Vepror Hasani: Takimi i Todo Vasos me trajnerin Helmut Shën të ekipit të RF të Gjermanisë. A iu hoq fotoja nga muzeu i sportit?

175
Sigal

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, e vlerësoi me titullin “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”.

Takimi i Todo Vasos me trajnerin Helmut Shën të ekipit të RF të Gjermanisë.

Thashethemnajë apo e vërtetë: Todo Vasos i është hequr fotoja nga muzeu i sportit?
Nga Vepror Hasani
Todo Vaso është futbollisti që rikthen gjithnjë vëmendjen te sporti, sportistët dhe sportdashësit. Kështu ndodhi edhe së fundi. Kësaj here ishte prefekti i Korçës, Nertil Jole, i cili në faqen e fejsbukut të Prefekturës, te rubrika për sportin, shkroi: “Korça edhe në sport ka nxjerrë shumë figura që e kanë bërë dhe e bëjnë krenare. Një prej tyre është korçari 𝗧𝗘𝗢𝗗𝗢𝗥 𝗩𝗔𝗦𝗢, një nga emblemat e futbollit tonë.  Teodor Vaso ose Todo Vaso, siç e njohin në Korçë, është nga 5 sportistët më të mirë të vitit 1968 në përbërje të ekipit Kombëtar të futbollit për lojën e jashtëzakonshme me kampionen e botës, RF Gjermane. Më 17 dhjetor 1967 u cilësua ndër 11 më të mirët të futbollit shqiptar në 55-vjetorin e futbollit tonë. Ka bërë 46 ndeshje ndërkombëtare, nga të cilat 20 me Kombëtaren, dhe sipas statistikave zyrtare të botuara, rezulton futbollisti korçar me më shumë ndeshje. Gjithashtu në vitin 1998 u cilësua futbollist i shekullit të Korçës Po atë vit u dekorua me medaljen e artë për merita të shquara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit, ndërsa Këshilli Bashkiak i Korçës i akordoi “Emblema e Artë e Qytetit”.  Presidenti i Republikës e vlerësoi me titullin “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”. Teodor Vaso është një qytetar fisnik i Korçës, dhe ka mirënjohjen e gjithë qytetarëve të saj dhe të publikut më të gjerë sportdashës për gjithë kontributin e tij.

Megjithatë Todo Vaso nuk ndihej i qetë, kohët e fundit është përhapur fjala se Todo Vasos i është hequr fotoja nga Muzeu i Sportit. Për shumë qytetarë, nëse kjo do të ishte e vërtetë, një veprim i tillë do të ishte i papranueshëm dhe i shëmtuar.

Dilema e fotos

Dilema e fotos të të madhit Todo Vaso,është  hequr ose jo, vijon të rrijë pezull. Ndërkohë prefekti Jole shkruante: “Teodor Vaso Ju pershendes profesor! Për qytetarët korçarë të qarkut tonë dhe gjithë vendit, e veçanërisht për sportdashësit, ju jeni një ikonë e futbollit dhe një qytetar i nderuar, ashtu si të tjerë personalitete të rajonit tonë me shumë kontribute e merita në fushat e tyre respektive. Unë do vazhdoj t’i risjell me vleresim e respekt në këtë rubrike si pjesë të krenarisë së përbashkët. Kënaqësi të takohemi e të bisedojmë. Me respekt, Nertili”. Që nga ky çast, komentet për futbollistin e talentuar Todo Vaso nuk patën të mbaruar. Adhuruesit e shumtë të Todo Vasos i shkruanin: “Ngelet futbollisti nr 1 i qytetit të Korçes”; “Respekte për ikonën e futbollit korçar”. “Respekt për kontributin e të Madhit Teodor Vaso si futbollist, trainier dhe edukator, – shkruante ish-futbollisti Vasillaq Thimio, – kam përfituar shumë prej tij në çdo kohë, kur ai ishte futbollist apo trainer. Mbetet një nga talentet më të spikatura të futbollit Shqiptar! Por fatkeqesia më e madhe e periudhës që po kalojmë është mungesa e vlerësimit për talente të këtij niveli në sport dhe art përsa i përket anës financiare. Do të ishte mirë, pse jo detyrim, që dekoratat të shoqëroheshin me shpërblime financiare. Kjo do të bënte atë që këta talente ta shihnin veten si dikur kur djersët e tyre shkonin lumë…”. Të tjerë sportdashës shkruanin: “Futbollist emblematik, krenari e Korçës dhe gjithë Shqipërisë!”; “Legjenda e futbollit korçar…”; “Todo Vaso u takon të gjithëve”. Përballë komenteve të tilla, heqja e fotos nga muzeu ashtu siç përflitej, vijonte të mbetej e pabesueshme sepse për Korçën do të shënohej si akti më i turpshëm.
Ish-Presidenti Meta vlerësoi futbollistin Todo Vaso me titullin “Kalorësi i Urdhrit të Skënderbeut”

