Një grusht të pasurish po sundojnë Shqipërinë

393
Sigal

Analizë nga Dr.Vili Minarolli, ish-ambasador/ Ja si po qeveriset Shqipëria nga një grusht oligarkësh që kanë në duar pushtetin dhe pasuritë e vendit duke ushtruar kontrollin politik dhe ekonomik për përfitime personale dhe korruptive duke emëruar ministra, deputetë, drejtues policie dhe nënpunës të lartë me rekorde kriminale. Heshtja e ambasadorve perëndimor para oligarkëve që po pastrojnë paratë e drogës dhe prostitucionit me ndërtime, prona dhe PPP

 

Platoni: “Ky qytet është ai që është, sepse qytetarët tanë, janë ata që janë.”

Xhorxh Oruelli: “Populli që zgjedh politikanë të korruptuar nuk është viktimë …por bashkëpunëtor ”  

 

OLIGARKËT – NJË GRUSHT TË PASURISH QË SUNDOJNË SHQIPËRINË

Diplomati Vili Minarolli, në një rrëfim ekskluziv paraqet para publikut librin e tij të fundit “Oligarkët”. Z.Minarolli rrëfen se si qeveriset Shqipëria nga një grusht njerëzish që kanë në duar qeverisjen e vendit dhe ushtrojnë kontrollin politik dhe ekonomik për përfitime personale dhe korruptive. Në roman tregohet si u krijuan oligarkët në Shqipëri, që sot drejtojnë politikën jo vetëm me pjesmarrje të drejtëpërdrejtë në të duke qënë deputetë, apo kryetarë bashkish  por edhe indirekt duke emëruar  deputetë apo antarë të kabinetit qeveritar dhe drejtues të pushtetit lokal, duke qënë pronarë mediash private si mjete të manipulimit të individëve dhe të  mendësisë kolektive të shoqërisë, nëpërmjet një propagande të llustrosur, që ka si elemente kryesore mashtrimin, shpifjen dhe fshehjen e së vërtetës.

Dielli – Zoti Minarolli, së fundmi ju keni botuar romanin ‘Oligarkët’. Kur flitet për oligarkë, në përgjithësi njerëzit kanë parasysh të pasurit në Rusi pas rënies të regjimit komunist.  Pse ky titull ?

-Titulli ‘Oligarkët’  nuk është as metaforik, as simbolik, po i drejtëpërdrejtë ashtu siç e ka kuptimin e përdorur që nga lashtësia e deri në ditët e sotme. Platoni i  cilëson  oligarkët  si një grusht njerëzish që kanë në duar  qeverisjen e vendit dhe ushtrojnë  kontrollin politik dhe ekonomik për përfitime personale dhe korruptive. Virtyti pushon së luajturi një rol themelor në politikë, sepse këtë rol e zë prona, pasuria. Sipas Platonit një qeveri e drejtë dhe një qeveri e kapur nga oligarkët nuk mund të bashkëjetojnë. Edhe  Aristoteli në veprën “Politika’ thotë se kjo formë nënkupton  fuqinë e të pasurve. Nganjëherë spekullohet me termin oligark, sikur këta janë sipërmarrës të suksesshëm që sigurojnë të ardhura shumë më tepër se të tjerët nga puna e tyre. Një nga kapitujt e librit ka si nëntitull një thënie të Frantz Fanon: “Pasuria nuk është frut i  punës por i grabitjes të organizuar dhe të legalizuar.” Pavarësisht si fshihet thelbi, në realitet oligarkët janë ata që influencojnë drejtëpërdrejtë vendimmarrjen e qeverisë apo të parlamentit dhe diktojnë agjenda të caktuara politike  në funksion të interesave të tyre  financiare. E gjykova të nevojshme për të bërë këtë hyrje për të treguar se në çdo kohë dhe në çdo vend oligarkët janë të njëjtë.

Dielli –  Në  fillim të  viteve ’90 në Shqipëri nuk ka patur një shtresë njerëzish të pasur. Si u krijua tek ne kjo shtresë?

