramizi qëndroi deri me 13 gusht, deri sa erdhi Brigada I-S në Limjan. Me datën 13 gusht e veshi  Zenepen  me perçe,  ja mbuloi fytyrën dhe e shoqëroi për Limjan bashkë me nipin e tij. Patrulla gjermane dhe shqiptari përkthyes e ndaloi. -Po ju natën ku shkoni kështu?

 E kam nusen e djalit, e kam të sëmurë dhe do ta dërgoj tek Teqja e Limjanit. Amani, mos më vononi!

Përkthyesi përktheu dhe patrulla e lëshoi. Kur arriti  partizania në shtabin e Brigadës, ata u habitën sepse e dinin të zhdukur. Shtabi i jep Ramizit një letër që vërtetonte se Ramiz Makishti kishte shpëtuar jetën e një partizanie. Këtë letër Ramizi e vuri në përdorim në vitin 1967, për një hall që ju krijua. Në vitin 1972 partizania Ollga erdhi në Sohodoll dhe falenderoi familjen që e kishte strehuar. Edhe sot miqësia midis dy familjeve ka vazhduar.

Nga biseda e Petro Markos me dibranin Nesim Fishti në Kënetën e Maliqit

Në vitin 1946 Nesim Fishti nga Vrenjti i Dibrës tregon se është takuar me Petro Markon në Kantjerin e Tharjes së  Kënetës  së Maliqit.Petroja i afrohet Nesimit, pasi e kupton që ishte dibran. Desha t‘ju pyes për një dibran nga Sohodolli i Dibrës që e kam patur shok  në Gjirit të Greqisë gjatë luftës italo – greke. Quhej Riza Tahiri. Por mbiemrin e kishte Titini. Ishte djalë flori, trim e atdhetar. Dallohej nga të tjerët. Qëndruam disa kohë bashkë derisa erdhi dezertimi  në masë  i ushtarëvë shqiptarë. Kemi qënë bashkë edhe në Ishullin e Ustikës në Itali.Kur ishte ushtar  në Shkodër , vazhdon tregimin Petro Marko, gjatë bisedës  me Nesim Fishtin, Rizai plagosi një marshall  italian sepse italiani fyeu Shqipërinë dhe flamurin shqiptar. Për këtë e dërguan në një kamp internimi në Ishullin e Ustikës në Itali. Pas dezertimit nga fronti Italo –Grek, Rizai u vu në kërkim nga italianët. Ata arritën ta kapnin dhe  e dërguan në një kamp internimi në Gjermani. Kam dëgjuar se e kanë vrarë dhe ja kanë djegur kufomën,  mbyll bisedën me sytë me lot Petro Marko. Në romanin „Nata e Ustikës“ roman që Petro Marko e botoi në vitin 1989 në 45 vjetorin e çlirimit të atdheut, shkrimtari e kishte Rizain personazh real dhe artistik.  E kishte mbajtur ndër vite në zemër dhe në mendje djaloshin trim nga Dibra.

 

 Riza Titini, dëshmorin dibran që edhe sot është pa varr

Sipas arkivit të MM Riza Titini ka qenë i internuar në kampin e Mathauzenit dhe ka vdekur në vitin 1945.  Eshtrat e tij nuk janë kthyer në vendin tonë.  Është shpallur dëshmor i atdheut me Vendimin Nr 50 të datës 30.06.1972 të Kom. Ekz. Këshillit  të Rrethit Dibër . Rizai mobilizohet ushtar në shtator të vitit 1939 dhe dërgohet në malin e Taraboshit në Shkodër. Një ditë gjatë stërvitjes konfliktohet me marshallin italian që drejtonte  stërvitjen sepse  ai e fyen rëndë si shqiptar. Kemi ardhur ne nga Italia, që t’ju bëjmë njerëz  ju se jeni egërsira  pa shkollë, pa kulturë, pa shtet, i ka thënë marshalli italian në sy të të gjithve.Kaq ka mjaftuar që Rizai ta godasë e ta bëjë për vdekje marshallin italian. Kush je ti more që vjen dhe na tregon ne se çfarë jemi . Ne jemi komb më i kulturuar dhe më fisnik se ju. Rizain e burgosin menjëherë dhe e dërgojnë në internim në ishullin e Ustikës në Itali. Edhe në Itali edhe në luftën italo-greke Rizai ka qenë së bashku me shkrimtarin e shquar  Petro Marko. Nga internimi e dërgojnë në luftën italo – greke në Greqi.Pas dezertimit nga lufta italo-greke Rizain e dërgojnë në një kamp internimi në Gjermani ku nuk u kthye më. Familja  kurrë nuk  arriti që t’ja gjente eshtrat dhe t’i ndërtonte një varr si të tjerët.