 Madje jo vetëm kaq, në fjalën e tij, ish- Presidenti i Republikës, Ilir Meta, kujtoi ekipin kombëtar të futbollit të 51 viteve më parë, (dhënia e titullit u bë në mars të një viti më parë), kur arritën një rezultat pozitiv ndaj Gjermanisë. “Si sot 51 vite më parë, Shqipëri-R.F.Gjermanisë 0-0. Ky rezultat historik për ekipin tonë Kombëtar të futbollit dhe skualifikimi i nënkampionëve të botës e riktheu vendin tonë të harruar në Europë përmes futbollit të luajtur me aq pasion e dashuri nga ai ekip i jashtëzakonshëm, që është gdhendur thellë në kujtesën dhe zemrën e të gjithë sportdashësve. Të gjithë kujtojnë ende me nostalgji golin e paparë të Gjinalit, që vetëm arbitri nuk e pa! Një homazh dhe vlerësim të veçantë për të mëdhenjtë, të cilët nuk jetojnë më, Loro Boriçi, Lin Shllaku, Josif Kazanxhi, Panajot Pano, Medin Zhega e Frederik Jorgaqi.

Një mirënjohje të veçantë për ata të cilët akoma na përcjellin ato emocione të paharruara si Koço Dinella, Alfred Gjinali, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Ali Mema, Sabah Bizi. Respekt për të gjithë Ju! Gjithashtu, kreu i Shtetit vlerësoi edhe lojtarët e mëdhenj që nuk jetojnë më, Loro Boriçin, Lin Shllakun, Josif Kazanxhi, Panajot Panon, Medin Zhegën dhe Frederik Jorgaqin.

“Një mirënjohje të veçantë për ata të cilët akoma na përcjellin ato emocione të paharruara si Koço Dinella, Alfred Gjinali, Teodor Vaso, Ramazan Rragami, Ali Mema, Sabah Bizi,” shkruante Meta. Kundrejt gjithë vlerësimeve të ish-Presidentit, përfolja për heqjen e fotos së Todo Vasos mbetej e pabesueshme, por njëherazi dhe tepër shqetësuese.

Vlerësime për Todon

 Edhe vajza e Todo Vasos, Praksi, e cila jeton jashtë vendit,  falenderoi prefektin për vlerësimet ndaj babait të saj, ku ajo shkruante: “Përshëndetje zoti prefekt. Ju falenderoj nga zemra që gjetët kohën tuaj për të vlerësuar kontributin dhe arritjet e babait tim në futboll, por dhe kontributin e tij si mësimdhënës dhe trajner në Korçë. Babai im jo vetëm që ka qenë një futbollist i shkëlqyer me shumë arritje, të cilat i përmendet në postimin më lart, por siç edhe ju e dini ka qenë një edukator i shumë brezave në Korçë gjë që i mungon shoqërisë sonë në këto kohë. Vërtet krenare që edhe ju krenoheni dhe vazhdoni ta vlerësoni. Faleminderit për mirënjohjen dhe ju uroj punë të mbarë.