-Oligarkët janë krijuar në vende të rilindura pas një diktature apo një lufte, me një sistem ligjor inekzistent, pa një traditë demokratike apo akoma më keqsi tek ne pa një traditë shtetformuese. Këto ishin disa nga premisat që oligarkët e rinj lindën pas shkërmoqjes të regjimeve komuniste në Europën lindore dhe qëndrore, që kishin afërsisht të njëjtin sistem të organizimit politik dhe ekonomik, ku mbizotëronte prona kolektive  ose më saktë monopoli shtetëror mbi pronësinë. Por si në të gjitha vendet ish- komuniste, dukej ishte përpunuar pak a shumë e njëjta strategji, që në roman shprehet në një udhëzim që u jep diktatori i fundit drejtuesve të partisë sunduese të vendit, që ndoshta mund të ishte po ai udhëzim që u dha për të gjitha vendet e ish kampit komunist. Në një nga mbledhjet me drejtuesit më të lartë të vendit, kur ishte bërë e qartë fundi i regjimit komunist, ai shprehet: “Sistemi ynë socialist ka kapitulluar përballë atij kapitalist, ndaj jemi të detyruar të ndryshojmë strategji. Kjo strategji do të synojë në dy drejtime: në respektimin e të drejtave të njeriut dhe në krijimin e pluralizmit politik. Të drejtat e njeriut janë diçka brenda nesh dhe, deri diku, mund të abuzohet me to, por pluralizmi do të bëhet se s’bën. Kundërshtarët tanë do t’i nxisim të krijojnë parti sa të duan: të majta, të djathta dhe të qendrës, por gjithsesi këto parti duhet të kontrollohen e të drejtohen nga ne. Programet e themelimit të këtyre partive do t’i formulojmë dhe do t’i miratojmë po ne. Në krye të këtyre partive duhet të nxirren njerëz që përkrahin strategjinë tonë. ” dhe më tej shton :”“Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist, të jemi ne dhe njerëzit tanë. Me këtë strategji, brenda dy-tri legjislaturave do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes, të cilin e kemi planifikuar dhe po e përgatisim vetë.”. Kur i mendon se këto fjalë janë thënë në vitin 1989, kur akoma  regjimi nuk kishte falimentuar dhe më pas  e mendojmë rrugën që kemi ndjekur në këto tridhjetë vite, pa frikë themi se gjithçka ka qënë e projektuar me saktësi që në atë kohë. Unë mendoj se fillimi i realizimit të kësaj strategjie  ishte krijimi i asaj që u quajt Qeveria e Unitetit Kombëtar në pranverë të vitit 1991. Kjo qeveri duke patur në një rol kyç një person, pinjoll i një prej familjeve më të larta në hierarkinë komuniste, tashmë përfaqësues i rëndësishëm i opozitës antikomuniste që pretendonte se kishte më shumë se të tjerët njohuri për ekonominë e tregut, realizoi  politikën antikombëtare të privatizimeve strategjike që kishin të bënin me shpërndarjen e pronës të përbashkët ( më saktë duhet thënë me grabitjen  e pronës) nga ata që vazhdonin të kishin pushtetin politik. U miratua ligji 7501 për shpërndarjen e tokës antarëve të kooperativave bujqësore, duke u mohuar të drejtën e pronarëve të vërtetë që iu ishte rrëmbyer prona dhe konfiksuar me dhunë nga regjimi komunist. Pasurinë e kooperativave bujqësore dhe të fermave shtetërore  e  përvetësuan drejtuesit e tyre shtetëror apo partiakë, ato që quheshin baza grosiste kryesisht me mallra importi u grabitën  nga drejtuesit e tyre dhe më pas iu vu flaka për të humbur çdo gjurmë të vjedhjes, të gjitha lokalet e shërbimeve , magazinat dhe dyqanet e të gjitha llojeve iu dhanë kundrejt një pagese fare simbolike  atyre që punonin në to që në përgjithësi ishin njerez të lidhur me regjimin. Dhe në ato ditë të zymta të dimrit të vitit 1991 kur shumica e popullit mendonte për të siguruar bukën e gojës, ishin këta grabitës që  përbënë shtresën e parë të kapitalistëve shqiptarë.

Dielli – Çfarë ishin këto rezerva valutore jashtë sistemit bankar të vendit?