Takim me trajnerin e gjermanise, Shëni    

Mbas ndeshjes së kombëtareve të futbollit Turqi – Shqipëri më 13.12.1970, në stadiumin “Mitat Pasha” skuadrat shkuan në hotel për të kaluar më vonë në banketin e të dy skuadrave. Isha në dhomë me mikun tim, të madhin P. Pano. Trokiti dera, ishte gazetari i gazetes “Sporti Popullor” Prokop Koreta që shoqëronte ekipin Kombëtar. “Vishu dhe hajde me mua se të kërkon trajneri gjerman Shëni”. Rrugës e pyeta: “Unë nuk di gjermanisht si do të merremi vesh?” “Unë kam mbaruar Liceun e frances në Korçë, m’u përgjigj, Koreta dhe Shëni flet edhe frëngjisht.” U ulëm në kolltukët e hollit të hotelit ku kishte shumë njerëz. Në kolltukun e madh ishin ulur dy trajnerët- Shëni me trajnerin tonë L. Boriçi; në anë të tyre, në dy pufkat, u ulëm përballë ne me gazetarin. Ishte një çast shumë emocional dhe i papritur. Me pak fjalë që kisha mësuar frëngjisht e përshendeta Shënin: “Salut monsieur!” Ai buzëqeshi, kuptova, që nuk e priste nga një shqiptar një përshëndetje në frëngjisht. Kjo ndodhi 3 vjet mbas 1967-ës, kur gjermanët u larguan nga Tirana nga ndeshja që mori ndëshkimin me emrin që u quajt për gjermanët “Turpi i Tiranës” me rezultatin 0 – 0 që e eliminuan RFGJ nga finalet e evropianit të vitit 1968.

Humbja e gjermanëve

Nga shtypi sportiv i kohës mësojmë, se gjermanët u larguan nga Tirana duke lënë dhe një të dëmtuar nga dyluftimi Shulc (qendërmbrojtësi i Gjermanëve) me mbrojtësin e majtë shqiptar Vaso në sulmin e skuadrës shqiptare. Agjencitë sportive të botës cilësuan: Gjermanët u eliminuan nga një ekip shqiptar që lojti 60′ me 10 lojtarë, sepse Vaso i dëmtuar vetëm bariste nëpër fushë. Sheni më pyeti, si përfundova pas tramumës së rëndë, kur rifillova të luaj me ekipin shqiptar ku luaja aktualisht. Në një bisedë që zgjati mbi 1 orë e ca, befasisht, për mua, ai i tha Boriçit: “Këtë djalë që më duket si gjerman (asi kohe isha bjond) unë koleg do ta shtija në çdo ekip futbolli të Gjermanisë.” Biseda bëhej mbas ndeshjes Turqi – Shqipëri që shtypi turk për lojën e dy ekipeve cilësoi me 4 yje dy lojtarë: Myzafer-in për Turqit dhe T. Vaso për ekipin shqiptar; gjithë lojtarët e tjerë u vlerësuan me 3-2 dhe një yll. Gazeta “Hyjret” shkruante: “Nga skuadra shqiptare u dalluan si rregullatorë të lojës Vaso dhe Bizi, si dhe Ziu shënuesi i golit për turqit. Metin që shënoi të dy golat e Turqisë. Mbas dy muajve më 17.02.1971 Gjermania e Shenit mbërrin në Tiranë për ndeshjen në grup ku ekipi i saj rival ishte Polonia. U ndodha në befasinë e dytë, gjatë zhvillimit të nxemjes doli tek vija anësore trajneri i RFGJ Sheni kur po i afroheshim vendit ku ndodhej ai, pashë që doli përpara meje e për të shmangur lojtarët e tjerë të ekipit tonë, ai më zgjati dorën. Kur unë preka dorën e tij, ai më përshëndeti “Salut Vaso!”. Na ndante nga tribuna qendrore e udhëheqësave të shtetit vetëm pista e vrapimit.