-Kjo çështje është analizuar në roman. Dihet që prej shumë vitesh udhëheqja komuniste në Shqipëri për efekte propagandistike  financonte jo lirë parti apo lëvizje që quheshin marksiste- leniniste, apo edhe individë  që gjoja ishin zëdhënës të  politikës shqiptare në botë. Për këtë qëllim,  prej vitesh në KQ të PPSH, ekzistonte Fondi i Solidaritetit dhe shpërndahej sipas urdhërit të kreut të partisë. Nuk është e rastësishme që shefi i financës i këtij institucioni  u bë që në fillim një biznesmen me fabrikë,  ku punësuan disa qindra punonjës. Po ashtu për qëllim të kundërspiunazhit që mendohej se funksiononte në shumë vende të botës, që ndiqte dhe survejonte çdo lëvizje dhe përpjekje që  mund të rrezikonte regjimin në Shqipëri, Ministria e Brendshme kishte një fond të veçantë që paguante agjentët  e saj. Nga ana tjetër,  edhe banka e Shtetit kishte depozitën e saj të fshehtë, që përdorej vetëm nga udhëheqja e saj për kurimin e tyre dhe vizitat private e pushime në vendet  e huaja, doktorët e huaj apo vilat dhe personelin që shërbente në to në vende të Europës, siç ishte në Francë. Të gjitha këto rezerva valutore iu shpërndanë njerëzve më të besuar të regjimit, veçanërisht atyre që kishin punuar në tregëtinë e jashtme dhe apo edhe në ambasada si atashe tregtarë, që në shumicë ishin njerëz të Sigurimit të shtetit, por edhe njerëzve brenda vendit, që paraqisnin garanci të plota që ky “investim” nuk do të shkonte dëm. Këta persona u quajtën njerëz të “shkathët” në ekonominë e tregut që po zhvillohej dhe ata arritën shumë shpejt ta shumëfishonin kapitalin e tyre financiar, sepse për ta “trau i doganave” nuk mbyllej asnjëherë , sistemi i tatimeve  që në këtë kohë filloi të funksiononte si një sistem i korruptuar dhe sistemi informal i ekonomisë ishte në kulmin e lulzimit.

Dielli – DHE KËTA PËRBËNË ATA QË JU I QUANI OLIGARKË?

-Sigurisht që jo, sepse  akoma nuk kanë dalë në skenë ata që më pas do të quheshin oligarkë në kuptimin e  asaj që thamë në fillim të shkrimit. Është akoma koha e konsolidimit të partive politike dhe e eleminimit të shumë prej tyre në krahasim me periudhën e parë kur u lejua pluralizmi politik në vend. Krijimi i kësaj shtrese të pasur, u bë e mundur atëherë, kur politika , si pasojë e ashpërsimit të klimës për më shumë pushtet, e ndjeu nevojën e mbështetjes nga fuqia e kapitalit të tyre financiar. Jemi në hapat e para të krijimit të kësaj shtrese, kur qeveritë që ndryshohen  si rezultat i rotacioneve kanë nevojën  për më shumë kapitale financiare për shkak të shpenzimeve në fushatat elektorale dhe janë  të pasurit, kryesisht ndërtuesit në zonat urbane dhe hapësirat turistike që ua ofrojnë me dëshirë këtë mbështetje pothuaj të dy forcave politike kryesore të vendit. Por akoma qeverisja e vendit nuk është shndërruar në një simbiozë të politikës dhe oligarkëve. Në  vitin 2013 ndodh rotacioni normal i qeverisjes, por pas disa muajve do të kuptohej se qeverisja e re e të majtës që u quajt ‘Rilindje’, kishte bërë pakt me krimin e organizuar dhe pushteti politik qëndror dhe lokal kishte në përbërjen e tij kriminelë të dënuar për krime në vend, por në shumicën e rasteve në vendet europiane. Këta kishin fituar pushtet politik me anë të pasurisë të vënë në rrugë kriminale, me anë të bandave  që drejtonin në vend, me anë të kërcënimeve dhe shantazheve ndaj zonave ku kandidonin si dhe me anë të blerjes të votave të shtresave të varfëra të popullsisë. Në këtë simbiozë të politikës me krimin e organizuar filloi kanabizimi i vendit dhe furnizimi i bandave që vepronn jashtë me drogën “Made in Albania”. Jo vetëm kaq po krimi i organizuar shqiptar që tashmë kishte mbështetje politike u lidh me krimin ndërkombëtar dhe shpejt vendi do të bëhej shpërndarës i drogave që vinin nga Amerika latine  apo nga Lindja e Mesme, veçanërisht nga Afganistani dhe Turqia. Vendi u kthye në një lavatriçe e pastrimit të parave që vinte nga aktivitetet kriminale dhe qeveria ishte pjesë e fitimeve nga ky aktivitet, që i siguronte pushtetin politik. E gjithë kjo veprimtari kriminale kryhej nën ditën me diell dhe bandat kriminale kishin mbështetjen e institucioneve ligj zbatuese dhe sytë e veshët e mbyllura të përfaqësive diplomatike dhe organizmave ndërkombëtare monitoruese në Shqipëri. Qeveria e nxorri në ankand pasurinë publike dhe fituesit e garave në tenderat formalë dhe me fitues të parazgjedhur ishin pikërisht krimin e organizuar që opinioni publik filloi ta quajë oligarkia e re. Qeveria u shpërndau “bono” në formë koncesionesh pjestarëve të oligarkisë dhe vuri në funksionim  ato që u quajtën Partneriteti Publik Privat, duke u dhënë privatit të zgjedhur prej saj (lexo oligarkut) të drejtën e financimit nga buxheti i shtetit. Kjo mund të ishte një formë e efekshme në një shtet  ku funksiononin ligjet dhe institucionet  e pavarura ligjore, por jo në Shqipëri, ku kreu i qeverisë me anë të parlamentit kukull kishte tre vjet që kishte suprimuar Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë dhe me atë të ashtuquajturën reformë në drejtësi, kishte futur në kolaps sistemin ligjor të vendit…