 Vlerësimi për më të mirët

Për Todo Vason mund të flitet e të shkruhet gjatë, ai ka mbetur në memorien e artdashësve të Korçës dhe mbarë vendit. Madje në kuadrin e Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, Presidenti Ilir Meta vlerësoi figurat e shquara të klubit “Skënderbeu” në futboll e disiplina të tjera, njëherazi personalitete të sportit në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Gjatë ceremonisë së veçantë të zhvilluar në Teatrin “Andon Zako Çajupi” të Korçës, Meta vlerësoi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”: atleten e shquar dhe kampionen e Europës, Pavlina Evro, futbollistin Teodor Vaso, atletin dhe trajnerin e paharruar Piro Kasati (pas vdekjes) dhe mbrojtësin Koço Dinella. Ndërsa me Titullin “Mjeshtër i Madh” Presidenti i Republikës çmoi (pas vdekjes) basketbollistet Zamira Koleci, e Tamara Nikolla dhe futbollistin Dhimitër Xhambazi. “Është kënaqësi e rrallë të jem në këtë qytet, në Korçën e dashurisë e të arsimit, por është edhe vështirë për të qenë sonte në Korçën e sportit, sepse do të na duheshin ditë e netë të tëra për të bërë nderimin e duhur të të gjithë atyre sportistëve të ‘Skënderbeut’ që kanë nderuar Korçën dhe mbarë Shqipërinë”. Nuk u harruan as emrat e shquar të sportit si: Jani Kaçi që mbronte e zbukuronte portën e ‘Skënderbeut’ e të Kombëtares sonë, Jorgjeta Ciricin, Eno Dunin, Berti Damon, Adriatik Metën, Lindita Shehun, Tomi Stefanllarin, trainerin Aleko Pilika, Alma Qeramixhi, Dhimitraq Dembon, Miladin Kërçiçin e shumë e shumë të tjerë e deri te brezi më i fundit me Bledi Shkëmbin me shokë,- tha, ish-presidenti.



Fotoja, Todo Vaso bën me dije prefektin e Korçës

Pavarësisht nga fakti që të gjitha këto u përmenden nga komentet e artdashësve korçarë, sërish Todo Vasos në lidhje me foton e tij nuk ia larguan dot shqetësimin. Ishte kjo arsyeja që ai i shkroi vetë Prefektit të Korçës, z. Jole: “Të përshëndes me respekt të veçantë. Z. Nertil

Është e çuditëshme për opinionin që ka njohje se asnjë nga titullarët e emërtesave Korçare të investojë një vleresim jo vetëm të nishaneve që kanë postet e tyre, por qoftë edhe një vlerësim me fjale të atyre që kanë dhënë emërtesat qendrore. “Por më duhet t’ju vë në dijeni që e kanë bërë edhe tjetër, here: hoqën foton time nga polifotoja e të dekoruarve me Emblema e Artë e Bashkisë paçka se përdhosën vendimin e Këshillit të Bashkisë të Korçës. Nëse do të pranoje të uleshe me mua për një kafe do të më çliroje paksa psikologjikisht Të fala respektivisht,- shkruante Todo Vaso.

Skeda e Teodor Vasos

Lindur: Në Korçë më 15.9.1941
Karriera si futbollist: 1957 -1973 me ekipet e të rinjve Dinamo 1957-58, Tirana 1959, Skënderbeu 1959-1963 dhe 1966-1973, Partizani 1963-1966.
Ndeshje të zhvilluara: Janë 343 ndeshje gjithsejt, ku 307 janë me Skënderbeun dhe Partizanin për kampionat dhe kupa dhe 36 ndeshje ndërkombëtare me dy klubet sportive “Skënderbeu “ dhe “Partizani “dhe ekipin kombëtar
Numri në fanellë: Si mbrojtës numëri 4 dhe si mesfushor numëri 6.
Trofe të fituara: Titullin kampion me Partizanin 1963-64, Kupën e Shqipërisë 1964 dhe 1966 me Partizanin, Kupën Ballkanike 1970 me Partizanin.
Karriera si trajner dhe specialist: Në vitet 1974-1978 trajner i ekipit të rinjve të Skënderbeut dhe 1978 deri në 2016 delegat si specialist futbolli i F.SH.F-ës.
Vlerësimet: Në vitin 1967 fitues i anketës “10 sportistët më të mirë të vitit”, në vitin 1968 “Mjeshtër Sporti”, në vitin 1999 fitues i anketës“ Fotbollisti i Shekullit për Korçën”, në vitin  1999  nga Ministria e Kulturës dhe Sportit,: Medalja e Artë “Për rezultate të larta në Sport”, në vitin 2007 nga F.SH.F: Medalja e Veçantë “Për rezultate të larta në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare”, në vitin 2009 nga Bashkia Korçë:”Emblema e Artë e Bashkisë Korçë”, në vitin  2016 nga klubi Partizani “Medalje e Meritës”, në vitin 2018  nga Presidenti i Republikës zoti  Ilir Meta titulli  i lartë:“Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.