Prandaj dhe parlamenti monopartiak miratonte në vazhdimësi ligje që mbajnë emrat e oligarkëve që është forma më klasike e një shteti oligarkik, duke qënë deputetë, apo kryetarë bashkish  por edhe indirekt duke emëruar deputetë apo anëtarë të kabinetit qeveritar dhe drejtues të pushtetit lokal. Duke qënë pronarë mediash private si mjete të manipulinit të individëve dhe të mendësisë kolektive të shoqërisë, nëpërmjet një propagande të llustrosur, që ka si elemente kryesore  mashtrimin, shpifjen dhe fshehjen e së vërtetës. Thuhet se në vend funksionojnë vetëm dy burime që sigurojnë rritjen e financave të individëve, ndërtimi dhe droga. Fitimet nga droga dhe prostitucioni i bosëve të krimit shqiptar  vijnë e pastrohen  në Shqipëri në ndërtim apo në aktivitete të tjera fitimprurëse dhe lavatriçe të pastrimit të tyre janë institucionet financiare private,  agjensitë e transfertave dhe këmbimit të valutave, sallat e kumarit dhe të basteve etj. Në interes të grupit të oligarkëve që mbajnë në këmbë qeverisjen e vendit  shpërndahen fonde nga buxheti i taksapaguesve të vendit  apo shpërdorohen këto fonde. Koncesioni i Check-UP me një vlerë prej 120 milion eurosh iu dha një oligarku që ka monopolin e cigareve në vend dhe ndërsa taksapaguesi paguan detyrimin e konçesionit, efekti është pothuaj i papërfillshëm sepse mungon infrastruktura dhe kontrolli sepse sistemi shëndetësor është në kolaps të plotë. Koncesioni i dializës  prej disa milion eurosh  iu dha një pronari kafeneje në një nga qytetet  e vendit, për të fshehur përfituesin kryesor. Koncesioni i sterilizimit spitalor është një tjetër rast flagrant. Trualli ku ishte Teatri Kombëtar dhe disa mijra të tjerë  pranë tij me një ligj të posaçëm të parlamentit iu dhanë një oligarku tjetër të qeverisë për të ndërtuar kulla të larta. Prishet kontrata e  ndërtimit të një autostrade me një firmë të huaj të lidhur me qeverinë paraardhëse, për ta vazhduar ndërtimin firma e një oligarku dhe arbitrazhi ndërkombëtar e detyron qeverinë të paguajë një detyrim prej 45 milion euro. Mbyllet me dhunë një televizion i huaj për shkak se ishte i pafutur nën sqetullat e qeverisë dhe se dëmtonte interesat e oligarkëve të mediave që i shërbejnë pushtetetit dhe përsëri arbitrazhi e detyron qeverinë shqiptare të paguajë një dëm prej 110 milionë eurosh. Dhe skandali  i fundit  ishte ai i inceratorëve të plehrave, tenderi i të cilave i jepet një personi që është në kërkim ndërkombëtar. Ndërsa një qytetar i varfër i vendit kur nuk paguan faturën e  energjisë prej  2 apo 3 qindmijë lekë afërsisht 200 euro, burgoset duke lënë në mëshirë të fatit fëmijët e tij.

Në  vitin 2013 ndodh rotacioni normal i qeverisjes, por pas disa muajve do të kuptohej se qeverisja e re e të majtës që u quajt Rilindje, kishte bërë pakt me krimin e organizuar dhe pushteti politik qendror dhe lokal kishte në përbërjen e tij kriminelë të dënuar për krime në vend

Dielli:  Zoti Minarolli, si shpjegohet fakti që Shqipëria cilësohet edhe nga institucionet e specializuara ndërkombëtare  si një vend i  kapur nga krimi dhe korrupsioni dhe nga ana tjetër, komisioni i zgjerimit të BE-së e klasifikon vendin të aftë për hapjen e negociatave të antarësimit në BE ?

-Edhe kjo ide është  trajtuar artistikisht në roman. A është e interesuar qeveria të hapë  negociatat e antarësimit? Para vitit 2013 parlamenti europian kishte vënë si kusht votimin e tre ligjeve në parlament. Opozita e atëhershme që drejton sot vendin nuk pranoi t’i votonte këto ligje dy vite me rradhë. Sot parlamenti europian  ka vënë 15 kushte për hapjen e negociatave të antarësimit ku përfshihen ngritja e Gjykatës Kushtetuese, penalizimi sipas ligjeve i  autorëve që organizuan vjedhjen e votave, luftë pa kompromis të krimit të organizuar etj. A është e interesuar qeveria aktuale për hapjen e negociatave të antarësimit në BE? Si  ilustrim të asaj që  trajtohet në roman që ka të bëjë me rolin dhe qëndrimin e faktorit ndërkombëtar në vendin tonë, shërben edhe ky fakt: Kryemonitoruesi i Parlamentit europian për Shqipërinë, që në përfundim të misioneve të tij paraqiste informacione të shkëlqyera për gjendjen e vendit duke fshehur të vërtetat, pasi nuk u votua për një mandat tjetër si deputet në parlamentin europian, është punësuar si këshilltar i kryetarit të parlamentit shqiptar. Jo vetëm për mua që kam shërbyer disa vite në shërbimin diplomatik, por edhe për qytetarët e thjeshtë tashmë është i pakuptueshëm për të mos thënë i dyshimtë roli i përfaqësuesve ndërkombëtarë, qoftë i atyre të misioneve monitorues, qoftë i disa emisarëve të posaçëm,  që vijnë për të justifikuar të pafalshmen, për standardet që kanë në vendet e tyre, qoftë i disa përfaqësuesve diplomatikë në vendin tonë.

Dielli:  Zoti Minarolli  para disa viteve, keni qenë angazhuar në politikën aktive në Shqipëri. Si e mendoni të ardhmen e vendit?

Dr. VILI MINAROLLI: E vërtetë, unë u angazhova në politikë në një forcë të pozicionuar si antikomuniste për shkak të trashëgimisë familjare dhe të dëshirës për të bërë diçka të mirë në dobi të vendit. I shërbeva këtij qëllimi gjatë gjithë karierës time politike dhe profesionale. Kapitulli i fundit ka si nëntitull thënien e famshme të Martin Luter Kingut në mitingun para memorialit të Linkolnit : “Unë kam një ëndërr.” Kjo ishte ëndrra për të cilin ai kishte luftuar gjithë jetën dhe për të cilën edhe e vranë. Por ëndrra e tij nuk mbeti hipotetike. Ajo u realizua dhe është frymëzim për arritje të tjera po aq të mëdha që luftoi Martin Luter King. Kapitulli i fundit ,epilogu i romanit është ëndrra ime, që një ditë jo shumë të largët edhe Shqipëria do të bëhet një shtet demokratik, ku të sundojë ligji. Romani Oligarkët është një ilustrim dhe frymëzim  nga filozofia e Karl Popperit se në kundërshtim me teorinë klasike të demokracisë që është sundimi i popullit dhe njerëzit kanë të drejtë të sundojnë, ai thotë se askund populli nuk sundon në të vërtetë. Janë qeveritë ato që sundojnë dhe për fat të keq edhe burokratët. Ai pranon “jo një qeveri të sundimit të popullit, por një shtet i sundimit të ligjit, që paralajmëron shkarkimin pa gjakderdhje të qeverisë më shumicë votash”.

(Publikoi gazeta ‘Dielli’, SHBA)